25 vite më parë studentë dhe qytetarë të Tiranës rrëzuan shtatoren e diktatorit Enver Hoxha. Ndërsa populli vuante nga varfëria, nga mungesa e bukës, në vend ngriheshin bunkerë dhe shtatore. Terrori komunist nuk kursente askënd, censura kishte shtrirë kthetrat e saj kudo.

Në këtë 25 -vjetor kanë përcjellë mesazhet e tyre protagonistë, të persekutuar, qytetarë të zakonshëm që morën pjesë në rrëzimin e shtatores së diktatorit, artistë të cilët u persekutuan për agjitacion dhe propagandë për një këngë, për një festival etj. Një material filmik që tregon terrorin komunist, situatën ekonomike deri tek përmbysja e madhe ka zgjuar shumë emocione te ata që e vuajtën persekucionin. Një ndër ta ishte dhe Tomorr Alizoti.

Mua personalisht kjo ditë më emocionon tej mase. Unë vij nga një familje e persekutuar, me njerëz të varur, të internuar, të burgosur. Vuajtja nuk është ndonjë krenari por është fatkeqësi që i ndodh njeriut, fatkeqësisht nga sistemi totalitar që hoqi Shqipëria. Partia Demokratike është shtëpia e tyre, është partia e Konicës, e Fishtës, e të burgosurve të Spaçit, e nënave që ndiqnin fëmijët e tyre me trajse. Një ndër to ka qenë edhe nëna ime që ndiqte burrin e saj me trajse me mua të vogël për ta pare në  Spaç. Në Gjermaninë Lindore që kishte 18 milionë banorë, shifrat sipas institutit shkencor, që janë vrarë në murin e Berlinit variojnë nga 136 deri në 255 në një popullsi prej 18 milionë banorësh. Ndërsa në Shqipëri në një popullsi prej 2.5 milionë banorësh mendohet se janë 5 mijë të vrarë. Po të shkojmë më larg në një vend si Korea e Veriut, një ndër vendet më të çmendura me diktaturën e saj, mendohet që janë 1700 të vrarë në 20 milionë banorë. Pra ju lutem kuptoni terrorin, depersonalizimin, dehumanizimin e individit shqiptar dhe fatkeqësia më e madhe sot është  se qeveria shqiptare nuk ka asnjë përkujtim për këtë tragjedi shqiptare.. Kjo është shumë e turpshme.”

20 shkurti është tashmë i lidhur pazgjidhshmërisht me emrin e Rajmonda Bulkut. Me guximin dhe kurajon, me thirrjen drejtuar grave dhe nënave ajo orientoi mijëra qytetarë dhe studentë që ishin në Qytetin Studenti drejt sheshit “Skënderbej”.

Nëse ata njerëz na nxitën për të qenë ne ata njerëz që deshëm të mos kemi më frikë dhe të fillonim atë që kishe filluar Europa që të shembnim komunizmin e të risillnim etërit tanë e tuajit në jetën normale. E që ju të kishit një jetë më të mirë, për veten tonë, fëmijët tanë e të rinjtë e asaj kohe. Kemi qenë që të gjithë në ditët e para të çudisë të madhe që tek ne, që ishte tek të gjithë ne si një pikëpyetje, çudia e Azem Hajdarit.  Çfarë ishte ky njeri që na mbushi mendjen, ti shkojmë pranë, me shokët e tij, intelektualë të nderuar ai krijoi Partinë Demokratike. Më pas erdhi greva e studentëve, ajo që na u duk një nga gjërat më sublime që nuk ishim mësuar. Një gjë e dhimbshme, makabre që nuk donin të hiqnin emrin e Enver Hoxhës që ishte një paradoks qesharak. Si nuk vinte ajo gruaja, Nexhmija, që këta të rinj ishin ngujuar deri në sakrificë sublime për emrin e burrit të saj. Unë mendoj që duhet të vinte me vrap dhe ta hiqte. Apo ai ish President i asaj kohe. Ç ‘rëndësi ka. Ata i kishin duart të lyera me gjak dhe nuk mund ta bënin këtë. Ata mbrojtën veten e tyre. E mbrojtën aq shumë sa na detyruan të bëjmë diçka atë ditë. Ishte një pikë vlimi për ne dhe të gjithë shqiptarët sepse kishin ardhur të gjithë prindërit e atyre studentëve dhe ishin të gjithë shqiptarët në atë pjesë të sheshit në qytetit Studenti. Mbaj mend shumë artistë që donin të kontribuonin e të nxirrnim studentët nga greva e urisë sepse ata po vuanin pa të drejtë. Dhe filloi ajo nismë. Kur kam shkuar të flas, kolegia ime që erdhi pas meje aty filloi ti lutet policit që donte të hiqte qendrën e zërit aty, i tha që na lër dhe pak të bëjmë atë që duam ne gratë. E filluam me artistët dhe pastaj erdhën të gjitha gratë por me thirrjen time erdhi pafund i gjithë sheshi në qytet Studenti. Ne të gjithë donim të bënim diçka të rëndësishme për rininë e ngujuar, për veten tonë, për Shqipërinë, për shqiptarët. Ky ishte një kontribut që ne e vlerësojmë edhe sot dhe ju falënderoj për dhënien e fjalës. Kjo stafetë që ishte tek ne të rinj në atë kohë, tani u takon ju z. Basha që të vazhdoni me guxim dhe menje të hapur sepse ju jeni ai brez që duhet ta çoni këtë brez shumë përpara ashtu siç e meritojnë dhe siç e dëshironim ne në këto 25 vite.”

