Peka: Zoti Basha përshëndetje!

Basha: Përshëndetje zoti Peka dhe urime për këtë studio euroatlantike!

Peka: Të falënderoj por euroatlanike mund t’i kemi studiot por jo ligjet ose më saktë zbatueshmërinë e tij.  Zoti Basha çfarë po ndodh realisht me ligin për dekriminalizimin?

Basha: Ligji për dekriminalizimin u miratua më 17 dhjetor por në mënyrë që ligji të zbatohet ka nevojë për një akt plotësues që njihet në gjuhën e rëndomtë si akt nënligjor. Zakonisht këto marrin formën e vendimit të Këshillit të Ministrave që përakton detyrimet, detyrat e organeve zbatuese si dhe subjekteve të ligjit. Me marrëveshje mes palëve kur u kalua ligji u caktua një nen i veçantë neni 6 që thotë se : “Vendimi që do të fusë në zbatim parashikimet e ligjit do të nxirret po nga Parlamenti”. Kjo ndodhi më 17 dhjetor dhe deri para një jave mazhoranca në mënyrë të qëllimtë zvarriti procesin e përgatitjes së aktit nënligjor dhe javën e kaluar kur ne dorëzuam një draft të këtij akti nënligjor a thua se jemi ne në qeveri dhe jo këta, refuzuan ta merrnin në shqyrtim.  Kjo sigurisht që ishte pjesë e një strategjie tensionimi të ndjekur nga z.Rama që nisi menjëherë pas vizitës së sekretarit Kerry me kushtrimin që iu dha personave me rekorde të tmerrshme kriminale si Arben Ndokës në Lezhë të hënën, Artur Bushit në Krujë të martën, Elvis Roshit personalisht të mërkurën në Kavajë dhe të premten me aktin shumë të rëndë, të paprecedentë të lirimit të Armando Prengës nga një gjyqësor qartësisht nën presion dhe rikthimin e tij në Parlament çka në vlerësimin tonë provoi se zvarritja e aktzbatimit të ligjit për dekriminalizimin nuk ishte rastësi por ishte dhe është pjesë e një strategjie të ndjekur nga mazhoranca dhe në fakt personalisht nga Edi Rama. Një strategji e cila ka për qëllim që pavarësisht prej thirrjeve të opozitës, të qytetarëve, të partnerëve tanë, të aleatëve tanë, sekretarit Kerry këtu në Tiranë, të aleatëve europianë, jo vetëm të mos e bëjë të lehtë zbatimin e një ligji të cilin e vonoi për një vit, por aty ku ka mundësi t’u japë sinjalin personave me rekorde të tmerrshme kriminale se pavarësisht prej ligjit, pavarësisht prej thirrjeve të qarta e të hapura të faktorit ndërkombëtarë Edi Rama nuk i lëshon ata, i ka në krah, i do në krah dhe e ka të lidhur fatin me ta.

Peka: Z.Basha maxhoranca ka një pretendim se ky ligj është hartuar sipas dëshirës së opozitës…

Basha: Ligji është hartuar sipas standardeve. Standardeve më të mira europiane, euroatlantike, standardit italian të ligjit antimafia, standardit të legjislaturës së Miçiganit.

Peka: Jeni jurist profesionist përpara se të jeni politikan dhe keni eksperiencë në këtë fushë, të paktën me Gjykatën Ndërkombëtare. A mund të ndryshojë brenda një muaj një ligj në varësi të emrave të përveçëm?

Basha: Jo vetëm brenda një muaji, por pa hyrë akoma në fuqi dhe precedentin ta ka dhënë kjo mazhorancë, jo një herë, dy herë. E ndryshoi ligjin për reformën territoriale sepse bëri pazarin me PDIU-në dhe para dy vjetësh ndryshoi pa hyrë në fuqi në mënyrë antikushtetuese, siç u shpreh më vonë Gjykata Kushtetuese ligjin për nënpunësin civil, të cilin kishim rënë dakord me konsensus tre javë përpara zgjedhjeve të 2013-ës. E pezulloi me një vendim antikushtetues mbrëmjen e 30 shtatorit, 6 orë përpara se të hynte në fuqi dhe pastaj e ndryshoi, e sakatoi në mënyrë që t’i hapte rrugë spastrimit të administratës publike në kundërshtim me zotimet e Shqipërisë përpara Bashkimit Europian dhe në kundërshtim me një ligj që kishim arritur me konsensus. Pra, motitet e maxhorancës në të dyja rastet kanë qenë motive të mbrapshta. Në rastin e reformës territoriale bëri sikur e konsultoi por pa pritur mendimin e qytetarëve u hodh në kosh sepse mori dhe kënaqi orekset e PDIU-së ndërsa për nëpunësin civil shkatërroi konsensusin e arritur me ndërmjetësimin europian…

Peka: Fakti që ka ndërhyrë në dy ligje të cilat Gjykata Kushtetuese i ka hedhur poshtë, njërin po.

Basha: Mos i ngatërro gjërat. Ka hedhur poshtë vendimin e Këshillit të Ministrave për ta pezulluar ligjin. Por pastaj çfarë bënë këta?! Kishin 83 vota, ndërkohë peshkuan një deputet të opozitës, shkuan 84. Pse e bënë atë?! Në mënyrë që të ndryshonin ligjin se i duheshin 84 vota. Dhe ndryshuan për formë se pastaj ishin në rregull. Akti i pezullimit ishte antikushtetues. Por sa u mor vendimi, sa u shpall akti kishte shkuar vapa me gushtin. Konsensusi për administratën publike u prish dhe kjo i kushtoi Shqipërisë mbi 9 mijë të pushuar nga puna në mënyrë të paligjshme. Kjo i kushtoi Shqipërisë miliona e miliona lekë që paguhen dhe do të duhet të paguhen nga paratë jo të Edi Ramës por të taksapaguesve shqiptarë për vendimet e gjykatave që kanë fituar këta mijëra njerëz.

Ndërsa për reformën territoriale i kushtoi shqiptarëve një hartë e cila nuk përmbushi as kushtin më minimal atë të diskutimit formal me qytetarët.

Peka: Z.Basha cila është e vërteta e negociatave?

