Të nderuar Kolegë,

Seanca e sotme duhej të kishte në axhendë të ditës destabilizimin e rendit dhe sigurisë në një nivel të lartë dhe alarmant ndërkohë që kemi një Ministër e Kryeministër që ndërron fasadat e godinave dhe veshjet e policëve, duke e dhënë gjithcka me koncesion.

Kur siguria e qytetarëve është në udhëkryq historik, Kryeministri dhe Ministri flasin shumë me mungesën e tyre jo vetëm këtu në parlament por mbi të gjitha me rezultatet dëshpëruese. Viktima pa fund në rend, viktima në shëndetësi. Sistemi ka rënë nga koncesionet e krimit në pushtet.

Të nderuar deputetë,

Sot po diskutojmë një marrëveshje për themelimin e Fondit të Ballkanit Perëndimor (FBP) e cila mendohet që do të rrisë bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia dhe Serbia), i cili bazohet në një model të mëparshëm, atë të Fondit Ndërkombetar të Vishegradit.

Për vetë qëllimin dhe objektivin e krijimit të Fondit për një rritje të bashkëpunimit në nivel rajonal, e sidomos kur bëhet fjalë për projekte të orientuara në sektorët socialë, edhe deputetët e opozitës votuan pro tij në Komision. Sigurisht, që ngritëm disa cështje teknike apo politike si psh për mënyrën e ngritjes së funskionimit të kesaj zyre, mënyrën e implementimit apo monitorimit të rezultateve të projekteve që Shqipëria do mund të tërheqë, mënyrën e përfshirjes së shoqërisë civile etj. Deputetët e opozitës theksuan se duhet punuar shumë për të arritur thithjen e projekteve në fushat prioritare si cështjet sociale, punësimit sidomos të të rinjve dhe grave. Gjithashtu, monitorimi i projekteve duhet të jetë sa më korrekt, në mënyrë që fondet e përfituara të shkojnë atje ku duhet, për të mbuluar nevojat për të cilat është realizuar projekti. Ne, votuam pro projektligjit, duke vlerësuar hapjen e zyrës në Shqipëri për 3 vitet e para të funksionimit të Fondit duke shprehur rezervat tona për mënyrën e përzgjedhjes se Drejtorit të kësaj zyre.

Por nëse quhet arritje ngritja e këtij fondi me zyrë në Tiranë??? Pse Diplomacia jonë nuk punoi ashtu si duhet, nuk loboi intensivisht pra me të njëjtin motivim edhe për Rezolutën e Kosovës në Këshillin e Europës, në të cilën dështuam vetëm për një votë.

Po për riintegrimit të azilantëve të kthyer, pse Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka ndërmarrë asnjë hap për një strategji konkrete, me plan pune e me buxhet përpaktës??? A i sheh Qeveria shifrat alarmante nga raportet ndërkombëtare?? Vetëm një javë më parë EUROSTAT vuri alarmin që rreth 30 mijë fëmijë u larguan gjatë vitit të shkuar vetëm ose me prindërit për të kërkuar azil në vendet e Evropës. Raporti gjithashtu ngre shqetësimin e madh për traumën e përsëritur që pësojnë këta fëmijë (edhe kur ju refuzohet azili edhe kur kthehen në Shqipëri e s’kanë as strehë ku të fusin kokën, as veshje e as ushqim e as libra…).

Të nderuar kolegë,

Sot kriza ka mbërthyer Shqipërinë…sot kriza më së shumti është e dukshme në sistemin e Shëndetësisë i cili është kthyer në një emergjencë kombëtare, e cila ka tejkaluar tashmë caqet e një debati politik dhe duhet të kthehet në prioritet për zgjidhje. Koha nuk pret, duhet gjetur një instrument për të shpëtuar sistemin që ka rënë në agoni të thellë. Kjo emergjencë me shkaktarë dhe përgjegjës direkt Ministrin dhe Kryeministrin po gjeneron cdo ditë rrënim të shërbimit publik dhe pasurim në calltisje të pushtetarëve dhe kompanive të miqve të tyre.

Rrënimi i shëndetësisë u pa tek përballimi i ngjarjes dramatike me të plagosurit nga shpërthimi i bombulës në fshatin Beragozhdë të Pogradecit.

Mungesë medikamentesh apo mjetesh në QSUT, vërdallosje sa në Pogradec, san ë Korcë, e më pas në Tiranë …ca me ambulanca e ca me makina private pa asnjë kusht për të plagosurit…reagimi i vonuar për transportin me helikopterët të pacientëve në gjendje të rëndë mund ta kishte kthyer situatën më në favor të të plagosurve. Por kjo nuk ndodhi sepse kriza e koncesioneve apo paaftësisë së politikave të ministrisë gjeneron mosmenaxhim të situatës.

