Të nderuar kolegë,

Marrëveshja e sotme, në momentin e parë mund të na duket se na e afron më shumë datën e hapjes së negociatave. Por nisur nga shpjegimet e përfaqësuesve të qeverisë, marrëveshja ka për qëllim kryesor mbulimin e kostos së biletave të personave që do marrin pjesë në programe me BE. Kaq shumë e thjeshtoi përfaqësuesja e qeverisë në komisionin e ligjeve! Pra e kuptoni se përtej emrit pompoz, marrëveshja nuk na e afron më shumë datën e hapjes së negociatave.

Ndërsa pregatisja fjalën, shtysën kryesore ma dha premtimi solemn i kryeministrit ndaj Kancelares Merkel se 5 prioritetet e vëna nga BE për hapjen e negociatave do na u plotësokan të gjitha deri në vjeshtë. Me siguri Merkel nuk e besoi, por as shqiptarë budallenj nuk ka që ta hanë këtë gënjeshtër.

5 prioritetet që u vunë në 2014, pas zgjedhjeve të 2013, sigurisht që nuk përfshijnë bërjen e zgjedhjeve në përputhje me standartet ndërkombëtare. Nuk e përfshijnë sepse zgjedhjet e 2013 e kishin kaluar atë test. Në fakt e kishin kaluar që në 2009.

Zgjedhjet janë më shumë se pjesë e Kritereve të Kopenhagenit për të hyrë në BE. Me negociata apo pa to, me antarësim në BE apo pa të, zgjedhjet e lira dhe të ndershme I duhen shqiptarëve. Shqipëtarëve i duhen zgjedhje dhe jo thejsht votime siç ishin këto të 2015.

Po le të shohim pak progresin e zgjedhjeve:

Në 2001, ODIHR u shpreh se zgjedhjet ishin një hap përpara në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Imagjinoni vetë, një hap para nga zgjedhjet e 2000. Një hap para, pa asnjë koordintë se sa larg ishim nga arritja e standarteve.

Qeveria socialiste bëri çmos të fitonte, shkeli ligjin dhe standartet vetëm që të arrinte 84 mandate, të miratonte presidentin që donte dhe tí bënte ligjet me 3/5 e vetme. ODIHR vuri në pikëpyetje këtë shumicë të cilësuar vetëm për shkak të shkeljeve skandaloze që pa.

Në 2001 Shqipëria nuk kishte perspektivë për në BE. Asgjë nuk e shtynte qeverinë socialiste të përbushte kriterin e zgjedhjeve aso kohe.

Por në 2003, Samiti i Selanikut ku u përcaktua axhenda e integrimit europian të Ballkanit Perëndimor I dha një shtysë procesit demokratik. Kështu u bë reforma e parë konsensuale zgjedhore dhe zhdukja e problemit të policisë në zgjedhje qenë arritje.

Në 2003, ODIHR vulosi zgjedhjet si një shans I humbur për të arritur standartet ndërkombëtare. Progres shte i vogël. Shefi I misionit të ODIHR I cilësoi si një tango: dy hapa para dhe një hap prapa. Standartet shiheshin tashmë por ne ishim ende larg.

Në 2005 dhe 2007, raporti I ODIHR thote: Zgjedhjet u përputhën vetëm pjesërisht me angazhimet e OSBE-së dhe standarde të tjera ndërkombëtare për zgjedhje demokratike. Progres, por I pjesshëm. Sigurisht që nuk mund të kishte progress në 2007 po të kujtojmë bllokimin e pregatitjeve dhe shtyrjen e zgjedhjeve që shkaktoi Rama duke bllokuar listat e zgjedhësve në bashkitë dhe komunat e drejtuara nga socialistët.

Në 2005 punohej për MSA. Kjo e fundit u nënshkrua në 2006, pas zgjedhjeve. Më pas vendi u fut në reforma të thella për integrimin europian dhe euroatlantik. Pas zgjedhjeve të 2007, në vitin 2008 Shqipëria u antarësua në NATO. Përsëri zgjedhjet ishin kriter bazë politik.

Në 2009 ne aplikuam për antarësim para zgjedhjeve. Për zgjedhjet e atij viti, ODIHR për herë të parë vuri vulën e cilësisë. Zgjedhjet plotësuan shumicën dërrmuese të standarteve të OSBE, përfshirë standartet kyçe. Nuk pati manipulim të numërimit apo të rezultatit. Kështu u shpreh me shkrim ODIHR, edhe pse Rama kundërshtoi për 2 vjet rresht.

