Përpara se të fillojë seanca si kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, dua të bëj të qartë dhe një herë pozicionin e opozitës dhe të paraqes,  jo vetëm para parlamentit,  por para të gjithë shqiptarëve, arsyet se pse ky parlamentet vazhdon të mos funksionojë normalisht.

 

Ne, por dhe shqiptarët,  tashmë jemi mësuar me dy pamjet e kryeministrit Rama, atë të lëpirësit me të huajt dhe të arrogantit me opozitën  dhe qytetarët e thjeshtë. Ky është tipari kryesor i Ramës, siç është dhe paturpësia, përpara mashtrimit apo cinizmi sy më sy. Dje kërkoi të mashtrojë dhe komisionerin Han, duke i thënë se vendimin e Gjykatës Kushtetuese do ta dërgojë  për interpretim tek Gjykata Kushtetuese.

 

Bëhet fjalë për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që vjen me kërkesë të opozitës për shqyrtimin e çështjes të konfliktit të interesit të dy deputetëve të mazhorancës.

 

Komisioneri Han dje në fakt foli qartë dhe prerë për çështjet,  e që sot janë në rend të ditës dhe në interes të shqiptarëve. “Zbatoni vendimet e Gjykatës Kushtetuese,  zbatoni Ligjin e Dekriminalizimit, krijoni kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe kryeni reformën zgjedhore, dialog politik dhe konsensus për reformën në drejtësi”.

 

Këto ishin katër pikat kryesore që komisioneri Han i theksoi dhe i ritheksoi dhe me gjithë përpjekjet që Rama dhe oligarkia që ka vënë mediat nën thundër u përpoqën t’i  shtrembërojnë këto fjalë, këto kërkesa të qarta të komisionerit Hahn, prapë shqiptarët i dëgjuan qartë, dhe një herë po e theksoj, i dëgjuan qartë se “mazhoranca që drejton këtë vend, të zbatojë vendimet e Gjykatës  Kushtetuese, të zbatojë ligjin e Dekriminalizimit, të krijojë kushte për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe të krijojë mundësitë për dialog politik dhe konsensus për reformën në drejtësi”.

 

Po çfarë bën ndërkohë kjo mazhorancë, e cila për të disatën herë e ka çuar vendin në krizë kushtetuese, sepse ne sot realisht jemi në një krizë kushtetuese dhe jo për herë të parë .

 

A ka cinizëm më të madh? Prapë të akuzosh opozitën për krizën që shkakton mazhoranca dhe  në media që ka vënë nën thundër, Rama përhap fjalën se qenka opozita që vendos kushte, mandatet  e dy deputetëve, një mashtrim kokë e këmbë.

 

Ne nuk kemi vënë asnjë  kusht,  nuk vejmë kushte e aq më tepër mandatet  e deputetëve. Ishte  Rama ai që dikur vinte kushte të tilla, dua qarkun e Fierit që t’ju jap këtë. Kushte nuk i vëmë ne, kushtet i vë Kushtetuta.  Vendimet  e Gjykatës Kushtetuese, ato janë kushte për ne dhe për këdo tjetër por sidomos për mazhorancën.

 

Nuk  jemi ne që kërkojmë mandatet, ne kërkojmë zbatimin e  ligjit dhe të Kushtetutës. Ata që ruajnë mandatet, që mbrojnë mandatet,  janë këta, është Edi Rama . Atyre u interesojnë mandatet, ata janë të shqetësuar për mandatet, ne jemi të shqetësuar për Kushtetutën, për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.

 

Dhe, ka hipokrizi dhe cinizëm më të madh se këto kushte, e theksoj në kushtet e një krize kushtetuese, të flasësh për reformën në drejtësi , ndërkohë që Rama i urdhëron deputetët e tij të shkelin vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe me kartonat të bllokojnë e të mos lejojë drejtësinë të veprojë ndaj deputetëve të tij që kanë shkelur ligjin.

 

Ky që u përpoq që të mashtrojë dhe komisionerin Hahn duke i thënë se do të dërgojë për interpretim vendimin e fundit  të Gjykatës Kushtetuese, është ky që është.

 

Si mund t’i kërkosh Gjykatës Kushtetuese interpretimin e interpretimit të Kushtetutës,  sepse vendimi Gjykatës Kushtetuese është pikërisht interpretim i Kushtetuës për çështjen e ngritur nga opozita për çështjen e konfliktit të interesit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese tashmë është i qartë për këdo, megjithatë unë e kam prapë këtu për ta lexuar për ata që bëjnë sikur nuk e kuptojnë. Është vetë Gjykata Kushtetuese që pyet: “Nëse vërtetohet që deputeti ka përfituar fonde publike, a mundet shumica  parlamentare të ndalojë me vendim dërgimin e çështjes përpara Gjykatës Kushtetuese, nëpërmjet analizimit të deformuar të fakteve dhe provave? Cili  është roli i Kuvendit dhe i Gjykatës Kushtetuese në këtë proces?  Në vendim është kjo pyetje që e ngre vetë Gjykata Kushtetuese,  e cila jep dhe përgjigjen, në pikën 30 të këtij vendimi: “Gjykata vlerëson se në të tilla raste Kuvendi nuk mund të vërë në diskutim mocionin e paraqitur dhe nuk mund t’ia nënshtrojë atë debatit parlamentar, por vendimmarrja e tij si organ kolegjial është e domosdoshme me qëllim vënien në lëvizje të kësaj Gjykate për t’u shprehur për themelin e çështjes, për sa kohë që pa një vendim të shumicës parlamentare, gjykata nuk mund të shqyrtojë kërkesa të tilla. Kuvendi në këto raste nuk mund t’i hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti janë të papajtueshme me mandatin e tij, sepse në të kundërt do të ndërhynte në kompetencat që kushtetutë bërësi ia ka njohur vetëm Gjykatës Kushtetuese.

