Zonja deputete,

zotërinj deputetë,

zonja kryesuese e seancës,

të dashur qytetare dhe qytetarë shqiptarë që ndiqni këtë seancë,

që ditën e parë të mbledhjes së këtij Parlamenti në shtator 2013 deri sot, në rast se do bëja një numërim dhe shumim të fjalimeve, frazave, fjalëve dhe fjalive, do rezultonte këtu

se 70% e tyre kanë patur, e kam fjalën këtu për opozitën, një objektiv të vetëm krimin, denoncimin e krimit, krimin qeveritar, krimin në të gjitha nivelet. E vërteta është se pavarësisht nga përpjekjet titanike të opozitës, sot në këtë vend krimi është institucioni suprem i qeverisjes së Edi Ramës.

Në këtë kontekst, bie plotësisht dakord me vënien në diskutim të terminologjisë, pasi në vend të “dekriminalizimit” mund të thosha se bëhet fjalë për “deEdvinitizimin” e administratës. Po pse kjo? Ju e dini, unë kam një kohë jo të shkurtër në politikë, kam patur kundërshtarë gjithnjë të fortë, por nuk kam arritur ndonjëherë të formuloj akuza të këtij rendi që formuloj sot për Edi Ramën, si kreu i meduzës së krimit të organizuar. Ata s’kanë qenë engjëj, ata kanë qenë problematikë, por nuk mund të thoja se ata ishin kapo meduze siç është Rama sot. Pse unë bëj këtë konkluzion? Sepse absolutisht në fjalën time të parë,këtu para jush në këtë sallë, pasi unë dhashë dorëheqjen nga çdo funksion i imi përveç deputetit, publikisht iu drejtova kryetarit të qeverisë dhe kryetarit tuaj, “i nderuar zotëri lidhjet e tua me krimin janë të njohura”. Nuk ka shqiptar që nuk dinte lidhjet e tij të tmerrshme me Hakmarrjen për Drejtësi, të cilës i kishte dhënë qindra mijëra metra katrorë leje ndërtimi në zemër të Tiranës, nuk ka shqiptar që nuk dinte lidhjet e tij me krimin, bandën e Aldo Bares, lidhjet e tij të tmerrshme me bandën e Dritan Dajtit, lidhjen dhe dominimin e tij nga banda të tjera. Por megjithatë, e thashë atëherë para jush se shqiptarët me votën e tyre e amnistuan, ata i dinin këto por thanë do e provojmë. Deklarova se gjithçka do përcaktohet nëse ti do i shkëpusësh këto lidhje dhe do qeverisësh, apo do i projektosh si të ardhmen më të zezë për shqiptarët.

Mos harrojmë se ne nga krimi vijmë si shoqëri. 45 vjet ne jetuam nën thundrën e krimit, krimit më monstruoz ideologjik. Asnjë komb në Europë nuk përjetoi ato që përjetuam ne në kthetrat e krimit. Nuk mund të them se ky është krim ideologjik, ndonëse këta janë neo-bllokmenë.

Ky nuk është krim që ushtrohet nga PS-j. Jo, absolutisht sepse sot socialistët janë më të vuajturit, më të përbuzurit. Sot kanë dalë në skenë Koçot që tundin Kushtetutat, gjykatat. Sot socialistët janë më të shpërfillurit, ata që ruajnë integritetin, të tjerët mbajnë avazet e krimit. Por të tjerët jo.

Gjatë fushatës elektorale të vitit 2013, Edi Rama në çdo qytet të madh do të zhvillonte pas kuintave një takim me banditë. Cila ishte pyetja që shtronte: A keni takuar ndonjëherë kryeministër? Ata thoshin kurrë e më shanin mua.  Punë e madhe.’Ja pra thoshte- ja ku e keni, -më ndihmoni të fitoj që të qeverisim bashkë’. Po hajt le të themi që këto i kishte në kuadrin e “aleancës së qelbësirave” për të marrë pushtetin. Mirëpo, në 2 vjet, me shpejtësinë më të rrufeshme,  duke përdorur metoda të vjetra të etërve të tij, ai nga njëra anë vendosi në krye klanet Koleka dhe Nushi dhe nga ana tjetër vendosi në sundim bandat në të gjitha nivelet. Po pse krimi është institucioni suprem i qeverisjes së Edi Ramës? Po marr Parlamentin. A keni konstatuar ju se 80% e këtyre deputetëve nuk e çelin gojën? Se çelin sepse hanxharët e krimit këtu në sallë i kërcënojnë dhe i tmerrojnë, ndaj dhe thonë “më mirë të mos flasim”. Fillon që këtu paqja me krimin.