Punuam shumë në 2009-2010 për reforma dhe arritje standartesh. Iu përgjigjëm pyetësorit të BE, morëm liberalizimin e vizave por për shkak të bllokimit politik që Rama I bëri çdo reforme, statusi kandidat, sic e kujtoni, u shty.

Në 2011, zgjedhjet u quajtën kompetitive dhe transparente. Pa kompeticion, pa garë nuk ka zgjedhje demokratike. Edhe pretendimet e PS për transparencë mbetën bosh pas këtij vlerësimi. Por sigurisht, polarizimi që I bëri jetës politike Rama dhe PS nuk kaloi pa gjurmë.

Në 2012 nuk na e dhanë statusin. Vetë Komisioni Europian e pranoi se ishin përmbushur kushtet por kërkoi edhe 3 ligjet e famshme. U bënë edhe ato ligje në 2013, u bënë edhe zgjedhjet.

ODIHR u shpreh se zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit 2013 ishin konkurruese, me pjesëmarrje aktive të shtetasve gjatë gjithë fushatës dhe respekt të mirëfilltë për liritë themelore. Të gjithë pranuam se ishin ndër zgjedhjet më të mira që kishim bërë.

Në tetor 2013, një muaj pasi qeveria e PD la zyrat, Komisioni Europian vendosi se Shqipëria I kishte plotësuar tashmë të gjitha kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat. Statusi u mor disa muaj më vonë.

Pra, në 2001, kur nuk kishte asnjë kushtëzim në kuadër të integrimit europian, qeveria socialiste e kishte mendjen vetëm tek fitorja. Me çdo kusht.
Për një dekadë, 2003-2013 kur Shqipëria u fut në procesin e integrimit, zgjedhjet shënuan progres. Çdo stacion, çdo benchmark i procesit të integrimit ishte shtysë për progress demokratik. Kjo është provë për fuqinë demokratizuese të këtij procesi.

Zgjedhjet e 2015 ishin të parat pas 10 vjetësh të organizuara nga socialistët, përfshirë ata që lëvizin sa majtas djathtas. Test i parë i madh për këtë qeveri.
Së paku të ruanin standartet e arritura që në 2009. Nuk qe e thënë. Raporti paraprak I ODIHR e ka nxirë të paktën katër herë duke gjetur po aq shkelje të standarteve të OSBE, përfshirë të drejtën për të kandiduar. Ky është standart bazë.

Po si ka mundësi? Socialistët nuk dinë të bëjnë zgjedhje? Jo, thjesht nuk duan. Sepse si në 2001, I intereson veç pushteti, me çdo mjet e çdo kusht.
A ka ndonjë objektiv apo afat në procesin e integrimit që duhet arritur e që të shërbejë si shtytje? Për fat të keq jo. Nuk është caktuar asnjë datë për hapjen e negociatave. Pra nuk shohim asnjë dritë jeshile, sado larg. Na kanë vënë 5 prioritete, por s’ka asnjë progress të dukshëm për to.

Edhe Kancelarja Merkel as që përmendi ndonjë perspektivë të shpejtë. Tha që BE ka si interes të sajin integrimin në BE të Ballkani Perëndimor. Shyqyr që Rama nuk ia ktheu: Shqipëria ka nevojë për Evropën ashtu siç Evropa ka nevojë për Shqipërinë. Tamam si politikan siçilian.

Fundja edhe zgjedhjet e 21 qershorit si në Siçili I bëri. Para, dhunë, banda, blerje vote, kërcënim për të mos votuar, blerje kartash, karta fallso, emigrant që votojnë pa ardhur në Shqipëri, kërcënim si të votosh, banditë si kandidatë, banditë si staf zgjedhor madje edhe si vëzhgues, etj.

Ky është moment I errët për demokracinë dhe aq më shumë për zgjedhjet demokratike. Egzistenca e një objektivi apo afati të lidhur me BE na ka tërhequr përpara për një dekadë rresht. Sot nuk ka më të tillë, ndaj zgjedhjet e 2015 u dërrmuan në standarte bazë.

Edi Rama ka provuar se kërkon gjithmonë pushtet, e ka atë si ujin, nuk bën dot pa të dhe është gati të shkelë çdo rregull të shtetit apo të partisë për ta marrë dhe për ta mbajtur pushtetin.

Në 2013 e mori me zgjedhje por për të nuk ka rëndësi që pushtetin duhet ta konfirmojë vetëm me zgjedhje. Qëllimi justifikon mjetin, qoftë ky mjet blerja e votës, presioni dhe dhuna mbi opozitën dhe median, etj.