Një tjetër artiste që fati i keq e ndoqi gjatë regjimit komunist ishte dhe Justina Aliaj. Një këngë e kënduar prej saj në Festivalin e 11-të do të ishte mallkim për vitet më pas. Fillimisht u caktua të punonte në Dukagjin e më pas zhvendoset në Tiranë ku punoi 8 vjet në Ndërmarrjen e NISH-Mjeteve Mësimore.

Dëshiroj në këtë jetë të mblidheni si sot. Unë jam një shqiptare si gjithë të tjerët dhe kam dëshirë vetëm me dhënë përjetimet e mia të asaj dite. Me ju thënë të drejtën ndodhesha në popull jo afër turmës që ishte duke u ngrënë dhëmbë për dhëmbë, sepse ishte në një krahë liria në një krahë forca, por isha pak më tutje dhe shpirti im bënte një rrokadë rebele, sa vinte frika i zinte vendin gëzimit, nuk dija kur do të shpërthente, nuk e dija kush do të fitonte dhe kur shoh që rrëzohet busti mbetem dhe them: Zoti ka qenë me ne, liria fitoi. Edhe kurrë nuk më harrohet kur një burrë mu afrua dhe më tha: Zonjë a thua kemi të drejtë? Fëmijët tanë pas ditës së sotme janë tanët e jo më të Enverit? Po i thash. E kështu e mbaj mend atë ditë dhe në emër të asaj them që është gjynah që populli ynë të vuajë siç kemi vuajtur. Të gjithë i kemi sytë nga ju, të gjithë i kemi sytë nga drejtësia. Ne nuk dimë me bë dallim të pushojë së marri frymë gjysma e të marrë frymë gjysma tjetër. Jo! Ne vetëm duam që të jetojmë bashkë e të jetojmë në harmoni e të gëzojmë si gjithë popujt e tjerë.”

Enigma mbetet si në një kohë aq të shkurtë sheshi “Skënderbej” u pushtua nga mijëra qytetarë, nuk kishte mjetet e komunikimit që ka sot dhe mbi të gjitha nuk kishte organizim paraprak. Serxho Petrela i jep përgjigje kësaj pyetje me dëshirën e madhe që kishin qytetarët e Tiranës për të rrëzuar regjimin komunist.

Unë jam pinjoll i një familjeje tiranase, me profesion piktor. Jam gjendur atë ditë pothuajse rastësisht në atë shesh bashkë me mijëra të tjerë. Vij nga një familje jo e persekutuar politike, që nuk pësoi atë diktaturë të egër klasike të burgosjes dhe të persekutimit, të internimit, por fal Zotit që në rini më është krijuar bindja që ai regjim duhej rrëzuar sepse ai regjim kishte marrë lirinë time dhe të shqiptarëve. Mund të them që ajo ditë bëri ndarjen e epokave, por fatkeqësisht na tregoi se ndarja ishte e thellë mes nesh dhe atyre që kërkonin të përmbysnin përbindëshin e kuq. Sigurisht që emocionet e asaj dite janë të mëdha. Do të përmend faktin që përveç atyre mijërave që morën pjesë tek studentët ai karvan i madh që erdhi në shesh për të rrëzuar bustin e Diktatorit atë ditë,  kanë qenë çunat e rrugës së Durrësit dhe të Kavajës, e Pazarit të Ri që ishin të vendosur për ta rrëzuar atë kërmë. E theksoj se rrëzimi i bustit nuk është vetëm trofe i studentëve por është edhe merita e insistimi i qytetarëve dhe djemve të Tiranës. Atë nuk duhet ta harrojmë kurrë. Ata sot janë heronjtë e heshtur. Sot ata vazhdojnë jetën e tyre në Shqipëri dhe jashtë vendit. Ta kujtojmë gjithmonë këtë ditë si dita jonë, dita e lirisë, dita e vlerave.

