Është një ditë e rëndësishme për një nga reformat më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë në këto 25 vite, më të rëndësishmen të këtyre 3 viteve, që ka vulën dhe firmën e Partisë Demokratike por mbështetjen e çdo shqiptari të ndershëm: ligjin për dekriminalizimin.

Efektet e këtij ligji kanë filluar të ndjehen dhe sot Elvis Roshi, si subjekt i deklaruar dhe i njohur botërisht i këtij ligji ka marrë atë që ligji i rezervon atij dhe personave të tjerë të veshur me pushtet, për shkak të rekordeve të tyre kriminale.

Kjo është koha të kujtojmë se para se të vinim tek ky hap i rëndësishëm Elvis Rroshi kishte mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të Edi Ramës në kandidimin e parë dhe në kandidimin e dytë. Edhe kur BIRN-i i kujtoi se ka dënim në Zvicër për trafik droge, edhe kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkuan të mos e poshtërojë popullin shqiptar,  Edi Rama vendosi të rrinte pas dhe me Elvis Rroshin, të sfidonte komunitetin ndërkombëtar,  popullin shqiptar, popullin e Kavajës, t’i poshtëronte ata.

Poshtëruesi i popullit shqiptar ka një emër dhe mbiemër dhe ky quhet Edi Rama dhe sot siç i poshtëroi dhe i gënjeu për Elvis Rroshin përsëri i gënjeu për hesap të Elvis Rroshit por edhe për hesapin e vet.

Elvis Rroshi ka një dënim në Zvicër për trafik droge. Elvis Rroshit që nuk i kujtohej dënimi në Gjermani, deklaroi më pas se nuk kishte asnjë dënim dhe po kështu tha edhe shefi i tij, dhe tani papritur i është kujtuar dënimi në Itali. Por ka edhe një dënim në Zvicër. Ai mbetet subjekt i ligjit të dekriminalizimit sepse i ka fshehur këto dënime

Edi Rama e ka ditur si sot një vit më parë, që Elvis Rroshi ka dënim në Zvicër për drogë. I është kërkuar të mos e kandidojë se do të poshtëronte popullin e tij duke kandiduar një të dënuar për drogë dhe zgjodhi ta kandidonte.

Nuk është një ditë për të fërkuar duart.  Është një ditë për të parë se ku e ka katandisur Shqipërinë Edi Rama me të inkriminuarit e tij që janë cep më cep, në çdo cep të administratës, nga jugu në veri, nga nivelet më të ulëta tek nivelet më të larta të administratës që Edi Rama e ka mbushur me persona me rekorde kriminale.

Por ndryshe nga ç’thonin dhe parashikonin dajrexhinjtë e tij në studiot televizive dhe në media, ligji funksionon. Elvis Rroshi është prova e parë që ligji funksionon. Dhe me shprehjen më të dashur të tij:  “S’ka parë asgjë akoma!” Ligji do të vazhdojë të nxjerrë në pah krimin më të madh që ka firmën dhe vulën e Edi Ramës: kërkimin me zor dhe gradimin me zor të kriminelëve në administratën publike, në parlament dhe në bashkitë e vendit.

Por ky  problem nuk zgjidhet me largimin e Rroshit. Ky duhet të largohet. Ky që i poshtëroi shqiptarët, ky që i gënjen shqiptarët ditë e natë. Ky që i ka zhytur shqiptarët në një krizë ekonomike të thellë dhe me cinizëm iu thotë sot që kriza është thelluar, siç e konstatojnë edhe institucionet ndërkombëtare financiare, se krizën po e lëmë pas me pranverën.

Largimi i Edi Ramës është zgjidhja. Ai duhet të mbajë përgjegjësi para shqiptarëve  për inkriminimin e vendimmarrjes në këtë vend si kurrë më parë, për gradimin e kriminelëve me pushtet, për gënjeshtrat dhe mashtrimet që iu ka thënë shqiptarëve ditë për ditë në emër të kriminelëve që i gradoi me pushtet Zgjidhja është largimi i Edi Ramës, pasi  shqiptarët  e dinë se e keqja me të do të vazhdojë, se mbrojtja e kriminelëve do të vazhdojë, siç vazhdoi mbrojtja e Elvis Rroshit deri në minutën e fundit, sa kohë që kanë garant Edi Ramën.

Shqipëria është  më mirë pa Edi Ramën! Shqipëria pa Edi Ramën, me zgjedhje të lira dhe të ndershme, me kandidat të ndershëm është ajo që kërkoj sot unë, por jam i sigurt që jo vetëm anëtarët, simpatizantët, votuesit e Partisë Demokratike, por edhe socialistët e ndershëm. Ta çlirojmë Shqipërinë nga kjo e keqe, që i ka zënë frymën, nga gënjeshtrat, nga mashtrimi, nga korrupsioni dhe nga e zeza e të zezave nga inkriminimi i pushtetit me persona me rekorde të tmerrshme kriminale.

Sot nuk është një ditë për të fërkuar duart është një fitore e një beteje, por lufta vazhdon. Dhe lufta mund dhe do të përfundojë për të gjithë shqiptarët kur personi që ngriti arkitekturën e pushtetit të inkriminuar të jetë larguar nga pushteti një herë e mirë me votën e shqiptarëve. Me votën e lirë dhe të ndershme të shqiptarëve, përmes një procesi të lirë zgjedhor, përmes zgjedhjeve të vërteta demokratike të cilat janë sot e gjithë ditën prioriteti numër një i Partisë Demokratike, i imi personalisht, përkushtimi dhe angazhimi im maksimal para shqiptarëve.


 

Njoftim për media i Partisë Demokratike, 31 maj 2016