Për ta ilustruar, në 2000 Edi Rama u zgjodh kryebashkiak I Tiranës dhe manipulimet për llogari të tij I bëri Ilir Meta kryeministër I asaj kohe. Në 2003 ju kujtohet katrahura e zgjedhjeve në Tiranë kur vetëm që të rrinte Rama në pushtet në Bashki, 1/3 e qendrave të votimit u shpartalluan dhe u desh përsëritja e votimit. Po kështu ju kujtohet si bllokoi zgjedhjet në gjithë Shqipërinë në 2007 me histori çertifikatash e bllokim listash zgjedhësish. Vetëm që të mbajë pushtetin.

Por tani është kryeministër, I gjithëfuqishëm në krye të regjimit të tij. Sot kur nuk ka një deadline konkret për hapjen e negociatave me BE. Pyetja që të vjen vetiu është: a I intereson hapja e negociatave Ramës? A e do ai integrimin europian? Integrimin që I heq pushtet një kryeministri, nuk I lë shteg për korrupsion, kërkon që kriminelët të jenë në burg e jo në parlament app bashki?

Florian Bieber, të cilin e përmenda para një jave na jep dekalogun e këshillave makiavelike per një autokrat ballkanik të shekullit të 21.

1. Merrni kontrollin e zgjedhjeve, jo në ditën e zgjedhjeve, por përpara

Juve ju duhet t’i fitoni zgjedhjet dhe të pranoheni nga të huajt gjithashtu. Ju duhet të dukeni si një demokrat i mirë në Ballkan. Princi im i dashur, kjo nuk do të thotë që ju duhet të jeni i tillë.

Së pari, shihini zgjedhjet si një mënyrë për t’u forcuar. Zgjidhni me kujdes momentin e zgjedhjeve: zgjedhjet e parakohshme mund t’ju ndihmojnë të kapni opozitën të papërgatitur dhe të bëni votimet kur popullariteti juaj ka arritur majat. Ofrojuni votuesve ca para, apo faluni faturat e papaguara të energjisë, ka shumë mënyra për të marrë vota për pak gjë. Ndonjëherë konsideroni ofrimin e ca parave për njerëzit që të mos votojnë (ju e dini se ata do të votonin për kundërshtarin tuaj).

2. Merrni nën kontroll median, sigurohuni të keni shumë zëra, që thonë të njëjtën gjë, dhe mbani edhe një qen rojë për ta sulur.

Për të mbajtur pushtetin nga brenda vendit, media është e domosdoshme. Një pjesë e vogël e mediave janë ekonomikisht të shëndetshme dhe mënyra më e mirë për t’i kontrolluar është t’u jepni reklama atyre që raportojnë mirë për ju (dhe mos harroni, ju jeni reklamuesi më i madh).

Shumë gazeta dhe stacione televizive zotërohen nga biznesmenë të errët lokalë, për të cilët s’do mend është e lehtë të gërmoni disa detyrime tatimore të papaguara.

Gazetarët mund të jenë shpeshherë paksa të bezdisshëm dhe mënyra më e mirë për t’u siguruar se po sillen mirë është t’i kërcënoni pak, jo në publik, por ushtroni prak presion mbi disa prej tyre. Shumica syresh do të jenë të lumtur të vetëcensurohen.

3. Flisni për BE-në dhe dëshirën për t’u anëtarësuar por luani ‘ngrij-shkrij’.

Dëshirojeni BE-në, por lëshoni njëfarë doze dykuptimësie. Të jeni shumë pro-europian këto kohë tingëllon si përpjekje shumë e sforcuar me një partner që, në fakt, nuk ju dëshiron. Kështu pra, hidhni disa dyshime mbi projektin e integrimit.

Dhe e keni parë sa herë kyeministri ka hedhur doza euroskepticizmi për gjoja lodhjen e shqiptarëve nga pritja, se Europa nuk kupton rëndësinë e integrimit të Ballkanit sa e kuptojnë ballkanasit. Se Shqipërisë I intereson Evropa po aq sa I intereson Evropës Shqipëria, dmth, po nuk pati interes Europa, nuk kemi as ne. Për pak do të shpallë doktrinën sovjetike të mosndërhyrjes reciproke në punët e brendëshme. Kulmin e arrin me kërcënimin prej cheguevaristi se po nuk na pranoi Europa, në qaftë pas veten se do t’i vijë ISIS.

