Mirëmbrëma zonja dhe zotërinj,
Demokratë dhe demokrate,
Të nderuar themelues dhe nismëtar, qëndrestar, vazhdues,
Të rinj dhe të reja,
Vij me një emocion mjaft të veçantë dhe ju falenderoj nga zemra për shumëfishimin e këtij emocioni me praninë tuaj kuptimplotë në këtë përkujtim të këtij 25-vjetori të themelimit të degës tuaj.
Të nderuar zoti kryetar,
Të nderuar zotërinj deputet,
Të nderuar drejtues të Partisë Demokratike ndër vite,
Të zgjedhur vendor të Partisë Demokratike në vite,
Të nderuar të pranishëm,
Bari Bregu i cili foli në emër të themeluesve e nisi me emocion fjalën e tij dhe kërkoi ndjesë për këtë që nuk duhej ta bënte sepse sot në këtë sallë ka shumë emocion, gjithsecili prej jush e përjeton këtë emocion, e përcillni këtë emocion që e përjetoj edhe unë. Por më lejoni t’ju them se Partia Demokratike është emocion nuk është llogari, olimbi, është emocion. Ndryshe nga partitë e tjera ka lindur si emocion, ka lindur si pasion për liri, si pasion për demokraci, si pasion për dinjitetin njerëzor dhe të drejtat e njeriut, si pasion për interesin kombëtar, si pasion për qytetarinë që i jepni emër dhe nder ju korçarët anembanë vendit dhe kombit.
Ndaj në çdo përvjetor e po kështu në këtë 25-vjetor është ky pasion që ne celebrojmë, festojmë e përkujtojmë. Unë dua të falenderoj nga zemra gjithsecilin nga ju e ata qindra e mijëra demokratë të tjerë që nuk ndodhen sot në këtë sallë por që na ndjekin me mendje e me zemër e t’ju them të jeni krenarë sepse ju jeni aksionerët, ju jeni pronarët e vërtetë të arritjeve të Partisë Demokratike, Shqipërisë dhe Korçës transformuar në këto 25 vite.
Nuk kam qenë në Korçë në dhjetorin 1990, kam qenë përpara dhe kam rastisur që kam qenë në 1991. Kam qenë edhe në selinë e Partisë Demokratike ku kam takuar edhe drejtuesit që u përmendën këtu, i mbaj mend, me siguri s’më mbajmë mend sepse kam qenë vetëm 17 vjeç atëherë, por mbaj mend një Korçë të zymtë, të ftohtë siç me siguri ka qenë edhe dhjetori i vitit 1990. Ftohtësi që shtohej edhe më shumë nga dhuna e bishës së plagosur të diktaturës që ishte detyruar nën presionin e studentëve dhe intelektualëve të konçondonte pluralizmin politik por që nuk donte të lëshonte pushtetin e fituar dhe mbajtur me gjakun e shqiptarëve të pafajshëm, me shtypjen, me urrejtjen klasore të drejtuar kundër pronarëve, të persekutuarve, borgjezve, qytetarisë me diktaturën e famshme të proletariatit, me grumbul antivlerash që iu bashkua në 45 vjet kombit dhe qytetarisë korçare. Por dhjetori i 1990-ës, ditët, javët, muajt që rodhën më pas sollën një ndriçim të ngrohtë dhe të ëmbël si dielli i verës.
Ky ishte ndriçimi i shpresës, ndriçimi i pasionit në zemrat e themeluesve, ndriçimi i besimit se së bashku do t’ia dilnim ta shndërronim ferrin komunist në një tokë të premtuar të lirisë, të punës, të dinjitetit, të Korçës së ndershme e mbi të gjitha të mirëqenies të bazuar mbi punën dhe meritën e çdo kujt, shanset pra që jep e ka dhënë demokracia në qindra vite për kombet e zhvilluara perëndimore.
