Të dashur demokrate dhe demokratë,

Anëtare dhe anëtarë të Partisë Demokratike kudo ku jeni,

Shkëlqesi ambasadorë, përfaqësues të trupit diplomatik,

Miq dhe të ftuar,

Zonja dhe zotërinj,

Kremtojmë sot me gëzim dhe krenari të ligjshme, me nderim dhe respekt të thellë për themeluesit dhe firmëtarët e parë, për nismëtarët, qëndrestarët dhe vazhduesit ndër vite, 25-vjetorin e Partisë Demokratike të Shqipërisë.

Kremtojmë gjithashtu 25-vjetorin e fillimit të epokës së demokracisë në Shqipëri.

Rrallë ndodh që historia e një force politike të startojë në një orë dhe në një hap me historinë e re të vendit.

Kjo ka ndodhur në Shqipërinë e 11 dhjetorit duke u zbardhur 12 dhjetori i vitit 1990.

Pluralizmi politik, Partia Demokratike, liria, demokracia, ëndrra europiane  e shqiptarëve u nisën bashkë, si pjesë e një ngjarje unike nga ato ku takohen dhe shkrihen historia dhe perspektiva, e tashmja dhe e ardhmja.

Ne demokratët, jemi të lumtur dhe krenarë që  themelimi i Partisë Demokratike është një ngjarje me rëndësi dhe vlerë kombëtare, që kurdisi zemrekun e lirisë dhe demokracisë në Shqipëri pas 48 viteve të gjata të terrorit dhe izolimit komunist.

Kjo ngjarje me jehonë dhe rrezatim të rrallë në hapësirën dhe në kohën shqiptare, e gjithë kjo histori është thjesht dhe vetëm e mrekullueshme.

Por festa jonë është një trinitet i krenarisë, i përgjegjshmërisë dhe përulësisë.

Krenarë për arritjet dhe sprovat e mëdha të Partisë Demokratike në pushtet apo në opozitë përgjatë 25 viteve të jetës së saj.

Të vetëdijshëm e të përgjegjshëm për sfidat e reja, që na gjejnë në këmbë, të papërkulur, protagonistë, të qartë e të vendosur.

Por po kështu, të përulur përpara qytetarëve që kanë merituar e meritojnë më shumë.

Miq të dashur,

Përkujtimi, nderimi dhe reflektimet tona për Dhjetorin e Lëvizjes Demokratike studentore, intelektuale dhe popullore, për dhjetorin e pluralizmit politik, për dhjetorin e  krijimit të Partisë Demokratike. Tre  ngjarje të lidhura  pazgjidhshmërisht me njëra tjetrën si dielli, rrezja dhe drita-rikthehen  çdo dhjetor, por nuk bien asnjëherë  në  rutinë,. Përkundrazi, shkëlqejnë  dhe vijnë me mesazhe dhe frymëzime të reja nga një vit në tjetrin.

Me ëndrrën e tyre të Shqipërisë si gjithë Europa dhe me kurajon e tyre për ta fituar me çdo çmim këtë ëndërr, Studentët e Dhjetorit ishin përpara, shumë më përpara, vite dritë përpara hesapeve, intrigave dhe lojërave politike në pallatin e regjimit të kohës. Studentët plazmuan ëndrrën europiane si drejtimin e pakthyeshëm të vendit tonë në familjen e kombeve të lira.

Mirënjohje përjetë Studentëve të Dhjetorit!

