Edi Rama gënjeu dje shqiptarët duke dashur t’i ikë përgjegjësisë për lejet e ndërtimit që ka dhënë me firmën e tij.

Lulzim Basha nuk ka dhënë asnjë prej këtyre lejeve të ndërtimit. Bashkia e Tiranës nën drejtimin e Lulzim Bashës për ti dhënë fund klientelizmit në dhënien e lejeve të ndërtimit ka miratuar planin urbanistik, i pari që prej vitit 1989 si dhe planet e detajuara vendore.

Për t’i dhënë hapësirë praktikës së tij të korrupsionit dhe arbitraritetit me lejet e ndërtimit, Edi Rama me 22 gusht 2014 bllokoi të gjitha studimet e bëra nga Bashkia dhe shfuqizoi VKM Nr. 502 që përcaktonte Rregulloren Urbane të Shqipërisë. Pas bllokimit të studimeve urbane të Tiranës në 22 gusht 2014, Edi Rama mori vetë në dorë dhënien e lejeve të ndërtimit bazuar jo në ligj dhe plan urban, por në vullnetin e tij personal.

Pasionin e Edi Ramës për betonizimin korruptiv dhe arbitrar nuk ka shqiptar që nuk e njeh. 20 përqindshi i famshëm i lejeve të ndërtimit zuri vend edhe në raportin e punës së OSBE-së që deklaron se Edi Rama ka një pasuri prej 200 milionë euro që menaxhohet në llogari “off shore” nga të afërmit e tij.

Çdo përpjekje për të larë duart dhe për të fajësuar të tjerët e nxjerr atë zbuluar në këtë aferë të paligjshme. Kjo pasi jo vetëm që këto leje ndërtimi kanë autorësinë e Edi Ramës por edhe sepse janë në kundërshtim të hapur me ligjin, pasi 30 studimet pjesore janë kryer në përputhje me Rregulloren Urbanistike VKM Nr. 502 e cila u shfuqizua nga vetë Edi Rama. Bashkë me shfuqizimin e kësaj rregulloreje,  Edi Rama ka bërë të pavlefshme dhe studimet pjesore vendore të Bashkisë Tiranë.


Reagim i Partisë Demokratike, 2 Nëntor 2015