Partia Demokratike dorëzoi sot në Kuvend kërkesën për hetim parlamentar në lidhje me aferën Rama-CEZ, ku te pakten 500 milionë euro u plaçkitën, duke ia mohuar shtetit dhe qytetarëve e duke u ndare në paktin kriminal të bërë nga kryeministri me kompaninë çeke. Janë 500 milionë euro detyrime të njohura e të pranuara që kompania kishte ndaj shtetit bashkë me shpërblimin që Rama i dha firmës çeke për prishjen e marrëveshjes. Janë 500 milionë euro që duhej ti shkonin qytetarëve në investime, në krijimin e vendeve të punës e në zbutjen e varfërisë. Por Edi Rama ia mohoi shqiptarëve për interesat e tij personale. Partia Demokratike e denoncoi vjedhjen më të madhe të vendit, dhe u beri thirrje deputeteve të mazhorancës të mos e votonin në korrik të 2014 këtë aferë në parlament. Por me urdhrin e Ramës plackitja e 500 milionë eurove u zyrtarizua, madje ai u kujdes që autorët e krimit të kishin dhe imunitet e të mos hetohen nga prokuroria, e të kenë mundësi ai bashkë me ta të shijojnë parajsat fiskale. Partia Demokratike është e vendosur ta cojë deri në fund këtë cështje. Askush, asnjë nga autorët, me Edi Ramën në krye nuk do ti gëzojnë paratë që u kanë marrë shqiptarëve. Hetimi parlamentar është vetëm hapi i parë drejt zbardhjes së megaaferës Rama-Cez.

Bashkangjitur kërkesa dërguar sot Kuvendit.


K Ë R K E S Ë

DREJTUAR: ZOTIT ILIR META

KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË

KËRKUES:   MË SHUMË SE 1/4 E TË GJITHË DEPUTETËVE TË KUVENDIT TË SHQIPËRISË, ANËTARË TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE.

OBJEKTI:     Krijimi i një Komisioni Hetimor të Kuvendit, për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrotjen e interesit të shtetit shqiptar, nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014.

BAZA LIGJORE:     Nenet 7, 77 dhe 78 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë; Ligji nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”; si dhe neni 25 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

  1. Kryetar i Kuvendit,

Me ligjin nr. 114/2014, datë 31/07/2014 është miratuar marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”. Opozita parlamentare e kundërshtojë arritjen e kësaj marrëveshje, bazuar në faktet e disponura prej saj, se shtetit shqiptar po i shkaktohej një dëm i rëndë financiar dhe se po cenohej interesi publik. Qeveria Shqiptare, në kushtet e mungesës totale të transparencës, nëpërmjet deformimit të fakteve dhe rrethanave të cështjes, arriti t’i imponohej deputetëve të mazhorancës, të cilët symbyllur dhe në shpërfillje të interesit publik, vendosën miratimin e marrëveshjes, në seancën plenare të datës 31/07/2014.

Nga rezultatet e një auditimi të kryer nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, institucion i pavarur kushtetues, rezulton se shtetit shqiptar, nga realizimi i kësaj marrëveshje, i është shkaktuar një dëm ekonomik që arrin në vlerën 479 milion euro, dhe më konkretisht: (i) vlera 95 milionë euro – pagesa e dakordësuar në Marrëveshje; (ii) vlera 352 milionë euro – detyrime financiare të prapambetura, rrjedhojë e keqmenaxhimit 2009-2012; dhe (iii) vlera 32 milionë euro  –  zhvlerësimi në zero i vlerës se 24% te aksioneve te Shtetit).

Ne kemi të gjitha dyshimet e arsyeshme të bazuara në prova dhe fakte, se vlera e dëmit ekonomik që i është shkaktuar shtetit shqiptar, është disa herë më e lartë se dëmi i konstatuar nga vetë Kontrolli i Lartë i Shtetit. Ne vlerësojmë se është detyrë e Kuvendit të Shqipërisë, që të kryerjë një kontroll të plotë parlamentar, për të evidentuar nëse gjatë procedurave të arritjes së kësaj marrëveshje, është cenuar interesi i shtetit shqiptar dhe nëse grupi negociator ka respektuar legjislacionin në fuqi dhe është udhëhequr nga interesi publik.