Pra jemi në kushtet kur ajo cka funksionon si orë zviceriane në sistem shëndetësor është vetëm shpërbërja sistemit dhe kalimi i copave te klienti i rradhës koncesionar. Pacienti, mjeku, infrastruktura është në braktisje totale nga qeveria dhe në hallin më të madh.

Dilema për t’u zgjidhur është vetëm një: a do veprojë drejtësia për t’I vënë fre fenomenit të padëgjuar të Rilindjes në babëzinë e fondeve publike?

A do të ketë emra konkretë hetimi i koncesioneve të shëndetësisë i cili po e gërryen sistemin si një gurore mesjetare ndërkohë që publikut ky erozion i parave i ofrohet si 3 P (partneritet-publik- privat)?? Por të dashur qytetarë, ka vetëm një partneritet sot në Shqipëri: ai është partneriteti i hajdutërisë së shtetit në emër të privatit ku shumat marramendese përfundojnë në llogaritë bankare të pushtetit. Ose më saktë: PPP = Partneritet për Përvetësimin e Parave.

E ndërkohë që qindra milionë EURO të përvetësuar nëpërmjet koncesioneve dhe tenderave abuzivë…(dhe ende s’ka ndalur revanshi) e ashtuquajtura reformë e Beqes në spitalet bashkiake cdo ditë po hedh dhjetëra profesionistë në rrugë për t’I zëvendësuar më anëtarë të PS. E sigurisht, tashmë në prag të kongresit të Marsit, duhet rritur anëtarësia e Rilindjes…duke përdorur cdo mënyrë… anipse qindra familje nuk do të kenë me se të ushqejnë fëmijët e tyre, anipse qindra familje nuk do të kenë me se të paguajnë faturat e ujit, dritave etj…duke na rikthyer të gjallë legjendën e Lulit të Vocërr…

47 punonjës të pushuar në Pukë, 60 Elbasan, 60 Tepelenë, e kështu numri punonjësve të ndershëm, madje edhe atyre në prag pensioni… por që fati i keq i gjeti pa një teser të Partisë në pushtet në xhep, e që hidhen në rrugë, rritet cdo ditë…Protestat e përditshme të personelit të pushuar ne shkelje të kodit të punës, nuk shihen e as dëgjohen e as nuk konsiderohen nga Ministri apo Kryeministri

Ndërkohë që qindra milionë EURO kalojnë në llogaritë e klientëve apo miqve të KM apo Ministrit, gjendja në Qendrat Shëndetësore është katastrofike. Vetëm dy ditë me parë kolegia Deda ishte në Pukë, pamjet ishin rrënqethëse, as spitalet në kohëra lufte nuk kanë qenë në atë gjendje…rrënim total…

Ndërkohë që qindra milionë EURO kalojnë në llogaritë e klientëve apo miqve të Kryeministrit apo Ministrit, në QSUT, në spitale apo Qendra Shëndetësore s’ka barna, (as ato më elementarët që kushtojnë 10 lekë), s’ka anestezi, s’ka hollues gjaku, s’ka lasiks, s’ka doreza, alkool, …

Sot vajti Kryeministrit për një inagurim te onkologjiku në QSUT. Po cfarë inaguroi??? Sot që ne flasim në atë pavion mungojnë barnat për kurimin e e pacientëve. Sot që ne flasim, s’punojnë aparaturat për kurimin e të sëmurëve…Vetëm sot, meqë Kryeministri vajti për inagurim, Ministri coi Herceptinë. E turpshme, barnat shkojnë në spitale vetëm kur inaguron fasada Kryeministri!!! Sot në ditën ndërkombëtare të kancerit, ju kërkojini ndjesë të gjithë të sëmurëve që i keni lënë në ditë të hallit!!!

Sot që ne flasim, në mëngjes më mbërriti një mesazh nga një vajzë që quhet Alketa e cila më shkruan:

“Zonja Albana! kam një shqetësim shumë të madh: mamaja ime ka filluar para 2 javesh radioterapi tek spitali onkologjik në Tiranë, është detyruar ta ndërpresë terapinë për shkak të difektit të aparatures. Sot u bë 1 javë që është prishur dhe askush s’ka vënë dorë në të ,dhe askush nuk përgjigjet se kur do rregullohet. Bëhet fjalë për ndërprerjen e terapisë të sa e sa pacientëve të tjerë. Ju lutem bëjeni ju problem, në emër të të gjithë atyre që s’kanë ku të përplasen, që përvec vuajtjes së sëmundjeve të rënda, përplasen edhe me mungesë të theksuar shërbimesh parësore. Ju falenderoj shumë. “

Ndërkohë që qindra milionë EURO kalojnë në llogaritë e klientëve apo miqve të Kryeministrit apo Ministrit, sot që ne flasim ka rreth 50 barna që mungojnë në treg falë politikave klienteliste që ka ndërmarrë kjo Qeveri.

