Prej mëse tre javësh vazhdon grushti i shtetit brenda shtetit, vazhdon grushti i shtetit konsumuar nga përvetësimi i fuqisë kushtetuese nga pushteti, anashkalojnë pushtetin që Kushtetuta i jep Gjykatë Kushtetuese dhe marrjes së këtij pushteti nga Parlamenti. Prej tre javësh, vazhdon bllokimi i vendimit të Gj. Kushtetuese, që, ata deputetë të cilët kanë përdorur mandatin për fitime vetjake për pasuritë publike, duhet të dorëzojnë menjëherë mandatin.

Kjo është një nga situata më të rënda në vend, një situatë të cilën në vende të tjera, por jo në Shqipëri, përmbarues i zbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është Presidenti i vendit, në Kushtetutë. Ndërsa këtu është e shkruajtur se është Gjykata Kushtetuese garante e Kushtetutës dhe përmbarues bëhet cilido nga pushtetarët.

Situata është dramatike. Në këto kushte, Parlamenti meriton vetëm një qëndrim; shkrirjen e menjëhershme të tij. Në kushtet kur Parlamenti ka konsumuar aktin më të rëndë kushtetues, grushtin e shtetit, ky Parlament nuk meriton të ekzistojë më qoftë dhe një ditë të vetme.

PYETJE: Do ja kërkojë PD presidentit këtë?

BERISHA: E ftoj opozitën të marrë të gjitha vendimet sepse një situatë e tillë është kazëm në themelet e shtetit. Imagjinoni ju se çfarë janë në gjëndje të bëjnë këta pushtetarë kur shkelmojnë vendimet e asaj Gjykate, të cilat në të drejtën kushtetuese janë të barabarta me normat kushtetuese. Një vendim i Gj. Kushtetuese është i barabartë me një normë kushtetuese, dhe këta qeveritarë, për të mbrojtur kusarët brenda Parlamentit, shkelmojnë harbutërisht mbi vendimet e Gjykatës dhe i marrin asaj pushtetin.

Por unë ftoj Gjykatën Kushtetuese gjithashtu, të mendojë dhe të mos pranojë në këtë mënyrë, të shndërrohet në një mekanizëm, në një institucion boshi, në një institucion ku me vendimet e saj shkelmohen dhe përthyhen në një Parlament për interesa kryekëput të kusarëve. Ju e dëgjuat vetë, se edhe mandati i Koço Kokëdhimës shkoi në Gjykatë Kushtetuese, jo për të zbatuar vendimin e Gjykatës por na rezulton se u bë nga Gramoz Ruçi për t’i dhënë një ndëshkim si rival i ardhshëm për sekretar të përgjithshëm të PS-së. Të paktën këtë thotë vetë Koçoja nëpër media, sepse vet ai, që është një kryekusar, thotë që nuk i kishin thënë se do votohej prandaj doli dhe foli përçart aty. Pra, Parlamenti është shndërruar në bastion të krimit dhe kusarëve në pushtet.

PYETJE: Zoti Berisha me kërkesën për shkrirjen e Parlamentit keni hequr dorë nga thirrja për qytetarët për të dalë në protesta?

BERISHA: Këtë parlament mund ta shkrijnë vetëm qytetarët shqiptarë, e shkrin vetëm sovrani dhe ai është qytetari shqiptar.

PYETJE: Po presidenti…?

BERISHA: Presidenti i Republikës nuk ka prerogativa kushtetuese. Në kushtetuta të tjera Presidenti është përmbaruesi i vendimit të Gj. Kushtetuese por kjo nuk ekziston në Kushtetutën tonë. Ndaj dhe unë nuk mund të them se Prësidenti i Republikës e ka këtë kompetencë. Por, Presidenti i Republikës duhet të konsultohet gjerësisht me të gjithë juristët konstitucionalistë më të mirë të vendit, për të marrë këshillën dhe për të shprehur qëndrimin ndaj këtij akti antikushtetueses, ndaj këtij grushti shteti që ka konsumuar Parlamenti. Kur një institucion i merr pushtetin në mënyrë antikushtetuese institucionit tjetër, ky quhet grusht shteti brenda shtetit.

PYETJE: PD bllokoi seancën….

BERISHA: Unë solidarizohem me opozitën dhe e vërteta është se kam besim se hap pas hapi opozita do të marrë të gjitha vendimet e merituara ndaj këtij Parlamenti që nuk meriton më të ekzistojë.

PYETJE: Keni diskutuar me kreun e PD për shkrirjen e parlamentit ….