  1. FAKTET DHE RRETHANAT E CËSHTJES

Me Ligjin nr. 10116, datë 23.04.2009 “Për miratimin e kontratës së shitjes së 76% të aksioneve të OSSH sh.a., ndërmjet METE dhe CEZ a.s.” kjo shoqëri ka blerë 76% të aksioneve të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) duke u bërë kështu operatori më i rëndësishëm i shpërndarjes dhe furnizimit publik, me pakicë të energjisë elektrike. Në bazë të Ligjit Nr.9072, datë 22.05.2003 “Për sektorin e energjisë elektrike” (i ndryshuar) (neni 45), CEZ Shpërndarje si shoqëri e liçensuar për furnizimin e përdoruesve me energji elektrike, është e detyruar të sigurojë furnizimin me energji elektrike te konsumatoreve të energjisë elektrike. Për këtë shërbim aplikohen tarifat përkatëse që në bazë të nenit 28 të ligjit të sipërcituar shqyrtohen dhe miratohen nga ERE.

Mirëpo CEZ a.s. nuk zbatojë kushtet e kontratës së nënshkruar me shtetin shqiptar, duke shkaktuar dëme të pariparueshme sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Pas problematikave të vazhdueshme disa vjeçare, ERE me shkresën nr. 281/11, datë 11.04.2012, ka njoftuar fillimin e një procesi të gjerë monitorimi të gjendjes financiare të shoqërisë CEZ Shpërndarje sh.a.

Në Tetor të vitit 2012, Banka Botërore këshilloi shtetin shqiptar të ndërmerrte masa për heqjen e licensës së CEZ a.s dhe orientoi Qeverinë të kontaktonte dhe të thërriste në garë disa kompani ligjore të specializuara në fushën e arbitrazhit të investimeve. Për këtë arsye, më 5 Nentor 2012 nga Ministria e Drejtësisë u shpallën fituesi  të një gare ndërkombëtare dy firmat ligjore “Derains” dhe “Gharavi & Lazareff”.

Në Nëntor 2012, pas dështimit të negociatave me CEZ a.s., studio ligjore ndërkombëtare këshillojë Qeverinë Shqiptare t’i hiqte licencën “CEZ Shpërndarje sh.a.” dhe në vijim të angazhohej fuqishëm për ngritjen e padive në arbitrazh ndërkombëtar referuar Marrëveshjes së privatizimit. Konkretisht, CEZ a.s duhet të mbante përgjegjësi për:

  1. Dëme të rrjedhura nga mosrealizimi i masës së investimeve të nevojshme për përmbushjen e detyrimeve të CEZ a.s. sipas kontratës për shitblerjen e kuotave dhe abuzimi me pasuritë e CEZ Shpërndarje të vlerësuara përafërsisht në masën 700 milion Euro;
  2. Dëme të rrjedhura nga shkëputja e pajustifikuar e energjisë elektrike më 16 nëntor 2012 dhe në raste të tjera;
  3. Likujdimi i faturave ndaj KESH dhe OST në masën e rreth 300 milion Euro.

Në përfundim të procesit të auditimit dhe vlerësimit ligjor e financiar të situatës, pas konstatimit se gjendja kritike është shkaktuar kryesisht nga tejkalimi i shpenzimeve e keqadministrimi, një sërë tratativash jo të suksesshme për zgjidhjet e mundshme të situatës së konstatuar, si dhe në kushtet kur njoftohet nga CEZ Shpërndarje se “shoqëria mund të mos jetë në gjendje të parandalojë përkeqësimin në javët e ardhshme në nivelin e shërbimeve që siguron, përfshirë dhe lëvrimin e energjisë elektrike”, pra vetëdeklaron se ka dështuar në realizimin e objektivave të saj, të përcaktuara në Deklaratën Rregullatore, Enti Rregullator i Energjisë (ERE) me Vendimin nr. 4 dhe nr. 5 datë 21.1.2013, ka mbajtur qëndrimin se shoqëria CEZ Shpërndarje sh.a. është në shkelje të kushteve të licensave RPS dhe DSO, për këtë shkak, ka vendosur heqjen e licencave të mësipërme dhe kalimin e shoqërisë CEZ Shpërndarje sh.a, në administrim të përkohshëm.

Më 5 mars 2013  CEZ kërkoi zgjidhjen e mosmarrëveshjes me ndërmjetësim. Më 15.05.2013 shoqëria CEZ a.s, Pragë, pas heqjes së liçencave dhe vendosjes së shoqërisë nën administrim të përkohshëm, paditi e para Republikën e Shqipërisë në Gjykatën e Arbitrazhit UNCITRAL, duke ngritur një sërë pretendimesh ligjore dhe financiare.