Kjo dritë që buronte nga Qyteti Studenti në Tiranë, që buronte këtu nga Korça historike e qytetarisë, kjo dritë shpresë arriti ta mundë dimrin e ftohtë të vitit 1990 e t’I japë Shqipërisë e shqiptarëve 25 vite ku Partia Demokratike në qeverisje dhe në opozitë ka lënë stampën e saj të padiskutueshme. Anëtarësimi në Këshillin e Europës, aksionerët janë demokratët shqiptarë, janë demokratët korçarë. Anëtarësimi në NATO, aksionerë jeni ju, nismëtarë, qendrëstarë, vazhdues dhe të rinj të Partisë Demokratike. Dinjitetin e lëvizjes së lirë e pa viza, këtj normaliteti tashmë që të rinj mes nesh e marrin si diçka të mirëqenë, por që luftuam fort dhe sakrifikuam shumë dhe që është sot një dekoratë, një medalje, një mirënjohje kombëtare në gjoksin e çdo demokrati e demokraterje korçare, shqiptarje.
Një ekonomi tregu që arriti ta nxjerrë Shqipërinë që krahasohesh për frymë me të ardhurat me Somalinë, e mbani mend apo jo? E mbani mend furrën e Korçës? E mbaj mend unë që kam qenë aty bashkë me disa të huaj që kishin ardhur për t’i ndihmuar.
Shikoni si ka punuar mrekullia e lirisë, pasioni i lirisë që është dhe mbetet brumi i asaj që na lidh bashkë ne demokratrëve në Korçë, në Shkodër, në Tiranë, Durrës e kudo anembanë Shqipërisë.
Zonja dhe zotërinj jam shumë i nderuar të ndodhem sot mes jush e t’ju uroj për këtë festë por do të isha i paplotë me veten time po të mos ndaja me ju shqetësimin tonë të përditshëm, të madh dhe kapilar për gjendjen e Shqipërisë e Korçës sot.
Sepse këtu nuk kemi ardhur thjesht për të uruar njëri-tjetrin për 25 vite në qeveri dhe opozitë, produkti evident të këtyre betejave. Ne nuk jemi klub veteranësh nuk kemi ardhur thjeshtë të takohemi, të çmallemi me njëri-tjetrin. Aspak! Nuk jemi klub automiobilistësh. Ne jemi Partia Demokratike e Shqipërisë, shtyllë e opozitës sot, garanci e qeverisjes nesër.
Ne kemi ardhur në këtë 25-vjetor me sensin e plotë të përgjegjësisë që na ngarkon koha në këtë dimër të errët në këtë 25-vjetor të përmysjes së diktaturës komuniste.
Dy vite më parë ne demokratët garantuam rrotacionin normal dhe paqësor të pushtetit pas zgjedhjeve të 23 qershorit 2013. Ashtu siç na e kërkonte detyra jonë, pasioni jonë për interesin kombëtar shtrimë dorën e bashkëpunimit për interesin më të lartë kombëtar integrimin europian të vendit. Por kjo dorë nuk u mbërthye dot kurrë nga kundërshtarët tanë të paemancipuar politik sepse të tjera gjëra kishin në mendje përtej atyre që premtuan dhe që erdhën në pushtet.
Ne parashikuam se çfarë kishin ndër mendje, jo se jemi falxhorë, e kam thënë edhe më parë, por sepse ishin aktet e tyre që tregonin qartë se me çfarë mendje ishin nisur. Sepse stani i tyre tregonte fare qartë se çfarë bulmeti do të prodhonte, e prodhoi për shqiptarët.
Parashikimet tona për fat të keq u plotësuan një e nga një, u plotësuan për nga mënyra se si vetë këta e shikonin pushtetin para 25 vitesh dhe se si e shikojnë sot, urrejten klasore kundër kundershtarit politik, kundër pronarëve që i shpronësoi sërish sot me ligjin e pacipë që e kaluan para disa javësh në Parlament, me simbolet e komunizmit. E treguan qartë me gjestet e tyre të para të kapjes së institucioneve, kapjes së institucioneve si një garanci që askush me forcë ligji e në forcën e zbatimit të ligjit të mund t’i ndalte në planin e tyre hajdut dhe kusar për të zhvatur pasuritë e shqiptarëve.
