Dua ta nis me një falënderim për Forumin Rinor të Partisë Demokratike që na ka bërë krenar në ditët tona të vështira e në ditët tona të mira.

Për kryetarin Belind Këlliçi dhe ekipin e tij e gjithë bashkëpunëtorët që kanë mbledhur sot para parlamentit në këtë ditë të fundit të seancës parlamentare për vitin 2015, të rinjtë, shpresën, energjinë, forcën, dhuratën e Zotit për prindërit, familjet, kombin shqiptar dhe për Partinë Demokratike të Shqipërisë.

Të dashur të rinj,

Sot para parlamentit iu thatë shqiptarëve me zë të lartë arsyet se pse qeveria e Edi Ramës është “de facto” qeveria e rrëzuar, qeveria e sprapsur, qeveria e ndalur.

Ju folët çiltër, ju folët hapur siç di të flasë rinia, të pakompleksuar e të pashtresëzuar, treguat hallet dhe problemet e familjeve tuaja, të fqinjëve, të afërmve, të miqve tuaj.

Ekonomia, mbi të gjitha, e cila tregon qartë se Edi Rama ia ka dalë me sukses të plotë ta shndërrojë qeverinë  në bandën e hajdutëve më të mëdhenj në këto 25 vite.

Paratë që iu mungojnë sot familjeve që duhet të përfitonin ndihmë ekonomike dhe nuk e përfitojnë janë aty në xhepat, në pasuritë, në makinat e luksit, në vilat, në pushimet e Edi Ramës me 40 hajdutë.

Paratë me të cilat duhet të ndërtoheshin rrugët, spitalet, shkollat, çerdhet janë aty në kontot bankare brenda dhe jashtë Shqipërisë të zhdukura, të vjedhura, të rrëmbyera nga xhepat e të pamundurve nga Edi Rama me 40 hajdutë.

Paratë e doganave shqiptare, e në veçanti akciza e rritur që e ka bërë edhe blerjen e një pakete duhan një makth më vete për mijëra e mijëra duhanpirës apo futjen e karburantit në makinat e shqiptarëve fatkeqësinë më të madhe të ditës sepse paguajnë çmimin më të lartë në Europë. Paratë e tyre nuk përfundojnë në buxhetin e shtetit, janë aty në xhepat, në kontot, në vilat, në pallatet e pishinat e sarajet e oligarkisë dhe bandës së Edi Ramës me 40 hajdutë.

Ju keni ngritur zërin dhe do ta ngrini zërin për padrejtësitë e mëdha që kjo qeveri i ka bërë rinisë, ligjin klientelist për arsimin e lartë. Keni pyetur se ku është përkrahja e Partisë Demokratike? Iu kam thënë dhe e përsëris: Partia Demokratike ka qenë dhe është kundër ligjit korruptiv, ligjit që mohon të drejtën e arsimit për më të pamundurit. Dhe sot dua para të rinjve demokrat t’u jap fjalën të gjithë të rinjve të Shqipërisë se ligji për arsimin e lartë do të shfuqizohet javën e parë të ardhjes tonë në pushtet e do të zëvendësohet me një ligj të ri që do të rrisë mundësitë dhe aksesin, do të bëjë të pamundur që fëmijët e të pamundurve të mos futen në shkollën e lartë. Rinia shqiptare meriton të arsimohet. Dhe me Partinë Demokratike do të arsimohet pa asnjë diskriminim dhe pa tarifa të larta.

Të gjitha këto çështje ju i përmendët fare mirë në këtë takim, por sot ju nxorët në pah një të vërtetë të madhe, që çdo shqiptar e ka dëgjuar dhe duhet ta ketë vath në vesh.

Vëllezër e motra, të rinj e të reja asgjë nuk ndodh rastësisht. Në besoni në fat apo besoni në Zot, kjo pak rëndësi ka. Unë për vete besoj në Zot dhe besoj se vullneti i Zotit gjithmonë bëhet dhe besoj se Zoti ka gjithmonë një vullnet të drejtë për njerëzit, për familjet, për shoqëritë, për kombet.

Por vullneti i Zotit është një sprovë, një sprovë e madhe të cilët duhet ta kalojmw jo një herë por dhjetëra e qindra herë si individ, si familje, si shoqëri, si komb.

