Dekreti i Presidentit për kthimin për shqyrtim të Ligjit për arsimin e lartë, duket se do të listohet në rastet e shumta të humbura nga ky Parlament, për t’i dhënë shoqërisë sonë ligje funksionalë, reformatorë, në përputhje me parimet kushtetuese.

Ligje që nuk deformojnë të mirën publikë në të mirë klanore, ligje që frymëzojnë dhe orientojnë fusha zhvillimore dhe jo që atrofizojnë institucionet dhe pengojnë gjenerimin e kapjes së largësisë dhe hapësirës europiane.

Ai do të shënohet gjithashtu si një shans i djegur, për të instaluar në politikën shqiptare, frymën e munguar të bashkëpunimit midis palëve, për cështje që janë përtej politikës dhe përtej interesit partiak të ditës.

Dhe njëherë tjetër, verbëria politike, arrivizmi pa cak, dorëzimi pa kushte para detyrimeve të dyshimta, sakrifikimi i investimit shoqëror dhe shpirtëror të brezave të tërë, për hir të interesave të reja, duket se ka triumfuar.

Mosdëshira dhe refuzimi për të dëgjuar dhe marrë në konsideratë kërkesat thelbësore, shqetësimet dhe vërejtjet e trupës akademike, të rektorëve, të studentëve, të kërkuesve shkencorë, dëshmon që paragjykimi dhe shpërfillja e tyre është moto e punës suaj.

Të nderuar kolegë!

Presidenti i Republikës me dekretin e paraqitur për kthim të Ligjit të arsimit të lartë, nuk ka pritur që ju të jeni të lumtur me të, pasi ju nuk mund të kaloni cakun e lumturisë që ju ka përcaktuar kryeministri,  por sigurisht ka pritur që ju të jeni  rigoroz dhe t’i përmbaheni parimeve kushtetuese, të reflektoni për shkeljen e tyre dhe të sillni para këtij parlamenti ligje që i shërbejnë publikut dhe shoqërisë.

Dekreti në argumentimin e tij ngre si problem themelor qasjen etatiste të ligjit nëpërmjet shmangjes së rolit themelor të institucioneve të arsimti ët lartë, të trupës akademike dhe të studentëve, qasje e cila shkon në kundërshtim me garantimin e autonomisë universitare dhe të lirisë akademike.

Me të drejtë parashtrimi i dhënë i referohet detyrimeve që i lindin vendit tonë si nënëshkrues i Deklaratës së Bolonjës dhe i akteve të Lisbonës dhe Jerevanit, për të përafruar legjislacionin e saj të arsimit të lartë me vendet e BE-së, në qendër të së cilit duhet të jetë domosdoshmërisht njohja dhe garantimi i i autonomisë dhe lirisë akademike.

Modeli i ofruar nëpërmjet këtij ligjit duket paradoksal dhe më shumë është një amalgamë e parimeve dhe formave ekstra Bolonjë.

Respektimi i marrëveshjes së Bolonjës nuk është thjesht zbatim i thatë i strukturave të përcaktuara të cikleve të studimit, nuk është vetëm profilizim programesh, apo sigurim i mobilitetit të stafeve të pedagogëve dhe të studentëve.

Mbi të gjitha ajo është garantim i autonomisë financiare, organizative dhe të personelit dhe i lirisë akademike.

Përkundër kësaj brenda këtij ligji, sic cilësohet në arsyet e parashtruara, shteti shmang rolin rregullator dhe vendoset në pozicionin e imponuesit dhe kontrolluesit të gjithckaje.

Këtë e bën nëpërmjet shumë mekanizmave që marrin forma dhe terma të ndryshme, por që synonjnë konsolidimin e frymës etatiste, duke shkelur qartësisht nenin 57 të kushtetutës, i cili formulon dhe përcakton garantimin e autonomisë dhe lirisë.  Ligji degradon rolin thelbësosr të stundetëve mgjs këta të fundit shndërrohen në subjektin kryesor që furnizon me të ardhura universitetet.

Me të drejtë evidentohet në raport me shqetësim, cënimi i parimit të sigurisë juridike.  Ligji është në një anë shumë gjeneralist në shumë aspekte themelore, të cilat shoqërohen me VKM dhe urdhëra  dhe shumë shpjegues në raste të tjera, a thua është rregullore. Kësisoj atij i mungojnë kritere të përcaktuara mirë mbi bazën e të cilave do të hartohen aktet ligjore dhe nënligjore.

Mungesa e këtyre kritereve i lë dorë të lirë abuzimit politik dhe klientelist.

