Të dashur qytetarë,

Kolegë deputetë,

Është seanca e dytë plenare radhazi që Kuvendi i Shqipërisë nuk po zhvillon punimet në kushte normale.

Sot të rinjtë shqiptarë po protestojnë para Kuvendit, sepse ekonomia po zhytet thellë e më thellë në krizë.

Ata protestojnë se nuk po shohin asnjë mundësi punësimi.

Papunësia në dy vjet ka shkuar në 17.3% nga 14% që ishte dy vjet më parë.

Vendet e punës po pakësohen sepse bizneset po mbyllen dhe po largohen nga vendi, si pasojë e politikave fiskale armiqësore ndaj biznesit.

Aksioni kundër informalitetit mbylli 75 mijë vende pune.

Investimet dhe kreditë për biznesin janë në rënie të lirë. Investimet e huaja janë 10% më të ulta se një vit më pare.

Të rinjtë protestojnë se, në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit dhe Kartës Europiane të të drejtave të  njeriut, po ju mbyllen dyert e universiteteve publike.

Ata protestojnë se ndihen keq kur shohin prindërit e tyre që mezi ushqejnë familjen, sepse për ata pak që janë në punë, për të tretin vit radhazi, nuk ka rritje të pagave.

Paga reale sot është 15% më e ulët se sa dy vjet më parë. Shumica e qytetarëve marrin një rrogë prej 200-300 mijë lekësh, me të cilën nuk arrijnë të blejnë as ushqimet bazë, sepse çmimet e mallrave të shportës janë rritur akoma më shumë. Inflacioni është 2%, por çmimet e këtyre mallrave janë rritur 5-7%.

Të enjten e kaluar, qytetarët shqiptarë protestuan para Kuvendit kundër buxhetit të vitit 2016, i cili me shumë të drejtë është cilësuar si buxheti i katastrofës.

Ky buxhet dhe paketa fiskale shoqëruese e tij, u kundërshtuan, jo vetëm nga opozita, por nga të gjitha grupet e interesit në vend, nga sipërmarrësit, fermerët, pensionistët, të përndjekurit politikë, personat që marrin ndihmë ekonomike, të papunët, punëmarrësit, studentët, të vetëpunësuarit dhe profesionet e lira.

Buxheti u kundërshtua nga pensionistët, sepse nuk ka rritje të pensioneve, por vetëm indeksim të tyre në bazë të rritjes së normës së inflacionit.

Buxheti u kundërshtua nga personat që marrin ndihmë ekonomike, sepse nuk ka rritje të fondeve për ndihmën ekonomike.

Buxheti u kundërshtua nga ish të përndjekurit politikë, sepse, megjithëse qeveria kishte premtuar pagesën e dëmshpërblimit brenda dy viteve për të  gjithë ish-të përndjekurit politikë që janë  gjallë dhe brenda mandatit katërvjeçar të gjithë përfituesit e kësaj skeme, qeveria ka planifikuar shumë më pak fonde sesa do të duheshin për të mbajtur këtë premtim elektoral. Me ritmet e planifikimit duhen 20 vite për të ezauruar  detyrimin financiar ndaj  ndaj ish të përndjekurve politikë.

Buxheti u kundërshtua nga biznesi, i cili do të shtrydhet, duke u kërcënuar me burg dhe gjoba marramendëse, të cilat nuk do të sjellin asgjë tjetër, veçse dështim dhe falimentim të tyre.

Buxheti u kundërshtua nga fermerët sepse ky buxhet dhe kjo paketë fiskale do tua bëjë akoma më të vështirë jetën fermerëve shqiptarë.

                Nuk do të ketë politika fiskale që synojnë uljen e drejtpërdrejtë të çmimeve të inputeve bujqësore.

                Nuk do të ketë heqje të akcizës dhe taksës së qarkullimit të naftës që përdoret në bujqësi.

                Fermerët nuk do të përfitojnë direkt nga skemat mbështetëse për bujqësinë. Përfitues do të vazhdojnë të jenë vetëm klientët e qeverisë, që do të financohen me grande falas për ngritjen e kapaciteteve grumbulluese, ruajtëse dhe përpunuese.

Por kjo qeveri është totalisht e shurdhër ndaj çdo reagimi të opozitës dhe grupeve të interesit, dhe me arrogancë, me forcën e kartonëve të bërë shumicë përmes pazareve të pista, e miratoi atë.

Të dashur qytetarë,

Kolegë deputetë,

Kryeministri Rama ka dy vjet e gjysmë në pushtet dhe vazhdon të merret me PD dhe Sali Berishën, a thua se PD është ende në pushtet dhe Sali Berisha është ende kryeministër, dhe nuk jep asnjë shpjegim pse e ka katandisur këtë vend dhe ekonominë e tij në këtë gjendje.