Më 19 Prill 2013 studio ligjore ndërkombëtare, i ka paraqitur me shkrim autoriteteve shqiptare, avantazhet dhe disavantazhet e zgjidhjes me ndërmjetësim, duke vlerësuar se në kushtet kur ende nuk janë mbledhur provat, nuk mund të vijohet me vlerësimin e plotë ekonomik dhe juridik të situatës, për të evidentuar mundësitë e zgjidhjes me ndërmjetësim.

Më 28 Gusht 2013 është nënshkruar kontrata me BDO  dhe më pas me Becker Buttner Held që do të përfundonte në 8 javë Vlerësimin Teknik të Cez sh.a. Më 30 shtator 2013 av. Hamid Gharavi shpreh shqetësimin e madh për cënimin e interesave ekonomikë të Republikës së Shqipërisë në rast se nuk ndërmerren në mënyrë urgjente disa masa të caktuara.

Mirëpo, procesi ndryshojë në mënyrë të papritur, për shkak se me Vendim të Këshillit të Ministrave nr. 969 datë 25.10.2013 është vendosur të ngrihet Grupi i Punës dhe fillimi i procedurave të negociatave për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ a.s. Grupi negociator kryesohej nga Z. Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Industrisë.

Në Shkurt 2014 janë përgatitur Raportet e ekspertëve (Vlerësimet teknike, financiare dhe vlerësimi i Claims kundër CEZ a.s. dhe nga CEZ a.s.), por rezultatet janë mbajtur të fshehura nga Qeveria dhe Raportet nuk janë zhvilluar më tej sipas porosive të lëna nga ekspertë në mënyrë që të finalizoheshin referuar termave të Kontratës me ta. Dy raportet e vlerësimit teknik dhe financiar, të cilat ishin vënë në dispozicion të Qeverisë që në 10 Shkurt 2014, parashikonin shprehimisht se:

  • CEZ a.s. nuk investoi në kompaninë e shpërndarjes referuar marrëveshjes (fq. 67-74 Vleresimi i Padive BDO);
  • kompania u shkatërrua me qëllim nga CEZ a.s., e cila kishte një vit që përgatitej të largohej (67-74, 80-85 Raportit BDO);
  • paratë e marra me kredi nuk ishin përdorur për të bërë investimet e kërkuara (po aty);
  • CEZ kishte dështuar për të reduktuar borxhin e keq referuar SPA ( fq75-79 BDO);
  • pjesa takuese e shtetit shqiptar 24 % kishte shkuar në zero (80-100 BDO);
  • e gjithe vlera e kompanisë kishte shkuar në zero (80-100 BDO);
  • paratë e mbledhura nuk ishin investuar por në kundërshtim me ligjin ishin transferuar në parajsat fiskale nga kompanitë fantazëm të kontraktuara nga CEZ (fq.92-97 i raportit BDO);
  • CEZ a.s. kishte dështuar të investonte, të ulte humbjen në rrjet dhe të ulte borxhin e keq, i cili rezultonte i rritur nga 8 milion ne vitin 2007 në 53 milion në Janar të vitit 2013;
  • CEZ shpërndarje në kundërshtim me ligjin kishte transferuar para tek CEZ a.s. në mënyrë preferenciale karshi kreditorëve të tjerë (fq.100 BDO);
  • heqja e licensës nga ERE ishte mëse e drejtë;
  • faturat e papaguara nga CEZ ndaj KESH dhe OST 3,6 Miliard lek (fq. 102-106 i BDO);
  • paditë e paraqitura nga CEZ a.s. janë të mbivendosura dhe nuk janë të llogaritura drejt (fq.132 BDO);
  • paditë në lidhje me taksat të cilat janë humbur në gjykatat e brendshme në 3,9 miliard Lekë (fq.125 i BDO).

Pas zhvillimit të një sërë takimeve negociuese për rreth 6 muaj, në zyrat e Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë në Vjenë, Grupi i Punës, me Vendimin nr. 2, datë 19.06.2014, ka miratuar marrëveshjen e arritur me CEZ a.s. Procedura e negocimit ka përfunduar me nënshkrimin e Marrëveshjes me mirëkuptim nga Grupi i Punës më datë 23.06.2014, përcjelljen në Këshillin e Ministrave dhe miratimin e saj me Ligjin nr. 114/2014 datë 31.07.2014.

