Patëm një diskutim shumë të frytshëm dhe të detajuar me z Fleckenstein dhe z Kukan për situatën politike në Shqipëri ku unë pata rastin ti brifoj për 3 çështje kryesore: për reformën në drejtësi, për dekriminalizimin dhe për zgjedhjet.

Për reformën në drejtësi përsërita vullnetin e opozitës për një bashkëpunim të hapur dhe pa kushte me maxhorancën në frymën e konsensusit politik, për të prodhuar një reformë në drejtësi e cila lufton korrupsionin por pamundëson kapjen politike dhe vendosjen e gjyqtarëve dhe prokurorëve në shërbim të qeverisjes, qeverisë apo kryeministrit aktual apo kushdo qoftë ai. Në këtë kuadër theksova rëndësinë që merr dialogu politik. Risolla në vëmendje faktin që në një vit e gjysëm nën alibira të ndryshme kryeministri nuk i është përgjigjur asnjëherë ftesës së opozitës për një dialog të vërtetë politik dhe një punë gjithëpërfshirëse konsensuale e cila do të ishte në gjendje, nëse do të bëhej, të riparonte mungesën e besimit dhe ti jepte shqiptarëve të paktën në këtë fushë një reformë në drejtësi për të cilën palët janë rakorduar dhe e kanë cilësuar një prioritet për Shqipërinë.

Së dyti i brifova për çështjen e dekriminalizimit ku z.Fleckenstein dhe z Kukan janë padyshim persona që kanë dhënë kontributin e tyre të mirënjohur për marrëveshjen e 24 Dhjetorit 2014,  për miratimin me një vit vonesë të ligjit për dekriminalizimin, për procesin e përgatitjes së akteve nënligjore nga parlamenti dhe ndihma që po marrim në këtë drejtim. Theksova faktin se pavarësisht prej kësaj, shpirti i ligjit për dekriminalizimin po sfidohet akoma pa nisur punë. Ka shumë raste për këtë. Po përmend rastin e Arben Ndokës që u bë emblema e kauzës së dekriminalizimit, por nga ana tjetër i shpëtoi një vendimi të drejtë të gjyqësorit për shkak të presionit politik në Gjykatën e Lartë dhe sot është figura kryesore e Partisë Socialiste në Lezhë, prej nga ku, për interesat politike përsëri të Edi Ramës kërcënon me jetë tashmë një deputet brenda radhëve të Partisë Socialiste. Faktin pra, që jo vetëm krimi nuk po ndahet nga partia e Edi Ramës dhe nga Edi Rama por se Edi Rama vazhdon ti përdorë këta individë dhe po i armatos me pushtet politik, pushtet financiar, me leje të paligjshme ndërtimi siç është leja që po shfrytëzohet sot në hyrje të qytetit të Lezhës ku po rrafshohet një kodër e tërë në hyrje të Kodër-Marlekaj për të ndërtuar  një pallat 12 katësh. Pra lidhja krim, para, pushtet vazhdon të mbetet shumë e fuqishme tek Edi Rama dhe ky është një problem që kërkon ndjekje të vazhdueshme sepse nuk është vetëm ligji që duhet implementuar por duhet edhe vullneti politik.

Pa këtë vullnet politik as që mund të bëhet fjalë për zgjedhe të lira dhe të ndershme,  pa hyrë në aspekte të tjera siç janë financimi i partive, të shit-blerjes së votës, të intimidimit të votuesve, përdorimit të administratës, keqpërdorimit të Policisë së Shtetit etj. Ndava pikëpamjet me dy bashkëbiseduesit se këto janë dhe mbeten problem kryesor i Shqipërisë dhe shqiptarëve. Dhe se Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë hap përpara pa zgjidhur problemin e rikthyer fuqishëm nga Edi Rama dhe Ilir Meta në zgjedhjet e 2015 të cilat vetë z Fleckenstein, ne median tuaj, i cilësoi si zgjedhje të dështuara sepse me të vërtetë të tilla ishin.

Pyetje: Çfarë qendrimi mbajtën ata? A ju shtyjnë drejt dialogut politik? E përkrahin këtë?

Basha: Ne e kërkojmë dialogun politik. Dikush tjetër duhet të shtyhet në dialog politik. Jo Lulzim Basha. Por qëndrimi i tyre ishte jashtëzakonisht pozitiv dhe mbështetës. Sigurisht unë nuk jam këtu të bëj zëdhënësin e tyre. Shpresoj që do të keni një rast për të marrë prononcimin e tyre. Por mund tju them që unë dhe bashkëpunëtorët e mi jemi shumë të inkurajuar nga mesazhet që morëm gjatë këtij takimi.


Prononcimi per mediat i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha pas takimit me eurodeputetët Eduart Kukan dhe Knut Fleckenstain, 8 Shkurt 2016