Një vit i mbushur me trafiqet e qeverisë së inkriminuar

21 Dec
0
Çdo marrëveshje që ndalon trafiqet e paligjshme do të ishte e mirëpritur.
Por sot është dita të bëjmë një bilanc e të mos tregohemi hipokritë.
Nuk është puna tek marrëveshjet, nuk janë marrëveshjet e ratifikimet që e luftojnë trafikun e çdo lloji, krimin në përgjithësi.
Vullneti politik është në radhë të parë, elementi kryesor, fondamental, arma me të cilën luftohet trafiku.
Kemi ardhur në krye të një viti, që sigurisht i ngjashëm kryekëput me vitin paraardhës, ka qënë i mbushur me trafiqe të paligjshme.
Trafiku i drogës ka njohur majat, dhe këmbanat e alarmit të dashur kolegë, skanë ardhur vetëm nga Partia Demokratike.
Këmbanat e alarmit kanë ardhur nga autoritetet dhe shërbimet partnere fqinje.
Eshtë ironike të flasim për marrëveshje e ratifikime kundër trafikut, kur ende kemi ministër të brendshëm Saimir Tahirin.
Çfarë ka ndodhur këto kohë me këtë ministër, dhe me serialin e tij të skandaleve që lumturojnë e bëjnë krenar Edi Ramën.
Duhet ti marrim me radhë, sepse ka pasur një strategji gjakftohtë e të mirëkalkuluar për biznesin kriminal me trafikun e drogës.
Së pari, u mboll gjithë shqipëria me kanabis.
Me organizimin e Tahirit, u caktuan drejtuesit e policisë në qarqe njerëzit e tij të besuar, dhe trafiku u vendos rrugë të sigurtë. Miliona euro qarkullojnë dhe taksidari për këtë biznes, është ministri i brendshëm.
Transporti u vendos nën kontrollin e njerëzve të Tahirit, kushërinjve të tij.
Kushërinjtë e tij kanë shkuar deri aty sa caktojnë, bëjnë emërimet në postet kyçe në policinë e Vlorës.
Ju e keni parë se si gjendet në shërbim të bandës, shefi i kufirit të Dhërmiut, pikërisht i zonës ku magazinohet droga e bëhet gati për tu dërguar në Itali.
Kur lypsej, përdorej makina personale e ministrit, dhe gomonja e tij.
E kur të gjitha këto nuk mjaftonin, sepse puna ishte rritur e volumi ishte i lartë, u futën në lojë edhe avionët.
Avionët e kapur në Itali, anijet e kapura në Itali, janë pjesë e aksidenteve të këtij trafiku të organizuar të drogës nga Ministri i Brendshëm.
Kur vetë shërbimet partnere sjellin informacion e monitorojnë operacione që dalin me sukses, Tahiri justifikohet. Shfajësohet para trafikantëve duke u thënë se nuk e keni prej meje.
Janë të dokumentuara këto biseda të Ministrit të Brendshëm.
Shërbimi ndaj trafikantëve njohu edhe përmasat më të paimagjinueshme. Ra dhe siguria e fundit e shtetit, kolona që e mban një shtet, edhe më të fundit në botë, edhe më të dështuarin në botë. Laboratori i kriminalistikës, aty ku gjenden provat që do të bëjnë drejtësi për krimin. Papritur u shfaq një zjarr, që zhduku gjurmët për 20 grupe të drogës.
Të nderuar kolegë!
Oficeri i lartë i anti-drogës, Dritan Zagani, foli me prova e me fakte.
Dëshmitë e tij tronditëse bënë që mediat më serioze të europës të raportojnë për lidhjet e Ministrit të Brendshëm shqiptar me bandat.
Tahiri u bë më i njohuri nga gjithë kolegët e tij të Ballkanit, por për çfarë?
Për përfshirjen në trafik narkotikësh.
Nuk doni të besoni Zaganin ju se nuk merreni me provat e me faktet, të vërtetuaara e të konfirmuara, merreni me kush e tha.
Po për prokuorin e antimafias së Leçes, cdo të thoni, keni zbuluar gjë në biografinë e tij?
Në fund të shtatorit të këtij viti, Prokurori i antimafias së Leçes, Cataldo Motta, bëri një deklaratë tronditëse.
Ai tha se droga nga Shqipëria në Itali vazhdon me të njëjtat ritme, duke theksuar edhe narkotikët e fortë të Afganistanit që kalojnë tranzit në vendin tone.
Por më shqetësuesja, tha zyrtari i lartë Italian, është se tani ka nisur edhe trafiku i armëve.
Prokurori i antimafias tha gjithashtu se krerët e këtyre grupeve kriminale që veprojnë në Itali e më gjërë, gjenden në Shqipëri.
Sigurisht, krerët e grupeve gjenden në Shqipëri, madje, kumbarët e vërtetë gjenden në këtë parlament, gjenden këtu pas meje në karriket e qeveritarëve.
Në mes të nëndorit të këtij viti policia italiane njoftoi kapjen e 3150 kg droge në dy ditë, një pas një. Dy anije. Drogë e grumbulluar, e paketuar, e ngarkuar dhe e transportuar nga portet e Durrësit e të Vlorës.
Kronikat me tonetala droge të nisura nga Shqipëria që synonin europën kanë qënë të përjavshme.
Trafik droge në çdo drejtim, me çdo mjet.
Teksa ndaluat, frenuat, çdo aktivitet, çdo biznes, çdo zhvillim në vend, e vetmja gjë që lulëzoi me ju ishte droga.
Janë ato miliona euro që me pas i përdorni në një tjetër trafik, edhe më të rrezikshëm. Në trafikimin e votës. Në blerjen e saj.
Varfëroni vendin dhe mbushni pastaj kutitë me votat e blera me paratë e drogës.
Që trafiku i drogës të ecte mirë e të jepte rezultate maksimale, keni bërë sigurisht dhe një trafik tjetër. Trafikun e të inkriminuarve, në poste kyçe. Siç i vendoset tek forcat operacionale, pikërisht struktura përgjegjëse për monitorimin e bosëve të narkotikëve.
Më pas këta të lidhur me trafikun e drogës, i trafikuat në Interpol.
Me pak fjalë, ju e bëtë trafikun e drogës e të paligjshmërisë mënyrë jetese, formë qeverisjeje.
Dhe keni aq shumë ndjeshmëri ndaj këtij trafikut, sa në fund vendosët të refuzoni edhe testin e drogës.
Sepse sigurisht, sic thotë dhe populli, ai që shet fara, edhe i provon ato.
Koha e këtij narko-mandati ka mbaruar.
Populli, qytetarët e shohin, e dinë se ju vjen era drogë, se jeni zhytur në trafiqe.
Ndaj populli është në këmbë, dhe në këtë vend sdo të ketë zgjidhje tjetër, përvec largimit tuaj.
Ju faleminderit.


Fjalimi në Kuvend i deputetit të PD, Alban Zeneli, 21 Dhjetor 2015