Qindra qytetarë protestuan sot pranë Parkut të Liqenit në Tiranë kundër prerjes së pemëve, betonizimit dhe ndërtimit pa ligj brenda tij. Kreu i Departamentit të Mjedisit në PD, Jamarbër Malltezi tha se rezistenca ndaj këtyre punimeve antiligjore do të vijojë derisa të pyeten qytetarët për këtë krim mjedisor që po i bëhet Tiranës.

“Janë në dhunim të ligjit sepse ligji kërkon leje mjedisore para se të fillojnë punimet. Po bëhet një punë që normalisht nuk duhej bërë. Këtu me ne janë shumë pedagogë të universitetit dhe studentëve u themi se para se të marrësh një leje ndërtimi duhet të kesh një plan, dhe këtu nuk ke plan. Studentëve u themi se duhet të kesh një leje mjedisi dhe këtu nuk ke leje mjedisi. Studentëve u themi se para se të presësh një pemë duhet të kesh një vlerësim të ndikimit të mjedisit që këtu nuk e ke. Duhet të jetë një proces vendimarrës me publikun por këtu nuk ke asnjë pjesëmarrje të publikut. Jemi në dhunim të paktën 4 ligjeve. Për hir te vjedhjes së 700 milionë lekëve po vazhdohet me këto punime. As tenderi nuk duhej të zhvillohej para se të miratohej plani, para se të miratohej leja mjedisore dhe ajo e ndërtimit. Ndaj dhe policët këtu janë në shkelje të ligjit dhe jo në mbrotje të tij. Kjo çështje është në KQZ për ta shtyrtuar për referendum. Nesër KQZ do marrë vendim për 3 referendumet vendore që kemi kërkuar dhe shpresojmë të na jepet e drejta të mbledhim firma. Kjo është një çështje komunitare dhe jo politike dhe këtu pres të vijnë edhe persona që votojnë PS. Janë mushkëritë tona dhe të fëmijëve tanë. Nuk është më një çështje politike”, tha Malltezi. Thirrje për bashkëpunim është bërë edhe nga këshilltari në Këshillin Bashkiak, Akil Kraja për të ndalur këtë masakër mjedisore. “Ne si këshilltarë e kemi ngritur këtë çështje që në muajin Tetor dhe tashmë u përket të gjithë qytetarëve. Ju lutem shikoni përtej gardhit dhe qytetarët të vijnë vetë e të shohin se si prishen pemë, po bëhet një masakër mjedisore. Këshilltarët bashkiakë të gjithë bashkë duhet të jenë me qytetarët që përfaqësojnë. Parku është i të gjithëve dhe nuk njeh tesër partie por njeh ligjin. Dhe ligji këtu po shkelet”, tha Kraja.

Dhjetra të rinj të FRPD, anëtarë të PD dhe qytetarë të Tiranës vijojnë të protestojnë tek Parku i Liqenit deri në ndalimin e punimeve të jashtëligjshme të Bashkisë së Tiranës.


Njoftim për shtyp i Partise Demokratike, 17 Mars 2017