Në fjalën e tij, në dy seancat e fundit plenare, kryeministri Rama vetëm sulmoi dhe ofendoi opozitën dhe nuk tha asnjë fjalë pse qytetarët shqiptarë po shtyhen në dëshpërim, po vetëflijohen dhe shohin si të vetmen shpresë largimin nga vendi.

Pse nuk jep shpjegim kryeministri për faktin se, megjithëse jemi vendi me taksat më të larta në rajon, të ardhurat në buxhet, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, për vitin e ardhshëm ulen?

Pse nuk jep shpjegim kryeministri për faktin që, për herë të parë pas 18 vjetësh, vjen një buxhet 21 miliardë lekë më i ulët se buxheti i një viti më parë?

Pse nuk jep shpjegim kryeministri për faktin që, vetëm nga tatimet dhe doganat, për vitin 2016, parashikohen të grumbullohen 326 milionë dollarë më pak se planifikimi fillestar i vitit 2015?

Fakt që tregon më së miri se kryeministri dhe qeveria nuk dëshiron ta ulë kontrabandën dhe evazionin galopant në karburante dhe cigare, sepse kontrabandistët dhe evazorët e mëdhenj janë pjesë e lidhjeve qeveritare.

                Pse nuk jep shpjegim kryeministri pse investimet publike prodhuese ulen ndjeshëm dhe planifikohen 70 milionë dollarë më pak investime se buxheti fillestar 2015?

Pse ulen me 33% investimet në rrjetin rrugor? Pse nuk ka asnjë projekt të ri në rrugë?

Pse nuk tha asnjë fjalë se kur do të mbarojë rruga Tiranë-Elbasan, Qukës-Qafë Plloçë dhe rruga e Arbërit?

Nga ana tjetër rriten me 4% shpenzimet operative të qeverisë, krahasuar me buxhetin 2015 dhe investimet e brendshme janë kryesisht për rikonstruksione dhe mobilim zyrash, per te blere makina te shtrenjta, për të shtuar rehatinë e qeveritarëve.

                Kjo është një dëshmi mjaft e qartë e filozofisë të kësaj qeverie, e cila ka tendencën të rrisë shpenzimet e luksit dhe jo të rrisë shpenzimet, të cilat  sjellin rritje ekonomike, sikundër janë  investimet publike prodhuese.

                Sot, kur gjysma e shqiptarëve jetojnë në mjerim, shumica e pushtetarëve rezultojnë të jenë më të pasurit në rajon.

Qeveritarët po shtojnë çdo ditë pasuritë e tyre, duke vjedhur ku të mundin dhe sa të mundin nga njëra anë, dhe po rrisin varfërinë e qytetarëve nga ana tjetër.

Paratë e taksave të larta dhe të borxhit të rritur shpërdorohen dhe vidhen në tendera dhe konçesione korruptivë.

Vetëm për këtë vit, sipas raporteve zyrtare të institucioneve të shtetit, janë abuzuar 777 milionë euro në

tendera.

                Por Rilindja ka hedhur në treg një lloj të ri grabitjeje, atë përmes koncesioneve, një fushë e pamatë për abuzim.

                Planifikohen të jepen rreth 70 koncesione (në rrugë, transporte, dogana, shëndetësi, shërbime të tjera publike), për miqtë dhe klientët e Edi Ramës, duke e dorëzuar shtetin tek një oligarki e dyshimtë dhe duke e rënduar disa herë xhepin e qytetarëve shqiptarë, të cilët paguajnë edhe administratën publike nga njera anë, që nuk është ulur aspak në numur edhe privatët nga ana tjetër, për të njëjtin shërbim.

Kjo qeveri, po të lihet, do të vazhdojë ta zhytë thellë dhe më thellë ekonominë shqiptare, do ta bëjë akoma edhe më keq, nga sa e ka katandisur vendin deri më sot.

Ajo ka dështuar plotësisht në raport me premtimet e saj elektorale.

Shumë nga ata që kanë besuar dhe votuar për Ramën, po e shohin sot kryeministrin e tyre të kapur, të korruptuar dhe të pafuqishëm.

Qytetarët po shohin një qeveri të lodhur, të demotivuar dhe që duket se e ka humbur sensin e orientimit, për prioritetet dhe objektivat e saj fillestare.

Prandaj, për këto arsye kjo qeveri, de facto është e rënë.

Prandaj duhet ndaluar kjo qeverisje, për të hapur një rrugë të re shprese dhe zhvillimi për ata të rinj që protestojnë, për të mirën e gjithë qytetarëve, për të mirën e këtij vendi.


Fjalimi në Kuvend i deputetit të PD, Gjergji Papa, 21 Dhjetor 2015