Historia sot po përsëritet në formën e saj më të keqe. E vërteta është se sot po dekorohen ato që në fakt duhet të ishin dënuar e gjasme do të prekeshin nga ai ligji i famshëm i lustracionit.
Me të vërtetë, historia po përsëritet si një tragjikomedi dhe kjo është e turpshme e mbi të gjitha e pafalshme!
I premtuat shqiptarëve taksa më të ulëta dhe u bëtë peshqesh miliarda lekë taksa më shumë. I premtuat biznesit më shumë frymëmarrje dhe i keni mbushur me gjoba marramendëse. I premtuat vendit qeverisje të pastër dhe i keni kthyer zyrat e ministrive në zyra biznesi.
I premtuat të përndjekurve para dhe sot u keni dhënë portretin e Enver Hoxhës në çdo ceremoni zyrtare. I premtuat atyre respekt, dinjitet dhe sot nderoni ato që kanë kryer krime!
Dhe kjo nuk ua skuq fytyrën, e as ju bën të ndjeheni keq, përkundrazi jam e sigurtë që ndjeheni krenarë për dekorimet dhe përbuzës ndaj atyre që ua kritikojnë këto nderime! E përsëris, është një çështje filozofie e cila lidhet në mënyrë të pashmangshme me projektligjin e pronave që po diskutojmë sot.
Në dy vjet e pak qeverisje jeni kujdesur që të prodhoni dhe sillni projektligje të tilla që në fund të fundit prona mos t’i shkojë pronarit por t’i mbetet shtetit. Sillni një projekligj i cili nuk e njeh fare “kompensimin e pronës” madje akoma më keq. Ky projektligj e ka hequr tërësisht këtë si koncept e kjo nuk ka ndodhur si pasojë e një harrese të Qeverisë, por është zgjidhje e saj. Është zgjidhje e saj për shkak se kanë ndryshuar kriteret për vlerësimin e pronës dhe kompensimin e saj. Tashmë nuk kemi më njohje e kthim të pronës, por “rishpronësim dhe rikonfiskim të pronës.”
Kështu ky projektligj po tenton të mbyllë padrejtësisht njëherë e përgjithmonë procesin e kthimit të pronës duke lënë të pa zgjidhura në thelb të gjitha ato çështje të cilat ose janë të pa trajtuara ose për momentin kanë mbetur pezull.
Dhe këtë filozofi ky projektligj e ka që në nenet e para të cilat na parashtrojnë udhën e formulës së re që kjo qeveri do të përdorë për t’i hequr pronarëve mundësinë e kthimit të pronës. Duke e zëvendësuar kthimin me termin “kompensim fizik nga fondi i tokës” dhe “kompensimin fizik brenda pronës së njohur dhe kompensim financiar”. Pra dhe në rastet kur prona është e lirë, shteti prapë e konfiskon atë! Edhe kur pronari mund ta gëzojë e disponojë atë, jo ju vendosni që tia konfiskoni njëherë, e ta fusni pronarin në rradhë për të marrë kuh e di se kur atë ë i takon, që është e tija!
Në këtë mënyrë i hapet rrugë edhe vjedhjes së dytë ndaj pronarëve të tokës sepse shteti, sipas këtij projektligji, pronarit të shpronësuar do t’i “kthejë” apo “kompensojë fizikisht” vetëm sipërfaqjen vlera e së cilës është e barasvlershme me vlerën që prona ka patur në momentin shpronësimit, e shpronësimi si koncept u sankionua në kushtetutën e 1976! Që të mos ketë iluzione askush. Pamvarësisht se sa vlen prona, pamvarësisht cdo gjëje, shteti jonë ka vendosur t’ju kompensojë me vlerën që kishte në momentin e shpronësimit!
Për ta thënë më shkoqur, kjo qeveri po justifikon veprimin e diktaturës komuniste që me dhunë u morri pronat pronarëve dhe mbi të gjitha nuk u rikthen atyre atë pronë që diktatura e djeshme ua morri padrejtësisht atyre. Pra një ligj që nuk vendos drejtësinë por padrejtësinë e djeshme e mbulon me një tjetër padrejtësi!
(Që do të thotë që një pronë me sipërfaqe 20.000 m2 e cila është e lirë, dhe që në bazë të ligjit aktual mund t’i kthehet pronarit të shpronësuar dhunshëm. Pronë e cila vlerën e tregut sot e ka 20.000.000 lekë por që në momentin e shpronësimit kjo pronë ka patur vlerën e 1.000.000 lekëve; në bazë të projektligjit aktual sipërfaqja që do t’i kthehet (kompensohet fizikisht) pronarit të shpronësuar do të jetë në vlerë 1.000.000 lekë, pra sa vlera që ka patur prona në kohën e shpronësimit të dhunshëm e cila në fakt është sa 1/20 e pronës ose 2.000 m2. E gjithë kjo ndodh edhe pse prona mund të jetë tërësisht e lirë dhe t’i kthehet fare mirë pronarit.)
