Tani që bomba e CEZ-it ka shpërthyer, Edi Rama është hedhur në sulm për të mbyllur çdo rrugë që të çon tek drejtësia.

Kur ne kërkojmë hetim ndërkombëtar sepse në aferën e vjedhjes së 600 milionë eurove janë përfshirë kryeministri, kryetari i parlamentit, pra njerëzit më të pushtetshëm në vend para të cilëve prokuroria jonë zor se do të qendronte në këmbë, Edi Rama thotë se jemi vend sovran.

Kemi institcionet tona thotë Edi Rama, dhe mbyll kështu një rrugë që të çon tek drejtësia.

Kur vjen puna tek institucionet tona, meqë jemi vend sovran, nëse këto institucione guxojnë të bëjnë punën e tyre ato bëhen objekt sulmi skandaloz. Kontrolli i Lartë i Shtetit verifikoi dëmin që Edi Rama ka shkaktuar me marrëveshjen që bëri me firmën çeke, dhe shihni çfarë ndodh. Prej asaj dite KLSH është nën goditje të vazhdueshme prej kryeministrit.

Pse? Sepse edhe kjo rrugë që të çon tek drejtësia, dhe duhet mbyllur.

A do të sulmohej KLSH nëse do të mendonte si Edi Rama. Nëse do të mbyllte pazarin e tij, a do të goditej ky institucion. Jo aspak. Ashtu ne do të ishim vend sovran. Por kur KLSH bën detyrën e mbron interesat e vendit, atëherë shpallet armik i popullit.

Letrat janë aty. Provat e faktet janë aty.

600 milionë euro, detyrime të pranuara nga vetë kompania CEZ, që iu falën, dhe më keq, u ndanë me kompaninë çeke nga Edi Rama.

Po nëse do të guxonte një prokuror të bente detyrën, ta çonte përpara procesin. Eshtë e qartë se çfarë do të ndodhte. Edi Rama do ta shpallte armik të popullit, siç po bën me KLSH-në. Ai po i jep mesazh çdokujt që guxon të bëjë detyrën sipas ligjit, që të heqë dorë.

Nuk do drejtësi Edi Rama për aferën më korruptive të historisë së vendit.

Me çdo kusht nuk do drejtësi.

Të gjithë e kuptojmë qartë pse ndodh kjo, pse Edi Rama gjendet në këtë ditë ku e kanë zënë ethet nga drejtësia.

Sepse është fajtor, është i përfshirë vetë, këmbë e krye.

Po të ishte për damianët e tij, tani që kjo çështje po rëndon shumë, ai do ti kishte hedhur këta zëdhënës të paktit kriminal, si bagazhet e tepërta, e vetë do të shpëtonte.

Madje, me gjasë do bënte dhe burrin e mirë, e do thoshte të bëhet drejtësi.

Por se bën dot, sepse kjo vjedhje e shqiptarëve ka emrin e tij. Kjo megaaferë ka firmën e tij, vulën e tij.

Çdo hetim do ta merrte me vete. Eshtë zullum i madh, është mëkati më i madh financiar që i është bërë vendit. Damianët do flisin, dhe në rrokullisjen e tyre marrin me vete dhe padronin.

Drejtësia për këtë çështje është fundi i Edi Ramës.

Dhe ai po bën gjithçka për të mbyllur drejtësinë.

Nuk pranon kërkesën e opozitës për hetim ndërkombëtar, ju e dini se nuk e futi sërish në kalendarin e punimeve të Kuvendit.

Për këtë, iu ul edhe një herë në gjunjë Ilir Metës.

Nga dëshpërimi thirri në ndihmë një kopje të damianit, një kopac që çuditi europën kur tha se CEZ ishte kuçedra që i kishte zënë grykën të ardhmes së vendit, që kishte në dorë statusin e vendit kandidat.

U përgenjështrua 3 herë kopaci i Ramës. Nga Republika Ceke dhe nga Bashkimi Europian. Pra nuk ishte çështje statusi e integrimi, ishte pazar.

Tani sulmon KLSH-në.

I bën presion prokurorisë.

Dhe rrëzon kërkesat e opozitës për hetim ndërkombëtar.

Pra po e shpall veten të pahetueshëm.

Edi Rama po na thotë se paska një imunitet ekstra, se nuk bën të ketë dyshime mbi të, dhe nuk bën të ketë drejtësi mbi të. Paska zbuluar kështu se qenka i dërguari i të plotfuqishmit, dhe e di ai se çfarë bën me paratë e shqiptarëve, kujt ia jep, si i ndan. Eshtë puna e tij.

Siç po bën në çdo drejtim, çdo ditë.

Ky spaçator tenderash, që i vë gishtin fituesit para se të nisin procedurat.

I jep ndërtuesit të sarajeve të tij çdo tender, carapulët e tij marrin të gjitha paratë dhe mundësisht shfaqen me ofertën më të lartë që të mos kursehet asnjë qindarkë.

Këtë po bën në shendetësi e kudo. Vjedhja e zhvajtja është kthyer në epidemi. Ministra që fitojnë me kompanitë e tyre 28 tendera në 22 muaj. Lamja që merr qindra milionë lekë për një produkt që tashmë ekziston. Ministri tjetër që ruan linjat e drogës. Kontrabanda gëlon.

Dhe në krye, Edi Rama, që nuk do drejtësi.

I druhet drejtësisë si temjanit.

Partia Demokratike nuk do ta lejojë.

Ka një forcë madhore të cilën nuk e urdhëron dot Edi Rama. Eshtë bashkimi i qytetarëve dhe kërkesa për drejtësi. Ky është sovrani që nuk mbyllet dot zyrave me urdhër. Aty do të shkojë çështja, tek sovrani. Paratë do të gjenden, do t’u kthehen qytetarëve, dhe ligji do veprojë me gjithë pushtetin e tij mbi përgjegjësit.


Deklarata për mediat e nënkryetarit të Partisë Demokratike, Edi Paloka, 17 Tetor 2015