Platforma për bujqësinë: Buxheti jo më pak se 100 milionë dollar në vit, i ndarë në dy pjesë, subvencione sipas sektorëve dhe eliminimi i çdo takse për fshatin, mbi naftën, mbi plehrat, mbi fidanët, mbi farat

Në  vijim të turit “Fjalën e kanë qytetarët” kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua me fermerë dhe banorë të fshatrave Shtiqen, Novosej  dhe Shishtavec. Zoti Basha është njohur nga fermerët me shqetësimet që kanë për të nxjerrë në treg prodhimet e tyre, dhunën dhe terrorin që ushtron policia ndaj tyre, sekuestrimin e ushqimeve për bagëtinë të cilat i blejnë tek fermerët prodhues të tyre. Një tjetër shqetësim që iu shpreh zotit Basha nga banorët e këtyre zonave është dhe mbajtja për një kohë të gjatë e bagëtive nëpër komisariate.  Banorët e Kukësit gjatë muajve të dimrit i shtegtojnë bagëtitë në vende me klimë të butë ndër të cilat është zona e Lushnjes. Por në këto dy vjet policia i shoqëron sistematikisht ne komisariat për verifikim, dhe pas verifikimit i mban aty bagëtinë deri në 40 orë pa ushqim dhe jo rrallë ka ndodhur që edhe të ngordhin.

Fermerë:  Fermerëve tanë iu është sekuestruar baza ushqimore,  është bërë bari që blejnë në Kosovë me doganë. Nuk kanë të drejtë të dalin fare në treg. Më keq nuk ka ku shkon ma. Populli është shumë shumë në mjerim. Unë si fermer jam marrë dhe çu në rajon me mallin tim (dele që çohen për të kaluar dimrin në Lushnje). Në momentin që jam verifiku kam qëndru edhe 40 orë në rajon.

Fermerë:  Qoftë dhe 200 litra raki apo diçka tjetër që e prodhojmë vetë s’ta merr lokali se thotë s’kam si e regjistrojë për faturat e TVSH-së.

Fermerë:  Para 3 javësh më është sekuestruar misri në Milot. 3 ton misër e kam ble në Thumanë. Ua kam blerë fermerëve të vegjël. 1 ton njërit, 500 kg tjetrit. E kanë sekuestruar dhe e kanë çuar në Shkodër dhe pse kam gjithë dokumentet se ku e kam blerë, dhe sa e kam blerë.

Fermerë:  Kena ra në hall për pataten për ta shit edhe s’na lënë me ra në pazar të Kukësit me patatet tona. Kemi shumë problem me policinë. Ma ngusht s’kemi ku shkojmë.

Një tjetër shqetësim ishte dhe vendosja e tarifave për ushqimin për bagëtinë që e blejnë në Kosovë. Sipas fermerëve kjo ndodh vetëm në doganën e Morinit dhe bëhet për hakmarrje politike.

Çmimi i  naftës ishte një tjetër shqetësim. Në Kosovë thanë fermerët naftë kushton më pak se 1 euro ndërsa në Shqipëri po arrin në 2 euro.  Çmimi i naftës është një prej premtimeve të pambajtura.

Fermerë:  Vetëm në doganë të Morinit kanë vënë tatim për barin që e blejmë në Kosovë. Në doganë tjetër jo.

Fermerë:  Kam kultivuar tash 4 vjet sherbelë. Nuk kemi pas problem deri para 2 vjetëve. Tash 2 vjet e këtej sherbela është bërë si kashta, se han as lopa, se s’ka treg  është e gjitha e pashitur.

Fermerë:  Rama kur erdhi në pushtet gënjeu fermerët duke u thënë se do tua bëjë naftën në 400 lekë dhe ua bëri 2000 lekë,  ne e patëm  më poshtë.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shpalosur platformën e demokratëve për bujqësinë e cila parashikon eliminimin e çdo takse për fshatin.

Basha: Skema që ne po shohim është skema e një buxheti jo më pak se 100 milionë dollar në vit, që me e nda në dy pjesë, subvencione sipas sektorëve dhe kryesorja që të jetë për të gjithë fermerët është eliminimi i  çdo takse për fshatin, mbi naftën, mbi plehrat, mbi fidanët, mbi farat.

Fshatrat Novosej dhe Shishtavec janë ndër më të prekurit nga eksodi. Shumë pak familje kanë mbetur dhe ata me sytë për tu larguar, pasi e shohin të pamundur mbijetesën.

Fermerë:  Kemi patate s’i shesim, kemi pirgja, kemi viça, nuk mund ti shesim, bimë medicinale s’i shesim dot na ndalon në rrugë. Njerëzit janë detyruar të ikin siç kanë ik në kushte ekstreme nëpër kampe në Gjermani.

Fermerë:  Puna e bujqësisë është skandal, nuk ka më keq. Mund të punojmë diçka po s’kemi shitje, s’kemi treg hiç.

Basha: S’vjen me e marrë njeri?

Tregtari:  Tani dhe tregtarët ngurrojnë shumë, kanë frikë. Unë vetë personalisht kam qenë në Prokurori për dy viça që kam shit, viçat e mi.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 6 Nëntor 2015