Pse më tutje, sepse kjo qeveri që qëndron pas meje, kjo qeveri nxin nga lidhjet me krimin. A nuk është kriminale që i ati i Saimir Tahirit, Bashkim Tahiri, kapet nga kontrolli juaj jo i imi, duke vjedhur me thasë recetat dhe ilaçet e të sëmurëve. Del i biri i Bashkim Tahirit dhe i rrëmben shoferit të tij patentën në rrugë dhe i kthehet patenta vetëm pasi një grua, Shpresa Balla, një zonjë në ministrinë e drejtësisë, detyrohet të fshijë çdo gjurmë të kontrollit që i bëhet Bashkim Tahirit. A nuk është lidhje kriminale kjo? A nuk është kriminale, kur ministri i brendshëm  e blen skafin, ua jep trafikantëve dhe merr rentën e trafikut. A nuk është sundim i krimit ky? Dhe duhet të dalësh të japësh llogari për skafin se unë të kam shtruar pyetje këtu. Unë mund ti nxjerrë dokumentat por më mirë që ki kurajon dhe nxirri vetë. A nuk është sundim i krimit kur Shullazi hyn në Drejtorinë e Tiranës, nxjerr të ndaluarin e tij, i fut edhe një qytë policit dhe pritet nga kryeministri. A nuk sundim i krimit kjo, a nuk është krimi mbi ekzekutivin, mbi Parlamentin? Po krimi është mbi Kushtetutën. A mund të ndodhë në botë, që Kushtetuta në mënyrë taksative, me një nen të veçantë thotë se kur deputeti përfiton me aksione apo të ardhura publike gjatë kohës që ka patur mandatin, mandati i tij ndërpritet. Po këtu? Këtu Parlamenti, shumica vendos të mos i hiqet, vendosë të dhunojë në mënyrën më flagrante Kushtetutën. Dhe zëdhënësi i Parlamentit, këshilltari i Parlamentit, del dhe u thotë shqiptarëve se “ne përfaqësojmë Kushtetutën”. Nuk ka banditizëm më të madh. Se, kush përfaqëson dhe si përfaqësohet Kushtetuta, si ndahen pushtetet, këto janë parimet më themelore të demokracisë. Natyrisht këto parime nuk kanë asnjë vlerë në një ochlokraci apo mobokraci si kjo e Shqipërisë. Ju asgjesuat me një të rënë të lapsit nenin e kushtetutës, ju asgjesuat me një të rënë të lapsit ligjin e konfliktit të interesit. A mund të ndodhë në një vend të botës, që një ligj i tërë, i hartuar me ekspertizën më të mirë, ministrat tuaj e bëjnë të paqenë duke kryer krime të shëmtuara, duke u dhënë vëllezërve, motrave, vetes së vet, kompanive të veta, qindra milionë tendera publike. A e keni marrë vesh ju se ku ka zbritur vjedhja tani?

Absolutisht vjedhja ka zbritur në nivelin e Tanardies. Tanardie ishte një personazh i Viktor Hygosë, që ngrihej dhe shkonte u rrëmbente sendet, orën, zinxhirët, të plagosurve për të mos thënë edhe të vdekurve.

Me se po blihen dekoderat?

