E kam thënë edhe një herë tjetër në këtë sallë se unë nuk pres ndonjë gjë të madhe edhe sikur mrekullia të ndodhë dhe reforma në drejtësi të miratohet, ndonëse për të nuk shikoj ende ndonjë sinjal që të më shtyjë në optimizëm. Sepse kam bindjen se Shqipëria nuk ka nevojë thjesht për të, por më shumë se çdo gjë tjetër dhe më shumë se asnjëherë tjetër ne na duhet një kushtetutë e re, që do të thotë një rithemelim të Republikës.
Nuk besoj se do të më akuzojë njeri për plagjiaturë sot, sepse e kam ngritur këtë çështje pikërisht në këtë foltore këtu e gati dy vjet e gjysmë të shkuara. Asokohe ende nuk kishte dalë në skenë reforma për drejtësi dhe ndoshta për dikë apo për shumëkënd propozimi im mund të ketë tingëlluar edhe si futurist. Por natyrisht, nuk u ngrita sot për të rrahur gjoksin sikur të kem shpikur rrotën, sepse në fakt nuk kam bërë ndonjë zbulim të madh, thjesht kam ndjekur me vemendje rrjedhën logjike të politikës dhe të efekteve të saj në këto 25 vjet.
Ne praktikisht kemi një Kushtetutë të rrëzuar, të paktën që prej 3 vjetësh, apo në ditën e fitores së 1 milion shuplakave, sipas Edi Ramës, ndaj edhe nuk kemi pse bëjmë sikur po e mbrojmë, një gjë që nuk qëndron prej shumë kohësh në këmbë. Sepse kryeministri i sotëm ka kërkuar ndjesë publike për ndryshimet e 2008-ës, ndërsa Ilir Meta, kryetari i sotëm i Kuvendit, kaloi disa ditë të vështira në grevë urie bashkë me Nard Ndokën dhe disa deputetë të tjerë, sepse ishte kundër tyre.
E vetmja e paprononcuar për këtë çështje kishte mbetur Partia Demokratike, fuqia politike e së cilës në parlament është e reduktuar, dhe si e tillë, nuk mund të konsiderohej pengesë për një vendim të mundshëm. Por edhe heshtja e saj u thye kur kryetari i opozitës, Lulzim Basha, deklaroi para disa ditësh se vendi ka nevojë për një reformë kushtetuese dhe jo thjesht për reformën në drejtësi. Në këtë kuptim, tanimë unë nuk gjej asnjë subjekt politik parlamentar, per të mos thënë asnjë deputet të vetëm, që mund të pengonte riformatimin e plotë të kushtetutës sonë. Të paktën në letër.
Sepse nëse dikush i ka rënë hasha qëndrimeve apo deklaratave të veta të dikurshme, është koha që të na e tregojë. Në mos nuk ka asnjë arsye pse të mos ecet në këtë linjë, e cila mendoj se është e vetmja rrugë. Mbase ky moment sinqeriteti mund të tërhiqte si me magnet mirëkuptimin e publikut, i cili natyrisht është gjithë sy e veshë, gati një vit para se të shkojë drejt kutive të votimit.
Por kjo gjithsesi është vetëm ana formale, ose ai që ne e quajmë aspekti formalo juridik, që do të thotë se numrat janë, të paktën teorikisht. Në të vërtetë unë nuk gjykoj se Shqipëria ka nevojë vetëm për një ligj të ri themeltar, por mbi të gjitha për një rikonceptim të politikës. Ne na duhet një kushtetutë e re, jo thjesht për të printuar një fletore tjetër, që socialistët e lyejnë me të kuqe, kur vijnë në pushtet, kurse ne e bëjmë zakonisht blu. Sepse një ligj i ri më shumë apo një më pak nuk do të ndryshonte asgjë, qoftë ky edhe kushtetuta e vendit. Sipas meje, ulja për Kushtetutën, duhet të jetë shprehje e nevojës së brendshme urgjente për një kontratë të re sociale në Shqipëri, për shkak të deformimit të tmerrshëm dhe degradimit të sistemit. Duhet të jetë minimumi i një reflektimi prej nesh se gjërat në këtë vend po shkojnë keq, shumë keq dhe tmerrësisht keq kryesisht për arsye politike.
