Në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të Romëve, ky takim në selinë e Kuvendit të Shqipërisë është një thirrje për të gjithë ne politikanët për më shumë vëmendje institucionale për respektimin e të drejtave të komunitetit rom.

Njëkohësisht, është një ditë reflektimi, pasi raportet mbi statusin socio-ekonomik, me trishtim konstatojmë se komuniteti rom përjeton diskriminim racial nga institucionet shtetërore. Konstatuar kjo edhe nga raportime të institucioneve ndërkombëtare si Raporti i Progresit i fundit i BE, Amnisty International, Raporti vjetor i të drejtave të njeriut i Departamentit të Shtetit.

Mbase shumë pak e dinë që Romët datohet të kenë ardhur në Shqipëri në shek. e XIV, duke emigruar nga pjesa veriore e Indisë, një e dhënë kjo e vërtetuar shkencërisht. Numri i tyre luhatet nga 50.000-70.000. Studimet ( Census i Soros 2013) tregojnë se në kryeqytet numërohen te jene rreth 960 familje por nga të dhënat në terren jane mbi 1500 familje.

Të gjendur përballë një kaosi reformash për Qevernë qëndrore dhe ato lokale grupet vulnerabël janë prekur nga varfëria ekstreme dhe jetojnë edhe sot si në mesjetë. Komuniteti rom është më i braktisuri më i diskriminuari në vend, i nënpërfaqësuar, pa akses në shërbime dhe përjeton diskriminim racial.

Pra shumë pak është realizuar nga ëndrra e Martin Luther King, për të drejtat e njerëzve me ngjyrë në Shqipëri, e shprehur në të famshmin fjalim “I have a dream”.

Problemi real i Romevë nis të nesërmen e zgjedhjeve. Bash të nesërmen, qeveria qendrore dhe vendore i braktisi ata.

Nga vizitat ne terren vihet re një varfëri e skajshme. Dua të ndalem në disa ngjarje tronditëse që kanë ndodhur 6 muajt e fundit, disa fatkeqesi natyrore të keqmenaxhuara nga ana e institucioneve shtetërore.

1-         Opozita ka shprehur shqetësim të madh për dëbimin e dhunshëm të 44 familjeve Rome nga parku i liqenit. Edhe në raportet për respektimin e të Drejtave të Komuniteteve Etnike, Zyra e Avokatit të Popullit, Amnesty International dhe aktivistët e të drejtave të njeriut, kanë dënuar historinë e dëbimit të dhunshëm të këtyre familjeve rome pa iu siguruar një strehë dhe kushte jetesën e pa miratimin nga ana e tyre. Unë kam shprehur shqetësimin tim për deklaratat raciste të disa krerëve të institucioneve apo krerë bashkish, kjo një vepër penale e sanksionuar në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Qëndrimet raciste, pavarësisht se nga kush mbahen, janë antikushtetuese dhe shkelin angazhimet e Shqipërisë në institucionet europiane për trajtimin e barabartë të të gjithë personave dhe luftimin e racizmit, ksenofobisë, antisemitizmit dhe intolerancës.

Për këtë rast flagrant të diskriminimit racial të Komunitetit rom, si Kryetare e Komisionit për Punën, Cështjet Sociale dhe Shëndetësinë i kam dërguar letër Kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit z. Veliaj, ku i kam kërkuar të anulojë shpërnguljen me dhunë të familjeve rome deri në gjetjen e një vendstrehimin të qëndrueshëm dhe të pranuar nga vetë komuniteti rom. Nga Tetori kanë kaluar 6 muaj dhe ende nuk ka asnjë informacion se ku kanë përfunduar familjet rome që u dëbuan me dhunë për një aferë abuzive ndërtimi. Janë humbur kontaktet e askush nuk di se ku gjenden ato familje.

2. Vdekja e foshnjës së tretë, për shkak të motit të ftohtë, në kasollet e komunitetit Rom në zonën e Shkozës, ku jetojnë përafërsisht rreth 60 familje në varfëri të tejskajshme.

3- Përmbytja e rreth 12 familjeve Rome ne zonën e Bregut të Lumit (Banorë të njësisë nr.4.) Janë vendosur nëpër çadra në zonën e Shish-Tufinës. Pritet që Kryetari i Bashkisë t’ju shperndaje rulo duke mos respektuar disa standarde minimale për një banesë dinjitoze dhe krijimin e getove.

4- Shembja e rreth 36 banesave të komunitetit Rom në zonën e Selitës, dhe përjashtimi i cdo banese nga procesi i legalizimit dhe për pasoje edhe i  kompensimit.

5- Perfshirja nga flakët e rreth 11 kasolleve në zonën e Shkozës.

6- Pas prishjes së tregut në zonën e Selitës, tregetarët ambulantë Rom gjenden pothuajse cdo ditë përballë presionit të gjobave nga ana e Policisë Bashkiake duke ju mohuar dhe të vetmen mundësi punësimi atë të tregëtimit të rrobave të përdorura.

7- Jo vetëm mungojnë programe specifike për punësimin e tyre, por së fundmi kemi shkarkime në masë të anëtarëve të komunitetit Rom të punësuar prej vitesh në ndërmarrjet e gjelbërim-pastrimit, ujësjellës kanalizimeve në Bashkinë Tiranë.

8- Duke shfrytëzuar mungesën e informacionit të pjestarëve të komunitetit rrom, ka pasur raste mbifaturimi të faturave të energjisë, madje edhe duke i burgosur në kushte pamundësie shlyerje debish.

9- Është shkrirë Sekretariati Teknik për Romët në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, për pasojë nuk është punësuar asnjë nga kapacitetet Rome në asnjë nga ministritë e linjës (Ministria e Mirëqenies trumpeton se ka punësuar dy të rinj edhe ata janë interns që paguhen nga UNDP, por jo pjesë e organigramës së Ministrisë).