Dekoderat po blihen me paratë e emergjencave. U përmbytën qindra mijëra familje në Vlorë, në Fier, në Tiranë, qeveria nuk ekziston. Nuk ka ndodhur. Kur fola këtu para jush se po i blen (Rama) me firmën e tij, nga Dixhitalbi, asnjë nuk e besoi, se e vura re. Që të gjitha janë të Dixhitalbit, ja u them unë. Dhe tenderi mbyllet më 10 dhjetor dhe kushti i tenderit është, që më 20 dhjetor, pavarësish se ka apo s’ka ankesa, kompania duhet të sjellë 42 mijë dekodera, për 10 ditë. Ata kanë ardhur prej kohësh, kanë ardhur nga Taivani apo Tailanda s’ka rëndësi, por ato janë në magazinë. Nga këta dekoderë, asnjë nuk është i përshtatur me platformën televizionit shqiptar. I ka sjellë Olsi dekoderat’ këtë nuk e di. Po të veprosh në këtë mënyrë me paratë, po Tanardie e shkuar Tanardies je more.  Të marrësh paratë e të përmbyturve që Gjanica apo moti tjetër u bëri gjëmën, i rrënoi dhe në vend se t’i çosh paratë atje, i bën dekodera për të varfrit.  Mëshira e hajnave është cinizmi më ekstrem. A është organizatë kriminale kjo? A e dini ku shkojnë paratë e librave të fëmijëve, paguhen rrogat e Ujësjellësve. Asnjë qindarkë nuk marrin prindërit. Ahkoni shifni Thesarin.

Pra, kjo është një organizatë kriminale e pangopur. Vjedh me qindra. A e dini pse nuk finalizohet tenderi i mirëmbajtjes së Rrugës së Kombit? Pasi i është kërkuar kompanisë 20 mln euro në zarf. Pra, vjedhin 20 mln këtej, vjedhin 100 mln andej, vjedhin edhe të përndjekurit me fondet e tyre, vjedhin edhe të përmbyturit me fondet e tyre. Po pse, a nuk është kjo sistem i krimit?

Asgjesuat ligjin e konfliktit të interesit, i bëtë gjëmën vendit. Ligji i konfliktit të interesit është ligji që mbron pasuritë publike nga lukunia e zyrtarëve. I dhatë hekurudhat, i dhatë dhjetëra. është në detyrën e zyrtarit të deklarojë çdo shkelje të konfliktit të interesit dhe ju në vend që ti hiqni mandatin, e vini të kryesojë (Leskaj). Aty më mirë të ishte Emiljano Shullazi, më mirë të ishte Nard Koka, nuni apo kumbari i “aleancës së qelbësirave” se ai e stisi këtë aleancë. A u emërua Blend Klosi ministër? E dini se kush vjen mbrapa? Kush e ka radhën. E ka radhën Drejtori i Hipotekës, edhe ai hajdut me çizme, po ca i ndodhi? I shkojnë bandat e qeverisë, i thonë sakën se luaj vendit ti, s’ke për të parë Parlament, këtu do rrish, dhe ai shkon me lot në sy tek Gjushi. Përgënjeshtroni po të doni, po këto janë të vërteta absolute.

Pse nuk e zëvëndësoni deputetin? Klosi do e dorëzojë mandatin, ai është një vendim i shpallur. Sigurisht ligji për ju nuk ekziston. Në sistemin tuaj droga është bërë plazma juaj, plazma e qeverisjes tuaj, jetike. Merrni ju historinë e Serezit. Miku i tij më i ngushtë u ngarkua për të drejtuar evakuimin e drogës nga Jugu. Atë e kapi policia me mbi një ton drogë, por zotëria (drejtohet nga ministrat) u tërbua kur e kapën, por ata bënë detyrën. Pra, iku Serezi. Erdhi Alban Hametaj, drejtor operacioni i kokainës, polici më i rëndësishëm i shtetit drejtonte kokainën. Ku është sot ai?? Ai sot është në Interpol, është në postin më kyç për të njoftuar dhe rikatuar çdo trafikant që informonte Interpoli.