Le ta themi troç që patatja e nxehtë e reformës për drejtësi, jo rastësisht ka qenë dhe vazhdon të mbetet Byroja e Hetimit, sepse dikush beson se përmes saj si instrument restriktiv, diçka mund të ndryshojë për mirë. Edhe pse nuk e përjashtoj që mund të ketë një farë ndikimi nëse Byroja do të funksiononte, unë nuk besoj në efektet e saj çudibërëse.
Sepse unë, nuk pres që Byroja e famshme të na çlirojë nga të gjitha veset e tmerrshme, që nisin ditën e votimit, e mbarojnë deri në minutën e fundit që lukunia e ujqërve të pushtetit qëndron në karriget të pamerituara. Sepse e di se maksimumi që mund të ndodhë është që prej saj mund ta pësojë ndonjë peshkaqen politik apo juridik, që e ka bërë baltë dhe nuk është kujdesur t’i mbulojë sic duhet gjurmët e korrupsionit. Por jo më shumë se kaq.
Nuk besoj se edhe vetë zoti Lu, që duket se është partizani më i përkushtuar i huaj i kësaj reforme shqiptare, të mendojë se prej saj do të ndëshkohen ata që vjedhin e blejnë votën ditën e pazarit më të madh të Shqipërisë, ndërkohë që ky në fakt është krimi më i madh, që ndodh në këtë vend. Dhe prej tij pastaj derivojnë gjithë të tjerët. Sepse e di që bandat e vjedhjes dhe të blerjes së votave, jo domosdoshmërisht mund të kenë kompani off-shore në Panama.
Po të te doni mund ta ilustroj edhe me shembuj konkretë. Shikojeni sot kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, sa i paqëm dhe i parrezikshëm ngjan. Natyrisht, edhe me ndihmën tonë, ai duket si me një sy në mes qorrash dhe kjo mendoj se është edhe aftësi, që i duhet njohur. Po të vazhdojë edhe pak kështu, do të detyrohem unë i pari që t’i kërkoj falje se mbase i kam rënë më qafë me të padrejtë, kur e kam akuzuar ndonjëherë. Nuk besoj se do mërzitej njeri po ta bëja, madje edhe nga anët e mia.
Nga ana tjetër edhe kryeministri, që bëhet gati të niset për Uashington, ka veshur prej disa ditësh lëkurën e qengjit të butë, dhe na ka cuar ftesë për dialog. A thua se nuk është i njëjti që na ka fyer dhe përçmuar pa u lodhur për tre vjet rresht. Të dy këta, do të shndërrohen në bisha pas një viti, kur të afrohen zgjedhjet, aq sa mund të shqyejnë edhe njëri-tjetrin po të mos jenë bashkë. Madje, po ua jap me garanci absolute, se ai që duket sot më i butë, do të jetë nesër më i egër, por kjo nuk mund të vazhdojë pafundësisht.
Me gjithë rezervat e forta që kam për drejtësinë, unë prapaseprapë mendoj se korrupsioni dhe defektet e rënda të sistemit, nuk janë shkaku, por pasoja. Dhe se më duket e paarsyeshme që sot po përpiqemi të ndreqim drejtësinë, që kjo e fundit pastaj të vërë dorë tek politika. Sepse kjo është dhe e padrejtë edhe e pamundur.
Për shkak se prej vitesh në këtë vend po degradon kryesisht sistemi politik dhe prej tij po ndotet gjithcka tjetër, ne kemi nevojë urgjente për një shkundje të fortë. E cila jam i bindur se do të vijë, në rast se nuk do të ketë reagim. Natyrisht, nuk jam aq naiv sa të mendoj se gjendja mund të ndryshojë brenda ditës, vetëm për shkak të një reforme, sepse jetojmë në vendin ku ligji zbatohet dhe respektohet më pak se kudo tjetër në botë.
Por vetë Kushtetuta e re si produkt konsensusi do të ishte hapi i parë i një vullneti të qartë, që shkundja të mos vijë nga jashtë kësaj salle, sepse asgjë nuk përjashtohet. Dhe jam i bindur, se ky parlament, megjithë defektet e tmerrshme, që ka dhe për të cilat kemi folur vazhdimisht, e kishte këtë mundësi.
Mirëpo për shkak se motori i reformës në drejtësi është ndezur prej shumë kohësh, unë nuk mendoj se ka më vend që ajo të lihet në mes për të nisur nga e para një reformë të plotë kushtetuese. Sepse në rastin më të mirë, do të keqkuptohej, dhe do të interpretohej si ikje nga një premtim solemn dhe nga një objektiv i rëndësishëm politik, i dakordësuar edhe me partnerët. Ndërkohë unë nuk shoh ndonjë pengesë që paralel me finishin e saj të hapet edhe debati i kushtetutës së re, në të cilën reforma për drejtësi do të ishte thjesht një kapitull i votuar paradhënie. Gjithmonë, në rastin fatlum që ajo të miratohet.