Basha: Ja një moment t’i kthehem përgjigjes së plotë. Pra, çfarë po kërkojmë ne? Është spekulim i madh të thuash se do të ndryshosh ligjin. Jo, mor zotëri. Kujt mund t’i shkonte në mendje, cilit burrë apo gruaje, të riut apo të reje, të moshuarit apo të moshuare në këtë vend se një personi të arrestuar në flagrancë me armë pa leje pasi përgjaku katër qytetarë në komisariat në vend që të ishte minimalisht në burg duke pritur gjykimin, por normalisht në një vend me drejtësi duhet të kishte mbaruar gjykimi tashmë do të vinte të krekosej në Parlament. Kujt i shkonte mendja për këtë. Pra, nisur nga ky shkak, nga kjo gjë që ishte e pallogaritshme e papërfytyrueshme ne i propozuam maxhorancës diçka fare normale, të kishim një amendim ligji i cili pamundëson praninë në seancë të përsonave kur kanë plagosur apo kur kanë vrarë me dashje, kur janë arrestuar për plagosje apo vrasje me dashje të paktën të mos jenë në Parlament derisa të mbarojë gjykimi. Këtu nga ana ligjore, nga kriteret ligjore formale, ata nuk kanë dhe nuk mund të kenë asnjë kundërshtim. Kundërshtimi i tyre është politik  z.Peka.

Peka-Basha: Amendimi ligjor i tyre është ky: Pezullon nga Kuvendi çdo funksionar, deputet të cilët të arrestuar në flagrancë duke plagosur apo vrarë qytetarë.

Basha: Pra, nuk është se ne po hedhim një rrjetë të madhe ku mund të ngelin edhe të pafajshëm. Jo, jo. Bëhet fjalë për një rast të paimagjinueshëm dhe nga ana ligjore, formale nuk ka asnjë kundërshtim. Ekspertët e maxhorancës nuk kanë asnjë kundërshtim. Kundërshtimi është politik dhe është nga ky njeri i cili bën karshillëk jo thjesht aleatit të Shteteteve të Bashkuara të Amerikës por i bën karshillëk çdo shqiptari sepse e ka lidhur fatin me kriminelët.

Peka: Z.Basha cilat kanë qenë pikat më të debatuara gjatë negociatave për këtë ligj? Për plotësimin e akteve nënligjore për ligjin e dekriminalizimit?

Basha: Për aktet nënligjore insistimi jonë ka qenë që të plotësohet dhe të zbatohet ligji. Kaq kemi kërkuar. Ka një formular. Si funksionon ligji? Ligji detyron të gjithë zyrtarët publikë të mbushin një formular, pak a shumë i njëjti format siç janë rastet kur i themi qytetarëve që të plotësojnë një formular për vizë.

Peka: Z.Rama ka shpërndarë një formularë tip të ekspertëve të PS-së në të gjitha mediat.

Basha: Mbushet një formular dhe deklarimi i një formulari duhet të jetë i plotë dhe i vërtetë. Nëse deklarimi nuk është i plotë dhe i vërtetë, personi që gënjen në këtë formular ndiqet penalisht dhe dënohet deri në burgim. Pse bëhet kjo? Kjo bëhet sepse trupa e nënpunësve publikë dhe të zgjedhurve shqiptarë që përbëhet nga 80-90 mijë qytetarë me këtë ligj duhet të plotësojnë standartin më të lartë, që është standardi i mospasjes së rekordeve kriminale.

Peka: A kishte një debat për kërkesën tuaj pasi plotësimi i këtij formulari duhet të bëhet edhe me dy emra?  

Basha: Këtu po vij. Po që të ndodhë kjo duhet që informacioni të jetë i plotë dhe ne kemi ndjekur një model tip që është modeli amerikan i FBI-së. Erdhën ekspertët e FBI-së, u jemi shumë mirënjohës, kemi bërë një prezantim, jo vetëm ne, të dy palëve dhe thamë që ky është modeli që duhet të ndjekim. Te çështja e emrave. Po sa emra ka Mark Frroku? Ka të paktën 4 emra. Po Marjan Rroku që doli prapë në lajme këto ditë? Pra, është e domosdoshme që të deklarohen të gjithë ato që quhen “Alias”-emrat e ndryshëm që ke përdorur zyrtarisht apo jo zyrtarisht. Në çdo rast që i ke përdorur këto duhet që deklarosh. Pse? Sepse mund të jenë indicje për të parë. Ajo në vetvete nuk është krim sepse shqiptarët në rrethana të ndryshme mund të përdorin, i dimë të gjithë vuajtjet e shqiptarëve në emigracion etj, por nëse fshehja e emrit është bërë për të mbuluar një veprimtari kriminale, kjo na çon tek një person me rekorde kriminale. Dhe ky person duhet ta deklarojë se ka këto rekorde kriminale dhe pastaj në bazë të ligjit duhet të marrë ato që i takon. Kaq! Por nëse gënjen duhet të ndëshkohet dhe nëse kjo ndodh duhet të jetë i përcaktuar sanksioni i ndëshkimit. Përndryshe ti thua, më jep emrat që ke patur pastaj bëj çfarë të duash. Po deshe mi trego, po deshe mos mi trego. Duhet të jetë apo jo e dënueshme gënjeshtra për këtë? Po sigurisht, vetë natyra e formularit është e tillë. Kur tregon se ku ke jetuar më shumë se një muaj? Jo, nuk duhet të jetë e dënueshme dhe duhet të jetë konfidenciale. Pse? Ne nuk bëjmë fjalë këtu për të drejtat e njeriut. Ne bëjmë fjalë për një korpus të ngushtë njerëzish që duan të kenë pushtet deri në pushtetin e ministrit, deri në pushtetin e Kryeministrit, deri në pushtetin e  Presidentit dhe këta siç kanë detyrim për të zbardhur pasuritë e tyre, kanë detyrimin për të zbardhur të gjitha detajet nëse kanë apo jo të shkuar kriminale.

Peka: Z.Basha opozita ka folur fillimisht për 18 deputetë të inkriminuar në radhët e maxhorancës. E keni zbritur deri në 5 apo 4 numra por për këta të 4 që pretendoni z.Rama ju akuzon se tashmë nuk keni asnjë provë, thjesht ka qenë retorikë e opozitës. Për këta personazhe që ju flisni a keni material apo dosje që vërtetojnë se keni pasur emra?

Basha: E para e punës. Kemi zbritur numrin ne? Absolutisht jo! Numri është shumë më i lartë. Është 18, është 25, është 10, është 15 tani me miratimin e akteve të zbatimit do të dalin lakrat në shesh. Fakt është që 5-së iu kanë dalë nga mediat, nga rekordet kriminale. Çështja këtu është parimi. Me këta të 5-të quhesh apo nuk quhesh? Kjo është pyetja.

Peka: Gjithsesi, a keni ju si shef opozite një listë të deputetëve me rekorde kriminale apo me fakte që i bëjnë këta njerëz me rekorde kriminale nga ana e maxhorancës?

Basha: A kemi ne dosje?

Peka: Po!