E pra, sot përtej korrupsionit, vjedhjes, hajdutërisë, përtej inkriminimit të qeverisjes dhe ndërtimit të modelit të krimit në vend të modelit të meritës ju jeni ngritur mbi të gjitha për sprovën e madhe para të cilës fati dhe Zoti po e vendosin përsëri Shqipërinë.

25 vite më parë ne përmbysëm një regjim, regjim jo qeverisje, që e konsideronte Shqipërinë mallin e saj, pronën e saj dhe shqiptarët skllevër.

Sot pas 25 vitesh me sjelljet e tyre, me vjedhjet, me inkriminimin, por mbi të gjitha me poshtërimin dhe arrogancën me të cilën këta dalin mbi ligjin e sipër ligjit kanë ndërtuar një aparteid të dytë. Një regjim të dytë kriminal i cili ligjin di ta zbatojë vetëm për të pamundurit, vetëm për berberin, vetëm për fermerin, vetëm për atë që nuk ka ku të shtyhet më. Por ligji nuk zbatohet për milionerin, nuk zbatohet dot për ministrat e korruptuar, nuk zbatohet dot për Saimir Tahirin që kapet në flagrancë duke iu dhënë makinën trafikantëve kushërinj. Nuk zbatohet ligji për Edi Ramën që për një kile qep kontrabandë të rras në burg, por pwr vetë fut e nxjerr pikturat e tij kontrabandë sa herë që del e shëtit si turist ndërkohë që popullin e ka katandisur refugjat.

Ligji nuk zbatohet për megavjedhjen e shekullit, vjedhjen e 600 milionë eurove nga xhepat tuaj, paratë të cilat do të kishin mjaftuar për të paguar dyfish pensionet këtë vit, para që do të kishin mjaftuar për të përfunduar të gjitha investimet publike të bëra gati dhe të nisura nga qeverisja e mëparshme.

Ky aparteid, kjo padrejtësi, ky standard i dyfishtë nuk durohet e nuk pranohet nga rinia shqiptare dhe ky është mesazhi i protestës së sotme.

E si mund të pranohet një qeveri e cila jo vetëm vjedh, e cila jo vetëm inkriminon vendimmarrjen por refuzon të japë llogari para ligjit. Kjo nuk është më qeveri, kjo është bandë, ky është regjim dhe regjim aparteidi ku edhe një herë si para 25 vitesh një grusht njerëzish e shohin shtetin si mallin e babës, taksat tuaja i shohin si mallin e babës, pronat e Shqipërisë i shohin si mallin e babës dhe shqiptarët i shohin përsëri si skllevër.

E pra, zonja dhe zotërinj edhe ky është një test, edhe kjo është një provë, është një sprovë e madhe për shqiptarët. Pas 25 vitesh fati apo Zoti po i teston prapë zogjtë e shqipes. A i ka harruar vallë poshtërimet, vjedhjet, persekutimet, dëbimet, kërcënimet, ekzekutimet e 45 viteve më parë? Apo mos ndoshta këta zogj të shqipes janë mësuar dhe kanë harruar, janë mësuar prapë të ulin kokën para kërbaçit, para politikës së lakut në fyt, para padrejtësisë, e ta pranojnë me zë të mekur, e ta pranojnë kokwulur këtë aparteid të ri, këtë shtet të së padrejtës që ka ndërtuar Edi Rama me 40 hajdutët?

Kjo është mrekullia e ditës së sotme, sepse rinia ka thënë një zëri JO! Zogjtë e shqipes nuk e pranojnë! Nuk e pranojnë! Nuk e pranojmë!

Dita ka ardhur përsëri si një premtim ndaj genit të lirisë që është në zemrën e çdo shqiptari, çdo shqiptareje, si një bekim i Zotit rinia demokrate dhe rinia shqiptare janë ngritur dhe kanë lidhur besën, kanë dhënë fjalën e tyre: Rama Ik! Meta ik!

