Zoti kryetar,

Nuk po dimë si ti rendisim skandalet në këtë vend, ka një javë që kjo qeveri është përballë skandaleve nga më të ndryshmet dhe nga më të rëndat. Vetëm në një javë tre skandale të rënda dhe askush nuk jep përgjigje. Askush nuk flet. Vetëm dalin, mashtrojnë. Njerëz që sot duhej të ishin prapa hekurave të burgut, që në momentin e parë që plasi skandali i përgjimit, këta që mashtruan bashkë me drejtorin e policisë dhe drejtuesit e policisë, duhej të ishin pas hekurave të burgut jo të vinin këtu. Tani sapo dëgjuam një kolegun tonë që denoncoi një akt tjetër të rëndë. Një kryetar bashkie i “Rilindjes”, i mbrojturi i Edi Ramës, ka kërcënuar me jetë një deputet të Kuvendit të Shqipërisë, nuk ka rëndësi kush është ai, është i Partisë Demokratike, i Partisë Socialiste, apo ish-Partisë Socialiste. Këtu po të jesh kundërshtar i Ramës kërcënohesh me jetë, burgosesh të bëhen të gjitha të zezat. Kryeministri qesh, ngërdheshet aty prapa. Sot unë bëra edhe një deklaratë nga Partia Demokratike. Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve po shkel ligjin e dekriminalizimit duke mos bërë publike, siç e ka detyrim ligjor, pikërisht formularët e këtyre kriminelëve që mbron ky kryeministër dhe nuk është as harresë, as pakujdesi, Jo! Janë të lidhur me krimin me urdhër të këtij dhe po shkelin ligjin edhe KQZ nuk po i nxjerr përpara shqiptarëve kush janë të zgjedhurit e këtij, të kaluarën e tyre kriminale. Sot, në vend që të ishin atje ku e meritojnë, marrin edhe guximin dhe kërcënojnë deputetët me jetë. Normale, sepse është ky, është kryesori, është ky që i mbron, ky i ka vënë aty, dhe ky vazhdon t’i mbrojë. Dhe, na flet për drejtësi, për reforma, për ligj, për shtet. Cili shtet? Ai që burgos një baba të mjerë se donte të rregullonte çatinë e shtëpisë së fëmijëve të tij dhe nga ana tjetër e le të ikë kryemafiozin? Cilin shtet? Ai që burgos për 3 mijë lek të vjetra, një fakir që nuk ka të paguajë dritat dhe lë të bredhin kriminelët. Ky është shteti? Nuk mund ta kalojmë ne z.kryetar kështu. Eshtë e vërtetë që këtu skandalet zënën njëri-tjetrin, por ne nuk mund ta pranojmë, nuk mund të mësohemi me të keqen deri në këtë shkallë. Të themi, iku edhe një e keqe tjetër, jo! Ka arritur aty ku s’mban më. Ndaj edhe ju si kryetar Parlamenti nuk mund ta kaloni kështu. Ky zotëria sigurisht që nuk guxon të japë përgjigje, origjinalit apo kopjes, ky duhet të japë përgjigje për origjinalin që ka në Kavajë që është kopja e këtij. Ai origjinali i Kavajës është kopja e këtij. Një i gjatë dhe një i shkurtër por janë të dy siamezë. Për këto duhet të japë përgjigje!


Fjala në Parlament e kryetarit të grupit parlamentar, Edi Paloka, 19 maj 2016