Të nderuar kolege,

Nisja e sesionit  të ri parlamentar ndodh, në kushtet e krizës më të rëndë që ka përfshirë vendin,  në të gjithë sektorët,  në vitin e tretë qeverisës të Rilindjes.

Madje personalisht, prisja që sot  të na lajmëronit për dhënien me koncesion edhe të Parlamentit, tashmë që qeveria ka vetëm një prioritet në axhendën e saj  “dhënie me koncesion të cdo shërbimi, të cdo sektori, pra privatizim për pasurim, me cdo kusht , me cdo mënyrë”.

Sot Parlamenti  nis punimet me certifikimin e mëtejshëm të kësaj krize duke  vijuar traditën  me akte të paprecedentë, kur  në seancë  sillni dy akte normative për ndryshimin e buxhetit  brenda një muaji.

Nga ana tjetër. Parlamenti starton një vit, me  nivelin më të ulët të bësimit dhe vlerësimit publik.

Në këtë nisje të sesionit parlamentar, shumë përfaqësues në këtë sallë janë nën akuzë publike për korrupsion, me dosje në drejtësinë kombëtare dhe atë ndërkombëtare, janë të vënë në përgjegjësi publike për korrupsion gjigand me paratë e shqiptarëve .

 Kauza e këtij parlamenti është prej mëse dy vitesh, ngritja në system e abuzimit me taksapaguesit dhe ngritjes së shtetit oligarkik në emër të të bërit shtet,  duke përdhosur cdo praktikë dhe normë parlamentare, ligj e kushtetutë.

 Dëshmi e kësaj mënyre të të sunduarit alla Rilindje janë edhe këto ndryshime të buxhetit.

Kolegë!

Të ndryshosh buxhetin tri herë brenda një viti nuk është praktikë e amendimit të një ligji apo marëveshje rutinë, është ndërhyrje, është cënim i programit  themeltar vjetor të një qeverie, është maskim i mashtrimeve të saj,  është paaftesia për të bledhur të ardhurat e planifikuar prej vete asaj.

Ndërhyrja në buxhet, kaq  e shpeshtë , me kaq  shpërfillje, është tregues i tronditjes, i paaftësisë  dhe i kapjes së institucioneve nga interesat e ngushtë të klaneve dhe miqve tuaj.

Në vlerësimin tim, depozitimi i akteve normative për ndryshimin e buxhetit kanë  vënë  në udhëkryq pavarësinë e dy pushteteve, Ekzekutivin me Legjislativin, ku ky i fundit është kthyer në një amortizator për humorin dhe babëzinë e kryeministrit dhe qeverisë duke i marrë dhe qindarkat e bukës së gojës shqiptarëve.

 Parlamenti shihet si paradhomë e kryeministrit, ku pazaret mbyllen pa u futur në zyrë dhe vijnë e marrin fuqi ligjore me kartonat e siguruar nga paratë e krimit dhe të korrupsionit.

Madje si një  praktikë e rrezikshme parlamentare, noterizimi i  korrupsionit qeveritar e vë këtë parlament në pozitat më inferiore dhe me besueshmërinë më të ulët publike në këto 25 vite.

Parlamentit nuk i jipet hapësirë dhe dinjitet për të debatuar mbi interesin publik, por i sillen shkresurina qeveritare për ti hapur rrugë babëzisë pa fre të Ramës dhe klaneve ministrore.

A krijojnë këto akte mundësi për ti dhënë zgjidhje halleve, ekzistencializmit të mijëra familjeve në krizë për bukën e gojës?

Sigurisht që jo.

 Sikurse dhe për ju,  është e njëjta bindje që  aktet e depozituara, janë normë për korrupsion, janë ligj për  qindra tëndera abuzive, në dëm edhe më të madh të ekonomive familjare shqiptare.

Nuk mund të na i propozoni këto akte si instrumenta për zhvillimin e infrastrukturës,  investimeve publike apo përmirësimit të standarteve, në një kohë kur për të tretin vit, Shqipëria herë përmbytet në Veri, herë në Jug e herë në zemër të saj.

Dhe si e përballët  ju si qeveri këtë emergjencë kombëtare? Ku ishte kryeministri? ku ishin ministrat përgjegjës? ku ishte kryebashkiaku? Pse nuk u mblodh parlamenti?

Drejtimet që funskionuan ishin vetëm dy: solidariteti i shqiptarëve mes njëri tjetrit dhe vëmendja e pakursyer e medias që raportonte cdo orë nga tërreni.

Cfare ironie!