Pra, pavarësisht se detyrimi që kompania CEZ a.s. i detyrohej shtetit shqiptar në minimumin e saj kapte vlerën 1 bilion Euro (500 milion USD CEZ a.s. i detyrohet vetëm KESH dhe OST), Qeveria arriti “të zgjidhte” me mirëkuptim mosmarrëveshjen, duke i falur të gjitha detyrimet dhe duke i dhënë CEZ a.s. 95 milion Euro. Por kjo marrëveshje arrihet në një situatë kur CEZ a.s. pretendonte 200 milion EURO në një arbitrazh investimesh, ndërkohë që kjo kompani ishte e ekspozuar karshi shtetit shqiptar në një padi Arbitrazhi Tregtar nga 1-3 bilion euro.

Konkretisht, detyrimet e marra përsipër nga shteti shqiptar, nuk përputhen me realitetin dhe janë të pambështetura në ligj dhe prova. Referuar përmbajtjes së Marrëveshjes për Zgjidhjen me Mirëkuptim, evidentohen fare qartë se jemi përpara një marrëveshjeje tërësisht të pabarabartë dhe jo në proporcion me pretendimet e ligjshme të Shtetit Shqiptar ndaj CEZ a.s. Rezulton se shteti shqiptar ka marrë përsipër pagesën prej 36.9 milionë eurosh që përfaqëson vlerën e kredisë së disbursuar nga Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim dhe IFC-ja mbi bazën e kontratave të lidhura nga CEZ Shpërndarje sh.a. Në vlerësimin e ekspertit të BDO LLP të kontraktuar nga Shteti Shqiptar, pas analizës së dokumentacionit të vënë në dispozicion, theksohet se nuk ka evidenca të sakta se si është përdorur huaja e marrë. Qartësisht nuk provohet që huaja të jetë përdorur për investime. Kjo nënkupton që shteti shqiptar ka njohur një kredi e cila nuk është përdorur për të realizuar investimet për të cilën ishte kërkuar.

Nga ana tjetër, merret përsipër të paguhet shuma prej 17.4 milionë eurosh që përfaqëson vlerën e kredisë së disbursuar nga disa marrëveshje Overdraft me banka të nivelit të dytë në Shqipëri. Ndërkohë që nga raporti i ekspertëve ndërkombëtar evidentohet që në 10.07.2012 ka një Marrëveshje midis CEZ a.s (mëmës) dhe CEZ Shpërndarje sh.a, për shumat e mbetura si detyrime të pagueshme në shumën 17 milionë euro për overdraft-e me bankat e nivelit të dytë, marrëveshje kjo që është nënshkruar në momentin kur CEZ a.s, po përgatitej të largohej nga Shqipëria.

Gjithashtu, shuma prej 25.1 milionë eurosh që përfaqëson detyrimet e CEZ Shpërndarje sh.a ndaj shoqërisë CEZ a.s, Pragë, dhe CEZ Trade Albania, për energjinë elektrike të lëvruar nga këto të fundit për mbulimin e humbjeve në rrjetin e shpërndarjes, nuk rezulton që të jenë vlerësuar dhe verifikuar nga Grupi i Punës. Konkretisht, konstatohet lehtësisht se detyrimi për energjinë elektrike të blerë nga CEZ a.s dhe CEZ Trade sipas pasqyrave financiare të vetë shoqërisë është shumë më e ulët se detyrimi i marrë përsipër.  Ndërkohë që rezulton e provuar se shteti shqiptar ka njohur detyrime për mallra dhe shërbime të cilat nuk kaluan tek CEZ Shpërndarja sh.a., në shumën 6.1 milionë eurosh, shumë që përfaqëson detyrimet që CEZ Shpërndarje i ka pasur shoqërisë CEZ Albania, tashmë e njohur me emrin Share Services Albania, për shërbimet e ofruara në vazhdimësi sipas marrëveshjeve përkatëse të nënshkruara, duke filluar nga viti 2009.

Është e qartë dhe e provuar katërcipërisht se asnjë avokat apo ekspert ndërkombëtar nuk rezulton ta ketë konsultuar Qeverinë shqiptare për të zgjidhur në këtë formë mosmarrëveshjen me CEZ a.s., përvec konsulentëve privatë të Kryeministrit dhe avokatëve të shtetit dhe zyrtarëve të tjerë, të cilët kanë patur klientë CEZ a.s. apo kanë qenë të punësuar nga CEZ a.s.!