Por a ka shanse që kjo lëvizje e mençur politike të ndodhë? Nuk e besoj sepse është fare evidente që Edi Rama është penduar për ato që ka thënë atëherë, sepse tani e shikon veten majë kalit. Kurse Ilir Meta nuk ka nge të kujtojë vuajtjet e përbashkëta me Nard Ndokën, se është i zënë me shijimin e të mirave që i sjell qeverisja e dështuar e Edi Ramës, megjithë nevojat e saj të mëdha për impulse të reja, që nuk vijnë asnjëherë. Mendoj se ata kanë frikë nga Republika e dytë, ngaqë nuk ndahen dot me të parën, e cila vazhdon të prodhojë korrupsion, padrejtësi dhe para të pista. Zakonisht nga Republikat tremben mbretërit apo princat. Ne të tillë nuk kemi, por sundimtarë po, dhe kjo i shpjegon të gjitha.
Por meqë jemi ende tek reforma për drejtësi pyetja më legjitime që bën cdo qytetar i këtij vendi është se përse nuk ecën, por ngec e zvarritet ajo pafundësisht? Dhe jo thjesht se i përkas Partisë Demokratike, mendoj se sa herë që ka një konflikt të ndezur politik faji kryesor duhet kërkuar në anën e qeverisë. E cila na jep përditë prova të reja, se minimumi nuk është serioze me reformën, me opozitën jo e jo. Ndryshe nuk kanë si shpjegohen piruetat e saj dhe ndryshimet e befta të qëndrimeve politike.
Po e zëmë një cast se opozita ka edhe kërkesa të ekzagjeruara, madje se mund t’ia fusë edhe kot ndonjëherë. Pyetja është se çfarë po bën mazhoranca për të na çarmatosur ne në funksion të një qëllimi të madh politik, siç ajo vetë e ka paraqitur reformën për drejtësi. Përgjigja është asgjë, për të mos thënë më keq, se ajo vetë po krijon situata artificiale, pikërisht që dialog të mos ketë.
Unë nuk mendoj se është teprim të kërkosh zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që tre qëndrimet e ndryshme të Partisë Socialiste për rastet e deputetëve të saj të të akuzuar për konflikt me mandatin e tyre, janë në rastin më të mirë, dizekuilibër dhe paaftësi. Nuk mund të akuzohemi ne për faktin që Edi Rama në fillim nuk lëshonte asnjërin, pastaj “dorëzoi” Kocon, pavarësisht se ky akuzon Gramoz Rucin, ndërsa tani është gati t’i cojë të gjithë në gjykatë deputetët.
Eshtë shumë e vështirë sot të bindësh kënd në Shqipëri se refuzimi i amandamentit tonë në ligjin e dekriminalizimit vjen për arsye parimore dhe jo për të mbrojtur Armando Prengën. Sepse të gjithë e dinë që ai vijon të mbetet i besuari i Edi Ramës, i cili mund të vijë sërish me kartë në xhep për të votuar në këtë sallë, megjithëse publikisht thuhet se është përjashtuar nga PS.
Mund të ketë njërez që të pyesin sot se c’lidhje ka dekriminalizmi me reformën në drejtësi apo më tej akoma, me reformën kushtetuese. Në dukje të parë mund të mos kenë, por të lidhura fort janë gjithësesi. Se ne dekriminalizimin si proces nuk e bëmë për të pastruar parlamentin vetëm nga trafikantët e drogës dhe të femrave, apo nga “skifterat” e shtëpive në Itali, por për më shumë se kaq.
Dhe fakti që ende ka rezistencë për Armando Prengën, i cili në një farë mënyre u vetëdeklarua si subjekt i ligjit, përfytyro se cfarë mund të presësh për të tjerët, më pak të ekspozuar se ai, apo për më të mëdhenjtë akoma, ata të kompanive off shore në Panama, Qipro apo parajsa të tjera fiskale të globit. Ndaj edhe unë jam pesimist për reformën në drejtësi dhe më shumë akoma për kushtetutën e re, që mund të vijë nga ky parlament.


Fjala në Kuvend e deputetit Astrit Patozi, 7 Prill 2016