Qindra gra dhe vajza kuksiane u mblodhën sot në një takim për të ngritur zërin për shqetësimet dhe kërkesat e tyre për një jetë më të mirë, për më shumë shanse e mundësi.

Kryetarja e LDGSH, deputetja Albana Vokshi bisedoi me to në ditën ndërkombëtare të gruas. Vokshi tha se gjendej në Kukës pasi kjo zonë ka shifrat më të larta të varfërisë në vend e në veçanti shifrën e papunësisë tek gratë.

“8 Marsi është një ditë, ku ndërkombëtarisht protestohet për të drejtat e grave. Ndaj, sot jemi këtu për të folur për problematikat që qarku i Kukësit i ka jo të pakta, për të gjitha problematikat që ju si gra të Kukësit keni dhe sigurisht të bashkëbisedojmë për çdo problem. Pse zgjodhëm Kukësin sot? E kemi diskutuar edhe me anëtare të tjera të kryesisë së PD. Zgjodhëm Kukësin sepse Rama e ka lënë qëllimisht qarkun më të varfër. Gratë Kuksianë në pjesën më të madhe kanë problematika që i kemi njohur edhe në fushatë që nga mungesa e dritave, ujit por edhe deri aty sa takonim zonja që s’kishin të ardhura as për të blerë ilaçe. Së bashku me kryetarin e Bashkisë, ashtu siç edhe premtuam në fushatë, do të lobojmë me donatorët, me të gjitha ministritë që të sjellim projekte që kryesisht janë të orintuara drejt punësimit të grave, zhvillimit të tyre ekonomik dhe social dhe rritjes së përfaqësimit të tyre në politikë”

Vokshi përmendi si arritje të Partisë Demokratike përfaqësimin e grave në listat e këshillave bashkiakë me nivelin në 50%.

Gratë e pranishme ngritën shqetësimin mbi largimet nga puna në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë si dhe për diskriminimin në shoqëri. Vokshi tha se largimet nga puna dhe diskriminimin e grave e ka ngritur fort si cështje në parlament, së bashku me gratë e tjera deputete të opozitës.

“Në të gjitha debatet parlamentare dhe në aksionin e opozitës ne kemi ngritur zërin për dhunimin e të drejtave të grave. Që me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, u hodhën në rrugë me mijëra gra në të cilat kishte edhe kryefamiljare që nuk mund të sigurojnë qoftë edhe një vakt bukë për fëmijët. Këtë e bëri Edi Rama. Po ashtu po hidhen në rrugë personel i madh nga spitalet rajonale ku shumica janë gra. Shumë janë kryefamiljare apo në prag pensioni dhe po zëvendësohen nga ato gra e vajza që marrin teserën e PS e dalin në takime propagandistike të Ramës”, denoncoi Vokshi.

Më tej, kryetarja e LDG, tha; po u pyes, a keni marrë ndonjëra prej jush shërbim shëndetësor falas?! A keni marrë barna falas deri më sot? E dini që edhe sot nuk punojnë aparaturat e Onkologjikut?!

“E kemi parë edhe në media që spitali i Kukësit duket si në një gjendje lufte, muret po binin nga lagështira, me një pamje të dhimbshe dhe smund të propagandosh sikur blen një paisje, kur pavione të tëra i le në këtë gjendje?! Po ku shkojnë miliona e eurove nga Rama e Beqa që duhet të shkonin për shëndetin tuaj?! Sigurisht që shkojnë për koncensionet e klientëve dhe miqve, shoqeve e mikeve, apo sponsorve të PS”, u shpreh Vokshi.

Të pranishmet ngritën shqetësimin e madh për eksodin dhe largimet e shumta të kuksianëve për të kërkuar azil jashtë vendit. Vokshi tha se ky fenomon ka goditur më së shumti Kukësin dhe këtë, ajo e cilësoi si një genocid modern të Edi Ramës ndaj shqiptarëve. “Vetëm vitin e fundit nga Kukësi janë larguar 400 familje që kanë ikur dhe kjo është e tmerrshme. Pra vetëm në një vit mendohet se janë larguar 1200 vetë. Po çfarë është kjo?! Në një farë mënyrë është asimilim, një genocid modern i Ramës”, tha Vokshi.

Gratë kuksianë folën dhe trajtuan problemet varfërisë në këtë zonë. Sipas tyre shumë prej grave nuk kanë asnjë mundësi të punojnë dhe u ka humbur shpresa. Zonja Vokshi i ftoi ato të bëhen pjesë e aksionit të opozitës për të ngritur zërin e tyre për të jetë më dinjitoze dhe kushte më të shumta për të gjitha gratë.

“Shifra të INSTAT-it, pra shifrat e vetë qeverisë, papunësia ka shkuar në 17.6 %. Por shifra më goditëse është se papunësia tek gratë është rritur shumë më tepër se tek burrat. Papunësia e vajzave deri në 35 vjeçe ka shkuar tek 35% në rang vendi dhe spo flas për Kukësin ku dihet që është më e lartë, mbi 50% ky fenomen. Çdo muaj rritet papunësia ndër gra dhe vajza. A është dhunë kjo që ushtrohet?! A duhet që të gjitha së bashku të ngrihemi e të bashkojmë zërin tonë për të mbrojtur të drejtat tona?! Që fëmijët të arsimohen, të keni mundësi për punësim dhe të kemi një jetë më dinjitoze në familjet tona?! Të ngrihemi pra të gjitha bashkë që ti themi edhe Ramës dhe kujdo që të respektojë të drejtat tona”, apeloi Vokshi.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 8 Mars 2016