Gjendja në vend është e rëndë dhe e përkeqësuar ndjeshëm gjatë 72 orëve të fundit. Sot në mëngjes, në të gdhirë, një deputet i Edi Ramës i sjellë enkas prej tij nga skutat më të errëta të krimit, gjakosi brenda komisariatit të Laçit 4 qytetarë. Përfaqësuesi i popullit goditi me armë zjarri popullin. Ky është fryt i drejtpërdrejtë i kriminalizimit të pushtetit. Eshtë dëshmi e qartë e fryteve që sjell inkrimiminimi i politikës nga Edi Rama, veshja me pushtet e kriminelëve, sjellja e tyre në Parlament dhe veshja dhe armatosja e pushtetit me krim.

Edhe më e rëndë, është përpjekja që nisi për të mbajtur të fshehtë ngjarjen duke kërcënuar mediat për mosraportim të saj, derisa reagoi opozita. Përpjekja e mëtejshme, për të manipuluar faktet me një qëllim; shpëtimin e deputetit bandit të Edi Ramës, përpjekje e cila duket se reshti pas presionit të kombinuar të opozitës, disa mediave dhe partnerëve ndërkombëtarë, por që ka rinisur në tentativën e qartë të Edi Ramës për të manipuluar të dhënat kriminale, sipas vetë deponimit të mashës së Edi Ramës dhe Saimir Tahirit, kreut të Komisariatit të Laçit. Pra, larg reflektimit, marrjes së përgjegjësisë së kriminelit në Parlament, se këtë gjëmë do të sillte se për këtë ishte sjellë, sepse këtë rekord ka, goditjen e deputetëve kundërshtarë, për këtë u shpërblye me lagunën e Patokut nga Edi Rama me një tender korruptiv që duhet të jetë po ashtu objekt i hetimit të prokurorisë, pra, larg të dorëzuarit të deputetit kriminel në duart e ligjit, Edi Rama provoi edhe në këtë rast se; kur i volit politikisht, Armando apo Edmond Prenga, ashtu si Artur Bushi, ashtu si Elvis Roshi, ashtu si Arben Ndoka, Pjerin Ndreu, ata janë dhe mbeten mbi ligjin.

Ndërkohë, rrjeti investigativ i gazetarëve të rajonit BIRN, shpalosi para qytetarëve shqiptarë atë që avokatët e qeverisë shqiptare e quajnë skandalin më të madh korruptiv dhe të mashtrimit në Shqipëri, skemën e rryshfetit miliona eurosh që ka përfituar kryetari aktual i Kuvendit, Ilir Meta, sipas tyre, në aferën qindra milionë euroshe të CEZ-it. Një aferë e denoncuar prej nesh, por tashmë është një nga argumentat e avokatëve të qeverisë shqiptare në çështjen e Arbitrazhit në Vjenë.

Kemi nga ana tjetër, oficerin e lartë të anti-drogës, të vlerësuar nga partnerët ndërkombëtarë, i cili denoncon me zë dhe figurë Saimir Tahirin si protektorin e bandave të narkotrafikut në Vlorë e gjetkë, njeriun, mjetet e të cilit janë në dispozicion të kokave të trafikut të drogës, në një intervistë rrënqethëse, të ndërprerë fatkeqësisht në mes për shkak të presionit mafioz ndaj gazetarëve dhe pronarëve të News 24. Censura përmes presioneve dhe kërcënimeve është rikthyer pas më shumë se një dekade, si një nga gomonet e fundit të shpëtimit të një qeverie të zhytur deri në fyt në krim dhe korrupsion. E përkundër këtij boshti kriminal dhe mafioz, mungojnë 160 milion dollare në tatime dhe dogana, por në Gusht mungojnë edhe 40 të tjera, duke e çuar në 200 milion dollarë shifrën e parave që kanë vjedhur oligarkët në bashkëpunim me qeveritarët. Ndërkohë që nafta mbetet më e shtrenja në rajon, ndërkohë që pagat e shqiptarëve bashkë me të bjellorusëve pësuan rënie, papunësia pësoi rritje sipas FMN-së, ndërkohë që papunësia, pamundësia dhe varfëria po detyron mijëra e mijëra bashkatdhetarë çdo muaj, ti drejtohen eksodit si e vetmja rrugë shprese.

Kjo është situate, në të cilën kryesia e Partisë Demokratike u mblodh dhe diskutoi me përgjegjësi për të përcaktuar qendrimet tona, për të përcaktuar propozimet tona para gjithë shqiptarëve për daljen nga kjo gjendje dramatike, nga këto orë dramatike që po kalon vendi. Pas një diskutimi të gjatë dhe të frytshëm, Kryesia e Partisë Demokratike miratoi me votë qendrimet të cilat, opozita, Partia Demokratike do të ndjekë duke nisur nga disa e nesërme;

1-Duke konfirmuar kërkesën tonë për dorëheqjen e Ilir Metës dhe hetimin e tij të menjëhershëm për aferën korruptive më të madhe sipas avokatëve të qeverisë shqiptare.

2-Largimin e menjëhershëm të Saimir Tahirit dhe marrjen e tij të pandehur nga akuza bazuar mbi provat e bëra transparente dhe që do të vijojnë të bëhen transparente në orët në vijim nga Partia Demokratike, si koka e bandave të drogës në Jug.

-Në funksion të këtyre dy kërkesave, të qendrimeve tona, krijimin e hapësirave të nevojshme ligjore dhe institucionale për angazhimin dhe hetimin e rasteve të korrupsionit dhe lidhjeve kriminale të zyrtarëve të lartë, të eskpertëve të kualifikuar ndërkombëtarë nga agjensitë e ligjzbatimit të vendeve euroatlantike.

3-Aprovimin brenda shtatorit të projekligjit të dekriminalizimit dhe largimin e menjëhershëm nga Kuvendit të kriminelëve, personave me rekorde kriminale, largimin e tyre nga pushteti vendor dhe nga administrata. Partia Demorkatike është e vendosur ti shkojë deri në fund kësaj beteje. Ne kemi mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të partnerëve ndërkombëtarë për kurorëzimin me sukses të kësaj beteje.

-Unë dua ti garantoj ata dhe qytetarët shqiptarë se Partia Demokratike nuk do të bëhet pjesë e asnjë kulise apo konjukture që për përfitim politik ta vendosë këtë çështje madhore për shqiptarët në pazaret e ndyra të politikës, por se do ti shkojmë deri në fund në mënyrë që shqiptarët të kenë një politikë të pastër nga krimi dhe bota e krimit, si një parakusht për një Shqipëri të denjë dhe të zhvilluar.

4-Rikthimin e besimit të qytetarëve shqiptarë në zgjedhjet e lira dhe të ndershme, besim i cili sipas raportit paraprak të ODIHR-it u minua nga shkeljet dhe dhunimet e standardeve zgjedhore të 21 Qershorit, dhe ndëshkimin ligjor të autorëve të dhunimit të standardeve të zgjedhjeve të 21 Qershorit.

5-Së fundmi por jo nga rëndësia, një paketë emergjence, për gjendjen ekonomike në vend dhe për çështjen e eskodit. Këto janë vendimet e Partisë Demokratike, këto janë qëndrimet tona dhe jemi të vendosur që me të gjitha format dhe mënyrat që janë në dispozicion të një opozite, të nisim betejen frontale bashkë me qytetarët shqiptarë për arritjen e këtyre objektivave.


Deklarata për mediat e kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha, 5 Shtator 2015.