Raporti i publikuar pak ditë më parë nga kompania Crown Agents, mbi korrupsionin dhe abuzimet në doganë, është një tjetër provë kokëfortë e gjendjes së mjerueshme në të cilat ndodhen doganat, të cilat janë kthyer në fole të korrupsionit dhe abuzimit me postet publike.

Kompania koncesionare që është paguar me 8.2 mln euro për të sjellë në buxhetin e shtetit mbi 100 mln euro, dëshmon në raport, organizimin perfekt të korrupsionit në Drejtorinë e Doganave ku nga Shkurti 2014 deri në Shkurt 2015, raportohet se janë vjedhur 17 mln euro. Përballë këtyre argumenteve, qeveria jo vetëm që nuk ka reaguar, por paturpësisht i ka dekoruar me poste publike përgjegjësit, ata që kanë ngritur traun e doganës për miqtë dhe klientelën.

Zbulimi i Crown Agents është vetëm maja e ajsbergut të korrupsionit dhe abuzimit në Drejtorinë e Doganave, e cila përgjatë këtij viti ka shënuar rekordin më negativ të mbledhjes së të ardhurave. Vetë auditi i brendshëm i doganave është shprehur i shqetësuar për nivelin e lartë të mosrealizimit. Megjithëse jemi vendi me barrën më të lartë fiskale në rajon, ku për dy vjet rresht u ngritën akcizat, si ajo e duhanit, është pikërisht Drejtoria e Doganave shkaktarja kryesore e mosrealizimit me 70% të të ardhurave.

Meqënëse duan të krahasohen me veten e tyre, janar – nentor 2015 rezulton 7.4 mld lekë më pak se janar-nëntor 2014. Të mos flasim sa sa taksa e akciza janë rritur!

Duke përforcuar edhe një herë faktin dhe të vërtetën që nuk ka zyrë përgënjeshtrimi apo transparence, që të mohojë raportin e Crown Agents që thotë se kontrabanda e cigareve dhe e naftës po gëlon në vend dhe është në ditët e saj të arta.

Çdokush e di, se as aksionet blic për bujë mediatike me largime nga puna e kthim pas dy javësh të të njëjtëve njerëz në të njëtat vende, as justifikimet qesharake me bursë ndërkombëtare, nuk e fshehin dot faktin se kryedoganeri i Shqipërisë është Edi Rama, dhe vjedhjet në dogana janë vepër e tij.

Nuk besoj se ka çështje tjetër për të cilën opozita ka folur më shumë, ka diskutuar, ka propozuar amendamente, ka ofruar alternative, por të gjitha kanë rënë në vesh të shurdhër.

Miliona euro që vidhen çdo ditë, janë investime të mohuara, rrugë të mohuara, janë shkolla të mohuara, rritje të mohuara të pagave e pensioneve.

Eshtë në dorën e shqiptarëve të ndalojnë këtë hajdutëri masive, e t’i kthejnë doganat në shërbim të vendit e jo në biznes të kryeministrit.


Deklarata për mediat e deputetes Jorida Tabaku, 26 Janar 2016