Të nderuar deputetë,
 
Kjo është mbledhja jonë e fundit për këtë sesion parlamentar. Ky ka qenë sesioni ku shqiptarët kanë parë grupin tonë parlamentar, deputetët tanë të përkushtuar dhe aktivë, në vijën e parë të përpjekjeve për mbrojtjen me pasion dhe argumente në aulën e kuvendit dhe komisioneve përkatëse, të interesit publik në përgjithësi dhe interesave të qytetarëve nga shpërfillja dhe arroganca e qeverisë Rama-Meta, nga ligjet e mbrapshta, antidemokratike dhe antikushtetuese të kësaj shumice, nga poshtërimi, braktisja, shpërfillja.
Ky ka qenë sesioni ku përmes deputetëve të PD ka ardhur dhe ka folur me zë të lartë në foltoren e Kuvendit, Shqipëria e  vertëtë, Shqipëria e papunësisë në rritje, e vështirësive në rritje, e varfërisë në rritje, Shqipëria e pasigurisë së përditshme për jetën, punën, familjen dhe pronën, Shqipëria e nëpërkëmbur, Shqipëria e të braktisurve nga qeveria, Shqipëria  e të zhgënjyerve deri në palcë nga mashtrimet e kësaj qeverie, Shqipëria e të pamundurve për shkak të mjerimit të thellë, Shqipëria e eksodit për shkak të vrasjes së shpresës, Shqipëria e qytetarëve dhe intelektualëve të indinjuar për shkak të zhbërjes së pandalshme të standardeve demokratike të transparencës, llogaridhënies dhe zgjedhjeve të lira, Shqipëria e  guximit, besimit, skrupujve dhe virtyteve më të larta, që nuk mposhtet, nuk gjunjëzohet, nuk thyhet, nuk dorëzohet, por shpreson dhe lufton për një të  neserme të re, pavarësisht se vendi ka rënë, përkohësisht, në duart e qeverisë më të papërgjegjshme, më të korruptuar dhe më të kriminalizuar që vendi ka njohur në dy dekada e gjysëm.
Kjo është Shqipëria e madhe e qytetarëve, krejt e ndryshme nga Shqipëria e vogël e qeveritarëve dhe klientelës së tyre të ngushtë ku luksi dhe pasuritë e vëna me abuzime dhe korrupsion nuk kanë asgjë të përbashkët me pasurinë e ndershme në shoqërinë e nismes së lirë, por janë një turp dhe një provokim i madh për gjendjen ku jeton shumica dërmuese e qytetarëve.
Opozita, grupi ynë parlamentar, Partia Demokratike, i ka dhënë dhe do të vazhdojë t’i japë mbrojtje, mbështetje, zë dhe drejtim kësaj Shqipërie, Shqipërisë së qytetarëve, me bindjen se dinjiteti i çdo individi, nga i pari tek i fundit, është themeli i programit tonë, është kushti numër një për ekzistencën e një shoqërie të drejtë e të lirë.
Ky ka qenë sesioni kur grupi ynë parlamentar zyrtarizoi për herë të parë në Kuvend dhe luftoi të çonte përpara drejt një ligji konsensual nismën për dekriminalizimin, e cila e  nxorri nga errësira në dritë, nga  shpërfillja në rendin e ditës problemin e tmerrshëm të kriminalizmit të  jetës politike dhe institucionale nga Edi Rama dhe Ilir Meta.
Jehona e kësaj nisme ka qenë e madhe, brenda dhe jashtë vendit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe BE e kanë indentifikuar si problem madhor të Shqipërisë, pa zgjidhjen përfundimtare të të cilit nuk mund të ketë demokraci normale dhe integrim europian të vendit.
Nisma jonë e shoqëruar me përqasjen e vendosur për të shkuar drejt një ligji konsensual, ka nxjerrë në pah shkallën e lartë të kapjes së kësaj shumice nga krimi. Kjo është arsyeja që dyshja Rama Meta ka vazhduar avazin, duke mbrojtur, rehabilituar e kandiduar sërish në zgjedhjet vendore persona me rekorde të tmerrshme kriminale, e gjithë kjo në sfidë të hapur ndaj publikut, opozitës dhe në veçanti ndaj miqve tanë amerikane dhe europianë.
