Qeveria aktuale dhe propaganda janë përherë në një konvergjencë të pëlqyeshme dhe hera herës të duket sikur qeveria punon për propagandën dhe jo anasjellas. Por nuk mund të themi të njëjtën gjë sa i takon ekonomisë dhe realitetit ekonomik të vendit sepse është shumë e qartë që qeveria dhe ekonomia janë tërësisht në drejtime të kundërta.

Ishte qartësisht e kuptueshme për këdo që ka një njohje të cekët ekonomike dhe financiare, se programi i artikuluar nga kjo qeveri që dikur quhej “Rilindje” nuk qe vetëm se ëndrra në beze. Prandaj gjendja aktuale e ekonomisë, me gjithë të metat, mangësitë dhe minuset e qeverisë së shkuar nuk është edhe aq shumë pasojë e asaj çfarë trashëguat nga ne por më së shumti pasojë e atij fshikullimi të pamend që këto tre vite i bëtë biznesit, sipërmarrësit dhe qytetarit.

Sot Shqipëria është vendi i fundit në rajon sa i takon investimeve të huaja, 7.1% më pak se tre vjet më parë është raporti i investimeve të huaja në vendin tonë dhe kjo si pasojë e të qenurit vendi me barrën më të lartë fiskale në rajon. Asnjë, asnjë investitor i huaj me peshë në 3 vite! Asnjë!

Jemi vend që kemi një deficit tregtar më të lartë sepse nuk mundemi dot të eksportojmë dhe burimet kryesore të eksportit kanë shpallur falimentin ndërkohë që bizneset ekzistuese nuk mund të mbajnë mbi supe peshën kryesore të eksporteve.

Në mes të kësaj furtune qeveria vazhdon të krekoset për rritje ekonomike të papërfillshme, e për rënie konsumi. Flitet ende për ulje të papunësisë kur INSTAT raporton se papunësia është rritur në 17.7%.

Flitet për situatë të stabilizuar ndër konsumatorë kur nga vetë të dhënat e INSTAT dëshmohet me shifra se për herë të parë që pas vitit 1999 rritja e pagave në sektorin publik rezultoi negative për pasojë niveli i pagave në sektorin privat vazhdon të jetë gjithaq i ulët. Ka rënë paraja e disponueshme, ka rënë fuqia blerëse, kanë rënë depozitat e ka rënë besimi i konsumatorëve.

Ndërsa qeveria ankohet se ka punë por nuk ka profesionistë, Eurostat raporton se numri i shqiptarëve që kanë kërkuar azil në Evropë është i barabartë me një qytet sa i Gjirokastrës.

Po bëhemi më të papunë, më të varfër, më të pashpresë dhe po zhytemi më thellë në borxh.

Mbi supet e shqiptarëve borxhi u rrit me 1,6 milion euro, por për çfarë? Për çfarë morri hua kjo qeveri në emër të shqiptarëve sot dhe të shqiptarëve nesër? As më shumë e as më pak se sa për zbukurime, për të mbushur qytetet me palma, që kryeministri të ketë mundësi të shpërndajë paratë tek klientët e tij.

Qartësisht, ekonomia jonë sot është më e dobët, vuan jo vetëm nga vizioni i shtrembëruar i një qeverie që nuk ka më as qëllim, as rrugëtim dhe as shkak tjetër për të qeverisur përpos vjedhjes.

Por, vuan edhe si pasojë e një pjese të mirë të kësaj shumice, e cila përjashto një pakicë që ka vendosur të gjykojë me parime, është kthyer në kumbarën e verpimeve keqdashëse të qeverisë. Por vuan edhe nga sjellja e pjesës së majtë të kësaj salle që thuajse e gjitha në shumicën absolute të rasteve ka qenë kumbarja e veprimeve keqdashëse të qeverisë.

Siç qe rasti i votimit të ligjit sa i takon kthimit dhe kompensimit të pronave apo ligji i investimeve strategjike të cilat na kanë shndërruar në vendin e fundit në rajon sa i takon të drejtës së pronësisë.

Prandaj fajtorë për ku jemi sot nuk është vetëm kjo qeveri por edhe një pjesë e mirë e kësaj mazhorance që e ka shndërruar Kuvendin në noter të kapriçiove kryeministrore. Dhe ata që bëjnë opozite brenda maxhorancës, e që vazhdojnë të jenë paterica e kësaj qeverie. Kjo nuk është gjë e re, padyshim!