Basha: A është Partia Demokratike Shërbimi Informativ Shtetëror? Jo! Ne jemi parti politike dhe ka institucione që kanë këto detyra dhe me anë të këtij ligji ne mundohemi që këtyre institucioneve t’ua bëjmë të lehtë identifikimin e personave dhe largimin e tyre nga politika sipas ligjit që kemi miratuar me konsensus.

Peka: A keni informacion ju ?

Basha: Marrim informacion ne. Unë e kam thënë dhe e përsëris. Qeverisë për definicion, entiteti i dytë që ka më shumë informacion në një shoqëri të hapur është opozita. Sigurisht ne marrim informacion. Në një pjesë të madhe informacionin e kemi ngritur. E kemi ngritur në Parlament. E kemi ngritur në tribuna mediatike dhe popullore.

Peka: Z.Basha në gjykimin tuaj në rast se ky ligj zbatohet ashtu siç ju mendoni, pasi folët më parë sipas standardeve ndërkombëtare, a e cënon grupin parlamentar të Partisë Socialiste ?

Basha: Të Partisë Socialiste? Unë nuk mund të hedh fall se sa anëtarë të tjerë të Partisë Socialiste preken nga ky ligj në grupin parlamentar apo në drejtoritë apo në ministritë. Unë mund të them një gjë, zbatimi i këtij ligji, zbatimi i plotë i këtij ligji do të bëjë të mundur që këta persona të mos strehohen më në administratën publike, të mos strehohen më në Parlament. Ky është një interes publik jo vetëm i Lulzim Bashës, i demokratëve, por i çdo shqiptari, përfshi këtu edhe socialistët shqiptarë.

Peka: Z. Basha ka reformë në drejtësi pa këtë ligj apo jo?

Basha: Reforma në drejtësi nuk është një koncept abstrakt. Reforma në drejtësi është një prioritet.

Peka: E kushtëzoni ju votën për reformën në drejtësi në rast se do të ketë një draft?

Basha: Di ti ndonjë ligj që është gati për t’u votuar për drejtësinë se unë s’jam në dijeni? Ma thuaj ti nëse ka. Pra, me këtë spekulohet. Reforma në drejtësi është një proces, proces i cili përbëhet nga reforma kushtetuese dhe një paketë ligjore, pra një sërë ligjesh. Që të arrijmë deri aty duhet të kemi dakordësi mes palëve. Pse? Në radhë të parë matematikisht sepse kjo maxhorancë nuk i ka numrat. Në radhë të dytë sepse është tradita shqiptare që vendime të tilla të rëndësishme të merren me konsensus politik. Pse? Për të parandaluar sa është e mundur kapjen politike, në këtë rast kapjen politike të drejtësisë. Për Shqipërinë nuk është një rrezik teorik. Në vitet 1999-2003 kapja politike e drejtësisë nga qeveria po e Partisë Socialiste atëherë u mishërua me emërimet e anëtarëve të Asamblesë së PS-së kryetar të Gjykatës Kushtetuese, ministër të Drejtësisë kryetar të Gjykatës së Lartë. Një ushtri e tërë militantësh, u zhvendosën dhe kapen postet më të larta kryetar gjykatash apeli, gjyqtarë, prokurorë. Pra, këtij vendi i ka ndodhur, nuk është se nuk i ka ndodhur. Dhe çfarë na solli? Na solli një korrupsion të dyfishtë. Korrupsion të mirfilltë ekonomik dhe korrupsion politik. Një drejtësi që nuk i zinte besë askush. Nuk them që nuk u hodhën hapa pozitivë në këtë drejtim. Të paktën pjesa e politizimit të drejtësisë mori goditje të forta nën masa dhe hapa konsensualë që u hodhën në periudhën 2003-2013. Natyrisht këtu lindën edhe probleme të reja. Nuk mund të mohoj se në periudhën 2007-2013 në një sërë emërimesh në gjyqësor ka pasur pretendime për Pazar të mirfilltë dhe ne kemi qenë të shqetësuar dhe kemi kërkuar reformën në drejtësi, kur ishim në qeveri. Ky,Edi Rama që nuk e donte reformën në drejtësi, ishte ky që i mbronte këto emërime sepse i leverdiste politikisht. E kundërta ndodhi. U ndërruan rolet. Kur ky erdhi si kryeministër dhe Partia Demokratike në opozitë  unë i bëra të qartë që kisha vullnetin për reformën në drejtësi. Reforma në drejtësi nisi si vullnet i 140 deputetëve. Vazhdoi me një draft që kishte mbështetjen e 85 deputetëve dhe përfundoi si kokoshi në një thelë me një draft që e nisëm me 17 janar që kishte mbështetjen e 62 deputetëve sepse LSI-ja nisi tjetër draft, PDIU-ja tjetër draft. Pra, ku jemi sot? Sot jemi në kushtet ku Edi Rama nuk është në gjendje të ndërtojë konsensus as brenda koalicionit të vet. Ndërkohë që nuk është përpjekur asnjëherë të vetme të krijojë kushtet për dialog dhe konsensus me opozitën, pa të cilën kjo reformë nuk mund të bëhet. Opozita nga ana e saj nuk ka qenë kokëfortë, as nuk ka qenë jotransparente. Çfarë kemi thënë ne? Ne kemi thënë që reforma është e domosdoshme por sipas standardeve europiane. Çfarë do të thotë standardi europian? Kriteret e Komisionit të Venecias. Erdhën një herë sugjerimet e Venecias. Heshti. Pse? Sepse hodhi poshtë përpjekjen e Edi Ramës për të kapur drejtësinë politikisht. Erdhën përsëri herën e dytë. Ne e përshëndetëm. Ai prapë hesht. Pse? Sepse në këndvështrimin tonë mos ofrimi i dialogut politik kur ky s’i ka votat tregon qartë që Edi Rama ka vetëm një interes : Reformë në Drejtësi për ta kapur, për të çimentuar kapjen politike ose përndryshe nuk e do reformën. Në këtë arsyetim Edi Rama demaskohet para qytetarëve shqiptarë dhe para partnerëve ndërkombëtarë si bllokuesi i reformës në drejtësi. Për ta mbyllur me një konstatim që dua ta jap nga studioja juaj  Ne jemi gati. Por së pari, duhen krijuar kushtet për dialog politik dhe nuk mund të ketë kushte për dialog politik kur ti refuzon zbatimin e një tjetër ligji të cilin e kemi arritur me konsensus apo kur ti arrin ligjin me konsensus dhe pas katër javësh kthehesh dhe e prish ligjin. Çfarë është kjo? Kjo është jo vetëm një pabezi e madhe, jo ndaj opozitës, por ndaj qytetarëve, kjo është rruga për të shkatërruar drejtësinë. Të ngrejmë kartonat, të miratojmë ndryshimet kushtetuese, të miratojmë ligjet. Mblidhet pas katër jashësh Edi Rama dhe e ndryshon në mënyrë të njëanshme ligjin. Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë se kemi të bëjmë me tinëzi. Pra, Edi Rama është në bankën e provës. Ai duhet të provojë së pari se ka interes për një reformë në drejtësi, për një drejtësi të pakapur politikisht, për një drejtësi ku gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar nuk shantazhohen për të marrë vendimet që do ai por me të vërtetë nxirren nga sistemi sipas rregullave të qarta, transparente, të standardeve europiane. Dhe së dyti, Edi Rama, barra e provës është tek ai, duhet të nisë një dialog pa kushte me opozitën, pasi të ketë bërë të mundur zbatimin e plotë dhe pa asnjë pikëpyetje në radhë të parë të ligjit të dekriminalizimit. Reformë më të rëndësishme se kjo nuk ka. Si mund të pranojmë ne që deputetë të inkriminuar të ngrenë votat për ligjin që kontrollon gjyqtarët. Po pse me votat e Armando Prengës do të kontrollojmë gjyqtarin? Ka njeri që nuk e kupton që kjo është farsë. Pra, edhe në kuptimin e drejtësisë kjo duhet të ndryshojë. Është edhe ky problemi.