Dua të denoncoj sot vënien e kapakut mbi një skandal të paprecedent të inkriminimit të instancave të larta të shtetit, dhe shërbimin që qeveria dhe Edi Rama i bëjnë krimit në radhët e tyre.
Mbyllja e hetimit për fshehjen e urdhërit për ekstradim të aleatit të Edi Ramës, deputetit Mark Frroku, është çuarja deri në fund e shërbimit që kryeministri i bëri të zgjedhurit të tij në Parlament.
Deputeti Frroku kërkohej nga drejtësia belge për vrasje, por zyrtarët më të lartë të Policisë e mbajtën të fshehtë kërkesën e Interpolit për ekstradimin e tij, pasi deputeti në fjalë po i shërbente Edi Ramës dhe Ilir Metës me dëshminë e tij, në lidhje me akuzën më të rëndë të bërë në këto 25 vite nga radhët e mazhorancës, për porositjen e vrasjes së dy deputetëve nga kryetari i Kuvendit.
Dëshmia e deputetit të mazhorancës, Mark Frroku, shkoi sipas porosisë së Kryeministrit dhe dje u mbyll edhe hetimi i fshehjes së urdhërit të Interpolit për ekstradimin e tij.
Pra sipas Edi Ramës, asgjë nuk ka ndodhur. Fshehja e kërkesës së Interpolit për deputetin e tij, është normale sipas tij, dhe askush nuk mban përgjegjësi, çështja është e mbyllur.
Normale është edhe lirimi i vëllait të tij Arben Froku për të bërë fushatë për Edi Ramën dhe me Edi Ramën në Pukë e pastaj për tu larguar në kohë e pa asnjë pengesë madje me ndihmën e policisë në drejtim të paditur, një ditë para se të dënohej me burg përjetë për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamajt.
Normale është për Edi Ramën që Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, agresorët me urdhër të tij të opozitës në parlament të lirohen me një vendim bastard të marrë nën presionin politik të vetë Edi Ramës.
Normale është që vrasësit të ulen e të takohen me ministrin e Brendshëm të darkojnë e të drekojnë me të dhe me pushtetarë të tjerë duke marrë zemër dhe imunitet dhe inkurajim pushtetar për vrasjet dhe krimet e kryera në zemër të Tiranës.
Normale është që vendi të mbulohet me drogë, cep më cep. Me autorizimin, bekimin dhe avokatinë e pushtetarëve, me përjashtim të ndonjë ngastre që bëhet shembull për sy e faqe ndërsa të tjerëve u shkelet syri e u shtrihet dora e bashkëpronësisë.
Ky është krimi në pushtet, kjo është qeveria që sundon sot në vend.
Situata është shumë e rëndë. Dyshja Rama Meta, kanë shkuar deri aty sa të venë në peshore dhe të rrezikojnë aleancat strategjike të Shqipërisë për hir të individëve me rekorde kriminale në piramidën e pushtetit të tyre. Por kjo nuk mund të zgjasë, e ca më pak të çimentohet. Shqipëria e njerëzve të lirë dhe aleatët e saj amerikane dhe europianë janë shumë më të fortë se krimi i veshur me pushtet në Shqipëri. Ata do të humbin. Shumë shpejt. Kjo është e sigurtë. Rezistenca e tyre nuk bën gjë tjetër veçe rrit koston dhe faturën që paguan vendi dhe koston që do të paguajnë ata vetë me pengesat që kanë nxjerrë dhe nxjerrin përballë nesh dhe ndërkombëtarëve që po u kërkojnë çdo ditë; “ndahuni nga individët me rekorde kriminale, hiqni individët me rekorde kriminale nga Kuvendi, nga  Bashkitë, nga postet publike”.
