Saimir Tahiri vazhdon të ndajë makinën e tij private me Habilajt që sipas oficerit të lartë të anti-drogës Zagani, kryejnë trafikun më të madh të Drogës në zonën e Vlorës.

Që trafiku të jetë edhe më i sigurtë, Tahiri ka vënë në dispozicion të bandës edhe shefin e kufirit të Dhërmiut.

Fakte dhe prova tronditëse kemi publikuar në mënyrë të përsëritur.

Makina private e ministrit përdoret nga banda kur ata kanë mall për të kaluar, e më pas përdoret nga Tahiri kur shkon me pushime.

Kjo e vërtetuar disa herë nga sistemi TIMS

Dreka dhe darka e lidhje të ngushta të Habilajve me shefin e kufirit të Dhërmiut pikërisht të zonës ku magazinohet droga e bëhet gati për tu nisur për Itali.

Anti-mafia italiane e shqetësuar për volumin e madh të narkotikëve që shkon andej nga Shqipëria.

Shtypi Italian i tronditur nga akuzat që rëndojnë ndaj ministrit të brendshëm shqiptar.

E megjithatë, për Saimir Tahirin asgjë nuk ka ndodhur.

Ai vazhdon prej 36 ditësh të qëndrojë në detyrë, edhe pse është provuar publikisht se ka lidhje me bandat e drogës, edhe pse është ministri i brendshëm më i diskredituar në rajon e më gjërë.

Edhe për Edi Ramën asgjë nuk ka ndodhur, ai vazhdon të jetë krenar për bëmat e Saimirit të tij.

Ndërsa në realitet, droga ka pushtuar vendin, krimi fiton terren çdo ditë, trupa e punonjësve të policisë dhe oficerëve kanë ulur kokën, pasi kanë mbi krye një ministër që qeveris me krimin, me bandat.

Kjo është situata dramatike ku kemi mbërritur.

Nuk mban më.

Tahiri duhet të largohet një orë e më parë, inkriminimi i tij është një barrë për vendin për qytetarët, për rendin dhe sigurinë.


Deklarata për mediat e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Arben Ristani, 7 Tetor 2015