Peka: Çfarë po më thoni ? Po më thoni se nuk ka reformë në drejtësi pa u pastruar Parlamenti ?

Basha: Ne kërkojmë zbatimin e ligjit të dekriminalizimit dhe pa këtë kjo reformë nuk mund të ecet përpara. U bë një vit e gjysëm betejë. Gjashtë muaj bojkot. Një vit betejë. Kështu që zbatimi i këtij ligji është si në ekuonon. Në qoftë se nuk zbatohet ky ligj, çfarë mund të presësh nga një mazhorancë që nuk zbaton ligjin për të cilin ka rënë dakord dhe për të cilin ka votuar vetë. E dyta është po kaq e rëndësishme, ligjet janë bërë për t’u zbatuar se letra nuk i vlen askujt. Kushtetuta është bërë për t’u zbatuar se përndryshe nuk i vlen askujt, s’ka as vlerën e letrës ku është printuar po nuk u zbatua. Shiko me çfarë kemi të bëjmë. Përsëri problemi  për të cilën ne kemi luftuar dhe arritëm një marrëveshje në dhjetor të 2014-ës, vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Ke një vendim të Gjykatës Kushtetuese zotëri që thotë se Koço Kokëdhima duhet të vijë këtu e të shqyrtohet sepse mandati i tij mund të hiqet sepse sepse opozita, 1/10 e Parlamentit thotë që ky ka përfituar 150 transaksione financiare nga lekët e shqiptarëve ndërkohë që ky ka qenë deputet. Refuzojnë t’ia çojnë Gjykatës Kushtetuese. Në shkelje të hapur të Kushtetutës. Nuk është lajthitje, është shkelje, dhunim. Ka akte të cilat hanë gjykim por këtu ka një precedent, ka disa precedentë. Kjo është shkelje e hapur e Kushtetutës me vullnet. Ok! Opozita është opozitë, s’ka çfarë të bëjë, do të shkojë të ndjekë rrugë institucionale. E çoi në Gjykatë. Gjykata në nëntor mori vendim dhe thotë se opozita ka të drejtë, ju nuk mund ta bllokoni sjelljen e mandatit të Koços në Gjykatë Kushtetuese që ne ta gjykojmë dhe si rregull, ka shumë rëndësi kjo. Sa herë që 1/10 e deputetëve kërkojnë shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit të një anëtari të Parlamentit, Parlamenti nuk ka rol përmbajtësor, ka vetëm rol formal, ka rol të detyruar ta çojë në Gjykatë Kushtetuese. Në nëntor shpallet vendimi. Presim zbardhjen e vendimit, hiç. Pse? Sepse një nga gjyqtarët, që ju e dini fare mirë se kush është, unë nuk kam ndërmend ta bëjë atë subjekt të emisionit sepse nuk është në etikën time, i  vetmi gjyqtar që e kundërshtoi, iu deshën tre muaj që ta argumente dhe sipas rregullave  të procedurës së gjykatës pa u mbyllur argumentimi i gjithë atyre që janë pro dhe gjithë atyre që janë kundër nuk publikohet dot. Më në fund, pasi mori gjithë kohën që i jepte praktika e gjykatës, tre muaj, në limitet e kohës, më në fund e dha edhe ai opinionin se pse nuk ishte i drejtë vendimi i Gjykatës Kushtetuese. U transkriptua vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Të hënën e kaluar me datë 29 shkurt u botua në Fletoren Zyrtare të Republikës së Shqipërisë. Pra, ka hyrë në fuqi. Çfarë bën Parlamenti? Nuk mblidhet për t’i çuar Kushtetueses mandatin e Koço Kokëdhimës, sapo e ka urdhëruar Kushtetuesja. Urdhri i Kushtetueses është i padiskutueshëm këtu. Nuk ka asnjë normë juridike më të vlefshme se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Shqipëri, përveç traktateve ndërkombëtare, asgjë tjetër. Por çfarë bëjnë pas kësaj. Tre ditë më vonë mblidhen në Këshillin e Rregullores për të diskutuar një rast tjetër, për të diskutuar Rakip Sulin, deputetin tjetër që ka marrë 180 mijë euro qera nga OSHE-ja. Para që janë nxjerrë me kërbaç dhe me gjak shqiptarësh që janë vetëflijuar nëpër qelitë e burgjeve shqiptare edhe ky ndjek të njëjtën rrugë. Dhe kur u themi, ore jeni të marrë apo çfarë jeni? A e shikoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese se çfarë thotë për Koço Kokëdhimën? Këta dalin dhe thonë jo është për Koço Kokëdhimën. Ore po rregulli, rregulli sepse Gjykata Kushtetuese gdhend rregulla që kanë vlerë mbi ligjin. Dhe të ka thënë qartë Gjykata Kushtetuese: “Nëse 1/10 deputetëve, 14 deputetë kërkojnë shqyrtimin e vlefshmërisë së mandatit do ta sillni tek ne, nuk e mbani dot.” Pra, këta e mbajnë. Pse e mbajnë? Është provokim i pastër politik. Këta kërkojnë me zor ta shtyjnë opozitën drejt veprimeve ekstreme.