Për të gjitha faktet mësipër, rezulton që nga nënshkrimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ, a. s., të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014, i janë shkaktuar shtetit shqiptar miliona EURO dëm ekonomik, për të cilat është e nevojshme të realizohet një kontroll parlamentar, me qëllim evidentimin e pëgjegjësive administrative dhe gjetjen e zgjidhjeve më të mira në mbrojtjen e interesit publik dhe shmangien e këtyre pasojave negative për të ardhmen.

Objekti i hetimit parlamentar duhet të jenë procedurat e ndjekura dhe negociatat që sollën në përgatitjen e marrëveshjes së nënshkruar nga Grupi i Punës për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes ndërmjet Shtetit Shqiptar dhe CEZ a.s. Për këtë qëllim është e nevojshme që të verifikohen dokumentat e institucioneve të ndryshme të Shtetit Shqiptar, korrespondenca ndërmjet institucioneve shtetërore, raporte të audituesit të pavarur ndërkombëtar apo të konsulentit ligjor të kontraktuar nga Shteti Shqiptar, apo analiza të pasqyrave financiare të publikuara të shoqërive në pronësi të CEZ a.s., si dhe i gjithë dokumentacioni i përdorur në arritjen e kësaj marrëveshje nga grupi i punës.

  1. BAZUESHMËRIA LIGJORE E KËRKESËS

Gjykata Kushtetuese e cilëson si “kompetencë kushtetuese” të drejtën e pakicës parlamentare për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar. Duke e veshur një të katërtën e deputetëve me këtë pushtet, Kushtetuta “… institucionalizon një lloj tjetër autoriteti kushtetues, që njihet si pushtet i pakicës parlamentare”, që realizohet “… në mënyrë të pavarur…” dhe që është “…i pakufizuar nga vullneti i shumicës”. E drejta e kontrollit hetimor i është njohur pakicës parlamentare, e cila, duke i pasur të kufizuara mjetet, “mund ta shndërrojë atë në një instrument të fuqishëm kushtetues”.

Ushtrimi normal i veprimtarisë së Kuvendit kërkon ekzistencën e elementeve të domosdoshëm që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve për respektimin e ligjeve nga të gjitha organet e tjera të pushtetit publik e shtetasit, si dhe pajisjen e tij me mjetet e përshtatshme për realizimin e kontrollit mbi mënyrën e zbatimit të ligjeve. Komisionet hetimore që ngrihen për këtë qëllim, në kuptim të nenit 77 të Kushtetutës, janë një mjet që i shërben pikërisht ushtrimit të kontrollit parlamentar. Ato janë instrument i rëndësishëm i parlamentit për mbledhjen e informacionit për çështje të veçanta, me qëllim arritjen në përfundime të caktuara. E analizuar në aspektin gjuhësor, interpretimi i fjalës “çështje” merr kuptimin e një dukurie, gjendjeje, ngjarjeje apo fakti që ka nevojë të shqyrtohet.

Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike shpreh besimin se respektimi i parimit të ligjshmërisë dhe mbrojtjes së interesit publik nga ana e administratës publike përbën themelin e shtetit të së drejtës. Kryerja e veprimeve arbitrare dhe pa kurrëfarë mbështetje ligjore, që dëmtojnë interesin financiar të shtetit shqiptar, nuk duhet të mbështeten dhe duhen frenuar. Qëllimi i Komisionit Hetimor që kërkohet të krijohet mbi bazën e kësaj kërkese, është shqyrtimi i fakteve, provave dhe rrethanave, që dëshmojnë dëmtimin e interesave financiare të shtetit shqiptar, nga realizimi i marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014, duke evidentuar problematikat përkatëse dhe për të gjetuar zgjdhjet për të ardhmen. Ne besojmë, se është në interesin e Shqipërisë dhe shqiptarëve, që kjo cështje të zbardhet në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse. Një hetim i plotë parlamentar, do të hidhte dritë mbi këto fakte, dhe do të rikthente besimin tek opinioni publik, se situata të tilla nuk do të përsëriten në të ardhmen.