Pikërisht në bazë të këtyre dy themeleve të shtrembëta është ndërtuar i gjithë projektligji. Themele që janë antikushtetuese dhe në kundërshtim me të gjitha Konventat Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, madje janë të pakuptimta për këdo që e lexon këtë ligj, si mund t’i thuash një pronari që diktatura ia ka grabitur tokën se do ta kompensosh atë me vlerën e tokës të vitit të grabitjes? Si mund të sjellësh në kuvend një projektligj kaq absurd?Duke shkelur me dy këmbë çdo logjikë të shëndoshë dhe çdo parim juridik të kohës në të cilën jetojmë.
Lind pyetja; po përse një qeveri është kaq e dhënë për të krijuar një ligj që është në kundërshtim të hapur edhe me vendimet e Gjykatës së Strazburgut? Pse kjo mazhorancë është kaq e interesuar të sjellë në kuvend një ligj që ua rivjedh pronarëve tokën e tyre si Enver Hoxha 50 vjet më parë?
Arsyeja është se kjo qeveri nuk e njeh pronën si filozofi, ajo vazhdon të mendojë se prona e tjetrit është detyrimisht prona e kryetarit të qeverisë, prandaj dhe ky ligj është formuluar që kryeministri të ketë nën kontroll të gjitha tokat e mundshme dhe t’u japë pronarëve 5 lekë për të përfituar vetë kryeministri dhe oligarkët që i bëjnë fresk në zyrën e tij. Kjo nuk është gjë tjetër vetëm se një rikthim në të shkuarën e lavdishme kur udhëheqësi ishte pronar i gjithçkaje por edhe një evoluim i formatit të bashkisë. Ku kryetari i bashkisë vendoste dorën në një tokë në qytet dhe nuk të jepte lejen nëse nuk e bëje bashkëpronar.
Është po e njëjta filozofi vjedhjeje si ajo e ligjeve për Investimet Strategjike, që gjoja do rregullonte dhe përmisonte investimet në vendin tonë. E njëjta qeveri që me një justifikim qesharak hoqi trojet e lëna në shërbim të kompensimit fizik duke premtuar që do të na sillte një ligj që do t’i kompensonte siç duhet pronarët.
Kështu, hiq një fond këtu, hiq një fond dikund tjetër, tjetërsoi me një ligj antikushtetues pronën e pronarit, rrëzo një akt normativ që rregullon çështjen e pronës dhe në fund sill në parlament këtë projektligj që shkatërron me themel procesin e kthimit të pronës tek pronarit. E kthimit të hakut tek i zoti!
Kjo, është fytyra juaj e vërtetë e cila i gënjeu pronarët kur u premtoi në programin e famshëm të rilindjes se “juve do të orientonit procesin e privatizimeve publike drejt kompensimit të pronarëve”. Sa e sa privatizime dhe koncensione keni dhënë në favor të klientëve tuaj të oborrit dhe sa para u keni dhënë pronarëve? I keni dhënë 139 mln lekë më pak se sa viti 2014 ndërkohë që keni mbledhur të Ardhura për Kompensim për Pronarët 800% më shumë se sa viti i shkuar.
Një qeveri qesharake e cila prodhon edhe argumetime të pavlera në raportin e paraqitur në kuvend sa i takon kompensimit monetar të pronarëve, të cilët ka vendosur t’ua kompensojnë pronën jashtë çdo standarti europian me vlerën e vitit të shpronësuar. Dhe për këtë pabesi ndaj kësaj shtrese përdor në mënyrë tinzare disa referenca të panjohura dhe të nxjerra nga konteksti për të justifikuar këtë ligj i cili vjen në kundërshti me parimet e përcaktuara nga Gjykata e Strazburgut. E cila, fatmirësisht, jo më larg se dy javë më parë i dha goditjen e parë këtij projektligji duke paralajmëruar qeverinë se nuk mund të luajë me një nga të drejtat themelore të njeriut, PRONËN!
