Përkujtohet në ditën e lindjes Mbreti Zog. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, Princi Leka drejtues të Partisë Lëvizja e Legalitetit  e qytetarë janë perulur me nderim përpara varrit të Mbretit Zog.

Në mesazhin e tij, zoti Basha ka theksuar se ky është një rast për të vlerësuar se sakrifica dhe vepra për kombin nuk vdes kurrë.

“Përkujtimi sot i ditëlindjes së lartëmadhërisë së tij, Mbretit Zog është një rast fatlum për të kujtuar se sakrifica dhe vepra për kombin nuk vdes kurrë, nuk shuhet kurrë, e nuk zhbëhet, as nga intrigat e vogla, as nga persekutimet e mëdha, si ato dhjetëra vjeçare që mbarti mbi shpinë Mbreti i Shqiptarëve Zogu i Parë dhe familja e tij, nga regjimi komunist.

Mbreti Zog ka hyrë në historinë tonë kombëtare dhe në historinë botërore si reformatori i madh, njeriu që hodhi themelet e shtetit shqiptar e që qëndroi me një kurajo të madhe para tallazeve të kohrave më të vështira të shekullit XX-të, të tallazeve të fashizmit dhe të komunizmit. E bëri këtë sepse në shpirtin e tij vlonte pasioni i pashuar për ti shërbyer trojeve arbërore, shqiptarëve dhe Shqipërisë.

Ndaj përkulem sot me nderimin më të madh para Mbretit Zog dhe veprës së tij të pashueshme! .

Nderim përjetë Zogut të Parë, Mbretit të Shqiptarëve!”, tha Basha.