Skandali i CEZ po merr çdo ditë përmasa tronditëse dhe provat e dëshmitë e reja po hedhin dritë për përfshirjen e drejtpërdrejtë në këtë skemë të korrupsionit më të madh në historinë e vendit, të Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Eshtë konfirmuar publikisht tashmë se falja e 600 milionë eurove kompanisë CEZ, kjo afere kriminale, dhe dëmi i tmerrshëm financiar që i është bërë vendit, ka për autorë dhe përfitues, hartuesit dhe votuesit e marrëveshjes anti-kushtetuese në parlament, Edi Rama dhe Ilir Meta.

Tani që dëshmitë e njëpasnjëshme po nxjerrin në dritë përmasat e kësaj afere korruptive, Edi Rama dhe Ilir Meta janë ri-bashkuar në pakt kriminal. Edi Rama ka nevojë për mbrojtje në aferën e 600 milionë euro fatura të njohura nga CEZ, që ai ja ka falur apo ka ndarë me CEZ. Ilir Meta ka dëshpërimisht nevojë për ndihmë teksa akuzohet për aferën 135 milionë euro DIA-CEZ.

Të bashkuar në krim, Rama dhe Meta po bëjnë gjithçka për të mbyllur mundësitë e hetimit dhe për të fshehur vjedhjen më të madhe të pasurisë së shqiptarëve ku janë të dy dorëbrenda.

Partia Demokratike e denoncoi këtë krim që ditën e pare. Ne dërguam për ndjekje penale CEZ, DIA dhe këdo që ishte përfshirë në këtë aferë të tmerrshme korruptive. Por me ardhjen e tyre në pushtet Rama dhe Meta nxituan të mbyllnin marrëveshjen me CEZ dhe të ndalonin me ligj, e përsëris me ligj, ndjekjen penale të të dyshuarve kryesorë, akt ky i paprecedent në historinë e vendit.

Sot kur kjo dyshe duket se po përgatitet të ndalë hetimin e Jozef Hejsek, drejtorit të CEZ për llogari të Edi Ramës dhe aferës së tij 600 milion euro dhe për llogari të Ilir Metës dhe aferës 135 milion euro me Kastriot Ismailajn, dua tiu informoj se në fillim të javës së ardhshme, Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, do ti drejtohet Gjykatës Kushtetuese, për ta deklaruar si antikushtetues e për ta hedhur poshtë ligjin, pra marrëveshjen për zgjidhjen me mirëkuptim ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë “CEZ, a. S.”.

Partia Demokratike argumenton qartë në kërkesën e saj se ky akt dëmton interesat financiare të shtetit shqiptar dhe ngarkon me borxh të tmerrshëm çdo qytetar të vendit, dhe kjo si pasojë e drejtpërdrejtë e aferës më të madhe korruptive të Edi Ramës dhe Ilir Metës.

Po ashtu, dua tiu informoj sot se Partia Demokratike ditën e hënë do të depozitojë në Kuvendin e Shqipërisë projekt-ligjin që bën të mundur hetimin e plotë ndërkombëtar të kësaj afere korruptive.

Ne e kemi të qartë se Edi Rama dhe Ilir Meta s’do të lejonin një hetim të plotë e të pandikuar nga prokuroria e vendit. Me pushtetin e kryeministrit dhe kryetarit të kuvendit, ata do të ndikonin hetimin dhe do ta mbyllnin atë sipas interesit të tyre.

Vetëm një hetim me prokurorë ndërkombëtar me kompetenca të plota për të hetuar, kontrolluar dhe analizuar të gjithë aferën, të pandikuar nga dy personat e përfshirë në këtë aferë, si përgjegjësit kryesorë, pra Edi Rama dhe Ilir Meta, do të sillte drejtësi për këtë skandal me përmasa qindra milionë euro.

Vetëm pak orë më parë, përmes një videoje që u transmetua nga televizioni News 24, ne pamë se si një dëshmitar kyç, bashkëpunëtor i drejtësisë në këtë çështje, edhe pse nën mbrojtjen e policisë, është tërësisht vulnerabël, i sulmueshëm, dhe ndaj tij bëhet shantazh. Kërcënohet pikërisht dëshmitari, i cili nxjerr zbuluar Edi Ramën dhe Ilir Metën.

Edi Rama dhe Ilir Meta kanë djegur çdo mundësi për hetim të kësaj afere. Ndaj hetimi ndërkombëtar është e vetmja rrugëzgjidhje, në shërbim të vendit dhe interesave të qytetarëve.


Deklaratë për shtyp e deputetit të PD, Eduard Halimi, 24 Shtator 2015