Objekti dhe qëllimi i ngritjes së këtij Komisioni Hetimor është në përputhje me Kushtetutën dhe parimet themelore kushtetuese, për shkak se nuk nuk sjell konfondime dhe transferime kompetencash të parashikuara nga Kushtetuta për organe të tjera, por synon njohjen dhe verifikimin në thellësi të cështjes së marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s., me qëllimin që në përputhje me realitetin, të nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit, apo korrigjimit të ligjeve të veçanta.  Nga ana tjetër, nëpërmjet këtij hetimi parlamentar, kontrollohet edhe zbatimi i ligjeve, nxirret përgjegjësia mbi mënyrën e zbatimit të tij dhe bëhen rekomandimet përkatëse me qëllim parandalimin dhe eleminimin e dëmitim të interesit financiar të shtetit, si dhe përmirësimin e gjendjes në të ardhmen.

E drejta e hetimit do të realizohet vetëm, brenda funksionit të kontrollit parlamentar dhe detyrave kushtetuese që parlamentarët kryejnë si përfaqësues të popullit për sqarim, apo hulumtim të hollësishëm të kësaj cështjeje. Dobishmëria e këtij hetimi sigurisht që shihet në nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, duke ndihmuar në evidentimin e problemeve dhe mospërsëritjen e këtij fenomeni me ndikim për vetë shoqërinë, shtetin, si dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.

Nëse i referohemi praktikës ndërkombëtare, natyra e çështjeve të hetuara nga komisionet hetimore ka qenë e një rëndësie substanciale apo parësore për publikun, me ndikim të veçantë në marrëdhëniet ndërshtetërore, me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive institucionale dhe mospërsëritjen e fenomeneve të hetuara në të ardhmen. Në këtë drejtim, çështjet më të shumta kanë patur për objekt administrimin e fondeve publike, marrëdhëniet ndërshtetërore, falimentimet e korporatave apo subjekteve të ndryshme private, të cilët kanë patur impakt në ekonominë e vendit, apo hetimin e fenomeneve kriminale[1]. Në rastin konkret, puna e Komisionit Hetimor nuk do të konsistojë në nxjerrjen e përgjegjësisë penale për personat e përfshirë në këto negociata, pasi kjo është detyrë funksionale e organeve të drejtësisë. Komisioni Hetimor do të përqëndrojë punën e tij në njohjen dhe verifikimin në thellësi të të gjitha elementëve të marra në konsideratë në arritjen e marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes me CEZ a.s., me qëllimin që në përputhje me realitetin, të nxirren përfundime mbi nevojën e miratimit, plotësimit, apo korrigjimit të ligjeve të veçanta, si dhe parandalimin dhe eleminimin e pasojave negative dhe përmirësimin e gjendjes në të ardhmen, në përputhje të plotë me parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve.

Objekti i hetimit, është i argumentuar qartë dhe në mënyrë të mjaftueshme në kërkesë, si dhe përmban fakte të përcaktueshme, të cilat tregojnë qartë se për çfarë po hetohet, duke evidentuar edhe cështjen që kërkohet të hetohet. Nga të dhënat e trajtuara në pjesën e parë të kësaj kërkese rezulton se ekziston një lidhje substanciale midis informacionit apo hetimit që kërkohet të realizohet, dhe një shkalle të arsyeshme të qëllimit legjitim të legjislativit, për mbrojtjen e Kushtetutës, si dhe zbatimit të legjislacionit në fuqi.

Është fakt i njohur botërisht tashmë, se Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një dëm të madh financiar nga arritja e marrëveshjes me shoqërinë CEZ a.s.. Ky fakt evidenton plotësimin e kriterit kushtetues se çështja duhet të jetë manifestuar përpara marrjes së një vendimi përkatës nga ana e Kuvendit për ngritjen e një komisioni hetimor. Për pasojë, kërkesa bazohet në ekzistencën e një fakti (sic është nënshkrimi i një marrëveshje që dëmton interesin financiar të shtetit shqiptar) dhe jo për të verifikuar nëse mund të zbulohet ose të gjendet ndonjë e tillë në të ardhmen. Ajo që mbetet për t’u vlerësuar/hetuar nga Komisoni Hetimor është mekanizimi dhe arsyet e arritjes së kësaj marrëveshje, vlerësimi i plotë i dëmit të ardhur dhe pasojat e dëmshme që sjell për shtetin shqiptar, përfshirja dhe përgjegjësinë e cdo strukture të shtetit në këtë ngjarje të kundërligjshëm, njohja dhe verifikimi i hollësishëm i problematikës, me qëllim parandalimin e fenomeneve të kundërligjshme dhe që dëmtojnë interesin publik në të ardhmen.