Ngjarja tjetër e denjë për çiltërsinë, mëvetësinë dhe largpamësinë e ëndrrës studentore dhe intelektuale të atyre ditëve të paharruara, ishte vendimi për krijimin e Partisë Demokratike mbrëmjen e shpalljes së pluralizmit politik, menjëherë pas kthimit në Qytetin Studenti të përfaqësisë së studentëve nga takimi me kreun e regjimit komunist. Prijësi  i Lëvizjes  studentore,  Azem Hajdari, studentë të tjerë protagonistët e Lëvizjes, intelektualë dhe pedagogë ishin bashkuar me studentët  në mbështetje të kërkesave të tyre politike  për pluralizëm, liri, demokraci dhe hapje, kuvenduan dhe konkluduan po atë natë se produkti i pluralizmit të porsalindur nuk mund të programohej kurrsesi nga regjimi në fuqi, i cili e kish treguar qartë se dëshironte të klononte një parti fasadë, sa për të kaluar radhën, sa për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe Perëndimit me një pluripartitizëm dekorativ dhe fiktiv.

Me këtë mendim i kish përcjellë shefi i diktaturës  përfaqësinë studentore-universitare të kohës.

Por çfarë partie do të krijonin studentët dhe intelektualët e dhjetorit? Kur do ta krijonin?

Ishin nga ato minuta dhe orë në jetën e kombeve që përcaktonin fatin e një kauze, të ardhmen e ngjarjeve. Ne tani e dimë, se ishin orët e një vendimmarrje që zbuloi mençurinë, vetëdijen dhe intuitën e drejtë të studentëve dhe intelektualëve për rëndësinë vendimtare të krijimit po atë natë, pa lënë asnjë vakum, të një partie të madhe popullore që ata e pagëzuan Partia Demokratike.

Themelimi pa humbur asnjë minutë i një partie demokratike popullore ishte replika madhështore me diktaturën që po perëndonte, e lirisë që kishte lindur dhe po nisej.

Fuqizimi i shpejtë i Partisë Demokratike, hyrja e saj e menjëhershme në ndërveprim aktiv me shtresimin dhe shpërthimin popullor antikomunist në vend, primati i saj absolut si forcë e re politike – të gjitha këto janë të lidhura ngushtë me momentin e themelimit, me gjenezën e saj.

Në një kohë rekord, themeluesit e Partisë Demokratike hartuan programin e parë, programin e lirisë, në të cilin shpallën synime politike  të reja që  ngritën peshë një popull të marrë peng nga shtypja, varfëria dhe dogmat.

Pa mjete, pa kushte, pa financa, pa përvojën dhe njohuritë e nevojshme  demokratike, mes mijëra vështirësish dhe pengesash, themeluesit ndezën dhe çuan  pishtarin e demokracisë  në mbarë vendin, u përballën me partinë-shtet dhe me  shtetin policor të kohës që kish nxjerrë akoma më shumë dhëmbët pas lejimit  të pluralizmit, vranë frikën me guximin e tyre kudo ku frika përgjonte si bishë e vjetër shpërthimin e  lirisë.  E shtrinë dhe e ngritën partinë brenda  një kohë të shkurtër nga njëri cep i vendit në tjetrin,  ngritën për herë të parë pas 45 vitesh në qiellin e shqiptarëve flamurin e ndaluar të tokës së njerëzve të lirë, flamurin e SHBA, vendosën për herë të parë marrëdhënie bashkëpunimi të ngushta me parti politike europiane dhe me institucione të Bashkimit Europian, ndërtuan alternativën e parë  perëndimore  të Shqipërisë  dhe e udhëhoqën atë drejt suksesit me kurajo, me mençuri, me bashkim.

Studentët, intelektualët, themeluesit dhe nismëtarët e Partisë Demokratike e lindën këtë alternativë nga shpirti i tyre liridashës, nga ëndrra e rinisë dhe popullit shqiptar për t’ju bashkuar Europës.

Kjo alternativë nuk ishte partiake, në kuptimin që u japim sot alternativave dhe as e mbledhur në kufijtë e një gare elektorale apo të një mandati politik.

Ishte rruga e re, ishte drejtimi i ri, Shqipëria e re demokratike, Shqipëria e lirive dhe të drejtave universale, Shqipëria në NATO, Shqipëria e lëvizjes së lirë të qytetarëve të saj, Shqipëria pranë Europës.

