Të nderuar kolegë

Jo rastësisht sot gjykojmë dy projektligje që në gjykimin tim personal por edhe të gjithë opozitës dhe opinionit publik, qeveria nxitoi t’i kalojë përpara se të merrte pushimet zyrtare. Projektligje që lidhen me çështje kardinale si ai i Arsimit të Lartë por edhe me çështje të një rëndësie të veçantë për ekonominë e vendit, si Ligji për Turizmin.

Ato janë në një farë mënyre edhe pjesë e moralit qeverisës në këto tre vjet, bëjmë sikur dëgjojmë, bëjmë sikur ju marrim mendim dhe në fund bëjmë me kokën tonë. Në fakt, në një vend normal për këto dy çështje opozita dhe maxhoranca duhet të bien dakort, por sigurisht që kjo nuk ndodh këtu. Mund dhe ti kishim miratuar këto dy ligje me konsensus, ashtu sic në fakt opozita e sotme ndryshe nga ju ka bërë më shumë ligje të tjera, për të dhënë garancinë e zbatimit me sukses të tyre. Por jo!

Jashtë kësaj salle, ndodhen studentë dhe pedagogë të cilëve juve nuk keni guximin t’u dilni përpara. Madje nuk keni as guximin për t’u thënë se jeni peng i një procesi të komanduar nga individë dhe biznesmenë, siç nuk keni as guximin për të pranuar se ajo gjoja lufta ndaj kioskave universitare nuk qe vetëm se një fasadë. Një fasadë për të mbuluar katrahurën që po vulosni me këtë projektligj, vdekjen e Arsimit të Lartë dhe mendimit të pavarur, duke u fshehur pas disa batutave bajate që i kopjoni fije e për pe nga kryeministri.

Në fakt, sot mu desh t’i thoja dy fjalë të paktën për ata studentë që janë jashtë e për kolegët e mi pedagogë, të cilët të shumtë më mbështetën në seancën e kaluar. Sot pa dyshim ndjehem e lehtësuar sepse Ligjin e Arsimit të lartë e kisha analizuar dhe kuptuar sicc duhet, e kam përshtypjen që sot ky diskutim tregon që të vetmit që nuk e kishin lexuar e kuptuar sic duhet ishte qeveria, me në krye Ministren!

Për t’u kthyer tani tek Ligji i Turizmit, që besoj se rikthimi nga ana e Presidentit i jep mundësinë mazhorancës të reflektojë e të kuptojë se kush janë problemet reale të turizmit. Megjithëse si shumica e ligjeve të tjera të mbërritura në këtë sallë gjatë këtyre dy viteve, edhe ky tregon vizionin e cunguar që qeveria ka për turizmin, për investimet strategjike dhe raportin e tyre me pronën private dhe me pronën publike.

Na takon ne që t’i kthejmë përgjigje pyetjeve se si duhet të veprojmë që turizmi të përkthehet në më shumë para për ekonominë. Se si duhen adresuar dhe zgjidhur problemet reale. Pastaj të përpiqemi të kuptojmë  A zgjidh ky ligj problemet që kanë sot investitorët në këtë fushë, apo thjesht është bërë për të ndihmuar klientin e rradhës? Çfarë duhet të bëjmë ne, që të tërheqim investime të huaja në turizëm, që të paktën të vlerësojmë atë që na ka falur e bekuar Zoti e ka prishur njeriu?  Por, përpara se të nisim këtë punë duhet të kuptojmë se fillimisht duhet të ndahemi nga koncepti i gabuar për ta trajtuar ccdo gjë të shtetit e të tjetrit si placckë. E pikërisht, mosreflektimi i kësaj ccështje ka sjellë si pasojë këtë ligj që thellon hendekun, formalizon grabitjen e radhës të pronës, e abuzimin me një të drejtë kushtetuese që është bazike dhe parimore në të drejtat e njeriut.

Këto janë disa cështje, që besoj kërkojnë reflektim. E mbas këtij sezoni veror, ku turizmi vuajti më shumë se kurrë, ku shteti dështoi të ofrojë dhe atë që është bazike për të jetuar, sigurisht që në duhet tia bëjmë këto pyetje vetes.

Të thuash që ky ligj do të ndryshojë fytyrën e vendit sa i takon turizmit është si të pretendosh që ke gjetur formulën e suksesit ekonomik në vendin tonë.

