Rruga e përshkruar nga ky projekt ligj për të ardhur në shqyrtimin e sotëm  eshte shembull tipik, tregues i qartë i arrogancës tashmë emblematike të kësaj mazhorance.

E bëtë një herë projektligjin dhe u shqyrtua në komisionet parlamentare. Mori nga opozita të gjitha vërejtjet shumë konstruktive lidhur me faktin se ligji ishte anti kushtetues në pjesët që i hiqte kompetencat Presidentit të Republikës,

Ju qendruat të shurdhër, nga një vesh ju hynë argumentet e opozitës dhe nga tjetri ju dolën.

Erdhëm në seancë plenare, ne të opozitës i përsëritëm edhe një herë argumentet tonë, por ju qëndruat të palëkundër në arrogancën tuaj.

E ktheu ligjin presidenti, bëri edhe ai vlersimet, argumentet,  analizat ligjore, por jo or jo shkëmb graniti rilindasit, e miratuat ligjin duke shkelur kushtetutën.

Përfundimisht  Gjykata Kushtetuese konstatoi antikushtetushmërinë e ligjit dhe ja ku jemi përsëri sot për të miratuar një ligj qe mund të kishte hyrë në fuqi që përpara disa muajve duke kursyer edhe mundin dhe kohën e vlefshme të deputetëve, Presidencës dhe gjyqtarëve.

E pse e gjitha kjo? Sepse ju, mazhoranca jeni arrogantë dhe ky shembull që kemi përpara sot e tregon fare fare qartë.

Në fakt arrogantë unë e them për delikatesë sepse këtu votojnë vrasës, trafikantë të cdo lloji,  deri edhe prostitucioni, grabitës dhe hajdutë.

Ndërkohë që projekt ligjet përgatiten nga një tufë qeveritarësh turkoshakë, të paaftë dhe arrogantë, që e vetmja gje qe dinë të bëjnë, është të gërhasin rehatshëm nën zhurmën e mizave.

Sipas kryeministrit, që ndërkohë e sheh veten si zysha e kësaj turme, (normale do ishte ta shihte veten si profesori apo mësuesi, pra mashkull, por ai e di më mirë, e sheh veten si zysha), pra sipas kryeministrit, qeveritarët tanë janë sot një ekuipazh drejtim i humbur.

Sipas meje këta qeveritarë e kanë një drejtim që nuk e humbasin kurrë, madje e kanë drejtimin parësor, drejtimin e vetëm, drejtim në të cilin punojnë dhe i përkushtohen cdo ditë kur dalin në zyrë.

Këta qeveritarë mendojnë cdo ditë dhe punojnë cdo ditë vetëm për të mbushur xhepat e tyre, për të vjedhur popullin dhe për të krijuar pasuri maramendëse.

Vetëm kreu i kësaj qeverie, thuhet nga raporti i OSBE se ka akumuluar më shumë se 200 milion euro pasuri të ruajtur jashtë Shqipërisë.

Nga ana tjetër, për shkak të politikës antipopullore të kësaj qeverie, për shkak të taksave të rritura, represionit ndaj biznesit, dajakut ndaj të pamundurve, papunësisë, mungesës së rendit dhe sigurisë, shqiptarët po vuajnë ditët e tyre më të këqia, të cilat kanë sjellë si pasojë vetvrasje të shumta dhe emigracion masiv. Emigracion i cili e rendit sot Shqipërinë të dytën pas Sirisë nga e cila njerzit ikin për shkak të luftës.

Sot Rama dhe Meta që drejtojnë maxhorancën, kanë goditur edhe themelet e organizimit demokratik të Shqiptarëve duke derrmuar standartet e zgjedhjeve. Duke kthyer Shqipërinë së paku mbi 10 vjet prapa. Këta oligarkë pikërisht për shkak të babzisë së tyre përdorin pushtetin për të bërë para dhe paratë për të blerë pushtet.

Për më tepër trafiku i drogës është identifikuar si biznesi kryesor i bandave të krimit të lidhura me qeveritarët.

Shqiptarët po i vuajne cdo ditë në kurriz zullumet pa fund të këtyre turkoshakëve, të paaftë dhe arrogantë në qeverisje por të paepur dhe të vendosur për të mbushur xhepat e tyre.