Kjo është strategji e Edi Ramës. Tensionimi politik nuk është zgjedhja jonë por është zgjedhja e Edi Ramës. Ai kishte mundësinë të kalonte aktin për zbatimin e ligjit për dekriminalizimin. E ka zvarritur. Ai kishte në dorë të kalonte amendamentin që të ndalonte deputetët që arrestohen në flagrancë duke vrarë apo plogosur qytetarët, të pezullohen derisa të mbarojë gjykimi. Nuk e bën. Nuk ka asnjë arsye. Ai e ka në dorë të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e ka detyrim dhe detyrimin ai duhet ta ekzekutojë sepse këto  detyrime nuk i ekzekuton përmbaruesi. Çfarë të presim?! Të presim NATO-n të kapë për veshi Edi Ramën që ti thotë ekzekuto vendimin e Gjykatës Kushtetuese?! Nuk e bën dhe nga ana tjetër ka bllokuar një tjetër çështje të rëndësishme që ne ramë dakord në dhjetor të 2014 me ndërmjetësimin e Parlamentit Europian; komisionet hetimore të cilat  i bllokon. Për formë egzsitojnë por në fakt i bllokon sepse sapo fillojnë punë çohen anëtarët e shumicës e ikin dhe nuk ka kuorum dhe hetim parlamentar. Pra ky kërkon me zor sherr. Unë i kthehem edhe njëherë asaj që në këndvështrimin tim ky e kërkon sherrin veçanërish pas ardhjes së opinionit të dytë të Venecias sepse kërkon që drejtësia të jetë në këto kushte që është sot ku ti shantazhojë gjyqtarët, ku ti kërcënojë ata, ku ti blejë gjyqtarët.  Drejtësia e reformuar dhe e pakorruptuar nuk është interesi i Edi Ramës por përkundrazi është kërcënim për Edi Ramën, politikisht edhe për kupolën e tij.

Peka: Dakord ky kërkon tensionim dhe sherr me çdo kusht. Tani në këto kushte çfarë do të bëjë opozita? Do ti përgjigjeni sherrit? Do vazhdoni raportin me këtë Parlament apo do ti ngrijni marreëdhëniet nëse z Rama sipas jush është i vendosur për konflikt dhe jo marrëveshje?

 

Basha: Ti e kupton fare mirë që strategjia që ai ndjek është një strategji e tensionimit politik nga e cila ai kërkon të pjellë alibi. Sepse alibitë kanë shoqëruar deri më sot karrierën politike të Edi Ramës dhe për fat të keq të gjitha dështimet që mbajnë firmën e tij janë sepse janë bazuar në alibi dhe jo mbi strategji. Me alibinë e kryetarit të Qarkut të Fierit mbajti Shqipërinë 3 vite peng në një kohë kur ne ishim anëtarë të NATO-s, në një kohë që kishim hequr vizat me Bashkimin Europian dhe kishim rekomandimin pozitiv të Komisionit Europian, pra të themi që ishim 5 kilometra para Serbisë, ky e nguli gozhdën tek kryetari i Qarkut të Fierit.

Peka: Edhe sot Fieri është pa kryetar qarku…

Basha. Po është i njëjti akoma. Vetëm e vetëm që të pengonte integrimin europian të vendit. Pra ky është mjeshtri i alibive. Problem është që këto alibi u kushtojnë qytetarëve shqiptarë, i peshojnë Shqipërisë dhe fateve të Shqipërisë. Unë kam përgjegjësitë e mia si kryetar i opozitës. Unë kam përgjegjësitë e mia si njeriu ku me të drejtë varen shpresat për të nesërmen. Unë s’kam ndërmend ti përgjigjem Ramës me kartën e tij. Unë do ti përgjigjem Ramës me kartën e qytetarëve shqiptarë, me interesin e qytetarëve shqiptarë që është në radhë të parë zbatimi i të gjitha marrëveshjeve dhe ligjeve të miratuara bashkarisht me asistencë ndërkombëtare siç është në radhë të parë ligji për dekriminalizimin.Në radhë të dytë zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese si një domosdoshmëri të cilës Edi Rama nuk i ikën dot. Për këtë është në gjykatën e opinionit publik, për këtë është në gjykatën e opinionit ndërkombëtar. Për këtë të jeni të sigurtë që gjykimi është dhe do të jetë shumë i rreptë. Dhe së treti për reformën në drejtësi. Kushti paraprak është të krijojë mundësi për dialog sepse dialogu i paraprin konsensusit, i papraprin marrëveshjes politike për ti dhënë shqiptarëve ngrehinën kushtetuese dhe ligjore të një gjyqsori me sa më pak korrupsion, me drejtësi sa më të shpejtë dhe sa më të drejtë për shqiptarët.

Peka: Z Basha, ju keni qënë ministër i Jashtëm dhe kemi pasur takim me Sekretarë Shteti, dy herë nëse nuk gabohem. Në eksperiencën tuaj diplomatike, Sekretari Kerri për herë të parë ndoshta bëri një vizitë zyrtare për të takuar dhe biseduar gjerësisht me shefin e opozitës. Nuk e di e kujt ka qënë ideja për ti bërë xhiro në sallat e kryeministrisë Sekretarit Kerri por duket se kjo i ka marrë kohë nga bisedimet me z Rama. E krahasuar dhe e përkëthyer në minutash, biseda e tij nuk ka qënë më e gjatë se ajo e Presidentit Nishani në Rinas. Sigurisht që Sekretari Kerri është këshilluar për të bërë këtë tur sallash në kryeministri. Biseda ka qënë e gjatë me ju rreth 30 minuta por në konferencën e shtypit të Sekretarit Kerri me kryeministrin Rama është folur për reformën në drejtësi dhe është lënë muaji mars. A e ka të mundur Shqipëria nëse ka vullnet të ketë teknikisht një reformë në drejtësi të votuar në muajin mars?

Basha: Një përgjigje të shkurtër dhe një pak më të gjatë. Sigurisht që nëse ka vullnet ecet përpara.

Peka: Është e mundur teknikisht të bëhet brenda muajit mars?

Basha: S’mund ta them. Nuk jam këtu si kreu i eskpertëve por si kreu i opozitës. Por nëse ka vullnet dihet që mund të lëvizet shpejt. Por ai që e ka thënë këtë është Edi Rama. Këtë gjë i tha edhe Angela Merkelit në muajin gusht,  që në nëntor kjo punë do mbarojë. Kaloi nëntori dhe nuk kishte asgjë. Pra mufkat, gënjeshtrat për show, propagandë, për tu dukur për çastin aty për fanfarin e momentit, Edi Rama i ka praktikë, i ka rrugë. Unë nuk e kam marrë seriozisht. Duke qënë se unë nuk e kam marrë kaq seriozisht kam përshtypjen se edhe ata që e njohin mirë nuk kapen pas këtyre momenteve. Cili ka qënë synimi i vizitës së Sekretarit Kerri përsa i përket reformës në drejtësi?! Ka qënë që të afrojë palët në mënyrë që të krijojë mundësinë për një reformë në drejtësi që i shërben drejtësisë. Jo Edi Ramës dhe sigurisht as Lulzim Bashës. Ku jemi sot?! Le ta shtrojmë pyetjen pak më ndryshe. Cila është e vetmja reformë e sukseshme që ndau z Kerri?! Dekriminalizimi. Po çfarë ndodhi?! Ua thashë edhe njëherë në fillim të këtij emisioni që të hënën, të martën, të mërkurën, të enten, pra 4 ditët e punës nga 5 ditët e javës së ardhshme i bëri karshillik. Por jo Kerrit, por shqiptarëve. Lëshoi kushtrimin për personat me rekorde të tmerrshme kriminale me të cilët ka ardhur në pushtet dhe me të cilët do të vazhdojë të mbajë pushtetin.