Asnjë motiv tjetër nuk kishin për kapjen e institucioneve përveçse për të zhbërë llogaridhënien për çfarë po planifikonin. E çfarë po planifikonin sot e di çdo korçar, çdo shqiptar. Gjendja e ekonomisë së vendit, gjendje ekonomike e çdo familje në Korçë e anembanë Shqipërisë në qytet e në fshat nuk ka nevojë për koment, nuk ka nevojë për debat, thika ka shkuar në palcë. Nuk kam ndërmend këtu të citoj e ricitoj shifrat e përkeqësimit ekonomik. Të vetmit që bindin veten e tyre si gomari në ëndërr se kjo nuk po ndodh është mrekulli janë qeveritarët e kamur dhe një grusht oligarkësh afër tyre.
Po pse zonja dhe zotërinj është Shqipëria në këtë gjendje?
Por sepse shtëpisë tonë vetëm në një vit i është vjedhur një shumë e barabartë me 1.2 miliardë dollarë, sa 1/3 e buxhetit të shtetit.
Po, 400 milionë në dogana e tatime, 777 të tjera në prokurime të drejtpërdrejta apo në prokurime fallco që shkojnë gjithmonë në një dorë, papulësh, carapulësh, nushësh e oligarkësh, por faktikisht në xhepat e Edi Ramës dhe bandës së hajdutëve të tij.
Faktuar janë këto katërcipërisht para shqiptarëve. Syhapur janë sot edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, SHBA-të e deri te Bashkimi Europian. E dinë se kjo është gjendja, se në Shqipëri nuk ka shkolla të reja, nuk ka spitale me shërbim cilësor, nuk ka rrugë të reja, nuk ka ujësjellës të ri, nuk ka rritje pagash, nuk ka subvencione, nuk ka rritje pensionesh, nuk ka subvencione për fermerët, nuk ka ndihmë sociale, nuk ka kompensim për çmimin e rritur të energjisë, nuk ka çmim të ulur të naftës sepse këto para janë vjedhur dhe kanë përfunduar në xhepat e bandës së kusarëve të cilët për t’u mbrojtur kapën institucionet shtetërore të shtetit dhe gjunjëzuan drejtësinë shqiptare. Nuk u mjaftuan me kaq.
Çfarë sensi kishte shit-blerja e votës në zgjedhjet e nëntori 2013, megjithë respektin dhe mirënjohjen time të thellë për Sotiraq Stratobërdha, të cilin dua ta përshëndes përzemërsisht sonte.
Ne e dinim se zgjedhjet dy muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme do të ishin një betejë e vështirë. Pse u investuan pra me kuç e me maç ?Pse u investuan dhe u ekspozuan para shqiptarëve deri në atë masë sa edhe vetë televizionet që toleronin zullumet e tyre dhe nuk mund t’i mbyllnin sytë dhe të nxirrnin para shqiptarëve skemën klinike të shit-blerjes së votës? Sepse ishte prova gjenerale për të zhbërë testin e fundit të llogaridhënies, veglën e fundit ku të japin llogari pasi kapin prokurorinë, drejtësinë, institucionet që verifikojnë pasuritë dhe kjo është vota e qytetarëve shqiptarë.
Ky është rekordi i zullumeve, ky është rekordi i antireformave sepse reforma nuk ka. Aksioni për të ashtëquajturin mbledhjen e borxheve të energjisë është një aksion harbut, aksion mbi të pamundurin por që favorizon kapuranët me shokë këtu në Korçë dhe anembanë Shqipërisë.
Aksioni ndaj informalitetit është po kështu një aksion klientelist i cili nga njëra anë i merr shpirtin biznesit të vogël e nga ana tjetër mbyll sytë nga kontrabanda këtu në Kapshticë, Kakavijë,e kudo, anembanë pikave të doganës ku një grusht njerëzish bëjnë që bëjnë trafikun, kontrabandën e cigares, naftës, drogës dhe mallrave të tjera të akcizës.
I ashtëquajturi aksion për të sjellë disiplinimin hapësinor ka degjeneruar në batërdi klienteliste ku sarajet e Kokëdhimës me shokë lartësohen në zona të mbrojtura, e ku në zona të pambrojtura dhe shtëpitë e njerëzve pa akses e pa mundësi për të paguar rryshfetin sheshohen në kundërshti me ligjin.
Nuk ka reforma, dy vite e gjysëm pas ardhjes në pushtet kjo qeveri nuk tregon dot as reforma, as rezultate për reforma por tregon 1.2 milardë dollar të vjedhura shqiptarëve në një vit të vetëm.