4. Flisni për luftën ndaj korrupsionit dhe reformat. Flisni, flisni dhe arrestoni ndonjë.

Kush është në favor të korrupsionit? Askush. Kështu, nuk ka temë më të sigurtë për të bërë fushatë dhe për të folur tërë kohën. Është mirë që të pozicionoheni si një luftëtar i patrembur ndaj korrupsionit dhe të paraqisni çdo të korruptuar si kundërshtar të sundimit tuaj, duke hedhur kësisoj dyshime korrupsioni mbi opozitën tuaj.

Sigurisht, është e vështirë të qëndroni të pushtet pa toleruar pak korrupsion. Sigurohuni që të keni suksese rastësore, disa arreste dhe procese. Mbajeni vath në vesh se arrestet janë më të rëndësishme se vendimet gjyqësore. Gjithashtu kapni disa nga çunat tuaj. Ju bën të dukeni më serioz.

Edhe reportazhet për stilin modest të jetesës ju ndihmojnë shumë, si dhe deklaratat e pasurisë mund të trajtohen me njëfarë shkalle lirie letrare. Tamam si ajo historia se me 3.000 Euro bëhet një super vilë.

5. Zgjidhni problemet me fqinjët për të fituar lëvdata dhe krijoni disa të tjera për të qenë popullor

BE-ja dhe të huajt pëlqejnë të merreni vesh me fqinjët tuaj, kështu që flisni për bashkëpunimin rajonal, për faktin që ne të gjithë bashkëndajmë të ardhmen tonë europiane.

Në këtë kohë, problemet e reja apo të vjetra me fqinjët janë shumë të dobishëm brenda vendit. Asgjë nuk e shumëfishon popullaritetin tuaj më shumë se zënka me fqinjët.

Droni në Beograd, incidentet në vizitën e Beogradit, prishja e paktit detar duke lënë hapur një problem kufitar me një vend anëtar të BE gjë që do tw na rwndojw kur tw fillojmw negociatat pwr antarwsim, të gjitha këto janë kripë dhe piper në këtë çorbë.

6. Lidh miqësi të ndryshme me të huaj, disa do t’ju kenë qejf për çfarë jeni, disa për atë që pretendoni të jeni.

BE-ja është investitori, donatori dhe klienti juaj më i madh, por mos u fokusoni vetëm tek ajo. Flirtimi me të tjerë do ta bëjë BE-në paksa xheloze dhe do t’ju kushtojë më shumë vëmendje. Plus që ju mund të paraqiteni si origjinal. Është po ashtu me rëndësi të kini parasysh se donator dhe investitorë të tjerë kanë më pak kapistra apo kushte.

A e keni vënë re sa janë shtuar kompanitë aziatike që po marrin konçensione apo zona të lira industrial? Ata nuk venë kushte në luftën kundër korrupsionit.

7. Punësoni votuesit tuaj. Flakni kundërshtarët.

Mënyra më e mirë për të qëndruar në pushtet është të merrni në punë votuesit tuaj. Ka plot vende pune për të ofruar, nga këshilltarët tek sanitaret.
Nëse është e qartë se ajo që ka rëndësi është përkatësia në partinë tuaj, kjo do t’ju ndihmojë të mblidhni vota dhe mbështetje për partinë. Shumë nga shërbyesit tuaj civilë do të rekrutojnë dhjetëra votues vetëm që të ruajnë vendin e tyre të punës.

Oponentët tuaj mund të flaken në rrugë, nga administrata shtetërore apo bizneset private (në fund të fundit, me shumë gjasë ju kontrolloni pjesën më të madhe të financimeve shtetërore), apo edhe prindërit, motrat dhe vëllezërit e tyre. Ka plot mënyra t’i bëni të mendohen dy herë kur flasin për ju.

8. Sundimi i Ligjit, sundimi juaj, ligji juaj.

Ndërkombëtarët do të flasin e flasin për sundimin e ligjit. Është e rëndësishme të siguroheni që ligji të jetë mjaftueshëm i komplikuar sa të mos zbatohet gjerësisht, por të ekzistojë gjithmonë një hijë paligjshmrie mbi të, që të mund të përdoret, kur të jetë e nevojshme. Demonstruesit mund të gjobiten me gjoba të majme për bllokimin e trafikut. Rregulla të tjera të vogla mund t’ju ndihmojnë t’ju kujtoni atyre se ai që sundon është ligji juaj.

9. Nuk duhet të keni ideologji, mund t’ju lëndojë.

Askush nuk do t’ju votojë për shkak të ideologjisë, do t’ju votojnë për shkakun tuaj dhe të punës që u ofruat për të afërmit e tyre.

Deviza e kryeministrit “Përtej së majtës dhe të djathtës” është lapidare në këtë kontekst.