Nënshkrimi i një marrëveshje të pabarabratë dhe diskriminuese për shtetin shqiptar, që dëmton interesin financiar të Shqipërisë, është një cështje e vecantë dhe konkrete. Për këtë arsye, cmojmë se evidentimi i hollësishëm i rrethanave të kësaj cështje, me qëllim frenimin e këtij fenomeni në të ardhmen, përbën një çështje me rëndësi të veçantë shtetërore/publike. Mosushtrimi i rregullt i detyrës nga ana e administratës shtetërore, dhe mosrespektimi prej tyre i parimit të ligjshmërisë dhe mbrojtjes së interesit të shtetit shqiptar, cenon funksionimin e rregullt të organave shtetërore, si dhe të drejtat e cdo shqiptari. Gjykata Kushtetuese ka specifikuar se cështjet e hetimit të trajtuara në aspektin e verifikimit të zbatueshmërisë së legjislacionit, të formulimit të propozimeve apo iniciativave ligjore që kanë për qëllim frenimin dhe parandalimin e fenomeneve negative për shoqërinë e shtetin janë të përfshira në konceptin kushtetues si çështje e veçantë. Në këtë mënyrë, objekti i hetimit të komisionit parlamentar, i fokusuar në një çështje të veçantë sic është marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes me shoqërinë CEZ a.s., me pasoja jashtëzakonisht të dëmshme për shtetin, qytetarët dhe interesin publik, evidenton njëkohësisht edhe qëllimin e hetimit parlamentar.

Kërkesa për ngritjen nga Kuvendi të një komisioni hetimor, përmbush tre kriteret kushtetuese si më poshtë: 1) çështja ka të bëjë me funksionin ligjvënës dhe funksione të tjera për të cilat Kuvendi është i autorizuar të marrë masa ligjore;  2) objekti i hetimit fokusohet në një çështje konkrete, që është marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes me shoqërinë CEZ a.s.; si dhe 3) ekzistojnë të dhëna dhe indicie të mjaftueshme që dëshmojnë për  ekzistencën e një paligjshmërie dhe dëmi financiar, për të cilën është i nevojshëm hetimi parlamentar.

I nderuar z. Kryetar i Kuvendit,

Në funksion të mbrojtjes së Kushtetutës, parimeve të funksionimit të shtetit të së drejtës dhe interesit publik, nisur nga pasojat e dëmshme që ka sjell marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes me shoqërinë CEZ a.s., si dhe me synimin për ti vënë fre një herë e mirë praktikave të tilla  antiligjore, në përputhje me nenin 77 të Kushtetutës, ligjin nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”; si dhe nenin 25 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë,

KËRKOJMË:

Ngritjen e një Komisioni Hetimor, me:

Qëllim – Kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjes së interesave financiar të shtetit shqiptar, si dhe procedurave dhe rrethanave të nënshkrimit të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014.

Objekt dhe cështjet që do të hetohen1) Kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe mbrotjes së interesit publik, gjatë negocimit të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”; 2) Njohja dhe verifikimi e pasojave financiare që ka sjell marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, si dhe identifikimin e përgjegjësive nga organet apo personave zyrtar përkatës, me synimin për frenimin me mjete ligjore të shfaqjes së tij në të ardhmen; 3) Njohja me dokumentacionin e plotë ligjor e financiar që ka përdorur grupi i punës gjatë negocimit të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”.

Përbërje – Kryetari dhe 4 anëtarë përfaqësues të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, 6 anëtar përfaqësues të paritive të mazhorancës parlamentare.

Afat të përfundimit të hetimeve – 6 muaj nga krijimi i Komisionit Hetimor

Në këto rrethana, me qëllim sqarimin e mënyrës së zbatimit të ligjit dhe mbrojtjes së interesave financiare të shtetit shqiptar, identifikimin e përgjegjësive të organeve apo personave zyrtar përkatës, analizimin e gjetjeve për të përgatitur rekomandimet për ndërhyrje ligjore e administrative për parandalimin apo eliminimin plotësisht të tyre në të ardhmen, kërkojmë shqyrtimin dhe miratimin e projektvendimit për ngritjen e Komisionit Hetimor, që i bashkëlidhet kësaj kërkese.