Raporti evidenton si shumë shqetësuese rrezikun e kufizimit të së drejtës për arsim të lartë të të rinjve për shkak të tarifave të shumta të përcaktuara në nenet e tij, 6, 7, 98, 109 si tarifa e aplikimit, e konkurrimit, e regjistrimit, e shkollimit, e studimit e shërbimit. Argumenti i sjellë në debatin në komision, sipas të cilit këto emërtime tarifash kanë ekzistuar dhe në ligjin e vjetër, nuk krijon bazë justifikuese ligjore për veprimin e tyre.

 Mungesa e rregullimeve që përcaktojnë kufirin minimal dhe maksimal të tyre favorizon abuzimet dhe zvogëlon aftësinë përballuese për shumë kategori sociale, të cilëve i pamundësohet kështu vazhdimi i studimeve.

Mos përcaktimet ligjore për pagesat tarifore në ciklet përkatëse të studimeve krijojnë amulli dhe faktojnë mungesën e sigurisë juridike.

Kjo bën të mundur instalimin e diskriminit financiar, i shprehur ky në mohimin e së drejtës për arsim për shumë kategori dhe shtresa sociale, të cilat nuk arrijnë të kapin kriteret e shtresave në nevojë, por dhe që nga ana tjetër, nuk kanë mundësi financiare për të përballuar pagesat.

Këto të fundit parashikohen të rriten në mënyrë galopante për shkak të mosgarantimit të plotë të buxheteve të universiteteve nga Shteti.

Rritja e tyre, mosvendosja e kufijve maksimalë, ndonëse të parashikuar në tekstin e raportit final të komisionit të reformës dhe mossigurimi nga shteti  i së drejtës efektive të aksesit në insittucionet ekzistuese, bien në kundërshtim me nenin 57/4 të kushtetutës dhe me protokollet e drejtave të njeriut.

Vërtet që në ligj kredia studentore përcaktohet si mekanizëm për të realizuar mbështetjen financiare për të përballuar kostot e studimeve, me ndërmjetësinë e MAS.

Por Ligji nuk saktëson aspak modalitetet, kushtet dhe skemën për fitimin kësaj kredie, duke ndërtuar në këtë formë një tjetër pasiguri juridike që bie ndesh me kushtetutën dhe vendimin 34/3005 ët gjykatës Kushtetuese.

Problematike në drejtim të respektimit të Konventës dhe Kushtetutës shihet stimulimi brenda ligjit e tarifimit të lartë të cikleve të dytë dhe të tretë të studimit, ndërkohë që shteti heq dorë nga mbështetja financiare në këto cikle për të gjithë kategoritë e studentëve qofshin në nevojë, ekselentë ose prioritarë, duke i lënë ata në mëshirë të fatit.

Madje ai në përcaktimet ligjore nuk shrehet saktësisht për të drejtën e punësimit pas përfundimit të cilklit të parë të studimeve.

Raporti saktëson se pavarësisht prezumimit të lirisë akademike, autonomisë financiare,asaj organizative dhe të personelit brenda këtij ligji, ato cënohen në rradhë të para  nga përcaktimi i mënyrës së financimit dhe menaxhimit financiar të institucioneve të arsimit të lartë.

Përkatësisht neni 3&3 shkel rëndë parimin e autonomisë financiare duke mos i njohur të drejtën Universiteteve publike për të administruar fonde që vijnë nga tarifa e shkollimit për të gjitha ciklet përkatëse, duke e vënë atë në një pozitë aspak të barabartë me Universitetet jopublike të cilat gëzojnë pavarësi absolute në vjeljen dhe administrimin e këtyre të ardhurave.

Kjo dëmton konkurencën duke i shtuar kufizimit të kuotave të universiteteve publike kufizimin e sigurimit të ardhurave. Këto të ardhura shkojnë për të mbajtur në këmbë një makineri agjensish tërësisht shtetërore.

Shqetësuese për sigurinë juridike mbetet fakti se shpërndarja e parave nga buxheti i shtetit do të bëhet mbi bazën e vlerësimit të agjensive të ndryshme të cilat janë tërësisht në varësi të ekzekutivit.

Në këtë aspekt roli i AKFAL bëhet cënues i fortë i autonomisë sepse dominimi i saj për të shpërdarë fondet në mungesë të kritereve të qarta krijon një varësi jotë pranueshme për botën akademike.

 Neni 11 në pikat 2 dhe 3 dëshmon praninë e pasigurisë juridike pasi kriteret mbeten në dorë të ministrit dhe të vetë agjensisë së komanduar nga ai, duke ja nënshtruar Universitete politikës e pushtetit të rradhës.

