Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha u takua me banorë dhe fermer të Selenicës në vijim të turit “Fjalën e kanë qytetarët”.  Zoti Basha është njohur me situatën e rëndë që po kalojnë fermerët dhe banorët të cilët sot nuk kanë mundësi të përballojnë kostot për punimin e tokës të cilat janë rritur ndjeshëm. Ata e kanë të pamundur të marrin borxh pasi tregtarët nuk u japin se janë të detyruar të presin kuponin dhe kanë frikën e burgut. Përmbytjet e ndodhura pak kohë më parë u kishin shkatërruar të gjithë ushqimin e bagëtive disa fermerëve dhe deri tani askush nuk u kishte ardhur në ndihmë.

Fermer: Kam 13 dynym tokë nuk e mbjell dot. Vajta për supro, sot nuk ma ka dhanë njeri.

Basha: Pse nuk ta dhanë?

Fermer: Vajta me borxh, ky këtu duhet të të japë kuponin, dhe nuk më jep mua më borxh. Unë jam mbytur deri në grykë, ça do më japë më?!

Shitës: Na thonë që po nuk dhe kuponin do të të fusim në burg. Ky zotëria vjen e merr me listë. Tani t’i jap unë kupon apo mos t’i jap kupon, apo të vete unë në vend të këtij në burg.

Tregtare: Unë kam 30 milionë lekë pa mbledhur, e kujt t’ia kërkoj? Ai doli kërkonte listat kur ishte në fushatë, sa mori pushtetin,  mashtrues s’kish më ku të vente. Premtoi  se do të binte Perëndia në tokë. Ku e ka ai? Të gjithë e ktheu së prapthi dhe e hëngrën njerëzit. Thotë tani s’keni parë ju gjë akoma, çfarë do të shikojmë, ja fukarai i pagoi të gjitha.

Taksist: Rruga e Gjibardhës na është bërë gangrenë. Na kanë gënjyer gjithë kohës, do të behët sot, do bëhet mot. Hajde investitor dil në televizor dhe po bëhet vetëm në televizor, vetëm në ekran.

Basha: Këta që u kërkojnë kuponin  për një kilogram qepë fshatarëve, këta vjedhin ditë për ditë 1 milionë  dollarë në Dogana e Tatime. Ku i vjedhin? Me naftë  e cigare kryesisht, mallra të akcizës.  Me paratë që ju marrin nga xhepat tuaj, përfundojnë në xhepat e tyre, ne do t’i kthejmë në xhepat tuaj. Vetëm me uljen e taksave ne do t’i kthejmë shqiptarëve 500 milionë euro në vit.

Fermer: Taksa doganore është rritur 40%  nga vjet me sivjet i kam me faturë. Lëndë e parë soja 130 mijë lekë  toni,  20 ton 2 milionë e 600 mijë lekë, 10 herë në vitUnë prodhues derrash jam.  Ça shes unë, drogë që ta marrin këta?!

Fermer: Na mungojnë farërat elitë, janë zhdukur dhe sjellin farërat më të degraduara që nuk po marrim asnjë lloj rezultati. E merr në degë të farërave misrin dhe nuk mbin asnjë kokërr.

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka njohur me programin për bujqësinë e cila parashikon një buxhet prej 100 milionë dollarësh, buxhetin më të madh të planifikuar deri më sot. Aktualisht buxheti për bujqësinë është vetëm 5 milionë dollarë.

Ne parashikojmë:

  1. Buxhetin më të madh për bujqësinë që ka patur ndonjëherë ky vend. Sot e ka 5 milionë, ne do ta çojmë në 100 milionë. 100 milionë dollarë vetëm për bujqësinë. Nga të cilat  40 milionë siç i kemi llogaritur ne, do të përdoren për të zeruar  taksat për fshatin. Kjo do të thotë që fidanët, farat, plehrat, naftën do t’i paguani pa taksë pa akcizë.
  2. Do të forcojmë kontrollet. Mos të vijnë mashtruese këtu, Kokëdhimat e farave dhe fidanëve dhe t’ju shesin ju mall kallp.
  3. Të gjithë fermerët do të kenë mundësi të shesin produktet e tyre në tregjet e fermerëve kudo nëpër Shqipëri, pa i ra në qafë askush dhe pa NIPT.
  4. Kamatëvonesat do te falen pa diskriminim të gjitha, konsumatorët, fermerët në qytet, në fshat dhe biznesi.

Banorët kanë shprehur shqetësim dhe për sa i përket rritjes së çmimit  të energjisë elektrike dhe abuzimit me faturat aforfe që u vijnë banorëve të Selenicës, dhe ku energjia u është ndërprerë nga OSHË.

Qytetarët:  Edhe Enver Hoxha të jepte 3 mijë lekë në muaj dhe 100 lekë paguaje drita, sot ai të merr 80 mijë lekë drita dhe të jep 100 mijë lekë. 200 lekë më ngelën mua.

Qytetarë: Kam 6 muaj, jam pa drita më kanë prerë dritat  dhe më vjen çdo muaj e verifikoka 25 mijë lekë fature.

Basha:  Të mblidhemi bashke  dhe me të gjitha mjetet t’ia shkurtojmë ditët kësaj qeverie. Të rrëzojmë e ta çojmë vendin  në një rruge tjetër, përndryshe këta do ta zbrazin vendin.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 16 Nëntor 2015