Komisioni i Dekriminalizimit rifilloi sot punën pas nisjes së sesionit të ri parlamentar. Me propozim të kryetarit, Oerd Bylykbashi, Komisioni adoptoi me votim Raportin Paraprak të Komisionit të Venecias, të miratuar më 30 qershor 2015, si dokument themelor dhe udhëzues të punës së tij në hartimin e legjislacionit për dekriminalizimin.

Opozita prezantoi draftin e ligjit të posaçëm që i jep zgjidhje tërësore nevojës për dekriminalizim të institucioneve nëpërmjet largimit të zyrtarëve me rekorde të rënda kriminale dhe pengon zgjedhjen apo emërimin e tyre në të ardhmen, si dhe amendamentet kushtetuese që i hapin rrugën këtij ligji. Kjo shënon një hap të rëndësishëm në punën e komisionit për të futur në rrugën e zgjidhjes çështjen e largimit të kriminelëve nga institucionet publike, përkundër bllokimeve të vazhdueshme të krijuara nga mazhoranca që nga fillimi i punës së komisionit.

Kryetari i komisionit, Bylykbashi theksoi se projektligjet janë hartuar në përputhje të plotë me parimet dhe modelet e përmbledhura në raportin e Komisionit të Venecias. Përfaqësuesit e opozitës u shprehën të hapur për të diskutuar dhe arritur kompromis me mazhorancën për përmbajtjen dhe formën e ligjit, por shprehën vendosmërinë për të mos pranuar asnjë cedim nga objektivi i largimit të çdo krimineli nga institucionet, përfshirë ata me identitet të shumfishtë.

Përfaqësuesit e opozitës në komision nënvizuan faktin se edhe 9 muaj pas marrëveshjes së 24 janarit 2014, mazhoranca vazhdon të zvarrisë punën për dekriminalizimin dhe se përveç retorikës, nuk ka paraqitur deri më sot asnjë platformë apo projektligj, edhe pas 3 muajsh nga dalja e raportit të Komisionit të Venecias.

Edhe në seancën e sotme, mazhoranca u përpoq me çdo mënyrë të bllokonte paraqitjen dhe shqyrtimin publik të nismave konkrete të opozitës për dekriminalizim me pretendime proceduriale të pabazuara. Opozita theksoi se kjo është vazhdim i mungesës së vullnetit nga ana e mazhorancës për ta përmbyllur këtë proces të rendësishëm, dhe se asnjë përpjekje nuk do ta bllokojë atë.

Kryetari i komisionit, pas prezantimit të projektligjeve, tha se ishte koha që përfaqësuesit e mazhorancës në komision të fillojnë të bashkëpunojnë në miratimin e një ligji sa më të fortë e të plotë. Mbledhja e ardhshme e komisionit do të vazhdojë me diskutimet në parim dhe nen për nen të propozimeve.


Njoftim i Partisë Demokratike, 14 Shtator 2015