Peka: Disa thotë për muhaxhiadinët, disa thonë për reformën në drejtësi, disa thonë një vizitë e munguar nga turi ballkanik që bëri muaj më parë z Kerri. Z. Basha, a keni ju një definicion për çfarë erdhi Kerri në Shqipëri?

Basha:Për njësërë çështjesh. Për demokracinë, për shtetin ligjor, për sigurinë, për Shqipërinë që të mos konsumojë por të kontribuojë si aleate në NATO. Dhe këtë thashë edhe unë pas takimit. Boll me konsum. Ju jemi mirënjohës për jetë SHBA-ve që nga momenti i ekzistencës si shtet me Willsonin, vetëvendosjen, që nga moneti i daljes nga errësira komuniste, futja në NATO, pavarësia e Kosovës. U jemi mirënjohës SHBA-ve por ka ardhur koha që edhe ne të bëjmë diçka ndonëse nuk mund ta lajmë kurrë këtë borxh. Dhe gjëja e parë që mund të bëjmë është që të mos konsumojmë më asetet e SHBA-ve që ka edhe lidershipin e NATO-s pasi ka mundësi edhe të kontribuojmë. Por si mund të kontribuosh kur ti si vend kthehet në një vulnerabilitet, në një barrë për aleatin tonë të madh sepse në vend që ta ketë mendjen tek rreziqet kryesore me të cilat përballet ai dhe bota, e ka mendjen a do shkojnë kriminelët në parlament, të mos përfundojë ndonjëri tek faksi i NATO-s, të mos shkojë ndonjëri që ka në dorë çështje që kanë të bëjnë edhe me sigurinë e SHBA-ve. Se kuptimi i të qënit aleat është i lidhur me sigurinë e njëri tjetrit. A mos vallë këta përdoren për të financuar terrorizmin?! A mos vallë këta bashkë me oligarkët do ta zhbëjnë demokracinë në Shqipëri dhe ta dorëzojnë në duart e interesave që fryjnë nga lindja?! Kjo është e patolerueshme. Këto nuk duhet të ishin shqetësimet e SHBA-ve sot. Sot dialogu duhet të ishte tërësisht i përqendruar në partneritetin e vërtetë që do të thotë që Shqipëria të kontribuonte. Sot fatkeqësisht kjo nuk po ndodh. Ndaj po them që demokracia, shteti ligjor, demokracia funksionuese ku përfshihet edhe reforma në drejtësi, dekriminalizimi, ta tha vetë e veçoi si reformën kryesore dhe ne na takon si promotorët e kësaj reforme, me besim dhe vlerësim për çfarë bëmë dhe me besim se çfarë do të bëjmë më të ardhmen.

Peka: Z Basha, është folur në disa media që e kanë lidhur vizitën e z Kerri me ardhjen e disa mijëra muhaxhiadinësh në Shqipëri. A është biseduar për këtë çështje në takimin tuaj? Cili është qendrimi i opozitës nëse ka një akord mes qeverisë dhe shqiptare dhe asaj amerikane.

Basha: Nuk kemi pasur bisedime të natyrave operacionale. Kemi pasur dhe kemi bisedime të natyrave strategjike. Dhe në rrafshin strategjik, qendrimi i Partisë Demokratike ka qënë, është dhe do të jetë që në kuadër me aleancën me SHBA-të, në kuadër të këtij kontributi të jashtëzakonshëm që ata kanë dhënë për të varrosur njëherë e mirë ankthin ekzistencial të shqiptarëve, duke e futur Shqipërinë në NATO, duke ndihmuar çlirimin e Kosovës dhe duke e pavarësuar atë, gdhend një detyrim brezash jo vetëm për sot për shqiptarët, për brezat që kanë ëndërruar për Kosovën e pavarur dhe Shqipërinë në aleancë perëndimore por edhe për brezat që do vijnë, të bëjmë gjithçka brenda kapaciteteve tona por pa asnjë rezervë për të vlerësuar në mënyrë objektive dhe të përbashkët me aleatët tanë . Dhe kjo mbulon të gjitha çështjet e bashkëpunimit strategjik. Ky është qendrimi im.

Peka: z Basha, në logjikën politike për çdo reformë e madhe merita kryesore i shkon maxhorancës. Normalisht pot ë shikon interesat dhe konjikturat e opozitës, pra një opozitë që shikon interesain e saj të ngushtë, ndoshta vota për reformën në drejtësi nuk do ti shkonte shumë për shtat. Në rast se ju e keni premtuar këtë publikisht, ia keni premtuar edhe Sekretarit Kerri. A keni marrë diçka në shkëmbim të kësaj?

Basha: Së pari, reforma në drejtësi nuk është gjë e lehtë që të premtohet. Reforma në drejtësi është një set parimesh dhe vlerash për të cilat ne, sic thashë, kërkonim që kur ishim në qeverisje konsensusin e palës tjetër por këta e kishin mendjen tek mustaqet e Çelos së Fierit. Nuk e kishin mendjen as tek reforma në drejtësi, as tek reforma në administratën civile, as tek reforma të tjera të rëndësishme të vendit. Pra këtu Partia Demokratike vazhdon të jetë koherente me qendrimin që ka pasur në qeverisje. Shqipërisë. Lypset një drejtësi e reformuar, e aftë për të përballuar në mënyrë dinjitoze, të shpejtë dhe të drejtë kërkesat që qytetarët shqiptarë kanë ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të Shqipërisë. Ky është interes i shqiptarëve, nuk është interes as i Edi Ramës dhe as i Lulzim Bashës. Aty ku ndahemi ne është që për mua si kryetar i PD-së, për mua si lidership i së resë në Shqipëri, si përfaqësues i aspiratave europiane të shqiptarëve, si një njeri që mbaj mbi veten time peshën dhe sfidën e rritjes së standardit në nivelin europian, jo thjeshtë ta çoj një hap më tej, është e qartë dhe e prerë që drejtësia shqiptare duhet të jetë pas kësaj reforme e pavarur politikisht, e pakapur politikisht, e pashantazhueshme politikisht apo në forma të tjera, dhe e gatshme tu përgjigjet kërkesave të qytetarëve shqiptarë. Ndërsa nga ana tjetër deri më sot shohim një Edi Ramë i cili ka interes për reformën në drejtësi vetëm nëse kjo kthehet në kapje. Marrim Byrone Kombetare të Hetimit (BKH). Binin më shumë daullet e BKH-së se sa ato të Bajramit, deri në momentin që Venecia tha që smund të jetë nën ministrin e Brendshëm. Në këtë moment nuk pikëtin më BKH-ja. Madje në draftin e dytë nuk e ka çuar fare Byronë. Pse?! Sepse nuk i intereson më sepse e donte nën Sajmen. Nuk e donte nën Prokurori. Nuk e donte aty ku do të shkojë në fakt për të vënë para përgjegjësisë zyrtarët e korruptuar të nivelit të lartë. Kjo Edi Ramës nuk i intereson dhe kjo është ajo që na ndan ne, Partinë Demokratike, mua personalisht nga ajo çfar kemi parë deri më sot nga Edi Rama.