Kjo është organizatë kriminale. Cfarë ndodh me gjyqet, me gjykatat, çfarë ndodh me Koço Kokëdhimën? Nuk fillon dot gjyqi, presione të tmerrshme mbi gjykatat nga Rama dhe Kokëdhima. Krimi ka gazetat, ka studiot dhe televizionet e tij. Hanxharët e tij ushtrojnë censurë të tmerrshme në mediat shqiptare. Fshijnë nga axhenda emisione dhe investigime. Përhapin disinformacione nga më të favorshmet. Krimi bën ligjin këtu, është sot ligjbërësi më kryesor sepse ka Edi Ramën. Ndaj dhe nuk them se ky ligj nuk është një arritje. Padiskutim që është një arritje por absolutisht përbën vetëm një hap të parë. Por le të besojmë se çdo gjë e madhe fillon me një hap të parë. Ndaj dhe duhet të shpreh falenderimin dhe mirënjohjen për të gjithë ata të cilët e mbështetën këtë inisiativë, që kanë harxhuar energji të jashtëakonshme, duke filluar nga lidershipi PD-së por dhe të gjithë ata që kanë treguar vullnet për këtë. Një mirënjohje e madhe për komunitetin ndërkombëtar, Parlamentin, komisionin, për qeverinë e SHBA me persistimin e saj të madh për të ndihmuar Shqipërinë. Megjithatë unë them se ky është vetëm një hap dhe më duhet t’u them shqiptarëve sot, se asgjë nuk kërcënon të ardhmen tuaj dhe të fëmijëve tuaj, qënien, të drejtat dhe liritë tuaja se sa sundimi i krimit sot në Shqipëri.  Shqiptarët panë me një dhimbje të madhe se si u zgjodhën, edhe pas paralajmërimit jashtëzakonisht serioz dhe dashamirës të ambasadorit të SHBA, dy dybanditë në postet e kryetarëve të Bashkive, duke lënë të kuptohet që, në një farë mënyre ose në një tjetër, shqiptarët pajtohen me krimin. Megjithatë unë nuk besoj se shqiptarët pajtohen me krimin. Krimi sigurisht ka forcën e vet, diktatura e krimit është diktatura më e shëmtuar, shqiptarët e kanë provuar atë në 45 vjet, tani e kanë në rrafshin e drogës dhe krime me mjete të tjera. Por çdo njëri që i shet votën krimit, shet të ardhmen e tij dhe të fëmijëve të tij, shet të nesërmen e tij dhe të fëmijëve të tij. Krimi në dy vite ka marrë me qindra jetë, ka shkelur me mijëra e mijëra herë të drejtat e njëriut, por krimi në dy vite shkatërroi mekanizmin më themelor të ekzistencës së demokracisë; zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ai u bë përcaktues në këto zgjedhje. Dhe unë këto fjalë i kam për qytetarët shqiptarë por edhe për opozitën. Ky ligj është shumë i mirë, por gjithçka do të përcaktohet sa do jemi ne, sa do jetë opozita, sa do jenë qytetarët të aftë të shpëtojnë votën e tyre nga kthetrat e zeza të krimit qeveritar. Faleminderit!

Replika pas fjalës së Tahirit:

Me asnjë retorikë nuk zbardh dot llumin që përfaqëson dhe llumin nga vjen, nuk mbulon dot arrestimin në flagrancë të babait tënd, s’mbulon vrasjen e ortakut tënd dhe ti ishe i përzier në lojrat e fatit, në asnjë retorikë nuk mbulon dot Habilajt e tu supertrafikantë për të kaluar kufirin me drogë dhe pa drogë, në asnjë retorikë nuk mbulon dot lidhjet me Shullazin, nuk mbulon dot skafin. Je regjistruar në historinë e këtij vendi si i vetmi skafoministër. Pse nuk flet për skafin tënd? Do të sjellë unë dokumentet këtu. Më mirë thuaja historinë e skafit shqiptarëve. S’mbulon dot shpifjet për të cilat je dënuar në mënyrë të përsëritur nga Gjykata.