Ndërkohë që javën e shkuar diskutuam në këtë sallë aktin normativ me gati dy ministra e pak, u kuptua që ai entuziasmi fillestar se juve do të bënit mrekullinë kish rënë. Për këtë nuk mund t’ju vë faj, sepse të dhënat fiskale janë përherë e më shumë dekurajuese, mirëpo problemin nuk e kanë shifrat. Ato pasqyrojnë vetëm se realitetin e vendit apo akoma më mirë ato janë projeksioni i vizionit tuaj mbi ekonominë. Që për fatin tonë të keq është në drejtimin e gabuar!

Në po të njëjtën qasje është edhe vizioni juaj mbi turizmin, duke qenë se ligji i paraqitur përpara gushtit dhe i kthyer nga presidenti përmbush të gjitha kushtet për të qenë një ligj i bërë “shkel e shko”! Që të përpiqesh të diferencosh vendin tonë, në një rajon si ballkani ku turizmi ka qenë i zhvilluar tek fqinjët para nesh, duhet natyrisht që të kesh një ekonomi të shëndoshë dhe pastaj një vizion të qartë fiskal.

Përndryshe, investimet në turizëm nuk mund të vijnë vetvetiu. Mirëpo, në mungesë të ekonomisë së shëndoshë që falë taksave të larta po mbytet dita ditës, qeveria ka zgjedhur që problemin e investimeve ta zgjidhë përmes rrugëve të tjera qofshin këto edhe antikushtuetuese.

Kjo shpjegon edhe arsyen se përse nuk kemi asnjë diferencim të biznesit sa i takon taksave dhe tatimeve, që një qeveri do të nxitonte ta bënte në një rajon si ky i joni, por kemi një qeveri që vendos t’i rrëmbejë pronën private për t’ia falur investitorit strategjik. A thua se problemi i investitorit në vendin tonë ka mbetur tek prona dhe zhvillimi i saj. Po si mund të vijnë investimet e huaja në Shqipëri kur nuk ekziston siguria minimale juridike, kur paketa fiskale ndryshon e rritet ccdo vit e varet nga humori i KM, kur qeveria vendos të ndërpresë kontratat vetëm se i ka bërë paraardhësi. Si mund të vijë kur nuk respektohet prona private! Cili investitor mund të vijë duke i grabitur pronën pronarit kur nesër mund të jetë ai që i grabitet prona!

Por atëherë përse qeveria është kaq e interesuar sa të hartojë jo një Ligj, por dy, këtë dhe atë të Investimeve Strategjike, për të ndërhyrë në një marrëveshje ndërmjet privatëve?

Me sa duket, juve si qeveri duhet të keni një problem me pronën private dhe sjelljen ndaj saj. Nuk më duket e rastësishme kjo sjellje përndryshe në këto  tre vjet qeverisje nuk do të kishit marrë VKM që do përgjysmonin tokat për kompensim. As nuk do t’i kishit shpenzimet për pronarët në 82% më pak se viti i shkuar dhe 473 mln lekë më pak se sa 2013.

E askush nuk ka më iluzione  për këtë. Ligji i Investimeve Strategjike e përforcon, Ligji i Turizmit e përfocon, Ligji për Pronat e përfocon, luftë kulakëve!

Një ligj, që ashtu si dhe ai i arsimit, antikushtetues, duke rënë qartazi ndesh me nenin 4 të Kushtetutës, të drejtën e pronës!

Por mbi të gjitha, nuk është se i jep ndonjë vlerë të veçantë turizmit. Duke qenë se problemet e një turizmi të vakët në vend nuk vijnë si pasojë e mungesës së investitorëve seriozë që vijnë këtu se nuk bien dakort me pronarët, por në mungesën e një shteti serioz që t’i tërheqë ato. Deri më sot, të rrallë janë ato pronarë që nuk kanë dëshiruar të zhvillojnë pronën e tyre konform një plani të caktuar apo një marrëveshje tregtare. Duke qenë se është pronari i pari që dëshiron që toka e tij të marrë një peshë dhe një vlerë në një ekonomi tregu.

As një investitor privat nuk mund të vijë aty ku shteti nxjerr jashtë lojë pushtetin vendor. Ku bëri një reformë territoriale për të ofruar shërbime më të mira e i heq pushtetit vendor ccdo kompetencë, dhe nga ato që kishte më parë, e ku të gjithë duhet të falen te ministri.

