Prej tre ditësh dhjetra bashkëqytetarë kanë mbetur të bllokuar në portin e Ankonës, dhe kjo gjendje dramatike për ta është shoqëruar nga shurdhëria e qeverisë dhe autoriteteve tona.

Asnjë interesim, asnjë qëndrim nga zyrtarët e qeverisë tonë për këtë situatë të paprecedentë ku mbi 80 qytetarë, bashkë me mallin e tyre të konsumit ngarguar në kaminonë vazhdojnë dhe tani që flasim të jenë të bllokuar në portin e Ankonës në Itali.

Ndërkohë u deshën 36 orë për të mbyllur kalvarin e tyre qindra familjarë me fëmijët e tyre të vegjël dhe me prindër të moshuar, të cilët gjendeshin edhe ata në tragetin që ka pësuar defekt.

Familjarët që vijnë në Shqipëri me pushime, që shpenzojnë këtu kursimet e tyre, që ndihmojnë ekonominë e vendit, u braktisën krejtësisht nga qeveria dhe autoritetet dhe u lanë vetëm në orët e vështira të qëndrimit me ditë të bllokuar në traget.

80 tregtarët që kanë kamionë me mall që rrezikon të prishet, janë ende të bllokuar dhe ende nuk ka asnjë kujdes apo interesim nga qeveria për fatin e tyre.

Partia Demokratike i kërkon qeverisë të negociojë me autoritetet italiane dhe të gjejë një zgjidhje të menjëhershme për kthimin e tyre në Shqipëri pa kosto të tjera për bashkqytetarët tanë.

Ne i kërkojmë qeverisë të kryejë detyrën e të mos heshtë duke parë nga larg këtë dramë që po luhet në kurriz të bashkqytetarëve tanë.


Deklaratë për shtyp e zëdhënëses së PD, Orjela Nebijaj, 20 Korrik 2015