Më fjalë të tjera ishte Shqipëria që u bë, Shqipëria që kemi, e cila megjithë zigzaget, vonesat, ndalimet apo kthimet e përkohshme prapa në momente të caktuara është sot vite dritë larg asaj që ishte 25 vite më parë.

Kundërshtarët tanë politikë sot në qeverisje, edhe këtë vit të 25-vjetorit të ngjarjes më të madhe kombëtare, pas asaj të 100-vjetorit të Pavarësisë, nuk dolën dot nga meskiniteti dhe  kufizimet e tyre si trashëgimtarë të regjimit që demokratët  mposhtën një çerek shekulli më parë, nuk u ngritën dot në lartësinë e emancipimit dhe detyrës për të  përkujtuar me nderimet e merituara një jubile që vërtetë ka shenjën e një grupimi të caktuar politik por duke qenë gur themeli në ngrehinën e re të Shqipërisë demokratike, iu takon të gjithë shqiptarëve.

Nuk do të merresha sonte me qëndrimin e tyre, që spikat si mjerimi i tyre, por nuk mund të mos i akuzoj si provokatorë dhe sfidues, armiq të lirisë, me dekorimet e kriminale që u bënë xhelatëve të diktaturës pikërisht në 25-vjetorin e ngadhënjimit të lirisë.

Zonja dhe zotërinj,

Për ne si çdo herë dhe më shumë se herë të tjera, 11 Dhjetori është  një ditë apeli për themeluesit, për demokratët e orëve të para, për ata që qëndruan, për ata që s’reshtën së ardhuri nëpër vite për më të rinjtë që kanë vërshuar muajt e fundit dhe deri në ditët e fundit në partinë  e tyre të zemrës, në Partinë Demokratike.

Është një ditë apeli ku fort kumbon në kujtesën dhe në shpirtin e çdo demokrati zëri i paharrueshëm i atyre që vdekja i ka ndarë prej nesh, që nuk janë fizikisht mes nesh, por kanë lënë të gdhendur përgjithmonë emrin dhe veprën e tyre në librin e artë të Partisë Demokratike, në përmendoren e demokracisë shqiptare.

Vjen dhe kumbon sonte zëri i Azem Hajdarit, i pari i të parëve, lideri i Lëvizjes Demokratike të dhjetorit 1990, themeluesi dhe kryetari i parë i Partisë Demokratike, heroi i demokracisë shqiptare, të cilin armiqtë e lirisë e vranë para selisë së Partisë Demokratike  më 12 shtator 1998.

Do të kishim dashur shumë t’i shtrëngonim dorën në këtë përvjetor të madh, të Partisë që ai shpalli i pari me kurajo dhe trimëri, në Qytetin Studenti para mijëra e mijëra studentëve, të rinjve e të rejave, burrave dhe grave nga Tirana dhe mbarë vendi. Azem Hajdari është plaga dhe krenaria jonë, është kujtim, frymëzim dhe flamur për Partinë Demokratike.

Vjen sot kujtimi përherë i gjallë i studentit tjetër fisnik të dhjetorit, Arben Brocit, 21 vjeçarit nga Shkodra, që u vra në masakrën e 2 prillit 1991 bashkë me Bujar Bishanakun, Nazmi Kryeziun dhe Besnik Cekën nga dorasit e një regjimi kriminal në grahmat e fundit.

Me nderim dhe mirënjohje të thellë kujtojmë sot themeluesin tjetër të orëve të para të Partisë Demokratike, Gramoz Pashkon, në shtëpinë e të cilit u redaktua programi i parë minimal dhe statuti i parë i partisë të sapo themeluar, formuluesin e parë të bazave të programit tonë të ekonomisë së tregut të lirë.

