Partia Demokratike e Vlorës denoncoi punimet e paligjshme që po zhvillohen në bregdetin e Qeparos, te ato që njihen si sarajet e Koço Kokëdhimës. Dhjetra automjete po ndërhyjnë në këtë plazh të bukur të bregut, në mënyrë të paligjshme duke shkatërruar ekosistemin. Kryetari i PD-së së Vlorës, Moisi Meminaj u shpreh se ky ndërtim mishëron qeverisjen e Edi Ramës dhe Koço Kokëdhimës, ku qytetarët e thjeshtë futen në burg për vendosjen e një tjegulle, ndërsa Koço prish ekosistemin për interesat e veta.

“Jemi sot këtu për të bërë denoncimin ndaj kësaj qeverie, të korrupsionit të kësaj qeverie, të keqqeverisjes së kësaj qeverie. Mund të shikoni që këtu është kështjella e radhës e Koço Kokëdhimës, pashait të jugut. Ju mund të shihni që një qytetar i thjeshtë nuk ndërron dot një dritare, Koço jo vetëm ndërton kështjella por grabit pasurinë kombëtare, prish zhavorin e detit, e merr këtë zhavor dhe e përdor për kështjellën e tij duke prishur të gjithë ekosistemin mjedisor dhe të detit. Kjo është qeveria, ky është Koço Kokëdhima, ky është Edi Rama. Ne e kemi denoncuar këtë objekt si të paligjshëm prej dy vitesh. Qytetari i thjeshtë nuk vendos dot një tjegull ndërsa Koço mund të bëjë bëjë gjithçka, është Pashai, është komisari i dritës së jugut”, tha Meminaj.

Më herët, anëtarë të Partisë Demokratike në Himarë lyen me bojë parrullat e sistemit komunist të restauruara nga qeveria në fshatin Kudhës, pranë zonës ku do pleqërojë Rama me Kokëdhimën. Parrulla si “Rroftë udhëheqësi ynë i dashur Enver Hoxha” etj, ishin rivendosur në një godinë publike në këtë fshat.

“Dy vitë më parë Partia Demokratike denoncoi në këtë vend parrullat e udhëheqësit më të dashur të Koços dhe Edi Ramës. Sot jemi këtu për të denoncuar dhe vepruar konkretisht kundër projektit të rilindjes urbane që këtu është një rilindje urbane për të rilindur Enver Hoxhën. Nga ky vend ku po fshijmë Koçon dhe kompani, do ti fshijmë edhe në 2017 me votën e lirë”, tha Meminaj.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 10 Prill 2016