Të nderuar kolegë!

Rreth tre vite më parë eksponentë që sot janë në hierarkinë e pushtetit, trumbetonin me të madhe në Athinë kauzat e emigrantëve:

 “Ju nuk do të jeni më eksportues parash por do të jeni aksionerë në ekonominë e vendit dhe në qeverisjen e Shqipërisë”, ishin ndër të tjera mesazhet e rilindasve mavi në përpjekje të mëdha për të marrë cdo votë.

Si një prej mashtrimeve më të rënda të Rilindjes,  zhvillimi i të drejtave të emigrantëve, mes të cilëve dhe e drejta e votës, shënon sot një tjetër rekord turpi dhe manipulimi për këtë qeveri dhe mazhorancë.

Konsiderimi vetëm si kontigjent për votë përmes transportit me autobusa natën  dhe ditën është ndjesi ende e gjallë, jo vetëm për ata emigrant që sot e ndiejnë veten minimalisht të fyer e të braktisur, por dhe për ne rezidentët në Shqipëri.

 Për mua si qytetare dhe më pas si njeri i politikës, transportin e sponsorizuar partiak të emigrantëve e konsiderova  atentatin e parë ndaj zgjedhjeve të lira e të ndershme. Pasi ky sponsorizim  politike ndaj një grupi jo të vogël emigrantësh u përkthye qartazi si një blerje e pastër, një shantazhim indirekt për prindërit e tyre në Shqipëri e më pas vijoi me blerje me miell dhe pak para në dorë apo shlyerje borxhesh  të të afërmve të tyre.

Shumë shpejt, pas ëndrës së mashtrimeve, zhgjëndra erdhi fatale, kur po këta njerëz që pasi i sollën emigrantët votues  me autobuzë e furgonë madje dhe avione, u prishën me rruspa e hodhën në erë me tritol afro 10 mijë  godina,  banesa e biznesve mes të cilave shumica pronë e emigrantëve, pasuri të vëna me mund e me djersë gjatë një cerekshekulli.

Ishte dhe është ky pushtet, që hoqi me arrogancë  nga lista e ndihmës ekonomike të afërmit e emigrantëve.

Ishte dhe është po ky pushtet, që kërkon heqjen e rimbursimeve të dritave për  prindërit- pensionistë të emigrantëve, duke i  zhvatur ata prej dy vitesh e gjysëm me pagesa afrofe të dritave e të ujit.

Janë po këta pushtetarë, dikur opozitarë dhe  mjeshtër të premtimeve të pambajtura, të cilët përsëritën eksodin historik të viteve ’90, dukë bërë që gjatë kësaj qeverisje ta lënë Shqipërinë mbi 100 mijë vetë duke kërkuar azil në dyert e Gjermanisë dhe Evropës Perëndimore.

 Mjafton ti referohem një statistike të thjeshtë:

Në vitet e qeverisjes së Partisë Demokratike, 2011-2012, numri total i raportuar të azilkerkuesve shqiptarë në Gjermani ishte 432, ndërsa vetëm në shtator të 2015 u rregjistruan 8200 vetë.

Të dashur emigrantë dhe familjare te emigranteve ketu ne Shqiperi!

 Në programin tërësor të Rilindjes për emigrantët përshiheshin prioritete në pesë drejtime:

“E drejta e votes”, “cështja e pensioneve”, “reformimi i shërbimit diplomatik për të qenë në shërbim të emigrantëve”, “toponimet” dhe “programet edukuese përfshirë dhe median me Televizionin Public Shqiptar”.

Më thoni të nderuar kolegë, kur  edhe pak muaj bëhen tri vjet të drejtimit të Rilindjes Rama& Meta, cili nga këto shtylla të programit të emigrantëve  është realizuar?

Në dijeninë time, por dhe analizës së ekspertëve, i vetmi drejtim i programit ku mund të jenë hedhur hapa konkretë është ai i sigurimeve shoqërore por dhe kjo reform është krejtësisht e bazuar dhe në zbatim të negociatave efikase të qeverisjes së 8 viteve të PD, gjatë së cilës u arritën 15 marëveshje të njohjes së sigurimeve shoqërore.

Në maj të vitit 2013, Erion Veliaj u tha emigrantëve se Sali Berisha nuk ju do edhe pse shifrat tregonin qe gjatë qeverisjes Berisha ishin me mijëra emigrantë që u kthyen dhe hapën biznese e insiativa private të suksesshme sepse taksa e sheshtë ishte funksionale, sepse nuk kishte aksione tatimore me kërbac nga apo aksine CEZ, INUK  etj, ndërsa barra juaj e papërballueshme  fiskale dhe gjobitëse, solli humbjen e 73 mijë vendeve të punës gjatë vitit.

Nuk ka me njeri qe mund te besoje që mund të hartojnë e të zbatojnë ligje të dobishme për emigranët këta ministra e deputetë të cilët me antireforma, koncesione tendera zhvatës të parave publike, e detyruan sërish popullin të emigrojë si cerekshekulli më parë.

Kjo qeveri ndryshe do njihet si qeveria e eksodit, e koncesioneve dhe qeveria e krizës dhe depresionit.

Por meqënëse nuk është as profesionale , as politikisht korrekt  dhe e moralshme madje, të flasësh për programet tuaja , pasi ato janë modele të corientimit të  propagandës , unë do të doja të ndalesha tek abuzimi rëndë që përcjell ky projektligj për statusin e vështirë të një pjese të konsiderueshme  të emigrantëve shqiptarë.

