LSI dhe PS po dëmtojnë rendë procesin zgjedhor nëpërmjet blerjes së votave, manipulimit të sistemit TIMS dhe presionit të administratës publike për të votuar në favor të tyre. Ka qenë kjo deklarata e fortë e kandidates së Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës Voltana Ademi, në një takim publik me temën “Gratë dhe fëmijët në programet e kryebashkiakëve” organizuar ngaShoqata Kristiane e Grave Shqiptare (YWCA) ku i pranishëm ishte edhe Ambasadori Amerikan, Donald Lu.

Duk u nisur nga mesazhi i publikuar një ditë më parë në faqen zyrtare të Ambasadës Amerikane në Facebook që u bënte thirrje shqiptarëve për të përcaktuar të ardhmen e tyre nëpërmjet votës së lirë, kandidatja Ademi ka publikuar fakte të njohura dhe të reja për përgatitjen e një skenari për manipulimin e zgjedhjeve.

“Duhet të verifikohet në mënyrë të menjëhershme sistemi TIMS. Ka denoncime se po përdoret sistemi TIMS në mënyre abuzive për regjistrimin e emigranteve që gjoja hyjnë në Shqipëri, për të justifikuar votimin fiktiv të tyre nga persona të tjerë, përmes përdorimit të kartave falso”, tha Ademi.

Për këtë argument, kandidatja Ademi solli në vëmendje investigimin e bërë publik nga media për klonimin e 700 kartave falso të cilat do të përdoren në zgjedhjet vendore të 21 qershorit për të shtuar fiktivisht numrin e votave.

“Të punësuarit po dorëzojnë gjysmën e pagës së tyre tek zyrat elektorale te LSI dhe PS. Ata kërcënohen dhe u bëhet presion që të garantojnë jo vetëm votën e tyre, por edhe të farefisit. Presion dhe terror po ushtrohet ndaj nëpunësve të punësuar, duke i kërkuar secilit të japë 150 mijë lekë kontribut për fushatë, vijoji Ademi.

Ajo u ndal edhe tek blerja e votës në këmbim të parave duke theksuar se koalicioni qeverisës PS-LSI u  kërkojnë qytetarëve kartat e identitetit dhe u japin shuma nga 30 apo 50 euro në varësi të sasisë së votave që do të garantojnë për ta. Ademi përmendi edhe manipulimin e të rinjëve nëpërmjet shpërndarjes së kuponave me stemën e LSI-së në vlerën 5 mijë lekë të reja e cila përdoret për blerjen e xhinseve apo bluzave në subjektet private të përcaktuara nga ata. Kandidatja Ademi theksoi se shuma të mëdha parash po shpërndahen përditë, me të gjitha mënyrat në zyrat e LSI dhe PS me synim blerjen e votave duke treguar dhe një foto ilustruese të bërë publike ditët e fundit në media. Blerja e votave në Shkodër nga këto stafe elektorale, tha Ademi, po organizohet edhe nëpërmjet  shpërndarjes së thasëve me miell, vaj, sheqer apo oriz të cilat u jepen familjeve të ndryshme.

“Ne kërkojmë respektimin e të drejtës së votës së lirë, si e drejtë kushtetuese. Vendos ti për veten tënde”, ka përfunduar fjalen e saj kandidatja e Partisë Demokratike për Bashkinë e Shkodrës, Voltana Ademi.


Njoftim për shtyp i Partisë Demokratike, 5 Qershor 2015