Drejtuar:    Erion Veliajt

Kryetar i Bashkisë së Tiranës

Në shkelje flagrante të të Drejtave Themelore të Njeriut, dhjetra familje rome po dëbohen me forcë nga Liqeni Artificial, pas një urdhëri të Kryetarit të Bashkisë Tiranë. Në cilësinë e Kryetares së Komisionit për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë në Parlamentin e Shqipërisë kërkoj të anulloni vendimin për shpërnguljen me dhunë të 44 familjeve nga zona e Parkut Kombëtar në Tiranë, deri në gjetjen e një vendstrehimi të përshtatshëm dhe të mirëpritur nga vetë komuniteti rom dhe egjiptian.

Në këtë korrespondencë zyrtare, shpreh shqetësimin për deklaratat raciste të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, një vepër penale e sanksionuar në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Qëndrimet raciste të Kryetarit të Bashkisë Veliaj janë antikushtetuese dhe shkelin angazhimet e Shqipërisë në institucionet europiane për trajtimin e barabartë të të gjithë personave dhe luftimin e racizmit, ksenofobisë, antisemitizmit dhe intolerancës.

Dhjetra familje rome dhe egjiptiane përjetuan këtë javë shpënguljen barbare në presion psikologjik dhe policor, ku u përfshinë edhe inspektorët e IKMT-s.

Në aksionin racist me polici e fadroma u përndoqën edhe këshilltarët e djathtë, të cilët ngritën zërin në mbrojtje të të Drejtave të Komunitetit Rom dhe Egjiptian, të shpërngulur me forcë.

Në një foto mesazh, që bëri xhiron mediatike pak ditë pas betimit si ministër i Mirëqënies, ju shfaqeni me një fëmijë rom, të cilin e mbani në krahë. Ndërsa sot, ky fëmijë dhe familja e tij me urdhërin tuaj janë dëbuar kushedi se ku, për një të ashtuquajtur “Masterplan gjelbërimi”, në kundërshtim edhe me vendimin e lobuar nga ju në qeveri për ndalimin e projekteve të zhvillimit të qyteteve në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në mbështetje të reagimit të Avokatit të Popullit dhe Amnesty International, lëvizjes globale në mbrojtje të Drejtave të Njeriut, kërkojmë të sqarohen rrethanat e këtij aksioni racist të ndërmarrë nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Kërkojmë informacion se ku kanë përfunduar familjet e rome dhe egjiptiane, të debuara me forcë nga zona e Liqenit Artificial.

Ndërkohë Parlamenti dhe institucionet përgjegjëse qeveritare duhet të angazhohen në plan veprimin për ofrimin e një zgjidhje të qëndrueshme të strehimit, punësimit dhe ofrimit të shërbimeve të munguara për komunitetin rom dhe egjiptian.

Parlamenti është shtëpia e të gjithë shqiptarëve, të cilët meritojnë trajtim të barabartë . Respektimi i të Drejtave Universale të Njeriut është më së shumti detyrë e institucioneve qeveritare dhe bashkiake.

Sigurisht që shembullin e parë si Kryebashkiak z. Veliaj e dhatë në një model aspak evropian dhe qytetar.  !


Letër e hapur drejtuar kryetarit të Bashkisë së Tiranës nga kryetarja Komisionit Parlamentar për Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, Albana Vokshi, 16 Tetor 2015