Gjithashtu, në mbështetje me nenin 7 të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”, kërkojmë nga ana juaj që sa më parë, por në cdo rast jo më vonë se 5 ditë nga data e marrjes së kërkesës, të mblidhni Byronë e Kuvendit për të diskutuar mbi këtë kërkesë, përbërjen e komisionit, si dhe caktimin e datës së miratimit në Kuvend në seancën plenare më të afërt.

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin,

DEPUTETËT:

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

VENDIM

Nr. ______, datë ____/_____/2016

PËR NGRITJEN E KOMISIONIT HETIMOR TË KUVENDIT PËR TË KONTROLLUAR ZBATIMIN E LEGJISLACIONIT NË FUQI DHE MBROTJES SË INTERESIT TË SHTETIT SHQIPTAR, NGA REALIZIMI I MARRËVESHJES PËR ZGJIDHJEN ME MIRËKUPTIM NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHOQËRISË “CEZ, A. S.”

Në mbështetje të neneve 7, 77 dhe 78 të Kushtetutës, të neneve 5, 6, 8 e 9 të ligjit nr. 8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, si dhe të nenit 25 të Rregullores së Kuvendit, me propozimin e një grupi deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike,

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

  1. Ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për shqyrtimin e kërkesës së një grupi deputetësh për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjes së interesave financiar të shtetit shqiptar, si dhe procedurave dhe rrethanave të nënshkrimit të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, të miratuara me ligjin nr. 114/2014, datë 31.07.2014., me synim parandalimin e këtij fenomeni negativ për shtetin, qytetarët dhe interesin publik, si dhe nxjerrjen e përgjegjësive konkrete.
  1. Objekti i punës së komisionit hetimor është:

1) Kontrollin e zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe mbrotjes së interesit publik, gjatë negocimit të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”;

2) Njohja dhe verifikimi e pasojave financiare që ka sjell marrëveshja për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”, si dhe identifikimin e përgjegjësive nga organet apo personave zyrtar përkatës, me synimin për frenimin me mjete ligjore të shfaqjes së tij në të ardhmen apo rregullimin e pasojave;

3) Njohja me dokumentacionin e plotë ligjor e financiar që ka përdorur grupi i punës gjatë negocimit të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. s.”.

 

III. Komisioni ka të drejtë të hetojë dhe të bëjë transparencë të plotë për çdo çështje që përfshihet në objektin e punës së tij, në përputhje me parimet kushtetuese, vecanërisht parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve, si dhe duke respektuar dhe duke mos mbivendosur kompetencat e organeve të drejtësisë.

  1. Komisioni hetimor, i ngritur sipas këtij vendimi, bashkë me raportin përfundimtar i paraqet Kuvendit në seancë plenare rekomandime në lidhje me nxjerrjen e përgjegjësive institucionale, ndryshime apo miratime ligjesh, dhe sipas rastit, njoftimin e prokurorisë për marrjen e masave të mëtejshme ligjore.
  1. Komisioni hetimor parlamentar përbëhet nga 11 deputetë, si më poshtë:
  2. _____________________ –           Kryetar  (PD);
  3. _____________________ – Zëvendëskryetar/Anëtar (PS);
  4. _____________________ –          Anëtar (PD);
  5. _____________________ –          Anëtar (PD);
  6. _____________________ –          Anëtar (PD);
  7. _____________________ –          Anëtar (PD);
  8. _____________________ –          Anëtar (mazhoranca parlamentare);
  9. ____________________ –          Anëtar (mazhoranca parlamentare);
  10. ____________________ –          Anëtar (mazhoranca parlamentare);
  11. ____________________ –          Anëtar (mazhoranca parlamentare);
  12. ____________________ –          Anëtar (mazhoranca parlamentare).

 

  1. Komisioni e ushtron veprimtarinë e tij për një afat 6-mujor nga miratimi i këtij vendimi.

 

VII. Ngarkohen Kryetari i Kuvendit që menjëherë të caktojë mjediset dhe mjetet e punës së komisionit, si dhe personelin e nevojshëm, duke venë në dispozicion edhe ekspertë juristë.

 

VIII. Ngarkohet Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit që të marrë masa për zbatimin e vendimit të Kuvendit dhe të urdhrave të Kryetarit të Kuvendit, për mbarëvajtjen e punës së komisionit, si dhe krijimin e kushteve të nevojshme logjistike për veprimtarinë normale të tij.

 

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

 

Miratuar më ____/____/2016.