Zoti Rama,

Për më shumë se dy vite, kërkesës dhe gatishmërisë së opozitës për dialog të mirëfilltë e civil, ju i jeni përgjigjur me veprime ose mosveprime që kanë cënuar Kushtetutën, shtetin ligjor dhe/ose marrëveshjet politike të dakortësuara me konsensus – ligjet për Nëpunësin Civil, Reformën Territoriale, KLD, Gjykatën e Lartë, atë Administrative, për Mediat Audiovizuale (RTSH), etj.

Gjithashtu, pala juaj vazhdon të pengojë zbatimin e marrëveshjes së 24 dhjetorit 2014 për dekriminalizimin, për zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe për komisionet hetimore.

Ftesa juaj e sotme është një hap i vonuar. Prej kohësh e në vijimësi opozita ka kërkuar dialog të nivelit më të lartë politik për Reformën në Drejtësi, e jo vetëm, ndërsa keni qenë ju dhe vetëm ju kundër.

Sot, ju më ftoni që mosdakordësive politike mes palëve t’i japim një tjetër forum mes qeverisë dhe opozitës si përmasë të munguar të civilizimit.

Si gjithmonë, jam i gatshëm të takohemi për çështjet më të rëndësishme: zbatimi pa pengesa i dekriminalizimit, krijimi i kushteve për zgjedhje të lira e të ndershme, vijimi i duhur i reformës në drejtësi dhe çështje të tjera të rëndësishme përfshirë një reformë të plotë Kushtetuese.

Në demokraci palët bien dakord edhe të mos bien dakord. Por kjo vlen vetëm dhe vetëm brenda parimeve Kushtetuese ku mund të dialogojmë me vetëdijen se edhe mund të mos biem dakord.

Ndërsa nuk mund të takohemi assesi për të diskutuar opsione antikushtetuese me vetëdijen se mund të mos biem dakord dhe antikushtetutshmëria të vazhdojë si normalitet. Një forum i këtillë nuk është asfare përmasë civilizimi por e kundërta e tij.

Ndaj ftesa juaj merr kuptim vetëm nëse pala juaj e pranon këtë parim ashtu si opozita, siç e pranon çdokush me mendje të shëndoshë, dhe për këtë jepni paraprakisht provën e domosdoshme – atë të zbatimit të menjëhershëm të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për intepretimin e nenit 70/4 të Kushtetutës.

Vetëm kështu bëhet e besueshme se jeni gati.

Lulzim Basha