Ndonëse, siç edhe projektligji e thotë, kjo qeveri ka vendosur t’ua marrë paratë edhe atyre që u ka dhënë të drejtë Gjykata e Strazburgut. Duke shkelur me dy këmbë parimin e sigurisë juridike. Duke shkelur me dy këmbë një nga 5 prioritetet e Bashkimit Europian, çështjen e pronës. Vetëm ju mund të bëni ligje me efekt prapaveprues, vetëm ju mund ti jepni të drejtën vetes të gjykoni të gjitha vendimet e marra deri më sot, dhe për ato prona të njohura e të kthyera të vendosni ti kompensoni sipas kësaj metodologjie!
Ky është dallimi mes vlerave të Europës demokratike, që e njeh pronën dhe rëndësinë e saj dhe një qeverie e cila ka për borxhë ta trajtojë pronën private si pronën e kryetarit të qeverisë. Dallimi mes atyre që japin drejtësi dhe atyre që duan që padrejtësinë ta kompensojnë me një padrejtësi akoma më të madhe!
Ironikisht, kjo është qeveria që flet për sistemin e drejtësisë. Ironikisht kjo është qeveria që flet për gjykatat dhe që ka marrë petkun e moralizuesit. Qeveria e cila ka sjellë në parlament një ligj arbitrar, abuziv dhe aspak të drejtë!
Një qeveri që ka hedhur në koshin e plehrave mbi 7000 dosje që në një pjesë të mirë të këtyre aplikimeve u është njohur e drejta e pronës, në këtë mënyrë duke u dhënë pronarëve mundësinë për të gëzuar pronën. Ka hedhur në koshin e plehrave edhe ato prona që janë kthyer deri më tani duke përkeqësuar në mënyrë të paarsyeshme gjendjen ligjore të personave, duke i mohuar të drejtat e fituara dhe duke i shpërfillur interesat legjitime të tyre.
Pasi qeveria e rishpronëson pronarin, duke i dhënë atij pakogjë nga ajo që i takon me të drejtë, duke vendosur si qershi mbi tortë të kësaj kasaphane ndaj pronarëve mohimin e të drejtës së tyre për një proces të rregullt ligjor. Ua merr pronat për herë të dytë, i jep një kafshatë sa për të larë gojën dhe më pas i heq dhe të drejtën për ta çuar çështjen në gjykatë. Pyetja që rikthehet sërishmi është: çfarë ndryshimi ka kjo qeveri nga ajo që 50 vjet më parë i shpronësoi?
Nuk kanë ndonjë ndryshim të madh. Me përjashtimin se kjo qeveri, me kryeministrimin në ballë, do të hiqet si antikomuniste, do të hiqet si lexonjëse dhe respektuese e viktimave të vrarë dhe të përçudnuar nga xhelatët që i dekoron fshehurazi.
Mendoj që është momenti që ne sot, qofshim socialistë, demokratë apo të djathtë a të majtë duhet të mos kemi më dyshime mbi të drejtën dhe të padrejtën.
Unë pa asnjë kompleks, e me kokëulje kam pranuar që ne ndoshta nuk e kemi kthyer drejtësinë për pronat! E nuk kam asnjë problem ta përsëris këtë! Por ne kurrë, kurrë nuk i kemi bërë pronarëve këtë që po i bëni ju!
Nëse ne e votojmë këtë ligj do të bëhemi me ato që dje ua grabitën pronat shqiptarëve. Nëse ne e votojmë këtë ligj do të jemi justifikuesit jo vetëm moral por edhe fizik të atyre që shkatërruan për më shumë se 5 breza këtë vend. Nëse ne e votojmë sot këtë ligj brezat pasardhës do të na gjykojnë për justifikimin që u bëmë xhelatëve.
Rrugë të mesme nuk mund të ndërtojmë në këto momente, sot mundet të jemi ose me fajtorin ose me të pafajshmit, me këtë projektligj nuk je me rrugën e mesme edhe as me rrugën e tretë por je me fajtorin. Kjo është e vërteta dhe kjo nuk duhet fshehur sepse siç Niçe shprehej dikur “E vërteta është e hidhur dhe nëse ti e mbyt atë, bëhet edhe më e hidhur”.
E për të përfunduar me dikë që e përdorni kur ju intereson, e përdhosni kur nuk ju duhet At Zef Pllumin:
” Një paralizë e përgjithshme i ra jetës normale,
Shqipnia e terrorizueme kishte ra në koma,
Njerëzit e ditun nuk dijshin ma kurrgja dhe njerëzit e paditun kishin në dorë gjithçka: atë që nuk dihej”
E kjo po ndodh sot në Shqipëri!
Fjalimi ne Kuvend e deputetes se Partise Demokratike, Jorida Tabaku, 3 Dhjetor 2015