Z, Halimi, prej 1 viti diskutohet për Reformën në Drejtësi. Kur do të vendosë Partia Demokratike për t’u përfshirë në komision?

Ka patur gjatë javëve të fundit takime intensive të eksponentëve të Partisë Demokratike me parnerët ndërkombëtarë të cilët asistojnë në çështjet e Reformës në Drejtësi dhe nga sinjalet dhe mesazhet që kemi marrë, maxhoranca ka pranuar një nga dy kërkesat e opozitës. Ka pranuar kërkesën përsa i përket paritetit në komision, një kërkesë shumë e rëndësishme në mënyrë që reformat të jenë jetëgjata dhe të mos varen vetëm nga qenia vetëm në një mandat të një qeverie. Ndaj dhe opozita do ta marrë pjesë në mbledhjet e ardhshme të komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi dhe sigurisht në seancën e ardhshme do të bëhet e ditur emrat. Opozita sot ka depozituar edhe listën e 5 anëtarëve të këtij komisioni, meqë ky komision do të ketë 10 anëtarë, duke u tërhequr nga kërkesa për bashkëdrejtimin e këtij komisioni. Pra, komisioni do të ketë një kryetar dhe një nënkryetar që i përket opozitës dhe të ketë në përbërje 10 anëtarë me nga 5 të secilës palë. Sigurisht që opozita do të shohë me vëmëndje edhe seriozitetin e kësaj reforme dhe angazhimin e qeverisë në reformën në drejtësi në mënyrë që kjo reformë të bëhet duke pasur si synim që të ketë në vëmëndje luftën ndaj korrupsionin në sistemin e drejtësisë dhe forcimin e institucioneve të drejtësisë, dhe jo kapjen e tyre. Sepse është fakt i pranuar tashmë nga të gjithë, se gjatë këtyre dy viteve çdo ligj që ka kaluar qeveria që ka pasur të bëjë me drejtësisë, nuk ka pasur si synim luftën ndaj korrupsionit por ka pasur si synim kapjen e institucioneve të drejtësisë. E kam fjalën këtu për ligjin e KLD-së, i cili nuk solli asnjë risi tjetër për luftën ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë, përsa i përket shkallëvve të para të gjykimit, por solli vetëm zëvëndësimin e karrigeve, duke zëvëndësuar 3 anëtarët e zgjedhur nga Parlamenti i mëparshëm me 3 anëtarë që janë militantë të Partisë Socialiste në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Pra ka qënë një ligj që nuk ka pasur luftën ndaj korrupsionit në sistemin e drejtësisë por ka pasur të bëjë me kapjen e sistemit të drejtësisë, ashtu si ligjet e tjera të cilat janë miratuar nga qeveria gjatë këtyre dy viteve, siç është ligji për Gjykatën e Lartë, i cili edhe ai nuk ka pasur si synim luftën ndaj korrupsionit në Gjykatën e Lartë por ka si synim kapjen e kësaj gjykate nga maxhoranca, pasi në atë ligj dihet që është futur elementi i ministrit të Drejtësisë për të dhënë mendime dhe propozuar anëtarët e Gjykatës së Lartë. Pra, opozita do të shikojë me shumë vëmëndje çdo hap që do të ndjekë qeveria duke qenë prezente në këtë reformë ashtu si një element jashtëzakonisht të rëndësishëm për opozitën që është procesi i dekriminalizimit të cilët duhet të shkojnë paralele, pasi është shumë e rëndësishme që ligjet që do të hartohen për të reformuar sistemin e drejtësisë duhet të vijnë, sigurisht, nga deputëtë me integritet dhe duke bërë dekirminalizimin e Parlamentit. Ky është qendrimi i opozitës. Sot opozita ka depozituar emrat dhe presim seancën e radhës miratimin e këtyre emrave në mënyrë që opozita të marrë pjesë.


Prononcim për mediat i deputetit të PD, Eduard Halimi, 7 Korrik 2015