Si burracak ordiner fsheh pasuritë dhe flet ti për vendim Gjykate. Shkel ligjet e vendit për të mbrojtur pasuritë e tua të krimit. Të ka dënuar Gjykata në mënyrë të përsëritur për shpifje dhe trillime, shko e paguaj. Je dënuar nga të gjitha shkallët, nga gjashtë gjykatës si shpifës ordiner dhe fshihesh si mi i pakarakter, shko paguaj paratë, zbato vendimin e Gjykatës. Shfrytëzon parlmentin me dokrra. Flet ti për Gjin Gjonin që të ka dënuar në Vienë, se ky i ka dënuar Kolekën. Akuzave të tua monstruoze ju përgjigj me proces ligjor dhe jo si ti  burracak e frikacak, që përdor ligjin si bandit për të arrestuar dhe përmbaruesin që vjen të zbatpjë vendimin e gjykatës. Mos mendo ti se del këtu në platformë, mbi tapet të kuq dhe të duket vetja si ministër.Jo, jo. Je ti që fsheh dokumentet e Mark Frrokut me urdhër të Edi Ramën. Ti që arrestove me falangat e tua të krimit Bajraktarin. Je ti more ordiner që i shkove në qeli Durim Bamit. Kështu e mendon pushtetin ti. I njohur si i droguar, i njohur me tentativa suicidi, i njohur si i lidhur me të gjithë malavitën. Dhe del ti e flet këtu.

Së fundi, ky ligj është i gjymtuar. Pa testin e drogës ligji është i gjymtuar. Edi Rama është i droguar sipas shumicës së shqiptarëve. Ka dhe të tjerë që e përdorin absolutisht por nuk akuzohen.

Nëse e akuzojnë kot Edi Ramën, ai del fitimtar mo, mbi të gjithë. Del fitimtar dhe detyrohem t’i kërkoj falje publike. Por Edi Rama në çdo nivel që diskutohet, diskutohet si i droguar në overdozë. Ai rrotullimi i syve është tipik i përdorimit të substancave narkotike. Pyesni mjekët. Në momentin që droga bën efektin, nis rrotullimi i syve. Përse e refuzoni testin? Ai vjen këtu dhe bie në depresion sa s’gre dot kokën, me fotot që bëjnë xhiron e botës. Ai mbron veten e tij, se sa për këta i kishte çuar 10 herë me bo testin e drogës. E si ta votoj unë ligjin pa testin e drogës. Si mund të votoj kundër ndërgjegjes time. Unë e përshëndes por pa testin e drogës është i gjymtuar.

Bëhuni seriozë. Ua mban? Si do ta votoj unë ligjin pa testin e drogës? Si mund të votoj kundër ndërgjegjes sime? Unë e përshëndes, po pa testin e drogës, e konsideroj të gjymtuar.  A e kuptoni ju çdo të thotë kryeministër përdorues droge? Më shkruan një qytetar nga Kosova: a thua me të vërtetë që është? Ia reshtova të gjitha, por në fund i thashë: për ta vërtetuar, le të bëjë testin e drogës. Ne s’po kërkojmë test droge për Edi Ramën, por për të gjithë politikanët dhe deputetët. Po kërkojmë test droge siç bëjnë SHBA, sic para disa muaj në Parlamentin britaniuk u shtrua problemi. Kjo na nderon ne. Rruga e vetme është testi. Ndaj dhe a jeni burra? Ju sfidoj me testin e drogës. Unë kërkoj dhe një herë, ju bëj thirrje, të gjithë ata të cilët e konsiderojnë këtë ligj të rëndësishëm që të votojnë amendamentet e opozitës për testin e drogës.

Berisha: Balla, një çakall që leh!