10. Premtoni ndryshim, por sigurohuni që asgjë nuk ndryshon.

Votuesit tuaj duan që situata të përmirësohet, prandaj mos premtoni t’i mbani gjërat ashtu si janë, por krijoni një imazh se si do të jenë. Mbajini gjërat të pandryshuara, se ndryshimi është një premtim i lehtë, por një realitet i rrezikshëm.

Tani, ndryshim do të thotë fushatë e vazhdueshme. Drejtojeni qeverinë si të jeni në fushatë. Kjo do t’ju bëjë të dukeni energjik dhe ju ndihmon të dukeni sikur jeni akoma në opozitë, edhe pse nuk jeni.

I dashur Princ i Ballkanit (përfundon Bieber)

Sundimi është si vallëzimi buzë kraterit të një vullkani. Mund të sundoni vetëm nëse pretendoni se jeni demokrat në favor të integrimit europian, por mund të vazhdoni sundimin tuaj për një kohë të gjatë vetëm duke mos vepruar sipas këtyre pretendimeve.

Ky është dekalogu makiavelik që kuptohet qartë që Rama po e zbaton me përpikmëri, sikur ta kete konspektuar. Nëse kjo merret me të lehtë apo me të qeshur, nuk do të mjaftojnë zgjedhjet me standarte për të larguar këtë regjim që është instaluar në Tiranë.

Vjeshta e 2015 është në prag. Me siguri në vjeshtë, kryeministi do t’ia verë fajin opozitës antireformiste që nuk ia mbajti fjalën Kancelares Merkel. Pastaj vjen fundi I vitit. Nga viti që vjen do krijojë disa turbullira për të tërhequr vëmendjen. Ndryshime kushtetuese të njëanëshme, reforma pompoze.

Pse jo, do të arresojë disa drejtore apo edhe ndonjë ministër LSI-je, disa gjyqtarë. Siç thotë Florian Biebber, më shumë vlen arrestimi, se bën lajm tani, menjëherë. Dënimi kërkon kohë dhe nuk hyn në punë, është vonë.

Iku edhe 2016 dhe të gjithe do fokusohen tek zgjedhja e presidentit të ri. Votat I ka për ta zgjedhur I vetëm dhe do thotë se 84 e kusur votat e tij do të thotë konsensus.

Nuk është çudi që as rekomandimet e ODIHR të mos ketë pasur kohë ti zbatojë kryeministri. Për çfarë I duhen? Edhe në 2013-2015 nuk I preku me dorë, fitoi dhe askush nuk I tha gjë.

Ndërkohë erdhën zgjedhjet e 2017 dhe asgjë nuk ka ndryshuar nga makineria kriminale zgjedhore e 2015.

Blerja e votës, blerja e kartave të identitetit, përdorimi I kriminelëve, manipulimi I listave të zgjedhësve, përdorimi I policisë janë vetëm simptoma. Janë të gjitha simptoma të korrupsionit politik. Të atij korrupsioni politik që për të blerë dhe kapur pushtet, ushqehet me paranë e korrupsionit të madh qeveritar me tendera të drejtpërdrejtë dhe me paratë e krimit të organizuar.

Ndaj, kam një kërkesë për Kancelaren Merkel nga ky podium. Një kërkesë që do t’ia përsëris çdo interlokutori të huaj që do të takoj. BE duhet të bëjë hapje të kufizuar të negociatave. Sa më parë. Të hapin negociatat vetëm për kapitullin 23 në lidhje me luftën ndaj korrupsionit qeveritar dhe kapitullin 24 për luftën ndaj krimit të organizuar. Kapitujt e tjerë mund të presin deri sa t’i rikthehemi zgjedhjeve të lira e të ndershme.

Vetëm kjo hapje negociatash për do ta drenojë kënetën e qelbur ku po llokoçitet dhe trashet ky regjim. Sepse kështu inspektorët e Brukselit do ti qëndrojnë pas qafe Ramës dhe Metës e do t’I kërkojnë llogari për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vetëm kështu do të ketë shpresë.

Përndryshe, Rama dhe Meta di t’I blejnë zgjedhjet e 2017 me paratë e drogës dhe korrupsionit dhe do të rifillojnë të flasin për demokracinë diku nga 2019. Ndërkohë BE do të ketë gjetur motiv tek ato zgjedhje të blera për ta rishtyrë hapjen e negociatave edhe për disa vjet të tjera, si në rastin e Maqedonisë.

Nëse kjo është perspektiva, sigurisht është shumë e errët për shqiptarët.


Fjala në Kuvend e deputetit të PD, Oerd Bylykbashi, 9 Korrik 2015