Kujtojmë Pjetër Arbnorin, Mandelën e Shqipërisë, i burgosur politik përgjatë një çerek shekulli në burgjet e regjimit më të egër, simbol i kurajos dhe urtësisë, Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, drejtues  i lartë i Partisë Demokratike për shumë vite. Kujtojmë Ali Spahinë, shembull i madh i vlerave të qëndresës, maturisë, tolerancës dhe vendosmërisë, në shërbim të vizionit demokratik.

Emra të tjerë demokratësh të thjeshtë apo të shquar, që nuk jetojnë më, parakalojnë këtë çast në mendjen e secilit prej nesh. Për t’u ndalur tek më të fundit në  Panteonit tonë politik, Sokol Olldashi dhe Ferdinand Pone, dy politikanë të rinj në moshë por të sprovuar në beteja dhe sfida të shumta, në opozitë dhe në qeveri, drejtues të devotshëm e të talentuar të Partisë Demokratike, që  kanë lënë pas për ne kujtimin e ndritur dhe kuptim plotë të punës në shërbim të vendit para gjithçkaje.

Heshtja dhe duartrokitjet që shoqërojnë këtë evokim janë shprehje e nderimit dhe mirënjohjes tonë për të gjithë ata. Janë krenaria dhe frymëzimi ynë. Do t’i kujtojmë  gjithmonë, në çdo përvjetor, në çdo hap të ecjes tonë përpara dhe do t’ua përcjellim brezave të rinj të demokratëve  si krenari dhe trashëgiminë tonë.

Si çdo herë dhe më shumë se herë të tjera, ky  përvjetor vjen si një mbrëmje  nderimi për veprën 25 vjeçare të Partisë Demokratike, të anëtarëve dhe drejtuesve  të saj të çdo niveli  ndër vite.

Partia Demokratike ka nderin të ketë qenë në ballë të ndryshimeve të mëdha demokratike të vendit. Ajo  ka  udhëhequr dhe  udhëheq  ëndrrën europiane dhe euroatlantike të shqiptarëve.

Duke risjellë në mendje 11 dhjetorin 1990, orën e nisjes së madhe të demokratëve, kohën që ka rrjedhur më pas me protagonizmin konstant dhe kontributin vendimtar të Partisë Demokratike në të gjitha ngjarjet e mëdha të periudhës së re të demokracisë. Ne shtrëngojmë duart me njëri-tjetrin nga themeluesit e parë tek anëtarët më të rinj dhe krenojmë si një trupë e vetme sepse ne të gjithë bashkë jemi një familje, familja e madhe demokrate në shtëpinë e madhe të lirisë që ka ndërtuar histori pozitive e do të vazhdojë të ndërtojë histori pozitive në Shqipëri.

Si një prej anëtarëve që qëndrojnë midis themeluesve dhe më të rinjve në këtë familje të madh politike unë kam kënaqësinë të pohoj këtu diçka që kam bindjen se e mendojmë të gjithë: Jemi një parti 25-vjeçare që ka në gjirin e saj  shumë nga themeluesit e saj të shquar, shumë nga qëndrestarët dhe vazhduesit e saj të shquar, ata që kanë bërë historinë e saj, që kontribuojnë pareshtur me personalitetin, përvojën dhe përkushtimin e tyre për suksesin e ri të Partisë Demokratike përballë sfidave të reja të kohës.

Ky është një privilegj për gjithë ne, e në veçanti të rinjtë, që nuk ka dyshim se krenohen e do të krenohen nesër para më të rinjve, para fëmijëve të tyre për këtë fakt, për faktin se kanë qenë në një parti, kanë punuar për një kauzë politike, kanë qenë në një përvjetor me Sali Berishën dhe themeluesit e tjerë të Partisë Demokratike.

I dashur miku im dhe miku i të gjithë demokratëve, lideri historik, Sali Berisha. Ju drejtohem ju dhe nëpërmjet jush të gjithë themeluesve me urimet më të përzemërta që do të doja të ishin medalja e mirënjohjes së thellë të gjithë demokratëve dhe times gjithashtu, për ty dhe gjithë themeluesit e Partisë Demokratike.