Me dt 7 janar, ditën e permbytjeve te medha, kur ashtu si të gjithë kolegët e mi të Opozitës, që shkuan pranë zonave të tyre, në mbështëtje të banorëve, si deputete e Qarkut të Kukesit, isha në fshatin Domje të Hasit, njësi vendore që qeveriset nga të majtët dhe bashkë me kryetarin e kësaj bashkie, i bëmë apel qeverisë të ndërhynte urgjent për të përmbyturit nga  vërshimet e ujit. Pleq me lot në sy ju drejtuan Ju apelin për ndihmë, ndërkohë që ju nga zyrat lluksoze paskeni qënë duke u pregatitur për devijimin e fondit rezerve për propogandën fallse/ reklamën 8 faqëshe.

Turp!

 Por në cfarë rrethanash ekonomike dhe sociale i keni sjellë sot aktet e ndryshimit të buxhetit?

 Besoj dakortësohemi të gjithë se shifrat në nivel makro dhe mikro në sektorët publikë, investime dhe të ardhura, inflacion dhe borxh i brendshëm, papunësi e rritje taksash, flasin me qartë për dështimin, papërgjegjshmërinë  dhe abuzimet marramendëse me fondet publike, per grabitjen e parave të shqiptarëve duke e thelluar skamjen deri në palcë.

Këto dy akte vijnë sot në vijim të frymës më  antihumane që ka treguar deri më tani ndonjë qeveri dhe që ka dëgjuar dhe është përballur ndonjëherë ky parlament.

Në vitin 2015 varfëria i coi shqiptarët në një kalvar vetëvrasjesh, vetflijime si pasojë e humbjes së cdo shprese.

2015-ta,  hyri në historinë tonë si viti i eksodit historik të shqiptarëve,  si shpërngulja masive e të rinjve, drejt rrugëve të Evropës, si 25 vite më parë, kur mori fund diktatura gjysëm shekullore.

Treguesit e skamjes janë tronditës, sikurse vetë panoramat bardhë e zi të mjerimit nga Jugu në Veri.

Ajo cfarë dinë shqiptarët dhe ju nuk ua fshihni dot është se;

  • Niveli i papunësise për vitin 2015 është rritur jo vetem krahasuar me vitin 2014 por edhe nga tre mujori në tre mujor.
  • Niveli i varfërise shtohet nga dita në dite ndërkohe që shumë familje janë nxjerrë me të padrejte nga skema e ndihmës ekonomike.
  • Ka rënë interesi i investitoreve të huaj per investime në vendin tone dhe kjo jo vetëm si rezultat i informalitetit por kryesisht si rezultat i taksave të larta.

Ata qe nuk lexojne vetem “The Ekonomist”, por i referohen edhe burimeve të tjera e kanë marre vesh se;

  • Sipas BB në raportin e saj të fundit “doing busines”, Shqipëria renditet e 97-ta nga 189 vende, ose 35 vende me poshtë se nje vit më parë dhe ky pozicion e klasifikon si të fundit ndër vendet e Rajonit.
  • Raporti i Forbes( dhjetor 2015) gjithashtu per klimën e biznesit, renditi Shqipërine në vendin e 109 për taksa të larta dhe në vendin e 99 për nivelin e korrupsionit.
  • Raporti HERITAGE konstaton rënie me 9 vende per lirine ekonomike në një vit.
  • 61 koncesionet e kanë zhytur Shqipërinë në të paktën 3,5 miliardë dollar detyrime.

Dhe të gjitha keto vazhdojnë ta bëjnë krenar “ liderin tonë të reformave”.

Kolegë!

Nisja e sesionit me akte normative që forcojnë sistemin e pushtetit oligarkik është një ogur i keq për muajt në vijim, si parathënie e thellimit të sigurtë të krizes.

Por shqiptaret dhe Opozita nuk mund të lejojnë më që shtëpia e sovranit të mbahet peng nga bandat e pushtetit, nga njerëzit që nuk duan pushtetin e ligjit.

 Opozita i ka hyrë një rruge pa kthim që do të jetë dhenia fund e mandatit të kesaj mazhorance të inkrimunuar, për ti kthyer shqiptarëve parlamentin që meritojnë, me deputetë që të hartojnë e miratojnë ligje në interes të shqiptarëve në interes të zhvillimit evropian të Shqipërisë.

Viti 2016 do të jetë viti i shpresës, i kthesës së madhe, viti i shpëtimit të shqiptarëve.


Fjalimi në Kuvend e deputetes Mimoza Hajdarmata, 21 janar 2016