Ndërkohë që qindra milionë EURO kalojnë në llogaritë e klientëve apo miqve të Kryeministrit apo Ministrit, sot barna kontrabandë futen nga vendet e rajonit (mundësuar pas ndryshimit të ligjit për barnat), barna fallco qarkullojnë e shitën në treg, duke rrezikuar cdo ditë, cdo orë, cdo minutë jetë qytetarësh të vendit tonë…

Ndërkohë që qindra milionë EURO kalojnë në llogaritë e klientëve apo miqve të Kryeministrit apo Ministrit, sot mungojnë barnat e domosdoshme për të kuruar pacientët jo vetëm te onkologjiku por kudo.

E ndërkohë që qindra mijëra qytetarë dergjen spitaleve me ditë e orë të tëra në dëshpërim në pritje të një shtrati të lirë, në pritjë të një vizite mjekësorëë, në pritje të një karte shëndeti…qindra mlionë EURO kalojnë në llogaritë e miqve e të klietëve të Qeverisë…

Të nderuar kolegë,

Institucionet shtetërore kanë dalë në tregun socialist. i gjithë vendi po shitet me PR të koordinuar nën siglën të pastrojmë Shqipërinë nga shqiptarët… ! Historia do ta tregojë, jo shumë vonë se vendi ynë në këto tre vite është plackitur më shumë se në dy luftrat botërore… Kjo që po përjetojnë shqiptarët është një pushtim barbar i institucioneve dhe arkës së shtetit.

Me urgjencë, me sirena të ndezura i ke sot kabinetet ministrore për të shitur të gjitha shërbimet jetike. Një tjetër rast skandaloz u regjistrua këte javë në dikasterin simbol të korrupsionit, Ministrinë e Shëndetësisë.

Një javë më parë në parlament dhe në media paralajmëruam vendimin korruptiv të ministrit Ilir Beqaj për të shpërbërë Urgjencën Mjekësore në Tiranë, një shërbim jetik për kryeqytetin e populluar nga më shumë se 1 milion banorë. Akti antiligjor bëhet në fshehtësi të plotë dhe i qëllimshëm për përfitimin e aksioneve korruptive. Si në miniaturë të QSUT, edhe te urgjenca e Tiranës, Beqaj me mendjet e tij të mbrapshta, e kanë një plan….shpërberjen, copëtimin, e më tej dhënien e shërbimive të transportit dhe mjekësore kompanive private apo Organizatave Jo Qeveritare që tashmë i keni kthyer në fitimprurëse sepse vizitat i kanë me lek….

Si gjithnjë, askush nuk din asgjë cfarë do të bëhet, cila është e ardhmja e shërbimit… as mjekët vetë apo personeli i Urgjencës apo i spitaleve të tjera ku ajo është planifikuar për tu shpërndarë…ata janë thjesht “shërbëtorë” për Ministrin të cilët s’duhet të bëjnë zë…thjesht të binden.

S’ka studim…s’ka analizë të saktë të funksionimit të urgjencës? Ka vetëm deklarata të turpshme në ëebsite nga Ministri të cilat na tregojnë qartë që institucioni më jetik në Shqipëri drejtohet nga injoranca dhe paaftësia…

Më thoni, cili profesionist i urgjencave do të merrte për referencë % e lëvizjes së ambulancës kur në fakt referencë duhet të jetë koha që i duhet Urgjencës për të vajtur te pacienti?? Apo se qëllimisht i keni lënë vetëm 3 makina që t’i shërbejnë 1 mln banorëve…

Nesër jam e sigurt që do të dilni përsëri, në aktivitetet e sajuara propagandistike e të thoni: Qeveria nuk e bën dot shërbimin e urgjencës, s’kemi logjistikë e pajisje…do e japim me PPP. Investimi në vitin e parë do të jenë makinat (e koncesinarit mik – pse jo Jaguar)…

E më tej do të thoni: As shërbimin mjekësor nuk e bëjmë dot…se mjekët janë të pakualifikuar…e tashmë janë te spitalori…pse mos ta japim me koncesion te dy Organizatat që tashmë i keni shndërruar në fitimprurëse e po kryejnë shërbime e mbajnë regjistrat pronë të shtetit në kundërshtim me ligjin…

Skenari, është i qartë tashmë për cdokënd…vetëm detajet dhe emrat konkretë mungojnë…

Po për tja mbërritur qëllimit fitimprurës…nuk keni kursyer të fyeni e të nëpërkëmbni edhe mjekët e nderuar, të cilët kanë edhe 30 – 40 vjet që punojnë me përkushtim, edhe në kushte të jashtëzakonshme, duke i ardhur në ndihmë cdo qytetari të Tiranës, 24 orë, madje duke i ardhur në ndihmë edhe familjarëve të vetë ministrit të shëndetësisë apo edhe vetë Kryeministrit???