BERISHA: Jo asnjë diskutim nuk kam bërë me njëri, por duke qëndruar në një Parlament që ka konsumuar grushtin kushtetues dhe që justifikon qytetarët të përdorin të gjitha mjetet kundër tij për të rivendosur Kushtetutën, atëherë unë mendoj se shkrirja e tij  është e vetmja rrugëzgjidhje paqësore e vendit.

PYETJE: Si i komentoni deklaratat e ambasadorit Lu të bëra një ditë më parë…

BERISHA: E para shpreh kënaqësinë që BKH nga sqetulla e Edvin Shullazit dhe Saje qorrit kaloi aty ku ne kemi kërkuar dhe kemi mbështetur. Mendoj se u humbën disa muaj, sepse pikpamjen se ku duhet të jetë BKH e kam shprehur edhe para se të vijnë rekomandimet e para të Venezias për këtë Byro. Ajo u konfirmua dy herë që të ngrihet në prokurorinë speciale, vendi saj aty është, të bëhen të gjitha ndryshimet dhe grupi negociator i yni ka shprehur të gjitha qëndrimet e tij. Mendoj përsëri ta votojmë menjëherë sepse Edi Rama e ka betejë për jetë dhe vdekje këtë Byro. Jo vetëm që ka marrë një amanet nga Viktor Ponta, dhe ju të gjithë si media e keni marrë vesh por nuk ja u thoni shqiptarëve, dini detaje më shumë se unë për takimin e tyre të fshehtë dhe e mbani edhe ju të fshehtë, çka nuk ju nderon, por Edi Rama nuk ka nevojë të marrë amanete nga Ponta sepse kur i del vila e Surrelit, kur i del pallati në pajë, apo afera me 600 milionë euro me CEZ, i dalin koncensionet me ndrikull Nushin si dhe aferat me vëllain famoz Olsi, etj, ai nuk e voton atë. Prova, është jo miratimi aty në letër, prova është që ta votojmë që nesër. Do e konsideronim këtë si dëshmi të vullnetit nëse e bën por nuk e bën dot ai këtë.

PYETJE: Zoti Berisha ju thoni që nesër por ambasadori amerikan tha shumë qartë që BKH duhet të kalojë me reformën në drejtësi. 

BERISHA: Jo, s’ka ndonjë dallim. Ata që bëjnë dallime nuk kanë kuptuar se çfarë kam thënë. Unë nuk them që të votohet Byroja dhe të mos votohet Reforma. Skema ime është që të votohet Byroja si kapitull i parë, sepse janë një seri ligjesh dhe amendamentesh për t’u pregatitur, dhe në një marrëveshje e cila të detyrojë palët që të votojnë çdo kapitull të reformës, por nuk ka nevojë të presim fundin sa të miratohet amendamenti fundit dhe të fillojë votimi.

PYETJE: Por nëse ka vullnet….

BERISHA: Të besosh se Rama ka vullnet politik, njëriu që e shtyu me makinacione teknike një vit rrjesht metodologjinë e punës.. Ku e ka të grupin për të cilin  thoshte se bënte çfarë ti thonë ekspertët? I patë eksertët, i hoqën maskat tani, ekspertë “të pavarur” dolën kunati me Sokol Sadushin. Kështuqë, këto janë hipokrizira të cilat i shërbyen Edi Ramës për ta shtyrë një vit kohë një reformë që do ishte përfunduar dhe arkuvuar dhe vendi do kish marrë kredite të mëdha në BE në rrugën e integrimit.

PYETJE: Po pse duhet të miratohet një herë BKH pastaj të vijohet me reformën…?

BERISHA: Sa të hyjë në fuqi ajo, besoj e dëgjuat ambasadorin, që vetëm policët gjyqësorë duhet të kenë një trajnim serioz pranë zyrave të FBI. Pra nuk është se e miratove ti sot dhe ajo do hyjë në fuqi nesër. Por sa më shpejt që ta miratosh, aq më shpejt do hyjë ajo në fuqi. Natyrisht, çfarëdo që të bëjmë ne, ajo do kërkojë një kohë të duhur për tu strukturuar tërësisht. Por unë jam dakort që të vijohet me përparësi me kapitujt që lidhen me funksionimin e kësaj Byroje sepse për mua, në bindjen më të thellë, thelbi dhe themeli i reformës është njësia antikorrupsion dhe lufta kundër korrupsionit. Natyrisht prokuroria speciale dhe BKH janë një institucion, që duhet të jenë në një kontekst me institucionet e tjera, por ky është  institucioni më i rëndësishëm.


Prononcimi për media e ish-kryeministrit Sali Berisha, pas seancës në Kuvend, 24 mars 2016