Një pjesë e mirë e juaja me bindje jeni shndërruar në vasalë të një kryeministri duke hedhur tutje edhe parimet tuaja. Me bindje dhe vendosmëri të thellë e keni çuar vendin drejt një spiraleje deflacioni, duke rikthyer qarkullimin e ulët të parasë në vend pas 16 vitesh.

Kjo verbëri nuk po e ndihmon as ekonominë dhe as shqiptarët, që vazhdojnë të kenë pagën më të ulët në rajon, 157 euro/muaj.

Pa folur këtu për represionin sistematik ndaj bizneseve që përbuzen duke kaluar në morsën e taksave dhe taksidarëve.

Merrni shembullin e Tiranës, që është qendra kryesore e biznesit të vendit, sot një biznesi të kryeqytetit i duhet të punojë 4 deri në 5 muaj që të paguajë taksat që ju apo vasali juaj në krye të bashkisë ka vendosur. Për pasojë, Shqipëria sot është ndër vendet e para në rajon sa i takon barrës fiskale.

Kjo qasje e juaj ndaj biznesit, si një armik që nuk i duhet lënë shtegu dhe duhet mbytur me taksa dhe tarifa që kjo qeveri të mbijetojë, ka prodhuar atë rritje ekonomike qesharake prej 2.6%. Rritje ekonomike që erdhi për ironi nga ato hidrocentralet që juve zotoheshit se sa të vinit në pushtet do t’i anulonit.

Por është e qartë tanimë për të madh e për të vogël se ajo karrige ju lezeton aq shumë, sa që jeni të gatshëm të bëni hasha çdokënd për të mos zbritur.

Dhe ky me sa duket është parimi juaj, që nga niveli më i ulët i administratës, e cila është shndërruar në problem për çdo investitor të huaj deri, në majën e pushtetit.

Shikoni se si shprehet Dhoma e Tregtisë Gjermane për arsyet e renditjes në vend të fundit të Shqipërisë “Faktorë të vlerësuar si pengesë në zgjedhjen e Shqipërisë si destinacion investimesh janë “lufta kundër informalitetit dhe korrupsioni”, “transparenca e tenderave publike”, “siguria ligjore”, “parashikueshmëria e politikave ekonomike” dhe “administrata publike”,

A nuk janë këto pesë shtylla të cituara në këtë raport, pjesë e thuajse çdo diskutimi të mbajtur nga kjo sallë prej opozitës? A nuk kanë qenë këto shtylla shqetësim i opozitës në amendamentet e paraqitura prej saj? A nuk janë këto pesë arsye për të cilat ju kemi kritikuar dhe kërkuar llogari publikisht dhe juve i jeni përgjigjur me arrogancë?!

Përballë këtyre fakteve dhe shifrave, kryeministri i vendit në hartimet e tij të gjata me shumë pak sens ekonomik bën krahasime duke kapërcyer hera herës dhe dekada. Pa kuptuar që pikërisht kjo padije e shoqëruar me fjalime propagandistike që me vetëdije ngatërrojnë faktet me shpikjen e ka shndërruar qeverisjen si ajo shprehja popullore “shto ujë e shto miell” pak rëndësi ka se çfarë del!

I tillë është edhe argumenti i lëshuar pak ditë më parë sa i takon reformës anti-informalitet të kryer nga qeveria vitin e shkuar, një reformë që na paska qenë një sukses. Një gënjeshtër aq e madhe sa që nuk di se kush mund ta besojë. Një gënjeshtër aq e ndotur edhe po aq e rrezikshme sa armët kimike që tre vjet më parë donte të na i bënte peshqesh.

Pikë së pari, çfarë reforme qe ajo kur qeveria e hodhi në treg vetëm sa për të mbushur arkën e shtetit të boshatisur nga korrupsioni i faktuar edhe nga kompania nënkontraktuar angleze? Çfarë reforme mund ta quash atë që nisi si një aksion në variantin popullor “tafti-bafti”, që nuk qe vetëm se një sulm i dhunshëm i institucioneve qeveritare të financave ndaj subjekteve private?