Me burokraci  të koklavitura, të titulluara rëndom – dixhitale,  të mundimshme dhe shantazhuese , ju vijoni diskriminimin  e thellë ndaj atyre shqiptarëve të cilët me shumë mund , sakrifica vetëmohim dhe mbi të gjitha me dinjitet mbajnë familjet në vendet ku punojnë por dhe gjysëmën e popullsisë, me të ardhurat e remitancave.

 Shërbimet publike  sikurse është pajisja me dokumenta personale duhet të jenë një e drejtë e garantuar nga shteti amë.

 Si e drejtë kushtetuese, pajisja me dokumenta nuk mund të shfrytëzohet si presion për avantazhe politike të partisë në qeveri për ti marrë votën emigrantëve.

Me arrogancën e korrupsionit dhe abuzimit me ligjin e Kushtetutën, ju sot na paraqisni një nga ligjet më represivë dhe një histori tjetër turpi për këtë Parlament.

 Projektligji ju vë sot në akuzë publike për cënim të rëndë të të drejtave të njeriut, pasi janë emigrantët ata që ende i japin oksigjen familjeve shqiptarë në këtë krizë të rëndë.

Juve, në emër të të bërit shtet, kërkoni ti rrënoni ata me makinacione e artifica, për ti taksuar në mundin dhe sakrificën e tyre shumëvjecarë.

 Për të mos folur që drafti vjen si një instrument që shkakton fobi dhe mllef për emigrantët që gjenden në veshtirësinë e letrave të vendbanimeve pasi një pjesë nuk  janë të pajisur me lejeqëndrimi të rregullt, nje pjese jane regjistruar si kosovare apo nje shumice prej te cileve, ne hallin e madh qe i kishte gjetur ne vendin e tyre, kane pranuar qe te ndryshojne edhe emrat per tu pershtatur ne dhé të huaj.

Ky projektligj në vetvete është një draft i cunguar dhe jo i thelluar në zgjedhjen e shqetësimeve dhe problemet e mëdha që vuajnë sot emigrantët.

  Ndërkohë që statusi i tyre socialekonomik vjen e vështirësohet për nga vetë ekuilibrat e brishtë të shoqërive perëndimore me krizën e emigrantëve të vitit 2015, qeveria shqiptare vjen e na sjell një projekt ku në fokus nuk janë pra interesat reale të emigrantëve, por interesa të paskrupuj politike, vetëm për të garantuar pushtet edhe në zgjedhjet e ardhshme.

Problemet e emigrantëve sot janë, punësimi, dokumentat, shkolla e fëmijëve, statusi i tyre socialkulturor, lëvrimi i gjuhës, pra një univers kompleks dhe ligji për rregjistrimin e tyre i hartuar në këtë mënyrë nuk hap asnjë shteg për zgjidhjen e tyre.

Cfarë fshihet pas rregjistrimit vullnetar të emigrantit me të dhëna të depozituara online?

Cila do të jetë mënyra e verifikimit me rregjistrin civil dhe si do të bëhet përditësimi?

Kush janë personat e autorizuar që do ta kryejnë  këtë praktikë, kur shumica e punonjësve të shërbimeve diplomatike janë njerëz me lidhje nepotike me pushtetin, ndonjë prej të cilëve ka  cështje të pazbardhura me drejtësinë dhe mbi të gjitha kur këta zyrtarë të shtetit denoncohen cdo ditë nga emigrantët në mediat sociale si të papërgjegjshëm, të korruptuar dhe aspak të aftë në rolet që ata mbajnë në shërbimet konsullore?

Projektligji ka frymë të pastër represive që dëshmohet në refuzimin e pajisjes me dokumeta pas zinxhiri të gjatë ecejakesh.

Sipas  ligjit në rast konstatimi, të mospërmbushjes së deklarimit të adresës së shtetasit dhe të regjistrimit, emigrantëve i refuzohet shërbimi i kërkuar, derisa shtetasi të përmbushë detyrimin e vetëdeklarimit të adresës, sipas procedurës së përcaktuar në nenin 6.

Pra fryma e ligjit është  një instrument qeveritar  në dëm të interesit të shumicës në emigracion dhe në funksion të pakicës e cila erdhi  në pushtet pikërisht dhe me vullnetin e manipuluar të emigrantëve.

 Ky draft ligj vjen në përplasje të fortë dhe me qëndrimet politike brenda dhe jashtë Shqipërisë, për ngritjen e një mjedisi të përshtatshëm për të garantuar  zgjedhje të lira dhe të ndershme.

 Drafti i sotëm hap siparin e një krize të re, për manipulimin e listave të votuesve dhe parashtron  zbatimin e një  strategjie shtetërore për të manipuluar zgjedhjet e ardhshme.

Në këtë mënyrë mungesa e një dakortësimi për një cështje kaq delikate që lidhet me të drejtën e votës së emigrantëve  do të  minonte besueshmërinë e zgjedhjeve dhe drejtësinë e tyre.

Dhe së fundi ky projektligj vjen në mungesë të plotë trajtimi me përfaqësitë e emigrantëve , grupimeve dhe shoqatave  të shumta të tyre, apo organizatave që bëjnë ekspertizën e votimeve të emigrantëve.

 Me këtë ligj ju synoni të deformoni  zgjedhjet dhe vullnetin e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit, por kriza e Rilindjes garanton miliona grushta të urrejtjes kombëtare që nuk ka ligj ta manipulojë në favorin tuaj.

Falemniderit!


Fjala në Kuvend e deputetes Mimoza Hajdarmataj, 18 Shkurt 2016