Peka: Ndërjetësit europiane që kanë qënë aktivë për reformën në drejtësi dhe dekriminalizimin, a keni kontakte me ta dhe çfarë thotë pas Venecias? E thënë më shkurt, a janë optimist se tashmë do të ketë një reformë në drejtësi?

Basha: Unë nuk bëj zëdhënësin e partnerëve ndërkombëtarë.

Peka: Nga takimet që ju keni me ta…

Basha: Po por nuk bëj zëdhënësin e tyre. Unë kam kontakte të përhershme me partnerët ndërkombëtarë të cilët kanë dhënë dhe japin mbështetje të çmuar për të gjitha kauzat tona duke filluar me dekriminalizimin si një kauzë madhore e cila u fitua pikërisht në sajë të këmbënguljes tonë, krijimit të një mbështetje të madhe popullore, dhe ndërhyrjes dhe mbështetjes së fuqishme të partnerëve ndërkombëtarë. Po kështu, gëzojmë përmes një dialogu konstant me partnerët ndërkombëtarë simpatinë, mbështetjen, mirëkuptimin e tyre sepse ne jemi pozicionuar qartë në anën e standarteve europiane dhe euroatlantike, jemi pozicionuar qartë në anën e Venecias.

Peka: z Basha, dy bashkëkryetarët e maxhorancës dhe në veçanti z Rama, vazhdimisht qan hallin e opozitës se ka ngelur pa kryetar. Megjithatë, ajo që të bën përshtypje të paktën mediatikisht, pse një pjesë e mirë e faktorëve ndërkombëtarë pasi vizitojnë zyrën tuaj vizitojnë edhe zyrën e z Berisha?

Basha: Nuk është një pyetje për mua, është një pyetje për ta. Por nëse më kërkon mua të hamendësoj është sepse z Berisha përfaqëson në përvojën e tij 25 vjeçare, në kontributin e tij edhe sot jo vetëm si parlamentar por si mendimtar politik, një pasuri të madhe jo vetëm për Partinë Demokratike por edhe për vendin. Dhe nuk shoh asgjë jo normale këtu.


Peka: Ka një perceptim të analistëve politikë që Lulzim Basha bën një opozitë ndryshe nga ajo që bën Sali Berisha. Në fakt e keni thënë edhe vetë…

Basha: Nuk ka se si të jetë ndryshe. Sepse unë jam Lulzim Basha.

Peka: Gjithsesi, ka edhe një ide që devijimi nga zyra juaj tek zyra e berishës të këtyre faktorëve ndërkombëtarë e bëni ju qëllimisht për ta pasur gjithmonë pjesë z Berisha dhe për të mos krijuar asnjë lloj xhelozie…

Basha: Jo, absolutisht. Mund të jetë muhabet kafeneje por më lejoni të mos i jap dinjitet me një përgjigje. Mendoj që është një spekulim i pastër.

Peka: Cilat janë raportet tuaja me Sali Berishën?

Basha: Janë raporte shumë të mira pune. Raporte shumë të mira bashkëpunimi, raporte respekti dhe konsultimi të përhershëm.

Peka: Po raportet tuaja me grupin parlamentar?

Basha: E njëjta gjë.

Peka: Mediat kanë raportuar një përplasje në mbledhjen e fundit ku zonja Bregu u ka krahasuar me drejtues emisionesh?

Basha: Jo e keni të pasaktë këtë. Pjesën e fundit e ke të pasaktë siç ndodh rëndomtë kur spekulohet por jo një përplasje por dhjetra përplasje, meqë zgjodhe fjalën përplasje, por përplasje mbi parime, polemikë, diskutime pra të hapura në frymën më të hapur të mundshme dhe për këtë arsye ju nuk arrini dot si media sepse pavarësisht se pretendoni, nuk i keni të sakta ato që shkruani sepse aty diskutohet në frymën dhe shpirtin e lirë. Animus in consulendo liber. Shkruhet në murin e Këshillit të Atlantikut të Veriut në Bruksel që është një thënie që i përshtatet edhe dinamikës që unë kam vendosur, hapësirës që unë kam krijuar në grupin parlamentar dhe nuk e kam krijuar për show. Se kam krijuar për të thënë që ky është ndryshe. E kam krijuar se Partisë Demokratike i nevojitej një debat i brendshëm jo vetëm në grupin parlamentar, por në të gjithë shtresat e saj. Debati i brendshëm përsa kohë është i centruar në parimet dhe interes publik, jo vetëm nuk e dobëson por e forcon një parti politike dhe e bën më të gatshme, më të mençur, më të aftë të përballojë sfidat me të cilat ndeshet si në opozitë por edhe në qeverisje. Për fat të keq nga ana tjetër kemi përpjekjet më titanike, më qesharake për të ngordhur edhe nervin e debatit. Por ky është problemi i tyre.

Peka: Tani po flasim për PD-në. A ka një debat në PD se kush duhet të mbajë peshën më të madhe, grupi parlamentar apo strukturat e partisë? Ka një pretendim se grupi parlamentar se strukturat nuk po marrin…

Basha: Jeni i pasaktë. Një konstatim i tillë do ta nxirrte gallof kushdo që do e nxirrte. Sepse strukturat janë në terren. Vetëm sot në faqen tuaj syri.net keni pasqyruar disa protesta nëpër rrethe. Dje po kështu. Pardje po kështu. Pra ky është një pretendim i pabazuar. Detyrat e grupit parlamentar, detyrat e strukturave të partisë janë të qarta. Natyrisht që grupi parlamentar është pararoja politike e çdo partie dhe në kushtet aktuale detyrat e grupit parlamentar janë shumë të vështira. E imagjinoni ju të futesh në një sallë që i thotë vetes Salla e parlamentit dhe të gjesh aty persona që sapo kanë dalë nga burgjet më të famshme të Italisë, Greqisë, Belgjikës, Zvicrës…

Peka: Situata është problematike karahsuar me parlamentet që ka pasur Shqipëria…a ka kryetari Basha një notë, një vlerësim për sjelljen e grupit parlamentar gjatë këtyre 3 viteve?