Pra nuk qe reformë, por qe një aksion që nisi me turp dhe u mbyll po aq me turp dhe nëse nuk doni të besoni fjalët e mia ju ftoj të shihni faktet dhe t’i krahasoni me fiksionet kryeministrore të suksesit.

Shikoni se çfarë deklarohej në Nëntor 2015 (dhe këtu po citoj ministrin e financave) “aksioni anti-informalitet do të sjellë në buxhetin e shtetit 9.3 mld lekë shtesë” pas katër muajve dështim të shoqëruar me terror qeveria, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, korri suksesin e mos grumbullimit në buxhetin e shtetit të 19.7 mld lekësh.

Por edhe pse ky dështim me përmasa po aq të mëdha sa propaganda qeveritare nuk prodhoi vetëm se një rishikim të radhës për buxhetin e shtetit, ulje të investimeve në ekonomi dhe sidomos ulje të investimeve infrastrukturore. Qeveria vazhdon të këmbëngul se ka të drejtë, del në media dhe me shpatë në dorë i shpall luftë bizneseve.

Pa e vrarë mendjen se vetëm në 4 muaj të këtij viti numri i bizneseve që kanë mbyllur aktivitetin e tyre sipas QKR-së është mbi 2.000 duke u rritur me 40% nga vjet.

Pa e vrarë mendjen se këto biznese që mbyllen shtojnë numrin e shqiptarëve që jetojnë në varfëri dhe që aktualisht sipas Bankës Botërore janë gjysma e shqiptarëve.

Pa e vrarë mendjen se sot gjysma e bashkëkombasve tanë gdhihen me 5$ në ditë ndërsa kryeministri dhe ministrat e tij mendojnë si të zbukurojnë zyrat, për të cilat mendojnë se do t’i mbajnë përjetësisht!

Prandaj nuk është habi që jemi në një gjendje kritike, nuk është habi që recesioni është tek dera dhe qeveria ende nuk ka një plan kundër tij.

Shqipëria e gjeneratës së varfëruar është ajo çfarë keni bitisur në tre vjet qeverisje, për të ardhur në vitin e fundit tuajin pa asnjë reformë cilësore që t’i shërbejë qytetarëve.

3 vjet më pas Shqipëria nuk është as më e jetueshme dhe as më mirë se sa para 23 qershori 2013.

3 vjet më pas Shqipëria është më e varfër, investohet më pak, paguan më shumë,

3 vjet më pas rrogat janë më të ulëta dhe papunësia më e lartë,

3 vjet më pas qendrat e qyteteve janë me beton por rrethinat e tyre janë në skamje .

3 vjet më pas përballë nesh ndodhet spiralja deflacioniste ndërkohë që qeveria krekoset për arritje që askush nuk i sheh e jo më t’i besojë.

Mazhoranca është në pritje të suksesit të reformës që nuk do të vijë dot kurrë.

Pa kuptuar se nëse ne nuk veprojmë sot, do ta paguajmë më rëndë nesër.

Nëse rrisim akoma më tej borxhin publik për zbukurime qytetesh nuk do t’i bëjmë ato më të jetueshëm.

Nëse rrisim dhunën ndaj bizneseve duke i menduar si “minj” nuk do të rrisim punësimin dhe as konsumin.

Nëse i trajtojmë shqiptarët si kavje mbi të cilët mund të eksperimentojmë politikat e propagandës nuk mund të ulim numrin e azilkërkuesve.

Nëse nuk ndërtojmë politika fiskale në shërbim të rritjes ekonomike nuk mund të prodhojmë një ekonomi më të mirë por një qeveri më të korruptuar.

Dhe është kjo ajo çfarë qytetarët kanë sot mbi krye. Një qeveri të korruptuar që nuk i shtyn investitorët të investojnë, bizneset të bëjnë biznes, qytetarët të bëjnë një jetë më të mirë.

Përkundrazi një qeveri e korruptuar prodhon fasada për qytete që nuk kanë banorë, prodhon propagandë për njerëz që nuk duan ta dëgjojnë dhe prodhon dhunë për qytetarët që në të drejtë e kundërshtojnë!


Fjalimi ne Kuvend e deputetes Jorida tabaku, 14 Prill 2016