Prej mëse dy javësh grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe opozita ka nisur një marrdhënie të kushtëzuar me Parlamentin, dhe kjo, jo sepse kështu na u tek papritur, por sepse në kohën që ne prisnim miratimin e akteve nënligjore për ligjin e dekriminalizimit, kryeministri filloi paradën e të inkriminuarve në ekrane dhe ca më keq, njërin prej tyre, deputetin që qëlloi me armë në dyert e komisariatit na e solli, na e riktheu në Parlament

Në të njëjtën kohë dhe në urdhrin e Ramës kartonët e kësaj mazhorance ngritën duke marrë një vendim kundër kushtetutës, për të mbrojtur Koçon që rrëmben në mes të ditës fondet publike, paratë e shqiptarëve, megjithëse ligji dhe Kushtetuta, e ndalojnë. Pas Koços, vazhduan me Leskajn dhe Resulin megjithëse tashmë ka dalë një vendim i Gjykatës Kushtetuese, i cili thotë qartazi se veprimi i kryer nga Parlamenti është abuzim me pushtetin, se vetëm Gjykata Kushtetuese ka të drejtën dhe detyrimin të gjykojë këto raste.

E së treti, bllokimi i komisioneve hetimore një e drejtë tjetër kushtetuese e opozitës, e cila në kushtet kur drejtësia është vënë pothuaj krejtësisht nën presionin e Ramës, mbetet e vetmja që mund të hetojë dhe të demaskojë aktet kriminale dhe korruptive të kësaj qeverie. Taktika e re e bllokimit nuk është më pengim i krijimit të këtyre komisioneve, por  bllokimi i tyre nëpërmjet kuorumit.

Praktikisht kemi përmbysjen totale të marrëveshjes së Dhjetorit 2014, marrëveshje e realizuar pas një bojkoti të gjatë të opozitës dhe me mbështetjen dhe ndihmën e fortë të BE dhe SHBA. Në këto kushte, amendamentet tona nuk kanë asnjë synim tjetër veçse që ti rikthejnë legjitimitet Parlamentit.

Parlamenti, mazhoranca duhet të tregojë qartazi se ka vullnetin të zbatojë ligjet që miratojnë vetë, por dhe parimet, mbi të cilat ngrihet dhe vepron.

Dekriminalizim pa vullnet politik nuk ka dhe, Rama e ka treguar qartazi se nuk e ka këtë vullnet përkundrazi.

Në seancën e fundit ndoqa Pandeli Majkon që në pozicionin e deputetit të ndershëm u shfaq i revoltuar dhe i fyer me ligjin që sapo kishim miratuar. Mos të mendojë kush se ne ndihemi mirë që u detyruam të iniciojmë dhe të miratojmë një ligj të tillë. As unë nuk ndihem i lumtur të plotësoj ato formularë po zoti Majko nuk duhej të revoltohej me ligjin e dekriminalizimit, por me kryetarin e tij, i cili na coi në atë ligji. I ndershmi Majko apo kushdo tjetër duhej të revoltohej, kur kryetari i tij mbush administratën me të inkriminuar dhe që i solli edhe në parlament. Majko dhe kushdo tjetër duhet të revoltohet me Ramën që vazhdon ti mbështesë dhe ti përdorë për qëllimet e tij të inkriminuarit jo vetëm në parlament por dhe brenda partisë suaj.

Një deputet që e konsideron veten parimor e të ndershëm duhet të revoltohet e të reagojë ndaj këtij fakti sepse është fakt dhe jo opinion. Mos bëj si Blushi, Pandi, sepse ai i merr urdhrat dhe porositë nga SHQUP, por reago si deputet i ndershëm kur kryetari yt rikthen në Parlament atë që ka gjakosur qytetarët. Reago kur sheh kryetarin tënd që del publikisht në Kavajë apo Krujë me të inkriminuar, dhe pastaj bërtet “më tregoni ku janë kriminelët”. Ligji i Dekriminalizimit synon të ndajë të pastrën nga e pista synon të pastrojë atë që kryetari juaj i bëri këtij parlamenti. Prandaj i ndershmi nuk duhet të ndihet në siklet edhe në rastin kur për të partia vlen më së shumti se Shqipëria.

Dikur kam luftuar jo vetëm në ambiente private por edhe publikisht ndaj perceptimit popullor se deputetët janë hajdutë. Deputetët nuk firmosin dhe nuk kanë fuqi ekzekutive pra, e kanë të pamundur të abuzojnë. Deputeti mundet të meritojë ose jo rrogën e mandatit të tij por nuk ka mundësi të vjedhë. Por ja që erdhi Rama dhe deputetët po firmosin vetë ose nëpërmjet fëmijëve apo të afërmve të tyre për të marrë prona ose fonde që quhen publike por që në fund janë para që me të gjitha mënyrat edhe me dhunë, po ju grabiten shqiptarëve

Dhe kur opozita kërkon të bëhet drejtësi nëpërmjet gjykatave ju përdorni kartonat në parlament për të bllokuar. Për këtë arsye, ne jemi në këtë pozicion. Doli njëri nga karvani pak kohë më parë dhe si gjithnjë u përpoq të akuzojë opozitën se vë kushte pasi nuk do reformën në drejtësi.

Edhe kjo akuzë ra si gjethe fiku e tharë dhe ju nxori zbuluar. Ne do të marrim pjesë dhe do të japim kontributin tonë për të çuar deri në fund edhe reformën në drejtësi dhe reformën zgjedhore sepse këto i kërkojnë shumica e shqiptarëve.

I vetmi që nuk e do reformën në drejtësi është Edi Rama, nuk e do jo se nuk i duhet por ka frikë nga një drejtësi që nuk i merr urdhrat prej tij, prandaj nuk pranon dialog siç rekomandon komisioni i Venecias prandaj e bllokon.

Ne megjithëse jemi opozitë do ti çojmë deri në fund reformat e do të bëjmë të pamundurën për dekriminalizimin dhe dekusarizimin e politikës (hyri dhe ky term doni apo s’doni ju) edhe pse nuk kemi numrat në parlament. Ju keni numrat por nuk keni parlament sepse parlamenti nuk është vetëm një tufë kartonash që ngrihen e ulen si ti ngrihet Ramës.

Parlamenti janë shqiptarët dhe ne do të bëjmë atë që kërkojnë ata. Ne nuk do të bllokojmë sot parlamentin, do të votojmë për aktet tona, por nuk do të jemi sot në sallë, derisa kjo mazhorancë ende nuk ka reflektuar për gjithçka thashë më lart.


 

Fjala në Kuvend e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka, 10 mars 2016