Basha: Unë gjykoj se grupi parlamentar ka qendruar në lartësinë e detyrës. Grupi parlamentar është ndeshur me një situatë të paprecedentë dhe kur them këtë nuk do të thotë që 97, apo 98 kanë qënë me më pak rrezik. Jo. Në shumë aspect kanë pasur më shumë rrezik. Por kompleksiteti i kësaj gjendje…

Peka: këtë mendim keni për çdo anëtar të grupit parlamentar?

Basha: Ta mbaroj mendimin. Kompleksiteti i kësaj gjendje, ajo që thashë më parë është 97 pa plumba. Sepse krimi gjendet kudo.  Eshtë i kopsitur, është i pasuruar, është i strehuar në automjete luksoze dhe më shpesh po se sa jo, ka dorën e ngrohtë të kryeministrit mbi supe. Ky është një problem i jashtëzakonshëm. Pak vende e kanë përjetuar këtë. Sigurisht jo në gjeografinë europiane. Spo flas për Euroazinë se atje ka hesape të tjera dhe në fakt ai frymëzim është; frymëzimi i regjimeve banditeske. Që bëjnë një aleancë mes banditëve të fortë dhe një grushti njerëzish me interesa ekonomike dhe që pastaj demokracinë e marrin në zotërim dhe e kthejnë në një maskodemokraci kur në fakt qeverise me krimin, për krimin dhe prej krimit. Dhe këtu e ka sjellë Edi Rama Shqipërinë sot. Detyra jonë bashkë me qytetarët shqiptarë sot është ta çlirojmë vendin. Jemi në udhëkryq, padyshim. Nuk jemi në një rrugë të drejtë që hajde të ecim përpara më shumë. Se ndodh edhe kjo që nuk po ecim mjaftueshëm shpejt, kemi mbetur kemi rrëshqitur pak prapa…jo jo. Sot Shqipëria është në udhëkryq. Do të marrë rrugën që e çon nga oligarkia e shartuar me kriminelë, që ka kushtetutë dhe ligj por që nuk pyet as për ligj dhe as për Kushtetutë, që i ka të drejtat e njeriut por që i shkel të drejtat e njeriut, apo do të marrë rrugët e një demokracie të standardeve europiane ku zot është qytetari dhe qeverisja, destinimi i parave publike, prokurimet publike, ndërtimi i shkollave, ujësjellësve, rrugëve, percaktimi i pensioneve,  hapja e vendeve të reja të punës, janë detyrat e shërbëtorëve ndaj qytetarëve. Apo të padronit, kokoshit që krekoset kur nuk ka asgjë për tu krekosur. Ky është udhëkryqi dhe nuk është nevoja ta përsëris mendimin tim se në cilin drejtim po e tërheq Edi Rama. I ka bërë hesapet gabim sepse këtej nga ana tjetë nuk tërheq vetëm unë dhe PD por jam i bindur nga thellësia e shpirtit tërheqin shumica dërmuese e qytetarëve shqiptarë. Edhe atyre që nuk kanë votuar PD-në por që nuk mund të pranojnë kurrë të përfaqësohen nga një regjim kleptokrat dhe i inkriminuar.

Peka: A e plotëson çdo deputet i grupit parlamentar pritshmërinë e z Basha?

Basha: Kryetari Basha nuk është i kënaqur në asnjë moment sepse po të ishte i kënaqur ky do të ishte edhe terminimi, fundi i procesit. Në këtë rast, i procesit të drejtimit të partisë. Kryetari Basha është kërkues në radhë të parë ndaj vetes dhe po kështu ndaj çdo deputeti e çdo demokrati. Dhe nuk besoj se e kam gabim.

Peka: Z Basha, ju si menaxher jeni njohur si person që shpërndani përgjegjësi ndryshe edhe nga paraardhësi juaj. Këtë e beni se është stili juaj apo se nuk doni të mbani përgjegjësi?

Basha: Unë mendoj se shpërndarja dhe delegimi i përgjegjësive dhe kontrolli i ekzekutimit të përgjegjësive është dokrina më e sukseshme që e ndan lindjen nga perëndimi. E bëra të qartë edhe në këtë intervistë se ne cilin krah qendroj unë, si nga formimi, si nga bindjet, si nga aftësitë dhe përvoja.

Peka: Z Basha, kur do të udhëtoni për në SHBA? Është folur për një vizitë në mars…

Basha: Po do të udhëtoj në fundin e javës së ardhshme.

Peka: Domethënë këtë muaj jeni në Uashington?

Basha: Po.

Peka: Takime…

Basha: Po do të kem takime, sigurisht.

Peka: ku do ti keni takimet z Basha?

Basha: Në Uashington dhe disa prej tyre në Nju Jork. Në nivelet e larta të përfaqësimit e politikës dhe administratës amerikane. Të jeni të sigurtë që nuk do të jenë sekrete por do të bëhen transparente për publikun, për ju, për faqen tuaj që ju përgëzoj që për një kohë rekord ka arritur të jetë informuese kryesor e  opinionit public.  Sfidën nuk e keni të vogël as ju sepse folëm për këtë. Mos e merr për kompliment meqë folëm këtu sepse nuk e kam interesin tek Çim Peka as tek syri.net por e kam interesin tek media që sa vjen e thahet nën erërat dhe presionin e oligarkisë, mafias dhe pushtetit të pakufizuar të Edi Ramës si dhe tu uroj që kjo studio këtu, që është më shumë se sa syri.net sepse është syri.net në dinamikë, të ketë sa më shumë sukses në përcjelljen e zërit të lirë dhe të vërtetave të shoqërisë.

Peka: Të falenderoj. Pyetja e fundit.Me ftesë të kujt udhëton Lulzim Basha në Uashington?

Basha: Me ftesë të miqve të Shqipërisë në Uashington në Kongresin Amerikan dhe që përkon edhe me data të shënuara në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.

Peka: Z Basha, faleminderit.

Basha: Faleminderit ju.


Intervistë e kryetarit të PD, Lulzim Basha dhënë për gazetarin Çim Peka, 4 Mars 2016