Një ngjarje e rëndë kriminale ka ndodhur para dy netësh në Ersekë, ngjarje që tregon se Edi Rama ka thirrur banditët në armë, dhe synon ta kthejë Partinë Socialiste në një sipërmarrje kriminale.

Njeriu të cilit Edi Rama i ka besuar Partinë Socialiste të Ersekës, Orest Malushi, jo vetëm është me precedent penalë për plagosje të rëndë me armë, por bredh edhe me pistoletë në brez, dhe godet e kërcënon demokratët.

Ky drejtues socialist i Edi Ramës, në shoqërinë e kreut të PS së Leskovikut, Sergei Peshtani dhe drejtorit të Ujësjellësit, Robert Hamzaj, ka qëlluar me armë drejt anëtarit të Partisë Demokratike, Zylyftar Byreku, në një lokal në Shelegur.

Për fat, plumbi nuk e ka kapur qytetarin, dhe më pas disa të pranishëm kanë ndërhyrë duke i hequr armën.

Edhe pse anëtari i Partisë Demokratike ka bërë kallëzim, Shefat e policisë janë kujdesur që banditi i Ramës të jetë i lirë, dhe i lirë është edhe sot pas kësaj ngjarje të rëndë. Shefat e policisë janë kujdesur për drejtuesin e Edi Ramës, me armë në brez që shtin mbi qytetarët, që të mungojnë dhe provat kundër tij, duke prishur kamerat e lokalit.

Partia Demokratike i siguron këta drejtues të Policisë që do të përgjigjen para ligjit deri më një për këtë fshehje të ngjarjes dhe bashkëpunim me krimin.

Inkriminimi skandaloz, dhe bashkëpunim i shefave të policisë me urdhër nga lart, në favor të krimit dhe kundër qytetarit, është standardi më i keq ku ka mbërritur vendi ynë, me Edi Ramën e cubat e tij që sundojnë nëpër qytete e nuk i kap ligji, që i sjell edhe në parlament për të votuar qeverinë pasi kanë shkaktuar gjakdershje me armë pa leje.

Edi Rama po sfidon çdo ditë qytetarët e vendit, dhe të ardhmen europiane, duke refuzuar pastrimin e politikës nga krimi, e duke zgjedhur të ndajë pushtetin me banditë, trafikantë e vrasës.


Deklarata për media e kreut të Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj, 28 Shkurt 2016