Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha po merr pjesë në Kongresin e Partive Popullore Europiane (EPP) që zhvillohet në 21 dhe 22 tetor në Madrid, Spanjë

Në këtë kongres ‎do të trajtohen një gamë e gjerë e sfidave me të cilat përballet Europa sot, nga siguria tek rimëkëmbja ekonomike. Kongresi do të fokusohet në politikat e jashtme dhe ato të sigurisë të tilla si migrimi dhe lufta kundër terrorizmit, si dhe çështje të një rëndësie të madhe në axhendën europiane si rritjen, punësimin, një treg dixhital të përbashkët, ndryshimet klimatike dhe partneritetin midis Europës dhe SHBA.

Kongresi do të zgjedhë drejtuesit e rinj të PPE,  Presidentin, zv/presidentët, Sekretarin e Përgjithshëm.

Për herë të parë Partia Demokratike e Shqipërisë merr pjesë si anëtare me të drejta të plota e PPE-së dhe do të ushtrojë të drejtën e votës.

Në kongresin e PPE-së Madrid do të ketë rreth 3.000 pjesëmarrës, mes të cilëve  750 delegatë, krerë  shtetesh dhe qeverish anëtare të BE-së, si kancelarja Angela Merkel (Gjermani), kryeministrat Mariano Rajoy (Spanjë),  Bojko Borisov (Bullgari), Viktor Orban (Hungari), Pedro Passos Coelho (Portugali), Laimdota Straujuma (Letoni), etj. Po kështu marrin pjesë Presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, Presidenti i Këshillit Europian Donald Tusk.

PPE është grupimi  më i madh dhe më me ndikim në nivelin europian. PPE ka 75 parti anëtare nga 40 vende. Nga radhët e saj janë zgjedhur kryetarët e Komisionit Europian dhe Këshillit Europian. PPE ka dhe  grupin më të madh në Parlamentin Europian.


Njoftim per shtyp i Partise Demokratike, 21 Tetor 2015