10- Edhe plani i veprimit 2016 – 2020 është hartuar në mënyrë jo koherente dhe të pabazuar në të dhëna të sakta ç’ka mund ta bëjnë zbatimin një dështim të vertetë.

11- Mungesa e një strategjie të mirëstudiuar dhe efektive, ka sjellë dështimin e largimit të personave që lypin nga rruga. Qindra mijëra euro të hedhura për fushata e projekte pa vlerë ndërkohë që mund të siguroheshin strehim apo punësim për komunitetin rom.

12- Skema e re e ndihmës ekonomike ka përjshtuar shumë familje rome nga sistemi duke mos përfituar as 3000 mijë lekshin në muaj.

13- Mungesa e ekzistencës së programeve specifike të punësimit, varfëria, kushtet e vështira të jetesës, izolimi, diskriminimi‎, kanë detyruar romët dhe egjiptianët  të ikin në masë për të kërkuar azil në Gjermani dhe vende të tjera të Bashkimit Europian.  Por nga Qeveria ende nuk ka një numër të saktë sa familje rome janë larguar e aq më pak arsyet pse.

Të gjitha këto më sipër i vërtetojnë Raport Progresi i Bashkimit Europian për Shqipërinë i vitit 2015 si dhe të Amnisty International.

Duhet sot të pranojmë që romët janë ajo pjesë e shoqërisë kërkon më shumë mbështetje, përkrahje…

Pyetja që na lind natyrshëm është:

–           A ka qenë komuniteti rom mjaftueshëm në vëmendjen e Qeverisë?

–           A ka qenë mjaftueshëm në vëmendjen e legjislativit?

–           A ka qenë në fokus kur janë hartuar buxhetet e shtetit??

Përgjigja e të gjitha këtyre pyetjeve është JO!!

Në dëgjesën që patëm me disa shoqata për buxhetin 2016, ku u ftuan të merrnin pjesë edhe shoqata që mbrojnë të drejtat e romëve, shqetësim i madh u shpreh për përjashtimin e tyre nga mundësia për një banesë sociale…

Kërkesa e tyre kryesore ishte rritja e buxhetit për strehim social, për ndërtesa të reja e për krijimin e mundësive për akses të familjeve rome, kërkesë e miratuar unanimisht nga komisioni për Shëndetësinë dhe Cështjet Sociale por që për fat të keq u rrëzua nga Komisioni për ekonomonë dhe financat.

Atëherë, për të dalë nga sfondi i fjalimeve, do shtroja një tjetër pyetje: a mundet ne të gjithë së bashku të bëjmë dicka konkrete e të qenësishme për këtë katëgori???

Unë them se po!! Nëse do të jemi seriozë në mendim, veprim!! Të gjithë ne ja kemi dalë që kauzës së gruas i kemi dhënë formë, e kemi rritur, promovuar, shtuar në numër. Ende s’jemi atje ku duhet, por jemi në rrugë të mbarë.

Ndaj edhe jam e sigurt që ne së bashku  mund që të bëjmë më shumë për ta, tu japim ato mundësi e shance të munguara pasi ata janë po aq të mirë, profesoinistë, madje pse jo edhe më të mirë se ne. Por shancet qe neve na janë dhënë, atyre ju janë munguar.

Për të qenë konkretë, unë në emër dhe të opozitës do sugjeroja disa drejtime që kërkojnë vëmëndje:

1- Plotësimi i kushteve  minimale jetike, duke zbatuar programe të vecanta të nxitjes së punësimit për Romët duke i larguar kështu edhe nga informaliteti.

2- Krijimi i kushteve dinjitoze për strehim. (Rulotë dhe rindërtimi i kasolleve të djegura apo të përmbytura, janë diskriminuese dhe krijojnë geto jo integrim);

3- Përfaqesim institucional të tyre në Ministritë e Linjes, si një detyrim ligjor i tyre;

4 – Plani i veprimit 2016 – 2020 të jetë i bazuar në shifra e të ketë propozime konkrete;

5- Përgëzoj ministrinë e Mirëqenies për projektin për largimin e fëmijëve në situatë rruge. Por sugjeroj që qasja të ndryshojë. Duhet mënjëherë ngritja e mekanizmave mbrojtës, ndryshimi i ligjit për mbrojtjen e të drejtavë të fëmijëve dhe bashkërendim i punës së të gjitha institucioneve shtetërore.

Inkurajoj komunitetet Rome dhe Egjiptiane të ngrihen në mbrojtje të cdo të drejte të tyre ligjore dhe kushtetuese.

Grupi Parlamentar i opozitës do të jetë në mbështetje të cdo lëvizje apo kërkese në drejtim të mbrojtjes së interesave të tyre.

Insitucionet, politika, aktivistët e të drejtave të njeriut të gjithë duhet të bëjnë detyrën për të siguruar të drejtat e komuniteteve etnike, të gjithë duhet të bëjnë më shumë që fënijët rome dhe familjet e tyre të gëzojnë të drejta të barabarta, akses në arsim dhe shërbime shëndetësore.

Respektimi i të drejtave të këtyre komuniteteve mbetet kriteri kyc për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në këtë rrugë duhet të jemi të gjithë bashkëpunues dhe jo përjashtues dhe diskriminues.


Fjala e kryetares së Komisionin Parlamentar për Punën, Cështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Albana Vokshi në tryezën me temë “Forcimi i rolit të Kuvendit të Shqipërisë në kontrollin e zbatimit të legjislacionit që prek prob​lematikat e komunitetit Rom në Shqipëri”, 6 Prill 2016