Sigurisht fytyra e vërtetë e kësaj bande në pushtet del në pah tek kriminalizimi i gjith shtetit dhe tek veprimtaria sidomos e ministrit të rendit si një nga përgjegjësit kryesor për trafikun  skandaloz të drogës.

Ky ministër, besoj më tipiku i turkoshakëve të paaftë dhe arrogant, i ka shpëtuar sot policët si subjekt barcaletash, pasi ka sjellë veten në qëndër të tyre.

Ndërhyri halldupce në emisionin televiziv dhe nxori veten zbuluar duke u përpjekur ti ikë akuzës se makina e tij, e famshmja AA003GB është makinë që ju jepte imunitet narkotrafikantëve.

Lexova diku që me humor shpreheshin “dëshironi që pakoja juaj të shkojë shpejt dhe e sigurt në destinacion? Zgjidhni jo FEDEX, por AA003GB.”

Për më tepër, ju sjell shqiptarëve pak buzëqeshje ne keto ditë të zeza kur ministri deklaron se ua ka  bërë trafikantëve rrup – sup nga toka dhe nga deti dhe ata tani kanë filluar e përdorin avionët nga ajri për të kryer trafikun e drogës.

I tmerruat fshatarët duke i ndjekur në cdo cep pallati dhe duke ju sekuestruar papaqët e parregjistruar me të cilët ata transportojnë ca tufa majdanosi, ose lini nam duke arrestuar berberë, ndërkohë që e gjith Shqipëria është mbjellë me kanabis, ndërkohë që laboratorë të sofistikuar kokaine ngrihen në mes të vendit dhe avionë që transportojnë drogë qarkullojnë nga Saranda në Kukës.

Edhe Devolli lajmërojnë mediat ka filluar të mbjellë kanabis në vend të mollëve e të patateve. Apo kalivaci ku parcelat e Krenarit lulzojnë edhe në mbrojte nga policia.

Më tregonin për një shef krimesh të pushuar nga puna sepse i thanë “shko e pri nja 100 rrënjë sa për tu dukur dhe ai preu afro 1000”

U mburrën dhe rahën gjoksin Rama dhe Tahiri se do të kontrollonin të gjithë teritorin në 300 ditë, por kaluan edhe 400 ditë pas 300 ditëve dhe shiheni si gjelbron Shqipëria nga kanabisi.

Përpiqeni tu lani trurin shqiptarëve me sloganet “do bëjmë shtet”apo “po vjen era shtet” dhe veprimtarinë tuaj shtetbërëse e bazoni te dajaku ndaj të pamundurve duke i lënë pa punë, pa ujë, pa drita, duke u prishur shtëpitë dhe së fundi edhe kishat dhe duke ndërtuar bunkerë gjigantë në mes të Tiranës.

Cështja është clloj shteti duan shqiptarët?

Shtet kishte edhe Enver Hoxha, shtet thonë se po bëjnë edhe ata të ISIS.

Clloj shteti mund të dinë të ndërtojnë turkoshakët e paaftë dhe arrogantë të Ramës?

Atë lloj shteti që lejon Ramën të ushtrojë pushtetin e tij personal dhe të pakufizuar.

Këtë lloj shteti që të mund ta përdorësh për të mbjellë terror e panik me qëllim të nënshtrosh e t’i mbyllësh gojën çdokuj. Me qëllim që ti ngordhësh nervin e protestës dhe ti vrasësh shpresën.

Jo më kot përmendet burgu në çdo ligjëratë. Jo më kot ndërton bunkerë, prish kisha dhe nuk le rast pa na nxjerrë edhe Enverin dhe lugetër të tjerë.

Sot ky shtet që vjen erë është kthyer në barrë e jo në shërbim të shqiptarit.

E padëgjuar në një vend demokratik që ish të persekutuarit nga regjimi komunist që protestojnë kundër rilindjes së simboleve të diktaturës, të arrestohen prej gjoja rilindasve që drejtojnë një vend demokratik.

Për të përfunduar demokracia është tendencë dhe Partia Demokratike do të mund ta rifusë Shqipërinë në rrugën e shvillimit.

Nderkohë mundohuni vidhni më pak dhe largohuni nga rruga e krimit se askush ska parë hajër nga ky drejtim.


Fjala në Kuvend e deputetit të PD, Arben Ristani, 23 Shtator 2015