Gjej rastin të shpreh mirënjohjen dhe respektin tim më të madh për të gjithë mjekët që në 60 vjet me përkushtimin dhe humanizmin e tyre mijëra jetë kanë shërbyer në Urgjencën kryeqytetasish.

Po a e keni menduar ndonjëherë se si mund të shërbehen 30 mijë raste më shumë në urgjencën e QSUT mbi numrin 70 mijë që ata shërbejnë në një vit?? A e dini që pacientët janë të detyruar të rrinë në ditë të tëra në korridoret e urgjencës edhe duke bërë serume në pritje të një shtrati të lirë?? Pamjet janë tronditëse, tmerruese, dëshpëruese.

Në fakt gjithnjë ja kam bërë pyetjen vetes: Si mundet Kryeministri dhe Ministri t’ja bëjnë këtë qytetit ku janë lindur e janë rritur???

Por mjekët e urgjencës mjekësore, profesionistë të zotë e mbyllën dje ministrin në zyrë! Po, po dje u mbyll në zyrë dhe refuzoi në shkelje të kushtetutës (Neni 80/3) si dhe të rregullores së Kuvendit Neni 36, dëgjesën në Komisionin e Shëndetësisë. Dje Ministri kishte rastin të bënte vetë një check-up të saktë, se më këtë sëmundje që i ka ra, koordinatori i korrupsionit dhe revizori i Qeverisë rrezikon t’ju infektojë edhe juve të nderuar kolegë të maxhorancës…

Por ministri humbi rastin të kishte shërbimin e parë falas në shëndetësinë që po e shet si në duty free…

Pas kësaj historie, shumë shpejt do të zbulohen miliona që i zhvaten Shqipërisë. Pas këtij pazari janë të plotfuqishëm të tjerë që do ndajnë pushtet me krimin.

Ndaj Ministrin e ka kapur paniku, refuzon cdo përballje me deputët, mjekët po e po dhe mbi të gjitha me mediat pasi nuk ka me cfarë mashtrimesh të mbrojë supermashtrimet e tjera.

Nëse do të ishte për të, jam e sigurt që do të refuzonte edhe seancen plenare, se në fund të fundit atë nuk e lidh asgjë as me parlamentin e as me politikën, ai ka vetëm një zanat: të llogarisë me mouse apo me laps formulat e fitimit nga cdo koncesion apo tender.

Duke ju bashkangjitur thirrjes se mjekëve të Urgjencës së Tiranës ashtu edhe atyre të urgjencës së QSUT, ju kërkoj ta anuloni Urdhërin të cilin ju e keni marrë në kundërshtim më Ligjin për Urgjencat Mjekësore (neni 12), në kundërshtim me VKM për urgjencën kombëtare…

Refuzimi i paraqitjes së Ministrit para komisionit parlamentar për shëndetësi dhe cështje sociale është një akt i paprecedent i cili duhet të na shqetësojë të gjithëve, edhe Presidentin e Republikës, edhe Kryeministritn, edhe Kryetarin e PArlamentit, edhe Kryeprokurorin.

Si mundet një Ministër të shkelë kushtetutën???

Si mundet një Ministër të shkelë ligjet në mënyrë të përsëritur??

Si mundet një Ministër të shkelë cdo normë, standart e etikë??

Si mundet një Ministër të shpërfillë deputetët, e njerëzit t’i trajtojë si miza???

A nuk ju shqetëson ky fakt??? A jemi ne republikë parlamentare??? Apo shtet diktatorial?? totalitar???

Ku e gjen këtë guxim prej të marri ky Ministër??? Kush e mbron atë?? A do të veprojë drejtësia për shkaktarët e vërtetë të rrënimit të sektorit më jetik??

Por e drejta për jetën do t’ju fundosë në kanalet e ujrave kriminale. Dita po afron, mund të jetë edhe natë dhe s’do mund të thërrisni dot as Urgjencën për t’ju shpëtuar!!!


Fjalimi në Kuvend e deputetes Albana Vokshi, 4 Shkurt 2016