Kjo sprovë do të kalohet me sukses, Shqipëria nuk do të bjerë për herë të dytë, nuk do të bjerë e të rrëzohet në gjunjë para bijve tw persekutorëve, hajdutëve dhe vrasësve të të ardhmes së kombit shqiptar. 25 vite më parë ata i çuan në arkivin e historisë, sot pas 25 vitesh do të çojnë në koshin e plehrave pasardhësit e tyre politikw.    

Por jo thjesht dhe vetëm largimi i Edi Ramës dhe Ilir Metës, por hapja e një kapitulli të ri, të ri si vetë rinia demokrate, si vetë rinia shqiptare. Një kapitulli ku i zoti, i miri, i vlefshmi të promovohet dhe jo krimineli, hajduti dhe hileqari. Një kapitull të ri ku korrupsioni dhe të korruptuarit të dënohen në formën më të ashpër, pa asnjë mëdyshje, pa dallime politike, e pa dallime të tjera.

Le t’i japim sot një premtim shqiptarëve, një premtim të firmosur nga çiltërsia dhe vendosmëria e pjesës më të çiltër të kombit, të rinisë shqiptare se me Partinë Demokratike nesër lufta kundër korrupsionit dhe ndëshkimi i korrupsionit do të jenë prioriteti ynë numër një.

Pastrimi i politikës nga të inkriminuarit ka nisur, këtë betejë e fituam së bashku me rininë, e fituam së bashku me shqiptarët e ndershëm të djathtë, të majtë e tw  paparti.

Koha po vjen, koha ka ardhur që tani të ngrihemi si një trup i vetëm kundër korrupsionit, kundër të korruptuarve e të marrim në dorë të gjithë instrumentat e ligjit, kushtetutës dhe të një shoqërie të lirë që kurrë nuk do ta pranojë damkën e korrupsionit.

Ndaj ju ftoj dhe ju njoftoj se janari i vitit të ardhshëm do të jetë janari i nisjes së aksionit më masiv antikorrupsion, aksionit më masiv politik dhe qytetar në këto 25 vite.  Se me ligj dhe me frymën e ligjit, brenda institucioneve dhe jashtë institucioneve, me shpirtrat tanë të bashkuar, me duar, me këmbë, me thonj e me dhëmbë do t’i bëhemi barrierë korrupsionit dhe të korruptuarve, e do të vendosim së bashku një standard tjetër poshtë të cilit nuk mund të vendosë askush, socialistë apo demokratë, standardin e transparencës. Betimin e transparencës para shqiptarëve si parathënia e një epoke të re, të një demokracie të re ku zotër të vendit të mos jenë më një grusht politikanësh por shqiptarët të bashkuar pa dallim.

A jemi gati? A jeni gati rini? A jemi gati t’i bëhemi barrikadë e pakalueshme korrupsionit në zyrat e kryeministrit, ministrave, kudo ku gjendet ?

A jemi gati ta kthejmë në një ferr të vërtetë çdo minutë, çdo orë, çdo ditë të çdo të korruptuari në Republikën e Shqipërisë?

Atëherë ju ftoj që të gjithë bashkë të bëhemi pjesë e këtij aksioni të madh qytetar e politik. Korrupsioni nuk duhet vetëm të ndëshkohet nga ligji. Prej 1 janarit qytetarët shqiptarë do ta arrestojnë korrupsionin në rrugë, në sheshe e kudo.

Kjo ëndërr e madhe dhe e bukur, rinia shqiptare nuk meriton më pak. Ndaj dhe zotimi im personal është se kjo ëndërr e bukur që po vjen, rinia shqiptare do të ketë rrugët  e hapura, do të ketë dyert e hapura për të qenë vendimmarrësja e Shqipërisë europiane.

Ju falenderoj nga zemra vëllezër e motra, e përkulem me mirënjohje të veçantë ndaj të rinjve shqiptarë !

E ju them se beteja vazhdon dhe do të vazhdojw, se vullneti i Zotit për Shqipërinë është vullneti i Shqipërisë europiane, i Shqipërisë së dijes, i Shqipërisë së drejtësisë, i Shqipërisë së ligjit, i Shqipërisë pra të rinisë shqiptare!

Zoti e bekoftë rininë shqiptare!

Zoti e bekoftë Shqipërinë!


Fjalimi i kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në protestën para Kuvendit, 21 Dhjetor 2015