Përballja në këto nivele, pra në një rrafsh që tani është ndërkombëtar, ilustron në mirë se asgjë drejtësinë, por edhe sfidat e kauzës sonë për dekriminalizimin.
Opozita, grupi ynë parlamentar kanë luftuar në kushte të vështira për një mori çështjesh të interesit publik, demokratik dhe kombëtar. Por nuk janë  dekurajuar, nuk janë tërhequr. Përkundrazi.
Ky ka qenë sesioni i opozitës. Opozita ka qenë dhe mbetet kuptimi i vërtetë i Parlamentit dhe parlamentarizmit.
Unë ju falenderoj dhe ju përgëzoj për performancën tuaj. Zgjedhësit ju kanë  ndjekur nga afër. Nuk ka dyshim se ata kanë ditur e dinë të çmojnë rolin dhe kontributin e çdo deputeti.
Qëndrimi ynë i opozitës së fortë, ballore dhe të pandashme ndaj dyshes Rama-Meta mbështetur në fakte, argumente, arsye dhe alternativë, strategjia dhe taktikat tona të  ballafaqimit dhe përballjes kanë  bërë të mundur daljen në pah të një problemi shumë të madh politik të kësaj qeverie.
Një problem që tani e sheh gjithkush, por nuk do të kishte rënë në sy kaq qartë po të mos bënim ne opozitën që bëjmë. Kjo është një qeveri që qeveris pa qytetarët, pa publikun e interesin qytetar. Nuk pyet as ekspertë vendas, as ekspertë të huaj, as grupe interesi, askënd. Sepse i vetmi grup interesi për ketë qeveri janë vetë qeveritarët, tarafet dhe klientela e tyre e ngushtë, një grusht njerëzish që pasurohen me rrugë të paligjshme apo me konkurencë të pandershme.
Injorohen grupet e interesit për taksat, injorohen pronarët për ligjin e ri të pronave, injorohen profesorët, pedagogët, prindërit dhe studentët për ligjin e arsimit. Ligjet i shkruan interesi klientelist, kryeministri i vë vulën me konceptin e tij arkaik sikur është votuar për të bërë sipas qejfit, si ti vijë për mbarë atij dhe hienave që ka mbedhur rreth vetes, në shkelje të standardeve, praktikave të mira, ligjeve dhe Kushtetutës së vendit.
Këtë shfaqje e pamë së fundi  në debatin për ligjin e  arsimit, një ligj ku qeveria, siç nuk ka ndodhur kurrë, nuk ekspozoi ekspertizën vendase  apo të huaj për arsyen e thjeshtë se nuk ka patur dhe nuk mund të ketë ekspertizë reale një ligj eklektik, një ligj me arna, që nuk i gjendet modeli në asnjë vend të  botës, një ligj “Rama”, siç e pagëzuan me seriozitet dhe jo me ironi klientët.  
Rama nuk ka fakultetet për të prodhuar një ligj “Rama” për arsimin e lartë. Në shumë raste të ngjashme eksperimentet dhe padija e tij kanë prodhuar vetëm deshtim dhe pasoja. Ligji i pardjeshëm do të ketë pasoja shumë të rënda në arsimin shqiptar, nëse do të ketë fatin e keq të implementohet. Por unë kam bindjen se nuk do ta ketë. Demokracia ka fuqinë e zhvlerësimit me protesta dhe votë popullore të ligjeve të gabuara, të mbrapshta apo amatoreske.
Injorimi i plotë i grupeve të interesit, zhdukja e konsultimit të vërtetë me ta,  eliminimi i demokracisë pjesmarrëse, rënia në deliret alla-hoxhiste sikur udhëheqësi di gjithçka, të gjitha këto  e kanë çuar në rrugë pa  krye dhe do  ta çojnë në aventura të tjera akoma më të dëmshme për vendin, Edi Rama dhe qeverisja e tij.
Ne do të vijojmë të kemi si busull interesin publik, interesin e prindërve, të kryefamiliarëve, të të rinjve, fëmijëve dhe të moshuarve.
