Në komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, deputetët demokratë i kërkuan ministres së Arsimit  Lindita Nikolla sqarime mbi pushimin masiv të mësuesve në Hotolisht, dhe ne vende të tjera, si një vendim arbitrar dhe i paligjshëm. Deputeti Luciano Boci në seancën dëgjimore me ministren Nikolla tha se mësuesit po lincohen dhe po shkarkohen politikisht nga puna, duke anashkalkuar çdo procedurë ligjore. Deputetët e PD, theksuan se vetë ligji i ndryshuar nga mazhoranca në Maj 2015 parashikon që emërimet e mësuesve bëhen nga drejtori i shkollës në bazë të një komisioni të ngritur, me konkurim të hapur, por emërimet kryhen mbi baza politike dhe aspak mbi meritat profesionale dhe procedurat ligjore. Deputeti Boci tha se transferimi nuk ekziston si koncept dhe si tagër juridik në ligj, duke bërë që  Drejtoria Arsimore  të abuzojë me kompetencat e saj.  “Vetë Ministren e kemi evidentuar si shkelësen e ligjit. Ministria ndërkohë nuk ka marrë asnjë masë dhe nuk është shprehur për rastet kur drejtuesit e DAR dhe të shkollave kanë shkelur ligjin”, u shpreh deputeti Boci . Ndërkohë opozita u shpreh në komision që dekreti i Presidentit të Republikës, për kthimin për rishqyrtim të ligjit “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”, është një mundësi për të zhvilluar një debat profesional dhe për të kaluar një ligj konsensual dhe në përputhje me Kushtetutën.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 15 Shtator 2015