 

Pika 31, nëse do të pranohej një pushtet i tillë i pakufizuar i Kuvendit, atëherë parashikimi kushtetues do të zhvishej nga qëllimi i tij. Çka do të përbënte një abuzim me pushtetin e shumicës dhe do të ishte në kundërshtim me parimin e ndarjes dhe të balancimit ndërmjet pushteteve.

Pika 32, për sa më sipër Gjykata arrin në përfundimin se për çdo shkelje të pikës 8 të nenit 70  të Kushtetutës ku kërkohet konstatimi i papajtueshmërisë me mandatin e deputetit, edhe pyetja e Gjykatës bëhet për deputetin dhe vendimi merret për deputetët, jo për deputetin Kokëdhima siç përpiqen ta paraqesin, por për deputetët. Kuvendi është i detyruar ta dërgojë çështjen në Gjykatën Kushtetuese i cili është organi i vetëm që ka në kompetencë të gjykojë në themel çështjen.

Mendimi i Gjykatës Kushtetuese është më se e qartë për ata që duan ta lexojnë, dhe të kërkosh interpretim për interpretimin është vetëm një tentativë e dështuar për të fshehur qëllimin e vërtetë të të gjithë kësaj që ndodhi. Ai zotëria kërkon të mbrojë jo vetëm të mandatarit e tij këtu, por të gjithë oligarkinë që sot po e pasuron përditë në kurriz të shqiptarëve.

Ne jemi ulur edhe herë tjetër për të realizuar marrëveshje me këtë mazhorancë sepse në mënyrë analogjike, në mënyrën më absurde jemi detyruar t’u kërkojmë ndërkombëtarëve që të nxjerrin nga kriza kushtetuese. Këta e kishin futur Shqipërinë edhe në 2014-ën. U ulëm atëherë dhe realizuam një marrëveshje që mazhoranca të zbatojë ligjin, marrëveshje që mazhoranca të mos shkelë Kushtetutën, marrëveshje që mazhoranca t’i japë të drejtën kushtetuese opozitës, marrëveshje që të bëhet një ligj që të mos lejojë që të inkriminohet parlamenti dhe e gjithë administrata shtetërore siç bëri Edi Rama.

Jemi detyruar edhe herë tjetër të ulemi që të kërkojmë zbatimin e ligjit me marrëveshje, dhe sado absurde që të duket, kështu është e vërteta. Por çfarë ndodh? Edhe këtë marrëveshje përsëri Edi Rama e shkel dhe na vë prapë kushte të një krize kushtetuese, duke mos lejuar zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese. Vesh Parlamentin, i lejon Parlamentit por kartonat e mazhorancës që nuk përbëjnë parlamentin, vesh kartonat e mazhorancës mbi vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe është pak të thuhet se e çon vendin drejt një krize kushtetuese.

Për t6ë gjitha këto arsye që ju thash më lart por dhe shumë të tjera, në shkelje të hapur të ligjit për të cilat jemi dëshmitarë përditë. Shkelin ligjin që vetë u detyruan ta miratojnë, atë të dekriminalizimit dhe që menjëherë pas miratimit u përpoq ta hedhë poshtë me aktet e tij publike duke dalë hapur në krahë të kriminelëve, duke dalë hapur në krahë të inkriminuarve.

Për këto arsye dhe duke pritur për aktet që kemi sjellë në Parlament, 2 amandamentet tona janë në përputhje me marrëveshjen e 2014-ës, janë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, janë në përputhje me ato që ne kërkojmë se jemi marrë vesh të paktën formalisht ti realizojmë, dekriminalizimin, dhënien e së drejtës opozitës që nëpërmjet komisioneve hetimore të kryejë funksionet e saj si opozitë. Kemi paraqitur edhe 2 amandamenetet tona të cilat janë shtyrë dhe janë shtyrë, dhe megjithëse kemi më tepër se një muaj që i kemi paraqitur ende nuk kanë kaluar nëpër komisione. Për këto arsye grupi ynë parlament, opozita shqiptare, nuk mundet të qëndrojë në këtë parlament si në një parlament normal  ndaj ne do të vazhdojmë të protestojmë, do të vazhdojmë të rrimë në këmbë në këtë seancë deri sa këtij parlamenti, kjo mazhorancë, ti kthejë legjitimitetin , deri sa ti kthejë legjitimitetin edhe vetë Kushtetutës përndryshe ne do të vazhdojmë të jemi nga kriza në krizë, dhje fundi i krizave dihet. Shqiptarët, qytetarët e këtij vendi që vazhdojnë të varfërohen çdo ditë si pasojë e sjelljes arrogante të kësaj mazhorance, e dhunës jo vetëm policore, siç pamë para pak ditësh, por dhunës së gjithanshme ndaj qytetarëve, nuk mund të vazhdojë të presë pafundësisht.

Edhe sot do të jemi në këmbë për të kundërshtuar, që ky parlament të vazhdojë punën normalisht.


Fjala në Parlament e Kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka, 31 mars 2016