Gjykata kushtetuese në vendimet e saj është shprehur taksativisht  për balancim të kompetencave dhe moscënim të autonomisë të insitiucioneve si thelb i vetqeverisjes së tyre.

Statusi që i është dhënë agjensive, mënyra e ndërtimit të tyre, kompetencat, parimet e funksionimit dhe roli i tyre, argumentohet në raport, si një nga faktorët kryesorë të cënimit të autonomisë dhe të parimit të sigurisë juridike dhe që vjen në kah të kundërt me parimet kushtetuese në kuptimin e jurisprudencës së gjykatës Kushtetuese.

Ligji nuk dallon agjencinë nga dikasteri. Kështu, disa agjenci, që në fakt janë pjesë e dikasterit ose janë ministri bis, konsiderohen si agjenci.

Arsyeja është se të gjitha agjencitë që përmend ligji janë të ndërtuara mbi bazën e emërimit që vjen ose nga Kryetari i Këshillit të Ministrave, ose nga ministri i Arsimit. Në këtë pikë agjencia nuk është më agjenci, sepse i nënshtrohet një emërimi vertikal, burokratik.

Si të tilla më shumë janë drejtori.  Pra nuk kanë kurrëfarë autonomie dhe nuk mund të respektojnë autonomi, madje e dëmtojnë atë.

Sepse janë ato që akordojnë fonde, janë ato që akordojnë grante, janë ato që tregojnë se ka cilësi akademike apo nuk ka cilësi një kërkim shkencor, janë ato që marrin vendime për kriteret shpërndarjen e fondeve.

Për këtë arsye ajo që quhet vetëqeverisje pra menaxhim i burimeve financiare në mënyrë autonome, sigurisht që është më e tillë, sepse këto agjenci ndërhyjnë në mënyrë vertikale në tërë sistemin organizativ universitar.

Nenet 8, 9, 11, 12, 14 që reflektojnë organizimin e tyre bien në kundërshtim me kushtetutën.

Vetë ekspertët e Komisionit të reformës kanë rekomanduar për agjensitë e vlerësimit që këto agjensi duhet të jenë medoemos  të pavarura, të brendëshme ose të huaja.

Një tjëtër aspekt i cënimit të autonomisë së universiteteve, konstaton me të drejtë brenda raportit, realizohet me ndikimin i ekzekutivit në përbërjen e Bordit të administrimit, si dhe me kompetencat që ai merr në raport me organet akademike. Ligji nuk kushtëzon kritere të qarta të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit si përfaqësues të qeverisë.

 Numri i anëtarëve është i vendosur pa një qasje të saktë juridike, por apriori.

Shumica e anatërësisë është argumentuar brenda një kriteri, i cili nuk është aplikuar ndonjëherë në raste të ngjashme më parë dhe si i tillë, i mungon baza ligjore.

Kjo shumicë e paarsyetuar bën që Ministria ta vendosë institucionin e arsimit të lartë tërësiht nën kontrollin e ekzekutivit duke atrofizuar jetën akademike dheh vendimarrjen e profesoratit.

Me njohjen e të drejtës së këtij Bordi dhe të vetë Ministrisë për miratimin e statutit të institucionit cënohet rëndë autonomia organizative.

Kjo krijon një shqetësim të madh për vetëqeverisjen. Arsyeja është se sipas neneve përkatëse, bordi jo vetëm merret me administrimin, por, sipas neneve përkatëse, thuhet se bordi miraton organizimin dhe hap njësitë përbërëse të IAL-eve, miraton edhe numrin e personelit dhe shpërndarjen e fondeve.

Madje vendos dhe për shndërrimin pa pyetur fare Senatin i cili jep vetëm pëlqim. Pra shkurt, autonomia kalon në duart e bordit.

E gjitha kjo në kundërshtim me parimet dhe jurisprudencën kushtetuese.

Cështja e sjelljes ndaj mandatit nxjerr në pah një tjetër shkelje. E drejta e ministrit për të shkarkuar një organ të zgjedhur, aq më tepër kur ky emërohet nga Presidenti, bie në kundërshtim me parimet e autonomisë universitare dhe një sërë përcaktimesh kushtetuese. Ndërkohë kufizimi i mandave nuk përputhet me nenin 49 të Kushtetutës dhe pështjellimi i përllogaritjes së mandateve shton pështjellimet ligjore të vetë këtij Ligji.

Për këto arsye dekreti është bindës në kërkesën e tij për kthimin për shqyrtim të Ligjit të arsimit të lartë dhe meriton votën pro.

Në rast rrëzimi të tij do jenë studentët dhe pedagogët që do ta hedhin poshtë ligjin e mbrapshtë .


Fjala në Kuvend e deputetit të Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, 17 Shtator 2015