Nuk ka asnjë reformë që të jetë meritë e qeverisë Rama-Meta. E keqja premton të vazhdojë edhe më thellë me çfarë kanë treguar me buxhetin e tyre për vitin e ardhshëm, dhe kjo është arsyeja se spe ne jemi në këmbë ne demokratët, mbështetësit tanë dhe po kështu e them me gojën plot.
Qytetarë e qytetare, profesionistë, fermerë të cilët e shohin se me këtë qeveri nuk mund të ketë asnjë përmirësim.
Zonja dhe zotërinj në këtë 25-vjetor ne vijmë si opozita e reformave të vetme në këto dy vite e gjysëm.
Po, po me 50 deputetë dhe prapë se prapë ne kemi bërë reformën më të madhe në këtë vend, dekriminalizimin. Heqjen e këtij turpi, kësaj njolle të zezë.
Sot një vit më parë, 24 dhjetor 2014 i ulëm me forcën e llogjikës tonë, me ndihmën e partnerëve tanë, të cilët dua ti falenderoj sepse kanë qenë dhe janë në krahun tonë njësoj si në ditët e acarta të vitit 1990,1992.
I detyruam të firmosnin një marrëveshje të cilët shkuan e nga shkuan, e zvarritën sa e zvarritën, e bushuan e roshuan sa mundën, por prapë se prapë u detyruan ndonëse një vit pa një javë 17 dhjetor ta votonin, dhevotuar e duke pranuar kështu se edhe pas dalie në opozitë me numra të vegjël e të papërfillshëm, për konsensus parlamentar, Partia Demokratike e Shqipërisë kreu reformën më të thellë demokratike.
Dje Partia Demokratike e Shqipërisë, ju demokratët i treguat shqiptarëve se jemi gati të marrim peshën e reformës së dytë më të madhe, reforma në drejtësi ajo reforma e vërtet që qeron të korruptuarit nga prokuroria e nga gjykatat, por me një qëllim, jo për të mos kapur, jo për të mos vënë para përgjegjësisë të korruptuarit politik, kryeministrin e ministrat që zhvatin çdo ditë. Por pikërisht për t’i vënë ata para përgjegjësisë dhe jo prapa për të luajtur si pelushan me gjyqtarë e prokuror. Ka marrë mbështetjen e vulën e aprovimit nga Komisioni i Venecias, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Bashkimi Europian.
Partia Demokratike jo vetëm është për reformën në drejtësi që dje Partia Demokratike drejton dhe udhëheq reformën në drejtësi.
Vizion, vullnet dhe vendosmëri kemi demostruar në këto dy vite e gjysëm të opozitës tonë. Ju kemi thënë në fillim fare kur shpresonin dhe kujtonim që pere të mirën e vendit detyra jonë si opozitë ishte t’i korrigjonim : Mos me kërbaç! Mos me gjoba! Do ta varrosni ekonominë e vendit, do ta shkatërroni sipërmarrjen do të vrisni shpresën. Çuam amenamente në Parlament i rrëzuan si qënie e pashpirt, si qënie e pamend. Thirrëm protestat qytetare dhe këta ia vunë veshin vetëm për një javë. E pra, sot Partia Demokratike nuk ka vetëm denoncimin, nuk ka vetëm sinergjimin e revoltës popullore që e derdhën në mënyrë të pashembullt “Dëshmorët e Kombit” me datë 8 dhjetor, dhe për të cilin dua të falenderoj nga zemra demokratët korçarë e në veçanti rininë korçare. Por ka edhe platformën e nxjerrjes së vendit nga kriza. Po është një platformë e plotë, është një platformë vizionare, është një platformë e cila realizohet jo si ato të “1001 netëve”që na shiste kryeministri si Shehrezade dy vjet e gjysëm më përpara kur gënjente shqiptarët. Por cili është testi që platforma jonë për nxjerrjen e vendit dhe të ekonomisë nga kriza funksionon?