Student i Akademisë së Arteve, pjesë e grevës së urisë por jo vetëm kaq. Robert Budina ishte  mes mijëra qytetarëve shqiptarë që në vitin 1991 udhëtuan me anije drejt Italisë, në atë që njihet si eksodi biblik i shqiptarëve. Pavarësisht se në mënyra të tjera fatkeqësisht këtë eksod po e përjetojmë dhe sot. Budina ka dy mesazhe për të përcjellë, e para është falja që u kërkon të persekutuarve në emër të të gjithë atyre që patën një fat disi më të mirë dhe e dyta thirrja për të gjithë të rinjtë dhe qytetarët për të mos u larguar nga vendi, por për të larguar të keqen e për të ndërtuar të ardhmen këtu.

Unë kam qenë student i Akademisë së Arteve, studioja për Regji në atë kohë, për Teatër.  Si pjesë e një familje që nuk ka vuajtur nga diktatura do t’i kërkoj ndjesë familjeve që kanë vuajtur sepse realisht unë kam pasur shumë shokë por nuk i kuptoja dot dhimbjet e tyre. Madje kam qenë shumë mik me një që ka qenë i persekutuar dhe nëna ime nuk më linte që të shoqërohesha më të sepse më thoshte që i kisha hapur probleme partisë, gjë që unë nuk e shihja se si mund të futej deri në këtë pjesë njerëzore dhe nuk mund ta pranoja. Ashtu sikundër kam patur “fatin” të bëj ushtrinë në atë kohë dhe në çdo çast më përmendej që ”Po haja bukën e partisë, po pija ujin e partisë dhe çdo gjë të partisë.” Depersonalizimi ishte i tejskajshëm. Kështu që si artist, si pjesa më e ndjerë e shoqërisë, besoj që në Akademinë e Arteve u plantua e gjithë rezistenca. Ne vendosëm të ngriheshim me shumë forcë, me shumë dinjitet, mbi të gjitha me shumë ideale. Kujtoj këtu babain tim që ka qenë komunist dhe thoshte se :”Ne e nisëm me shumë ideale”. Dhe ishte pikërisht ai që në atë kohë diktature e kuptoj që idealet e tij të shkuara kishin marrë fund dhe u bë me ne me një ideal të ri. Madje ka ardhur në grevë të urisë për të na mbështetur për të shkuar përpara, për ta çuar më tej. Kështu që ne e bëmë atë dhe ajo ishte një ditë e cila nuk duhet të harrohet asnjëherë, sepse është pjesë e historisë si shumë momente të rëndësishme. Ne ishim  pjesë e qytetarëve dhe nuk mendoja se unë do ti futesha politikës, thjesht doja të jepja kontributin tim që njerëzit që dijnë ta bëjnë këtë punë ta çojnë përpara. Sepse unë besoj se arti është ajo pjesë reformatore, pjesë opozitare e çdo lloj pushteti. Kështu që për të nxitur çdo lloj pushteti që të bëjë punën e tij mire, mendoj se ajo ditë duhet të jetë një ditë optimizmi. Shumë njerëz thonë që Shqipëria nuk bëhet por unë besoj se shqiptarët kanë tmerrësisht shumë forca pozitive që këto duhet t’i përdorin për të mirën e tyre dhe jo për të zgjedhur rrugën më të shkurtër, për t’u dorëzuar, për të ikur nga vendi. Duhet të gjithë ta japim kontributin tonë këtu dhe ta formojmë fytyrën tonë. Shpesh gjejmë rrugën më të thjeshtë. Dikur e kam bërë edhe unë këtë, nuk dua ta bëj më sepse besoj se ne kemi forca, jemi një komb që meritojmë shumë më tepër” .


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 20 Shkurt 2016​