Të cilit me ligjin e ri i keni varur në qafë mëlccitë dhe i keni dhënë disa fonde reklamimi a thua se se do të zgjidhin hallet e kësaj fushe. Problemet e turizmit nuk mund të zgjidhen nga fonde ministrore apo kryeministrore që do të merren me reklamime sepse përndryshe turizmi jonë do të përfundojë si stenda e vendit tonë në Expo Milano. Apo akoma më keq do të jetë një ushqim për makinerinë e KLSH-së dhe abuzimeve që u është bërë këtyre fondeve këto dy vjet e pak. Problemet e turizmit nuk mund të zgjidhen nga krijimi i disa agjencive që do të përcjellin zërin e kryeministrit përmes gojës së tyre.

Sepse nuk është shteti që do të përpiqet të rregullojë çdo hap të turizmit por është tregu ai që do të mësojë dhe edukojë shqiptarët.

Pra, në kaq shumë probleme që hasen sot e kësaj dite në këtë fushë potenciale për t’u zhvilluar, qeveria rivjen me një ligj të ngelur në klasë. Duke na hedhur hi syve me një propagandë të dalë boje, se ligji do të shpëtojë turizmin. Megjithëse deri më tani asnjë prej ligjeve të aprovuara nga kjo qeveri nuk ka shpëtuar asgjë!

Kështu, turizmi vazhdon të ecë në drejtimin e njëjtë me ekonominë, sa do dhe si do të përpiqet qeveria të shesë të kundërtën. Ai nuk është as peng i faktit se pronari privat nuk ia ka dhënë tokën të zhvillohet investitorit. As nuk e zgjidh nenet që ia rrëmben pronën të zotit për t’ia dhënë atij që do shteti në fushën e taksave dhe punësimit. As nuk do të rrisë ndjeshëm numrin e turistave që e shohin si preferencë të veçantë vendin tonë.

Ligji nuk sjell këto risi që ne kërkojmë dhe që janë të domosdoshme për krijimin e një klime miqësore! Kjo jo për shkak të mungesës së trajtimit si një sektor preferencial, siç ndodh në vendet e rajonit me të cilat ne jemi drejtë për drejtë konkurent. Kjo katrahurë që vjen në formën e projektligjit nuk ndodh për shkak të dëshirës centralizuese që i jep plotfuqishmëri disa institucioneve që dalin nga hiçi dhe hera herës mbivendosin funksione të institucioneve të tjera.

Nuk është madje as një mungesë vizioni të cilin juve po përpiqeni ta mbuloni me kleçka sa andej këndej, por është një vizion tërësisht i gabuar i cili legjitimon atë shprehjen e famshme se socialistët kur u mbarojnë paratë e veta fillojnë edhe fusin duart në xhepat e të tjerëve. Për t’u vjedhur atyre paranë e tyre, për t’u marrë atyre pronën e tyre dhe për t’u treguar forcën e pushtetit të tyre. Kjo për ju është shteti edhe kur ai nuk ka as shijen dhe as logjikën kushtetuese.

Ky ligj, është dëshmi dhe qasje tuajën ndaj pronës private (që nuk është e juaja të kuptohemi) por mbi të gjitha është dëshmi e makutërisë dhe absolutizmit që ju karakterizon si qeveri. Produkt i një mendjemadhësie dhe krenarie që po ua errëson gjithnjë e më shumë shikimin e një realiteti të trishtë që përditë e më shumë po nxisni në këtë vend.

Për ta përfunduar, nuk besoj se Ligji mbi Turizmin është problemi më i madh i kësaj mazhorance, ky ligj më së paku është reflektimi i asaj çfarë jeni në të vërtetë e më së shumti një pikë e vogël në oqeanin e madh të shkatërrimit që po i bëni këtij vendi. E di që është e vështirë të flitet për këto tema sot, kur gjëra më të rëndësishme si korrupsioni dhe dekriminalizimi janë kryefjala e ditës. Por, do t’u kërkoja deputetëve të mazhorancës, që mos të gjykojnë as me kutin e pionierit të rilindur dhe as me kutin e pionerit të para 25 viteve, e ti lëmë proanrët të qetë të gëzojnë ato të drejta kushtetuese që kanë.


Fjala në Kuvend e deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, 17 Shtator 2015