Testi i parë quhet Edi Rama, ky kopjac i pashembull, pa asnjë njohuri, e pa asnjë bosht formimi ekonomik apo të shtetit ligjor i cili me një sy në tavan e një sy në programin tonë ka kopjuar disa pjesë por nuk arrin dot as ta kuptojë e jo më ta kopjojë shpirtin dhe pasionin tonë për të çliruar ekonominë, për të çliruar energjitë pozitive ekonomike përmes programit tonë fiscal. Program në të cilin kanë dhënë kontributin eminencat e shquara ndër vite të Partisë Demokaratike të tilla si deputeti i Korçës dhe ish- ministri i Financave Ridvan Bode por po kështu edhe brezi i ri i ekonomistevë e të financierëve të Partisë Demokratike të cilët për rastësi a traditë një pjesë jo të vogël vijnë nga Korça dhe një pjesë prej të cilëve i kam këtu të pranishëm para syve të mi e para syve tuaj sot. Programi ynë fiskal, programi ynë ekonomik që do të shpaloset në fillim të janarit, vizioni ynë për shëndeteseinë, për arsimin, vizioni ynë për punësimin si plaga më e madhe janë prova jonë e dytë se në nuk jemi thjesht të tjeret që duam të vijmë në pushtet pasi të heqim këta por jemi përsëri shpresa, shpresa e nxehtë si dielli verës në këtë dhjetor të ftohtë të recesionit e të krizës politike, ekonomike dhe morale të dyshes Rama- Meta.
O vellezër e motra do të isha i pandershëm të thosha se puna mjafton me kaq! Kemi denoncuar e do të vazhdojmë të denoncojmë çdo ditë, me fakte e argumenta inkriminimin e kësaj qeverisje, korrupsionin e kësaj qeverisje, degjenerimin e kësaj qeverisje, retron e kësaj qeverisje e cila sot në shumë aspekte i ngjan një qeverisje të degjeneruar të cilën 25 vjet më parë demokratët e çuan për të mos u kthyer më në analet e historisë.
Kemi paraqitur e paraqesim alternativën tonë e do ta bëjmë këtë fshat më fshat, e qytet më qytet. Kemi thirrur e nuk do reshtim së thirruri korçarët e mbarë shqiptarët në një revolt të pandalshme, mosbindje civile dhe protesta pambarim deri në largimin e qeverisë Rama -Meta, caktimin e një qeverie teknike e në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, si zgjidhja politike që u kemi borxh shqiptarëve, por nuk do të mjaftohemi me kaq.
Kemi një detyrë tjetër të madhe përpara, që po e kryejmë e jam i sigurt që do ta kryejme akoma më mirë. Të hapemi, të bashkohemi, e të ribashkohemi akoma më shumë më njeri -tjetrin por edhe të hapemi akoma më shumë. T’i themi qytetarisë korçare, këtu nga Korça se në qeverisjen e ardhshme nuk e konceptojmë pa ju por me ju, në konsultim të vazhduesheme se demokracia e re për ne nuk është parrulle, është vision, është thirrje, është vokacion, është përcaktim i gjeneratës tonë. T’ju themi se zgjidhjet vijnë vetëm pasi të flasim me ju, të konsultohemi me ju, t’ju dëgjojmë, e t’ju bëjmë pjesë të ketyre zgjidhjeve, jo vetem tua themi por edhe ta bëjmë kjo është pjesa e vështirë por e domosdoshme për të bindur korçarët e po bindem korçarët kemi bindur gjithë shqiptarët se ne tashmë jemi të gatshëm të marrim mbi supe peshën që na cakton e gjithë historia. Se jemi e do të mbetemi jo partia e llogarive, por partia e pasionit, partia e shpresës, partia e besimit. Ndaj më lejoni t’ju uroj edhe një herë përzemërsisht e të përulem me nderimin më të thellë para jush!
Të nderuar themelues, të nderuar qëndrestar, vazhdues të rinj e të reja, e t’ju them qytetarëve të krishterë të Korçës e të mbarë Shqipërisë: Gëzuar Krishtlindjen, e qofte kjo Krishtlindje një ogur i mirë për të kthyer Korçën e më pas gjithë Shqipërinë në një Betlehem të shpresës se re që po lind! Gëzuar!


Fjalimi i kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në 25 vjetorin e themelimit të PD në Korçë, 24 Dhjetor 2015