Ju e krijuat dhe ju e mbajtët Partinë Demokratike formacionin më të fuqishëm të qendrës së djathtë në Europën ish-komuniste.

Ne e dimë se çfarë do të thotë kjo. Dua të theksoj se me Sali Berishën dhe themeluesit e tjerë të spikatur, me të vjetrit dhe me të rinjtë, Partia Demokratike  është më e fortë, më e bashkuar, më e urtë, më e mençur, më energjike.

Kjo parti është Shtëpia e Lirisë, ku mosha është pik së pari kontributi në vijimësi i gjithsecilit.

Ja pse them: se para Projektit tonë Kombëtar të Demokracisë së re që kemi lançuar dhe po çojmë përpara së bashku,të gjithë demokratët  janë të rinj, të gjithë jeni të rinj,  ju duam të gjithëve të rinj në energji, në mendësi, në vizion, në vlera.

Ky përvjetor i madh na fton të hedhim vështrimin përpara, të projektojmë  perspektivën, duke filluar me të nesërmen e afërt të Shqipërisë që po vuan pasojat e gjithanshme ekzistenciale, ekonomike, shoqërore dhe psikologjike të qeverisë më të papërgjegjshme, më të korruptuar dhe më të inkriminuar të tranzicionit.

Protesta madhështore e 8 dhjetorit konfirmoi vendimin e madh e të pakthyeshëm  të qytetarëve shqiptarë në udhëkryqin e ri të demokracisë sonë: largimin e qeverisë Rama-Meta, jo thjesht si një qeveri mashtruese, e paaftë dhe e dështuar në mos mbajtjen e premtimeve, por si një qeveri e rrezikshme për vendin dhe qytetarët, si një rrezik në veprim që rrit çdo orë dhe çdo ditë fatkeqësinë për vendin, që provokon çdo orë dhe çdo ditë  ikjen e shqiptarëve nga Shqipëria.

Të ikë fatkeqësi-qeveria. Të qëndrojnë qytetarët. Të bjerë oligarkia, të ringrihet liria dhe demokracia.

Ky është vendimi i 8 dhjetorit të dytë që po përhapet në mbarë vendin siç u përhap 25 vjet më parë era e lirisë së 8 dhjetorit të parë.

Kjo është shpresa. Kjo është zgjidhja.

Partia Demokratike i prin kësaj stuhie të re të përballjes me të keqen, i prin ëndrrës dhe shpresës së re të daljes në hapësirën dhe standardin e demokracisë më të përparuar perëndimore.

I prin me historinë tonë më të mirë, me bashkimin dhe përtëritjen tonë, me alternativën tonë të re të zhvillimit. I prin e vetëdijshme për misionin e saj hyjnor.

Shumë parti kanë lindur dhe kanë vdekur përgjatë historisë 100-vjeçare të shtetit shqiptar. Disa me turp. Disa sepse iu erdhi dhe iu vjen dita.

Por Partia Demokratike që doli në skenën politike të kohës si fuqia e përmbysjes së robërisë dhe ndarjes përfundimtare nga diktatura, si forca e lirisë dhe të drejtave të njeriut, si partia e vokacionit perëndimor, e integrimit Euro-Atlantik dhe Europian të Shqipërisë, mbartëse e aspiratave mbarëpopullore për një ndryshim të thellë në jetën e vendit dhe gjithsecilit; mbrojtëse e paepur e interesit kombëtar;

Partia Demokratike e Shqipërisë e ka të shkruar në destinin e vet dhe në përkushtimin tonë të vazhdojë të rritet, të vazhdojë të forcohet, të vazhdojë të ndërtojë përparim, mirëqenie dhe një të ardhme të sigurt Europiane për të mirën e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Gëzuar të gjithëve!

Rroftë Partia Demokratike e Shqipërisë!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!


Fjalimi i e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në 25 vjetorin e krijimit të Partisë Demokratike, 11 Dhjetor 2015