Garancitë për jetën, garancitë për sigurinë, për rendin, kanë rënë në Shqipëri në mënyrë dramatike si asnjëherë tjetër.

Pak minuta më parë, në mes të ditës, në mes të Tiranës, një 39 vjeçar u mor peng në prani të fëmijës së tij të mitur.

Dje u ekzekutua në mënyrë mafioze një 44 vjeçar në Fier.

Një person i pajetë u gjet sot në Klos.

Kjo është kronika e 24 orëve të fundit.

Ndërkohë që bilanci i këtyre 9 ditëve është tronditës, 21 viktima në vrasje dhe në aksidente.

Ky është sundimi i krimit, i bandave, i trafikantëve.

Këto janë ditët më të mira për mafian, sepse mafia ka njeriun e vet në qeveri, mafia ka Saimir Tahirin në krye të Ministrisë së Brendshme.

Larje hesapesh, ekzekutime mafioze tipike të karteleve të drogës, rrëmbime personash në mes të qytetit.

Këto krime tronditëse janë kthyer në zhvillime të përditshme.

Dhe çdo ditë mund të ndodhin shpërthime të tilla kriminale, sa kohë që nxitësi kryesor i krimit, i trafikut të drogës, i paligjshmërisë, i paprekshmërisë së bandave kryesore, është Saimir Tahiri.

Me Saimir Tahirin është legalizuar trafiku i drogës në vend, është legalizuar aktiviteti kriminal i bandave të lidhura me të.

Dhe krimi sjell krim, një cikël që po zmadhohet çdo ditë e më shumë.

Partia Demokratike i kërkon Policisë së Shtetit, pjesës me integritet të burrave dhe grave me uniformë, të mos e lënë vendin në greminën ku po e çon Saimir Tahiri dhe Edi Rama. Të zbatojnë ligjin e të luftojnë krimin, sepse dita e ndarjes së krimit nga shteti, dita e largimit të Tahirit dhe shefit të tij nuk është e largët.


Deklarata për mediat e anëtarit të Këshillit Kombëtar, Ervin Salianji, 9 Janar 2016