Zonja dhe zotërinj;
Mbyllim këtë sesion, në kushtet kur shumë prej bashkqytetarëve tanë vazhdojnë të nisen edhe këto ditë, siç kanë bërë gjatë gjithë këtyre muajve, në një rrugë tjetër, në rrugën eksodit. Kjo është rruga e një drame të re kombëtare, që po rritet në përmasa biblike në qeverisjen e pashpirtësisë dhe shpresave të vrara. Eshtë rruga e tragjedive që godasin në hallkat me të dobëta të familjes dhe shoqërisë sonë.
Më e fundit tragjedi me familjen Sholla nga Ardenica e Lushnjës që humben vajzën katërmbëdhjete vjeçare, Marijen, në përpjekjen e tyre për të emiguar në Greqi dhe prej aty në Gjermani, siç kishte shkruar Marija në ditarin e saj. Nuk kishin punë, nuk kishin shpresë, nuk kishin asgjë. Ndaj u nisën. Por ëndrra për t’i shpëtuar mjërimit i përplasi me një fatkeqësi të jashtëzakonshme. U kthyen pa mbërritur askund, me trupin pa jetë të vajzës në arkivol. 
Ngushëllimet, sado të thella e të sinqerta, nuk kanë forcë për ta zbutur dhimbjen e tragjedive të tilla. Për shkaqet që e krijojnë, kjo e familjes Sholla është një  tragjedi kombëtare. Siç është në tërësi vetë eksodi i mijëra e mijëra familjeve shqiptare.
Eshtë e tmerrshme të shohësh e të dëgjosh si sillen qeveritarët tanë me tragjeditë  e eksodit, siç i ndodhi Marijes, me tragjeditë e heqjes së dhunshme nga puna të nepunësve civilë apo punonjësve të vjetër, siç i ndodhi Mark Brahimajt nga Lezha, me tragjeditë e poshtërimit të qyetarëve duke i harruar në burg për  tridhjetë mijë lekë të vjetra, siç i ndodhi Qamil Zelës nga Lushnja, me tragjeditë e qindra e mijëra kryefamiljarëve prej pamundësisë, varfërisë dhe papunësisë ku janë kredhur.  
Kur në origjinë të fatkeqësive është qeveria, fati i keq i të paktëve i përfshin një ditë prej ditësh të gjithë. Ky është ligji i pashkruar i diktaturave dhe oligarkive.
Publiku nuk ka marrë ende përgjigje nga Edi Rama ku janë 150 milion dollarët që mungojnë në dogana dhe tatime që nga fillimi i këtij viti?
Ku janë 50 milion dollarët e kontrabandës masive të cigareve? 
Kush janë garantët dhe përfitusit e kontrabandës së cigareve në qeveri? Kush janë garantët dhe përfituesit e kontrabandës gjigande të naftës “Virgin”, që u është shitur qytetarëve për naftë të cilësisë së parë?
Kush mban përgjegjesi politike për këto krime ekonomike monstruoze? Kush do ti dëmshpërblejë qytetarët për dëmet e pësuara? A ndihet përgjegjës kryeministri  që në vendin e qeverisur prej tij futen aradhë të gjata botesh me naftë “Virgjinia” kontrabandë, që tregtohet ditën për diell në pikat e shitjes me pakicë?
A ka ndonjë analizë për këto krime, që  pas  shumë peripecish janë marrë apo do merren në dorë edhe nga prokuroria e vendit? Këto pyetje, që unë i bëj prej disa javësh në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike janë parasëgjithash pyetjet e publikut. Por edhe sikur të ishin thjesht të mijat si kryetar i opozitës, Edi Rama ka detyrimin të përgjigjet.
Sepse bëhët fjalë për miliona dollarë që i takojnë arkës së shtetit, por i kanë  grabitur krokodilët e korrupsionit për të jetuar në luks dhe për të blerë vota; u janë marrë pensionistëve, ish të përdjekurve, ish pronarëve, qytetarëve në asistencë, nëpunësve publikë, shkollave, shëndetësisë që është katandisur në pikë të hallit, gjithë shqiptarëve.
