Deputetja Albina Deda ishte në fshatin Domgjon të Mirditës, ku varfëria, mungesa e energjisë dhe i ftohti e kanë bërë të pamundur jetën e dhjetëra banorëve. Në familjen e Gëzim Ndojit, me tre fëmijë të vegjël, mes të cilëve një foshnje tri muajsh, deputetja Deda pa mjerimin dhe mungesën e energjisë prej një viti, për shkak të pamundësisë së pagesave.

Kryefamiljari Gëzim Ndoj invalid, me të shoqen të papunë thanë se e kanë të pamundur të përballojnë jetën e përditshme pasi pensioni i invaliditetit është minimal. Pamundësisë jo vetëm të këtij banori por dhe të tjerëve për të paguar debinë e dritave, i shtohet, sipas tyre edhe kërkesa për ryshfet e punonjësve të  OSHEE-së në Mirditë, për ti rilidhur energjinë.

Deputetja e zonës Albina Deda tha se kjo qeveri e ka braktisur me arrogancë Mirditën dhe komunitetin e saj, duke mos bërë asgjë për familjet në nevojë.

Institucionet vendore, tha ajo, kanë lënë në mëshirë të fatit banorët tejet të varfër të kësaj zone duke i lënë dhe pa drita e kushte minimale të infrastrukturës.

Deputetja Deda tha ndër të tjera se shteti duhet të gjejë sa më parë rrugët e subvencionit për pagesat e  energjisë dhe ndihmës ekonomike, në mënyrë që këto familje ti kthehen një jetese të përballueshme.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 17 Janar 2017