Kreu i meduzës Edvin Krisqa Rama, i cili në dy vjet shndërroi krimin në institucionin suprem të qeverisjes së tij, mbrohet këtu nga çakej që lehin për mëkatet e tyre, mbrohet këtu nga individë delinkuent, që ky ligj u djeg deri në shpirt se vet ata janë të akuzuar direkt, janë akuzuar se janë ndaluar nga policitë kufitare të vendeve të tjera për trafik të qënieve njerëzore. Ka të tjerë që i kanë akuzuar për trafik të njerëzve më të afërt, por këto janë akuza. Mbrohet nga çakenj që janë këtu, të cilët janë të denoncuar zyrtarisht, si parafolësi, për përdhunim të një vajze me AIDS, të sëmurë, në një aferë në të cilën ëshë përzier dhe një mjek që ka lënë detyrën. Një delinkuent, i cili ka paguar, me shoferin e tij, euro për ti mbyllur gojën denoncueses. Mbrohet këtu nga çakenj që lehin, të cilëve drejtësia shqiptare, për gjuhën e horrit iu ka vënë damkën e shpifësit, i ka ndëshkuar dhe çertifikuar si shpifës. Dhe jo një herë por disa herë. Mbrojnë këtu, ata të cilët akuzonin për ato të cilat janë dënuar si shpifës, se Shkëlzen Berisha kishte Llotarinë Austriake, ka çuar motrën në Lloton Austriake, si zëdhënëse të marrëdhënieve publike të Llotos. Mbrojnë këtu ata horra, të cilët me paratë që vjedhin lënë nga 25 mijë euro në një dorë bixhoz, si gjënë më të paqënë. Mbrohet këtu nga horra, të cilët me paratë që vjedhin bredhin në resortet më luksoze të Europës dhe botës. Mbrohet nga ata të cilët, me parcelat e drogës po ndërtojnë parajsën e tyre, mbrohet nga ata të cilët i ka transportuar në makinë trafikantët kryesorë të drogës, klanin Qosja, mbrohet nga ata të cilët i ka vendosur në Polici. Mbrohet nga ata të cilët klani Hoxha i Librazhdit, një nga klanet kryesore të drogës, ndante trofetë me të dhe ky edhe pas goditjes që mori nga ky klan, instaloi pjestarë të tij në policinë e Librazhdit. Mbrohet nga ata të cilët kanë krimin ordiner, drogën, trafiqet, prostitucionin si bukën e tyre të përditshme. Por këta janë ushtarë, ndërsa bajlozi krimit është Edi Rama. është ai i cili ndërtoi këtu si institucion suprem krimin.

Opozita korr sot në mënyrë të padiskutueshme një fitore pasi pas një lufte dhe beteje një vjeçare, më të vështirën, beteja me krimin është beteja me djallin, por është betejë që opozita do ta bëj dhe ky është vetëm hapi i parë. Dhe i garantoj unë këta se ky është hapi i parë. Nuk është domethënia e madhe e tij me artikujt që prek. Domethënia e madhe e tij është me rezonimin që ka në Shqipëri dhe në mbarë botën. Kjo është domethënia më e madhe e tij dhe kjo u djeg shumë këtyre. E dëgjuat ju se si shprehte keqardhjen se si dënohen ata si ai? Që janë marrë me trafiqe, me përdhunime, që janë marrë me vjedhje nga mëngjesi deri në darke me tendera, që çojnë familjarët e tyre për të krijuar 3 kompani brenda javës. Sigurisht ky është vetëm fillimi, është hapi parë. Kjo është betejë e vështirë shumë, por një gjë është e sigurtë. Ata të cilët nxorrën këtu hanxharët e krimit, ata ikën, një pjesë se të tjerët janë. Edhe ata do ikin. Ju jeni të mundur nga forca e antikrimit të qytetarëve shqiptarë, nga vlerat morale. Ju jeni Bushër, ju jeni Rroshër, ju jeni Frrokër, ju jeni Shullazër, ju jeni Xhuvanër, ju jeni Parti krimi, ju jeni kriminelë, sepse i keni strehuar ata dhe mbani parlamentin një vit rresht në mbrojtje dhe avokati të tyre. Dhe keni pafytyrësi të dilni këtu dhe bëni apoteozën e tyre. Bëni apoteozën e vetes tuaj, jo të tyren. Sa herë të kanë kapur makinën në momente trafiku, të arrestuan tre herë mikun tënd më të ngushtë, të kanë rregjistruar me Qosen me targë e me të gjitha duke i dhënë pasaportën diplomatike dhe targën diplomatike trafikantit. Lufta me krimin është luftë me djallin por ne do ta bëjmë, lufta me krimin është lufta më e vështirë por ne do ta bëjmë, dhe absolutisht do qëndrojmë deri sa krimineli fundt të dali nga ky Parlament!


Fjala ne Kuvend e ish kryeministrit Sali Berisha, 26 Nentor 2015