Heshtja e zgjatur e bën dorëbrenda, pra të përfshirë, Edi Ramën në aferat e mëdha të kontrabandës dhe korrupsionit në dogana e tatime.
Që tani, pa qenë nevojë të presim prokurorinë, duket qartë se kontrata e tij me  “Croën Agents” është një dështim që kundërmon erë korrupsioni. Kjo kompani mori nga qeveria shqiptare paratë dhe lehtësirat e njohura, të cilat i kemi kundërshtuar që në krye të herës, por nuk realizoi asnjë prej objektivave të shpallura me bujë nga vetë Edi Rama.
Përkundrazi, doganat u kthyen në kohërat me të errëta të kontrabandës masive. Kjo është vepra e zezë e Edi  Ramës, që u shtohet të tjerave me të njëtën ngjyrë.  Ai duhet të japë llogari e do të japë llogari deri në fund për ketë katandisje të doganave dhe tatime shqiptare si nyje kontrabande dhe hajdutërie. Kontrata me “Croën agents” duhet të ndërpritet. Shqiptarët nuk duhet të paguajnë më asnjë qindarkë për këtë  kompani të lobuar nga kryeministri. Mjaft kanë paguar dhe kot kanë paguar.
Zoti Rama e ka bërë zakon t’i paraqesë me ngjyra të  bukura zullumet e tij, sikur po sjell risi, por kur zullumet plasin dhe qelbin vendin, siç është kjo e doganave dhe e “Croën Agent’s”, hiqet dorëjashtë, bën të paditurin, sikur nuk ka qenë ai autori, por ndonjë tjetër. Madje për tu dukur sikur nuk e ka fare mendjen  projekton një zullum të ri duke shkuar me mendimin se një zullum mund të mbulohet nga një tjetër.
Pikërisht këto ditë, kur ka plasur skandali i kontrabandës në dogana, zotëria njoftoi se po kërkonte një kompani të huaj për të menaxhuar portin e Durrësit!  Pak muaj më parë, e mbani mend, u vu në kërkim të një guvernatori të huaj për bankën qendrore.
Meqenese nuk bën dot vetë punën e kryeministrit, mendon se nuk ka shqiptarë për të bërë mirë punët e tyre në porte, në dogana, në bankë, e tjerë. Ide të tilla kanë në themel korrupsionin. Zhvillimet ne dogana e tatime e dëshmojnë.
Një gjë mungon sot në Shqipëri: qeverisja e mirë, qeverisja e përgjegjshme. 
Si opozitë kemi bërë e do të bëjnë gjithçka për të ulur sa të jetë e mundur koston e dëmeve që i shkakton vendit qeverisja e keqe Rama-Meta.
Presim me padurim shtatorin për të intensifikuar me grupin parlamentar, me  qytetarët shqiptarë dhe me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarëve betejën e madhe e të pandalshme kundër korrupsionit dhe krimit të ngritur në sistem dhe kundër kapjes dhe zhbërjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Kjo do të jetë beteja e re e rinisë shqiptare dhe qytetarëve të lirë shqiptarë për të ndaluar të keqen dhe për të çelur perspektivën e  demokracisë normale europiane  në Shqipëri.
Njeherësh, do të vijojmë të shpalosim alternativën tonë të taksave të ulëta, të  hapjes së vendeve të punës, të investimeve prodhuese, të investimeve në burimet natyrore të zhvillimit, të sigurisë juridike si një kusht për thithjen e investimeve të   huaja, e në tërësi të alternativës dhe platformës tonë për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Forca jonë, forca e Partisë Demokratike kanë qenë dhe janë parasëgjithash vlerat eurotllantike, vlerat e sprovuara të partive popullore simotra, vlerat e SHBA-ve dhe BE-së. Këto vlera janë dhe mbeten busulla që do të na çojnë drejt suksesit dhe fitores.
Faleminderit!


Fjala e kryetarit të PD, Lulzim Basha, në mbledhjen e Grupit Parlamentar, 23 Korrik 2015